Kategori: Prokuroria

  • Ekspertiza – Shkaktarët që çuan në rrëzimin e kulmit nga ndërtesa e Komunës së Prishtinës

    Aktakuza ndaj Ylber Jasharit – zyrtar i Komunës dhe Bekim Baftijarajt, përgjegjës i kompanisë “NBT ING” SH.P.K., për rastin e rrëzimit të kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës përmban plot 23 prova materiale.

    Personi përgjegjës i kompanisë, Bekim Baftijaraj akuzohet për veprën penale “Punime ndërtimore te kundërligjshme”- neni 360 paragrafi 3. Paragrafi tre i këtij neni e specifikon se në rastet kur një person ka pësuar lëndime të rënda apo është shkaktuar një dëm i konsideruar nga punimet ndërtimorë të kundërligjshme, personi i akuzuar mund të dënohet me burgim nga 1 vit deri në 8 vite.

    I akuzuari tjetër për këtë rast është Ylber Jashari – zyrtar komunal, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Në provën e 23-të listohet të jetë prezantuar si provë edhe Ekspertiza e ndërtimtarisë, e cila është përpiluar në marsin e vitit 2024.

    Sipas konstatimit të kësaj Ekspertize janë listuar shkaktarët kryesorë për rrëzimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, ku kishte mbetur e lënduar një vajzë dhe ishin shkaktuar dëme materiale te disa vetura.

    1. Shkaktari kryesor i rrëzimit është listuar punimi i dobët, punimi joprofesional dhe jashtë standardeve të ndërtimit, sidomos jashtë standardeve të EUROCOD5, që kanë të bëjnë me konstruksionet e drurit.
    2. Tutje, si arsye për rrëzim të kulmit sipas kësaj Ekspertize është listuar lëshimi profesional dhe procedural – duke filluar nga planifikimi, tenderimi, mbikëqyrja dhe pranimi teknik.
    3. Tutje, në Ekspertizë, janë listuar edhe devijimet substanciale në punët e demolimeve dhe punimet e kulmit. Këto devijime – sipas Ekspertizës – ishin pranuar nga Mbikëqyrësi i Menaxherit.
    4. Si arsye tjetër pse ka ndodhur rrëzimi i kulmit të objektit të Komunës – sipas Ekspertizës së ndërtimtarisë – është edhe kryerja e punëve jashtë titullit të Kontratës me urdhër të Drejtorëve.

    Më 18.01.2024, një pjesë e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës kishte rënë nga objekti dhe kishte lënduar një kalimtare të rastit – duke shkaktuar dëme të tjera në vetura.

    “Jo, nuk janë kryer.” – ishte përgjigjur gjashtë herë personi përgjegjës i kompanisë “NBT ING” SH.P.K., Bekim Baftijaraj, kur ishte pyetur nga Policia se përse nuk janë zbatuar Pikat e caktuara të Kontratës për renovimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës.

    Sipas Prokurorisë, disa Pika (Pika 2.2., 2.3., 5.1., 5.17., 5.13., 5.14.) të Kontratës për kulmin e objektit të Komunës së Prishtinës nuk ishin kryer nga Kompania përgjegjëse.

    https://kallxo.com/lajm/cka-kishin-deklaruar-ne-polici-dy-te-akuzuarit-per-renien-e-kulmit-te-komunes-se-prishtines/

    Kryeprokurori, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media, më 27.12.2024, pati thënë se personat e dyshuar kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, si dhe janë dakorduar që të bëjnë kompensimin e dënimit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, në vlerë prej 36 mijë euro.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore Kompania.

    “I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro – duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore Kompania, ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2., 2.3., 5.1.5.13. dhe 5.14. – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të Kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të Kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale, përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.

    “Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të Kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale, përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2., 2.3, 5.1.5.13. dhe 5.14. të Kontratës së lartcekur, ku në ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U., në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës – me çka ka kryer veprën penale ‘punimet ndërtimore të kundërligjshme’.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro, që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

    Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria”, në Kryeqytet – një vit më parë. Në vendin e ngjarjes kishin dalë menjëherë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti.

    Raportimet tjera – LINK
     

  • Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim për tre inspektorët e arrestuar të ATK-së

    Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj tre inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u arrestuan për marrje ryshfeti.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zyrtari për Komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi.

    I njëjti konfirmoi se seanca dëgjimore pritet të mbahet gjatë së martës, më 21.01.2025, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

    KALLXO.com ka raportuar, më 20.01.2025, lidhur me aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar – nën dyshime për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit  të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘marrja e ryshfetit’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masa të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

    Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.

    “Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim  të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të veprës penale ‘marrja e ryshfetit’, Neni 421 i KPRK-së.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë.

  • Kanosi viktimën e fajdesë duke i kërkuar të tërheqë deklaratën, arrestohet i dyshuari

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, pas disa hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur të arrestojnë në pikën kufitare në Merdarë një person, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur një viktimë të fajdesë.

    Në njoftim thuhet se i dyshuari e kishte kanosur viktimën përmes rrjetit social Facebook – duke i shkruar mesazhe me përmbajtje kërcënuese dhe duke kërkuar nga ai të tërhiqej nga deklarata në rastin e fajdesë.

    “I pandehuri i arrestuar dyshohet se më 06.12.2024 ka kanosur viktimën e fajdesë, përmes rrjetit social Facebook – duke i shkruar mesazhe me përmbajtje kërcënuese, duke kërkuar nga i njëjti që të tërhiqet nga deklarata në rastin e fajdesë që kjo Prokurori e ka nën hetim. I njëjti ka lidhje të afërta familjare me të dyshuarin, i cili gjendet në paraburgim për veprën penale ‘fajdeja’, nga Neni 331 sipas KPRK-së.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

    I arrestuari është nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.