Kategori: Ukrainë

  • Suedia ndan 1.2 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

    Ministri suedez i Mbrojtjes ka thënë të enjten, më 30.01.2025, se vendi nordik është pajtuar që të ndajë një pako ndihme prej 1.23 miliardë dollarësh amerikanë për Ukrainën – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.

    Kjo konsiderohet ndihma më e madhe nga shteti skandinav, prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

    Kjo pako ndihme është e tetëmbëdhjeta e Suedisë deri tani.

    Qeveria suedeze po negocion tani me furnizuesit në Suedi dhe në Europë për të siguruar pajisjet parësore, si artileria dhe dronët – ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Johnson, në një Konferencë për media.

    Ndihma ka ardhur në kohën kur Ukraina ka mëdyshje për ndihmën e aleatëve perëndimorë. Presidenti i ri amerikan, Donald Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do ta ndalte luftën në Ukrainë menjëherë pas marrjes së timonit të Shtëpisë së Bardhë, më 20.01.2025.

    Megjithatë, këshilltarët e tij e kanë pranuar për mediat amerikane se mbase do të duhen muaj të tërë derisa të arrihet një Marrëveshje armëpushimi dhe për përfundimin e luftës.

    Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit Trump gjatë javës që t’ia mbajë anën Kievit – duke theksuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk i frikësohet Europës.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Disa rajone ruse raportojnë për sulme masive ukrainase

    Zyrtarët në disa rajone ruse kanë raportuar për sulme masive ukrainase me dronë gjatë natës që kanë pasur për shënjestër infrastrukturën e energjisë – përfshirë një Central bërthamor. Ndërkaq, Presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë këmbyer akuza lidhur me mundësinë e negociatave të paqes.

    Zyrtarët qeveritarë në rajonet e Rusisë të Smolenskut, Nizhni Novgorodit, Tverit, Kurskut, Leningradit dhe Brianskut thanë se zonat e tyre janë goditur nga dronët e Ukrainës më 28-29 janar, ndërkaq aeroportet në Kazan dhe Shën Petersburg kanë ndaluar përkohësisht operimin për shkaqe sigurie.

    “Në disa zona në rajonin e Smolenskut, objektet civile ishin subjekt i një sulmi masiv” me dronë – shkroi në Telegram guvernatori, Vasily Anokhin.

    “Sistemet e mbrojtjes ajrore dhe ato të luftës elektronike të Ministrisë ruse të Mbrojtjes janë duke i shkatërruar dronët… Një nga dronët u rrëzua gjatë përpjekjes për të sulmuar një ndërtesë me energji bërthamore. Nuk ka viktima apo dëme.” – shtoi Anokhin.

    Informacione të tjera nuk u dhanë, por Centrali bërthamor në Smolensk është një ndërtesë e madhe për prodhimin e energjisë, që gjendet rreth 100 kilometra nga qyteti i Smolenskut.

    Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus, Nizhni Novgorod, Gleb Nikitin tha se një dron ra në territorin e një kompleksi të karburanteve dhe energjisë në zonën industriale të Kstovskit, por nuk raportoi për viktima apo dëme të mëdha.

    “Shërbimet speciale po punojnë në vendngjarje dhe po përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për të lokalizuar zjarrin në një nga Njësitë e rafinerisë së naftës.” – tha Nikitin.

    Guvernatorët rajonalë në rajonin Briansk, në kufi me Ukrainën dhe Tver, në afërsi të Moskës, po ashtu raportuan për sulme me dronë. Në këto dy rajone, zyrtarët nuk raportuan për viktima apo dëme.

    Autoritetet në Aeroportin e Kazanit – kryeqytetit të Republikës ruse të Tatarstanit – thanë se të gjitha fluturimet janë ndërprerë për shkaqe sigurie, ndonëse nuk njoftuan nëse Aeroporti ishte cak i ndonjë sulmi.

    Agjencia shtetërore e lajmeve TASS ka raportuar po ashtu se fluturimet në Aeroportin Pulkovo në Shën Petersburg janë ndërprerë për shkaqe sigurie, por nuk u dhanë më shumë detaje.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar 104 dronë ukrainas në disa rajone gjatë natës. Ky pretendim i Rusisë nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

    Të dyja palët e përfshira në luftë kanë intensifikuar përdorimin e dronëve muajve të fundit – fluturake që shpesh kanë pasur për cak infrastrukturën e energjisë së të dyja shteteve.

    Rusia ka shkaktuar dëme të mëdha në objektet civile ukrainase përmes sulmeve të kryera me dronë, raketa, artileri dhe lloje të ndryshme të bombave. Kremlini mohon se shënjestron zonat civile, pavarësisht provave se kryen sulme të tilla.

    Brenda Ukrainës, guvernatori rajonal Vitaliy Kim tha se dy gra janë vrarë gjatë një sulmi me raketa të kryer nga Rusia në qytetin e Mikolajivit.

    Përveç sulmeve në fushëbetejë, krerët e dy shteteve kanë këmbyer akuza. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenti rus Vladimir Putin ka “frikë” që të hyjë në negociata për përfundimin e luftës, pasi udhëheqësi i Kremlinit refuzoi mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me homologun e tij ukrainas.

    “Sot Putini edhe një herë e konfirmoi se ai ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën.” – shkroi Zelensky në X.

    “Çdo lëvizje që ai bën dhe të gjitha marifetet e tij cinike synojnë që kjo luftë të jetë e pafund.” – shtoi ai.

    Më herët Putin i tha televizionit shtetëror rus se bisedimet me Ukrainën janë të mundura, por jo me Zelenskyn, të cilin ai e cilësoi si “jolegjitim”, për shkak se mandati i tij presidencial i ka mbaruar, teksa shteti ende është në gjendje lufte.

    “Por në esencë, nëse ata duan të vazhdojnë përpara, ka rrugë ligjore për ta bërë këtë. Lejoni Kryetarin (e Parlamentit ukrainas) ta udhëheqë këtë gjë, në bazë të Kushtetutës.” – tha Putin.

    “Megjithatë, deri më tani ne thjesht nuk shohim se ka një dëshirë të tillë.” – shtoi ai.

    Ndërkaq, Axios ka raportuar se ushtria amerikane gjatë kësaj jave ka transferuar në Ukrainë rreth 90 Sisteme kundërajrore Patriot, që janë marrë nga depot në Izrael dhe në Poloni.

    Axios, duke cituar tri burime që kanë njohuri për këtë çështje, tha se Sistemet Patriot i ishin dhënë Izraelit mbi 30 vjet më parë gjatë Luftës së parë të Gjirit./REL

  • Trump zotohet përsëri se do t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë përsëri se do t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë t’i japin fund luftës gati trivjeçare.

    Ai theksoi gjithashtu se do t’i kërkojë talibanëve t’ia kthejnë SHBA-së pajisjet e saj ushtarake, në vlerë miliarda dollarë, të cilat ishin lënë pas në Afganistan në vitin 2021.

    “Unë do t’i japë fund luftës në Ukrainë, do ta ndalë këtë rrëmujë në Lindjen e Mesme dhe do ta parandalojë Luftën e Tretë Botërore.” – tha Trump në palestrën Capital Arena, në Uashington, të dielën, një ditë para se ta bëjë betimin si President.

    Ai nuk shpjegoi se si do t’i arrinte këto.

    Analistët thonë se do të jetë e vështirë përfundimi i luftës në Ukrainë së shpejti, sepse presidenti rus Vladimir Putin beson se ai po fiton dhe nuk është i nxitur për ta ndalur luftën.

    Gjatë këtij tubimi, Trump bëri një përmbledhje të synimeve që ai pretendon se do t’i përmbushë gjatë katër vjetëve të ardhshme, brenda dhe jashtë vendit – duke përfshirë forcimin e Ushtrisë.

    Trump do të betohet si Presidenti i 47, më 20 janar, në mesditë. Ceremonia do të mbahet brenda ndërtesës së Kongresit për herë të parë pas 40 vjetësh – për shkak të motit të acartë.

    Gjatë fjalimit të tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara po u japin talibanëve në Afganistan “miliarda dollarë në vit” dhe se ai do ta ndalojë këtë nëse grupi ekstremist nuk i kthen miliarda dollarë në pajisje amerikane.

    “Dhe, unë them, nëse do të paguajmë miliarda dollarë në vit, duhet t’u themi atyre se nuk do t’ua japim paratë, nëse nuk na i kthejnë pajisjet tona ushtarake.” – tha Trump.

    Shtetet e Bashkuara lanë në Afganistan pajisje ushtarake të vlefshme rreth 7 miliardë dollarë, kur u tërhoqën në gusht të vitit 2021 – pasi talibanët rimorën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

    Rimarrja e pushtetit nga talibanët ka çuar në një rënie drastike ekonomike, ku më shumë se gjysma e afro 24 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare, si ushqim – sipas USAID-it, Agjencisë amerikane për zhvillim.

    Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë më shumë se 2.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare Afganistanit, që nga marrja e pushtetit nga talibanët – sipas USAID-it.

    Që kur morën pushtetin, talibanët janë dënuar nga liderët perëndimorë, Organizatat Ndërkombëtare dhe aktivistët për shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut – veçanërisht kundër grave dhe vajzave./REL