Kategori: Prokuroria

  • Arrestimet për marrje ryshfeti – flet Prokuroria e Gjakovës

    Prokuroria Themelore në Gjakovë për KALLXO.com ka njoftuar për aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar, nën dyshime për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit  të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masat të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve.” – sqaroi Prokuroria e Gjakovës.

    Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës, janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.

    “Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim  të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar: 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së.” – tha në mes të tjerash për KALLXO.com Drin Domi, zëdhënës në Prokurorinë në Gjakovë.

    https://kallxo.com/lajm/aksioni-i-krimeve-ekonomike-tre-te-arrestuar-ne-gjakove-per-marrje-ryshfeti/

  • Si u kap me drogë shoferi i Gjykatës Themelore të Prishtinës?

    Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak M. P., i cili po dyshohet për posedim të narkotikëve. I njëjti është shofer i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar, zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj.

    “Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 15.01.2024, ndaj të pandehurit M. P., ka aprovuar kërkesën e Prokurori të Shtetit, dhe ka marrë aktvendim duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak, e cila mund të zgjasë deri më 13.02.2025, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prizrenit.

    Gjykata me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, ndaj të pandehurit M. P. ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i njëjti me dashje dhe pa autorizim ka poseduar narkotikë, substanca psikotrope ose analoge të shpelluara të rrezikshme.

    “Më datën 13.01.2025 rreth orës 19:10min, në Prishtine, saktësisht në rr. Xhemajl Mustafa në lagjen Dardania, i pandehuri M. P., me dashje dhe pa autorizim ka poseduar narkotikë, substanca psikotrope ose analoge të shpallura të rrezikshme e në kundërshtim me nenin 9 dhe 14 të Ligjit për Barnat Narkotike, Substanca Psikotrope dhe Prekursorë Nr.02/L-128, dhe atë narkotikun e llojit Marihuanë me peshë 8.71gr dhe Kokainë me peshe 0.26gr, në atë mënyrë që natën kritike njësia policore, gjatë kontrolleve rutinore tek i pandehurit M. P., është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike, e cila substancë narkotike sekuestrohen nga ana e zyrtarëve policor”– thuhet në përgjigjjen e Gjykatës së Prizrenit.

    Kallxo.com ka provuar të marrë një përgjigje nga avokati i të dyshuarit M.P., Agim Kabashi, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

     

  • Dështon seanca ndaj avokatit të akuzuar se kërkoi 8 mijë euro për të ndikuar tek tre gjyqtarë

    Ka dështuar të mbahet seanca e sotme (17.01.2025) ndaj të akuzuarit Hamdi Jashari.

    Jashari nga prokuroria po akuzohet se në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

    Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është për shkak se ka munguar i akuzuari Hamdi Jashari për të cilin mbrojtësi i tij avokati Shemsedin Piraj bëri të ditur se nuk ka njohuri për mos ardhjen e tij.

    Po ashtu të pranishëm nuk ishin as i dëmtuari Eljmi Ajruli dhe Veli Kryeziu.

    Pasi nuk kishte kushte, seanca e sotme u ndërpre ndërsa e radhës u caktua për muajin shkurt 2025.

    Ky rast po trajtohet në përbërje të trupit gjykues Naser Foniqi- kryetar i trupit gjykues, anëtarët Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfullah.

    Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Bashkim Zeqaj.

    Kujtojmë se në seancën e datës 23.01.2024 i akuzuari Hamdi Jashari ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzave që rëndojnë për të.

    DOSJA E PROKURORISË

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

    Dosja thotë se vepra është kryer në periudhën kohore prej 25 maj deri në 2 qershor të vitit 2022.

    Jashari, sipas aktakuzës, duke qenë avokat mbrojtës i të dënuarit e të kërkuarit për vrasje A. A. për të cilin ka pasur kërkesë për ekstradim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pranuar shumën e lartcekur nga vëllai i klientit të tij.

    Këtë shumë, siç thuhet në aktakuzë, Jashari ka pasur për qëllim të ia jap kolegjit të gjyqtarëve të cilët kishin për të vendosur për ekstradimin e të mbrojturit A. A. në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i Jasharit, sipas Prokurorisë, ka qenë ushtrimi i ndikimit në mënyrë që kërkesa për ekstradim të refuzohej.

    Sipas aktakuzës ky kolegj përbëhej nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit, Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Veli Kryeziu.

    Hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën e tillë.

    Sipas versionit të të akuzuarit të dhënë në Prokurori, shuma e kërkuar prej familjarëve të klientit ka qenë për raste të mëhershme gjyqësore për të cilat A. A. nuk i ka përmbushur obligimet financiare.

    Ndërkaq, i akuzuari Jashari i cilësoi si “tejet armiqësore” raportet me gjyqtarin Veli Kryeziu.

    Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar me veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” e sanksionuar me nenin 424 të legjislacionit penal në fuqi.

    Sipas Kodit Penal, kushdo që dënohet për vepër të tillë mund të dënohet prej gjashtë muaj deri në tetë vjet.