Kategori: Gjykata

  • Gjykimi për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, dëgjohen katër dëshmitarë

    Një bombë e përgatitur në një vend të pazakontë, në një fermë delesh në një fshat të Kaçanikut, shpërtheu në kohën e syfyrit më 24.09.2007 në Prishtinë dhe i mori jetën Pleurat Sllamnikut e Naim Muratit dhe la të lënduar 11 persona të tjerë.

    Cak i këtij sulmi, sipas aktakuzës së Prokurorisë, ishte lokali “Sekiraqa”, e motiv ishte hakmarrja për vrasjen e policit Triumf Riza që kishte ndodhur më 30 gusht të atij viti.

    Polici Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007 sipas Prokurorisë nga Arben Berisha.

    Prokuroria pretendon se të akuzuarit me këtë veprim dëshironin të merrnin hak ndaj Enver Sekiraqës për ish-kolegun e tyre.

    Për këtë shpërthim të akuzuar janë Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi e Mehmet Mehmeti, dhe Afet Dalloshi.

    Sot, më 29.01.2025, janë dëgjuar 4 dëshmitarë.

    Mbi të akuzuarit rëndojnë tri akuza: vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë, dhe – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

    I pari i cili e dha dëshminë e tij ishte dëshmitari Liridon Nishevci, i cili tha se qëndron prapa deklaratave që i ka dhënë në vitin 2014 dhe se nuk ka ndonjë gjë tjetër.

    “Kanë kaluar 20 vjet, qato deklarata që i kam jep qato janë” – tha Liridon Nishevci. “Ma nuk është e freskët ajo” – shtoi tutje Nishevci.

    Dëshmitari i dytë i cili e dha dëshminë ishte Vigan Zeneli.

    Ai gjatë dëshmisë së tij tha se qëndron prapa deklaratave të cilat i kishte dhënë në fazat e hetimeve.

    “Atë natë me shokë kemi luajtur futboll dhe pastaj kemi shkuar në lokalin ‘Pasazh’ që ka qenë në pronësi të shokut tonë, Blerim Syla, edhe u kanë Ramazan dhe kemi vazhdu me nejtë aty. Diku para orës 2:00, kur jemi kanë tuj nejtë ulur kanë ardhur dy persona, për të tretin nuk e di sigurt, e kanë hapur derën edhe kanë pyetur a ka cigare këtu” – tha Zeneli.

    Ai rrëfeu se kishte qenë ulur përballë derës dhe i kishte parë kur ishin afruar dhe ata persona ishin çuditur në momentin kur i kishin parë këta në lokal. Dëshmitari tha se iu kishte përgjigjur se nuk kishte cigare aty.

    Sipas këtij dëshmitari, të njëjtit ishin larguar në drejtim të parkingut dhe pa kaluar dy minuta, katër persona me uniforma të njësisë ROSU të Policisë së Kosovës, me maska kishin kaluar.

    “Dy kishin kaluar nga ana e djathtë, dy nga ana e majtë dhe kanë shkuar në drejtim të atyre personave që kishin kërkuar cigare, duke bërtitur. Se çka kishin bërtitur nuk e di” – tha Zeneli.

    Ai tregoi se më nuk i kishte parë. “Mirëpo Gëzimi, që ka qenë me ne në lokal, kishte dalë jashtë te dera e lokalit dhe aty i kishte parë dhe ka thënë se Policia i ka ndalur ata dy persona të cilët ishin më herët te parkingu dhe po shtyhen me fjalë”.

    “Unë i kam thanë: Gëzim hyr brenda, mos na e thirr Policinë këtu. Nuk ka shkuar as një minutë a dy edhe u bë terr. Gëzimi hini brenda, e msheli derën edhe u ndal rryma. Ma nuk mbaj sen mend” – tha Zeneli.

    Më vonë ai tregoi se e kishte kuptuar se eksplozivi ku kishte qenë i vendosur kishte qenë përballë trafos kryesore.

    “Në atë moment më është dukur normal, ndërsa më pas e kam kuptuar arsyen e ndaljes”- tha Zeneli.

    Dëshmitari i tretë ishte Naim Hyseni, i cili tha se për arsye se kanë kaluar vite nuk i kujtohet saktë se çfarë ka ndodhur.

    “Janë bërë disa vjet, nuk më kujtohet saktë mirëpo mbetem prapa deklarimeve të dhëna në fazën hetimore” –  tha Naim Hyseni.

    “Nuk kam kurrfarë filmi, nuk muj me dëmtu veten as dikë tjetër”- shtoi tutje Hyseni.

    Ndërsa dëshmitari i katërt i cili dha dëshminë e tij në seancën e sotme ishte Shkëlqim Syla.

    I njëjti tha se mbetet pranë deklaratës së dhënë më 26.09.2006.

    “Mbetem në tërësi pranë asaj deklarate dhe tjetër nuk kam çfarë të shtoj” – tha Syla.

    Lidhur me natën kritike ai tregoi se atë natë kishte pasur mysafirë dhe se kanë qenë duke punuar. Dëshmitari tha se kanë qenë mysafirë të rregullt, miq, shokë.

    “Atë natë në orët e vona me sa më kujtohet ka qenë 1 person që ka kërkuar cigare” – tha Syla.

    Para se të ndodhte shpërthimi sipas tij një person kishte kërkuar cigare mirëpo para se të kërkonte personi cigare, kishte parë të tjerë që kishin kaluar nga lokali, se ata kishin qenë me rroba civile, me maska, me armë mirëpo nuk i kujtohej se sa persona kishin qenë.

    “Sa kohë ka kaluar kur kanë kaluar këta persona me rroba civile, me maska, deri te eksplozivi?”- e pyeti prokurori Armend Hamiti.

    “Nuk më kujtohet saktë, mirëpo nuk ka qenë kohë e gjatë”- tha Syla.

    Ky rast është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Alban Ajvazi (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.

    Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me ketë çështje pritet të mbahet gjatë muajit shkurt 2025.

    Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Afet Dalloshi, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti ishin liruar nga akuzat lidhur me shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, që Prokuroria pretendon se u krye si hakmarrje ndaj Enver Sekiraqës pas vrasjes së policit Triumf Riza.

    Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit ishte ankuar Prokuroria që pretendonte se vendimi i Themelores nuk ishte i drejtë.

    Vendimi i Gjykatës së Apelit që mban datën 04.04.2017, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, anulon vendimin e Gjykatës Themelore të korrikut të vitit të kaluar dhe rikthen çështjen në rigjykim.

    Ndryshe nga gjetjet e Gjykatës Themelore se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës sipas Kodit të Procedurës Penale.

    Dosja e Prokurorisë

    Nga shpërthimi në lokalin “Sekiraqa” më 27 shtator 2007 ishin vrarë dy persona, Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe ishin plagosur 11 të tjerë.

    Sipas Prokurorisë, ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës këtë hap e kishin ndërmarrë afër një muaj pasi ishte vrarë në Prishtinë polici Triumf Riza. Sipas Prokurorisë dyshohet se motiv i sulmit ishte hakmarrja.

    Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, ndërsa Policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.

    Sipas aktakuzës, polici Triumf Riza dhe Enver Sekiraqa kishin marrëdhënie të tendosura për shkak se Riza ishte në lidhje intime me këngëtaren A.I., që kishte qenë ish e dashura e Sekiraqës.

    Siç shkruan aktakuza, një fjalosje mes Rizës dhe Sekiraqës më 2006 në “Swiss Cassino”, eskaloi në shkëmbim me armë zjarri mes tyre, ku u lënduan dy persona, njëri nga ta anëtar i grupit të Sekiraqës. Riza ndihej i kërcënuar nga grupi i tij, prandaj edhe i kishte informuar eprorët e tij.

    Më 24 shtator 2007, rreth orës 02:10 të mëngjesit, të pandehurit vendosën eksploziv poshtë shkallëve që të shpinin në kafenenë “Sekiraqa”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit ishin në dijeni që mund të shkaktonin vdekjen e disa personave.

    “Të pandehurit e dinin se shpërthimi mund t’i vriste klientët, por ata e vazhduan planin e tyre. Këta klientë u bënë viktima të zemërimit dhe hakmarrjes së të pandehurve kundër Enver Sekiraqës” – thuhet në aktakuzë.

    Bomba u montua në fermën e deleve

    Sipas aktakuzës, mjeti shpërthyes ishte montuar në një fermë të deleve në fshatin Rakaj të komunës së Kaçanikut.

    Për këtë kishte dëshmuar edhe Basri Sejdiu, i cili ka treguar se punonte në fermën e deleve në këtë fshat. Ai kujdesej për fermën e deleve dhe punonte në një zyrë te porta, ku edhe flinte.

    Sejdiu ka deklaruar në Prokurori se kishte parë dy vetura policie që kishin mbërritur brenda 15 minutave njëra pas tjetrës natën në këtë fermë dhe gjithashtu kishte parë të vinte me to edhe një veturë civile.

    Një automjet vozitej nga Besnik Hasani, i cili i kishte thënë atij të futej brenda dhe të flinte.

    Të pandehurit, sipas aktakuzës, nuk arritën të vendosnin bombën brenda lokalit “Sekiraqa” ashtu siç ishte planifikuar.

    “Bari “Sekiraqa” ndodhet në katin e parë të ndërtesës. Në atë kohë, porta prej hekuri para derës së barit ishte e mbyllur, dhe ata nuk mundën ta këpusnin drynin. Kështu që, të pandehurit nuk arritën të hyjnë në bar. Prandaj, ata vendosën ta vinin bombën poshtë shkallëve që të shpinin në të” – shpjegohet në aktakuzë.

    Ndërkaq, bomba e vendosur te dera e lokalit kishte shkaktuar edhe dëme materiale te të paktën tetë biznese, që ishin në afërsi të këtij lokali.

    Ata akuzohen edhe për shkaktim të dëmit të madh pasuror në pronën dhe pasurinë e disa bizneseve, si: “Ciko”, “Besa”, “Uran Shped”, “Oslo”, “Pasazh”, “Noti”, “Kojota”, “FitnessClub”.

    Dëshminë e vet Prokuroria e mbështet edhe në bazë të korrespodencave përmes telefonave të këtyre personave, në atë kohë dhe atë natë.

    I pandehuri Arbresh Dalipi, më 23 gusht 2013, ka deklaruar në Prokurori se nga të pandehurit njihte vetëm Luan Qerkinin dhe Bekim Sumën, porse nuk mban mend numrin e tij të telefonit që e mbante më 2007, e as që ka shkuar në Prishtinë në atë kohë për ta takuar Besnik Hasanin, Nusret Cenën, ose Bejtullah Hasanin.

    Ndërkaq, i pandehuri Mehmet Mehmeti, fillimisht para Prokurorisë kishte mohuar takimin me Besnik Hasanin një ditë para shpërthimit. Por, kur Prokuroria i tha se kishte njohuri se ai kishte qenë në Prishtinë, Mehmeti kishte deklaruar se “mund të kem qenë duke e dërguar gruan për në Prishtinë dhe nuk e di pse Shpend Qerimi e ka përmendur”.

    I pandehuri tjetër Afet Dalloshi ka mohuar përfshirjen në vënien e bombës në lokalin “Sekiraqa”, ashtu siç kanë bërë edhe të pandehurit Luan Qerkini dhe Besnik Suma.

    Derisa Bejtullah Mehmeti deklaronte se i kishte thënë Policisë se po shihte serialin “Familja Moderne”. Por, ai nuk mund ta shpjegonte se si mobili i tij ishte ndodhur në Prishtinë në një kohë kur ai thoshte se ishte në shtëpi duke parë televizion.

    Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë ndërsa Afet Dalloshi për ndihmë, lidhur me shpërthimin e shtatorit të vitit 2007.

  • Gjykata në Belgjikë konfirmon burg të përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e Enver Hadrit

    Gjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri.

    Hadri u vra në Bruksel para 35 vjetësh.

    Gjykata ka konstatuar se Hadri ishte vrarë me urdhër të Shërbimit të zbulimit të ish- Jugosllavisë.

    Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri e cila për shumë vite ka kërkuar drejtësi para gjykatave të Belgjikës për vrasjen e Enverit.

    Fajësia e Vukotiqit dhe Drashkoviqit ishte konfirmuar nga juria të martën ndërsa dënimi u shpall të mërkurën.

    Juria këto vendime i ka marrë pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shqyrtimit të provave që kishet paraqitur prokuroria por edhe avokatët e mbrojtjes.

    Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar edhe në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por dy të palët ishin ankuar prandaj edhe ishte përseritur gjykimi.

    Bozhidar Spasiq, zyrtar i lartë i Shërbimit të zbulimit nga Beogradi, nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi.

    Të dënuarit ndodhen në Serbi dhe gjykimi në Bruksel është zhvilluar në mungesë.

    Procesi që është zhvilluar kësaj radhe ka qenë në fakt rigjykim pasi në vitin 2016 të akuzuarit ishin dënuar në mungesë.

    Sipas ligjeve në Belgjikë, të dënuarit mund të kërkojnë përseritje të gjykimit në rast se janë gjykuar në mungesë.

    Por kjo e drejtë, sipas avokatit belg Sokol Vlhajen, mund të përdoret vetëm një herë.

    Pra, pas dënimit të shpallur të mërkurën, që po ashtu ishte në mungesë të personave të akuzuar, më nuk mund të kërkohet rigjykimi.

    Advokati Sokol Vlhajen në gjykim ka përfaqësuar palën e dëmtuar, në këtë rast familjen Hadri, ndërsa nxjerrjen e provave e ka bërë Prokurori mbretëror i Belgjikës.

    Në Serbi nga të akuzuarit ka pasur edhe pretendime se gjykimi nuk mund të vlejë pasi lënda është vjetëruar sepse kanë kaluar shumë vite.

    Por Sokol Vlhajen thotë se kjo nuk është e vërtetë pasi dëshmitë kryesore, “të cilat pa dyshim dëshmojnë se si është urdhëruar vrasja dhe kush e ka kryer, kanë rënë në duar të autoriteteve të Belgjikës në vitin 2007, pra 17 vjet pas vrasjes.”

    “Dhe kur të dalin dëshmi të cilat nuk kanë qenë në dispozicion më herët, atëherë mund të zhvillohet gjykimi”, tha ai.

    Për të siguruar dëshmitë kanë ndikuar edhe proceset që janë zhvilluar në Tribunalin e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Aty kanë dëshmuar disa dëshmitarë të fshehur të cilët kanë folur edhe për vrasjet që janë porositur nga shërbimet e zbulimit, përfshirë edhe rastin e vrasjes së Enver Hadrit në Bruksel.

    Avokati i familjes Hadri thotë se dy herë, dy juri të përbëra nga 12 anëtarë kanë konstatuar se tre të dënuarit janë fajtorë për vrasjen e Enver Hadrit dhe kanë dhënë dënimin maksimal të mundshëm në Belgjikë.

    Kjo, siaps tij, dëshmon e nuk ka asnjë dyshim se provat janë bindëse për fajësinë e tyre.

    Sërgjan Cvijiq, autori i librit mbi vrasjet e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Jugosllav në Bruksel, i cili së shpejti do të botohet në Serbi, konsideron se për ata që kanë ndjekur gjyqin për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 2016, nuk është befasuese dënimi fajësues i përsëritur për Drashkoviqin dhe Vukotiqin.

    “Me këtë aktgjykim, më në fund vihet një pikë përfundimtare mbi këtë vrasje politike të kryer saktësisht 35 vjet më parë. Përveç rastit të vrasjes së emigrantit kroat Stjepan Gjurekoviq në Mynih në vitin 1983, vrasja e Enver Hadrit është një nga rastet e rralla ku është vërtetuar para gjykatës se UDBA jugosllave vriste kundërshtarët e saj politikë jashtë vendit”, tha Cvijiq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

    Vajza e Enver Hadrit, Teuta Hadri, tha se gjatë seancës gjyqësore u vërtetua sërish lidhja midis shërbimeve sekrete serbe dhe jugosllave me rrjetin kriminal të atëhershëm në Beograd.

    “Ata që organizuan vrasjen e babait tim u shpallën fajtorë, bazuar në dokumentet e shtetit të tyre”, deklaroi Teuta Hadri për gazetarët.

    Ajo konsideron se vendimi i Gjykatës Belge është një fitore jo vetëm për familjen Hadri, por edhe për të gjithë aktivistët e asaj kohe që luftuan për të drejtat e njeriut në Kosovë.

    Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë.

    Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.

    Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

    Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav./ REL

  • Gjykimi ndaj të akuzuarit Zoran Vukotiq për krime lufte në Vushtrri, dëshmitari rrëfen për vrasjen e djalit të tij 13-vjeçar

    Tre dëshmitarë janë dëgjuar në seancën e së mërkurës, 29.01.2025, të gjykimit të Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte, të kryera në Vushtrri më 1999.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të datës 23.06.2017, Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare, B.M., në Vushtrri.

    I pari që dha dëshminë para trupit gjykues ishte babai i të miturit të vrarë B.M., dëshmitari Ismet Muli.

    Dëshmitari Muli para trupit gjykues deklaroi se nuk kishte qenë në vendin ku ishte vrarë i biri i tij. Ai tha se për vrasjen e djalit të tij kishte mësuar nga mbesa e tij.

    Ismet Muli tregoi se me të marrë vesh lajmin tragjik menjëherë kishte shkuar me vëllanë e tij te vendi i ngjarjes, ku kishte qenë trupi i pajetë i djalit të tij.

    Dëshmitari Muli tha se trupin e pajetë të djalit të tij fillimisht e kishin dërguar të një fqinj i tyre dhe pastaj e kishin varrosur me disa persona të lagjes.

    Tutje, dëshmitari Muli tha se disa persona të lagjes i kishin propozuar që kufomën ta varrosin në oborr, por nuk kishte pranuar dhe kishte dashur që kufoma të varroset në varreza.

    Dëshmitari tregoi se Faton Muli, i cili kishte qenë së bashku me djalin e tij në momentin e vrasjes, i kishte treguar se i akuzuari Vukotiq e kishte vrarë djalin e tij.

    “Si zakonisht që tubohemi familjarët, me Fatonin jemi takuar edhe më tregoi: “Ai polici, ai i gjati ku çoj tamël e ka vra”- tha dëshmitari.

    Lidhur me të akuzuarin Vukotiq dëshmitari Muli tha se e kishte njohur edhe më herët pasi që kishte pasur një market përfundi banesës së të akuzuarit Vukotiq, dhe se ky i fundit kishte qenë disa herë në market të tij si klient.

    Tutje, gjatë seancës u dëgjua edhe dëshmitari Muharrem Kaqanolli.

    I pyetur për datën 18.04.1999 dëshmitari Kaqanolli tha se atë ditë kishte qenë në shtëpi dhe pasi kishin mbetur pa ushqim bashkë me djalin dhe dhëndrin e tij kishin shkuar te disa fqinj për të marrë ushqim (patate).

    Pasi e kishin marrë ushqimin, dëshmitari tha se ishin nisur për t’u kthyer në shtëpi.

    Tutje, ai tha se pasi rruga nga kishin ardhur kishte qenë me vrima dhe kalimi me karrocë kishte qenë i pamundur, kishin vendosur që të dilnin në rrugë dhe për një moment kishin dalë 3 policë në rrugë.

    Dëshmitari Kaqanolli tha se tre policët i kishte njohur dhe njëri nga ta e kishte drejtuar automatikun drejt tyre dhe kishte shtënë në ta.

    “Ata tre policë i kam njoftë, të tretë i kam identifiku menjëherë. Një prej tyre ka qenë më i gjati, ka qenë Zoran Vukotiqi, njëri ka qenë Zorani i Lekës dhe i treti ka qenë më i vogël me trup”- tha dëshmitari Kaqanolli.

    “Na ka drejtu automatin po nuk na ka gjujtë, kanë vazhdu edhe dy-tre hapa, u përkul ai Zorani i Lekës, na ka marrë në shënjestër. Unë veç e kam shty djalin te dera, dhëndri e ka lëshu kolicën… Dhe ia ka fut rafal. Dashti Zoti nuk na kapi më herët”-  shtoi tutje dëshmitari Kaqanolli.

    Dëshmitari Kaqanolli për të akuzuarin Vukotiq tha se e kishte njohur si figurë.

    Në pyetjen e prokurores Florije Salihu-Shamolli se a është i sigurt që i akuzuari Vukotiq kishte qenë ditën kur ishte shtënë në drejtim të tyre, dëshmitari u përgjigj: “Po, 100% jam i sigurt”.

    Tutje, në seancë u dëgjua edhe dëshmitarja Shpresa Rama.

    Lidhur me datën kritike, dëshmitarja tha se e kishte parë të ndjerin.

    “Unë kam qenë në gjysmë të rrugës, te shtëpia e Naserit, duke e pi një cigare, dhe e kam pa të ndjerin B.M., dhe Faton Mulin që në atë kohë kanë qenë afër 12-vjeç, me biçikletë duke dalë prej rrugës pa krye, duke shku në rrugë kryesore”- tha dëshmitarja Rama.

    Tutje, dëshmitarja tha se i kishte dëgjuar edhe krismat kur ishin gjuajtur dhe se kishte parë tani të ndjerin B.M. të shtrirë në tokë.

    Dëshmitarja Rama tha se i kishte parë tre policë, dy nga ta nuk i kishte njohur ndërsa personi i cili kishte qenë në mes të tyre, sipas saj, kishte qenë Zoran Vukotiq.

    “Është fytyrë që besoj edhe pas 100 vjete me pa fytyrën e tij s’e harroj kurrë”- shtoi me tej dëshmitarja Rama.

    Dëshmitarja tha se largësia e saj me policët kishte qenë diku rreth 30-50 metra.

    Tutje, ajo tha se të akuzuarin Vukotiq e kishte njohur si “Zoran gorilla”.

    “Krejt gjenerata jem, shoqnia që jemi rritë në atë kohë, e kemi quajtë Zoranin si “Zoran gorilla” për shkak të gjatësisë dhe qëndrimit që e mbajke”- tha dëshmitarja Rama.

    Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se nga mbrojtësi Nebojsha Vllaiq Gjykata e ka pranuar një parashtresë në të cilën kishte kërkuar që të mos i njihet statusi i palës së dëmtuar të dëmtuarit Faton Muli.

    Lidhur me këtë, prokurorja Florije Salihu-Shamolli deklaroi se qëndron prapa aktakuzës ku është propozuar që palë e dëmtuar të jetë Faton Muli.

    Ndërkaq lidhur me këtë trupi gjykues mori aktvendim duke refuzuar propozimin e avokatit Nebojsha Vllaiq, duke thënë se çështja e palës së dëmtuar varet nga propozimi i prokurorit dhe në aktakuzë  është i propozuar Faton Muli, dhe se Gjykata do të vendosë lidhur me kërkesën pasurore-juridike, formën dhe mënyrën e saj.

    Pasi që ishte përfundimi i orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre.

    Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Rrahman Beqiri – kryetar, Arben Hoti dhe Violeta Namani-Hajra – anëtarë.

    Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Florije Salihu-Shamolli.

    Zoran Vukotiq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për 4 aktakuza për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    Në seancën e datës 22.08.2024 me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokatit Nebojsha Vllajiq, ishte bërë bashkimi i procedurës penale për 4 aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

    I pandehuri Zoran Vukotiq në aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale, të ngritur më 20.04.2017 akuzohet se mes datës 2 dhe 3 maj 1999, në cilësinë e zyrtarit policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, duke vepruar në bashkëkryerje me anëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare që udhëtonin në një autokolonë mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme.

    Tutje, në aktakuzë, thuhet se civilët iu nënshtruan qëllimisht vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, zhvendosjes, aplikimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit të pronës etj.

    Sipas aktakuzës, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë çnjerëzore për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët kanë qenë: E.M., Xh.M., F.(A)G., E.R., A.B., Rr.A., një 14-vjeçar i paidentifikuar, si dhe H.A., Sh.G., M.G.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë, të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte shpallur fajtor për pikën III të aktakuzës, duke i shqiptuar dënim me 6 vjet e 6 muaj burgim, për krime lufte kundër popullatës civile të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte liruar nga pika e parë që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

    Ndërsa për pikën e II të aktakuzës që e ngarkonte Vukotiqin që në cilësinë e policit rezervist nga Stacioni Policor në Vushtrri  ka marrë pjesë në paraburgim të paligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në ndërtesën e ish-Kooperativës bujqësore në Vushtrri, gjatë së cilës civilët me qëllim i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor, për këtë pikë të aktakuzës prokurori i çështjes ishte tërhequr nga ndjekja penale.

    Gjykata e Apelit në vitin 2019 e kishte kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës se parë të aktakuzës, që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë.

    Tutje, kjo Gjykatë për pikën III të aktakuzës, ia kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq.

    Sipas aktakuzës së dytë të Prokurorisë Speciale të datës 16.05.2017 i pandehuri Zoran Vukotiq akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Gurolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, pasi kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm të nacionalitetit shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si : E.R., H.F., A.F., dhe F.F.

    Tutje, sipas pikës së dytë të aktakuzës, Zoran Vukotiq, po akuzohet se në bashkëkryerje, në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar: S.F., F.Sh., V.Xh., Z. Xh., N.Xh., B.Xh., Z.Xh., B.P., L. R., G M., H. M., G.Sh., A.S., S.Sh., B.O., Sh.O., dhe F.M., të cilët i kanë  rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat i bartin edhe sot.

    Tutje, sipas pikës së tretë të kësaj aktakuze i pandehuri Zoran Vukotiq po akuzohet se në bashkëkryerje me datë, kohë, në vend në cilësi të njëjtë si më lart në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së luftës në Kosovë me dashje dhe dhunshëm kanë plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra të tjera të çmueshme nga civilët shqiptarë, konkretisht nga të dëmtuarit si V.Xh., N.Xh., Z.Xh., B.O., Sh.O., B.M., A.F., H..F., dhe F.G.

    Me këtë i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim lufte kundër popullatës civile.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë me datë 16.05.2018 të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte liruar nga tri pikat e aktakuzës, sipas aktgjykimit nuk ishte dëshmuar se i njëjti kishte kryer veprat penale të cilat i viheshin në barrë.

    Ndërsa Gjykata e Apelit më 2019 këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së tretë të Prokurorisë Speciale të datës 23.06.2017, Zoran Vukotiq po akuzohet se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës” tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.

    Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare B.M. me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima, së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin, kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë.

    Tutje, sipas aktakuzës, më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.

    Tutje, sipas aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët, fillojnë të ikin, dhe njëri nga policët e uniformuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M., i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli, arrin t’u shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.

    Me këtë, i pandehuri Vukotiq, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krime lufte kundër popullatës civile.

    Për pikën e parë të kësaj aktakuze, për të cilën Vukotiq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer krime kundër popullatës civile, Prokuroria për këtë pikë ishte tërhequr nga ndjekja penale.

    Ndërsa, gjykimi  për këtë rast vazhdon për pikën e dytë të kësaj aktakuze.

    Aktakuza e katërt ndaj Zoran Vukotiqit është ngritur më 04.10.2023, me të cilën Vukotiq akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës. Ky gjykim është duke u gjykuar i mbyllur për publikun.

    Zoran Vukotiq akuzohej edhe për një rast tjetër se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.

    Ai akuzohej se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

    Gjykata e Prishtinës, më 5 korrik 2021 e kishte dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin mirëpo lënda është kthyer në rigjykim pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar, të cilat kërkonin ashpërsimin e dënimit dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.

    Edhe në rigjykim, Vukotiq ishte dënuar me 10 vjet burgim, i akuzuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare të Vushtrrisë gjatë luftës.

    Gjykata e Apelit më 15 shkurt 2023 e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që të dënuarit Vukotiq për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor ia kishte rritur dënimin edhe 3 vite, duke e gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vite, në të cilin dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim deri më datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    Ndërsa Gjykata Supreme e kishte vërtetuar dënimin dhe i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të avokatit mbrojtës dhe të dënuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.