Kategori: Gjykata

  • Gjykata e Prishtinës e dënon me 2,000 euro gjobë të akuzuarin për kanosje ndaj prokurorëve që e ftuan kryeministrin Kurti në intervistë

    Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 2,000 euro gjobë të pandehurin Merxhan Rexhepi, i akuzuar për kanosje ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

    “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”.

    Ky ishte komenti që Merxhan Rexhepi kishte postuar për dy prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, më 12.12.2024.

    I pandehuri obligohet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Nëse i pandehuri nuk e paguan gjobën brenda afatit, ajo i zëvendësohet me burg, 20 euro një ditë burg.

    Gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të akuzuarit Rexhepi nuk i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti lihet në liri.

    I pranishëm në gjykatore nuk ishte i akuzuari Merxhan Rexhepi.

    Po ashtu të pranishëm nuk ishin as të dëmtuarit, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

    Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari Sabit Sadikaj në Gjykatën e Prishtinës.

    Dosja e Prokurorisë

    Sipas aktakuzës të datës 23.01.2025, Merxhan Rexhepi po akuzohet se më 12.12.2024, në kohë të pacaktuar, në Prishtinë, ka kanosur seriozisht personat zyrtarë, me fjalët se do t’i privojë nga jeta dhe atë lidhur me punën e pozitën e tyre si prokurorë të shtetit.

    Sipas aktakuzës, në ditën kritike në mediumin “Gjakovarë” është publikuar një shkrim “Prokurori i PDK-së, Valdet Gashi është i njëjti Prokuror që kishte pamundësuar Albin Kurtin me qenë bartës i listës në Zgjedhjet 2021. Sot i njëjti ka nisur një luftë të re ndaj demokracisë në Kosovë. Ky është një sulm frontal i kastës së vjetër… L Haliti.” – ku këtij shkrimi i është bashkëngjitur një foto e prokurorit Valdet Gashi me mbishkrimin në foto: “Prokurori i PDK-së Valdet Gashi”, e shkrimi në fjalë ka të bëjë me ftesën dërguar kryeministrit Albin Kurti për intervistë nga prokurorët e PSRK-së, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se lidhur me këtë postim, i pandehuri Merxhan Rexhepi komenton dhe poston mbishkrimin: “Veç plumbi këta kriminelë të Serbisë i ndal”, dhe se këto fjalë te personat e kanosur, prokurorët Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, shkaktojnë shqetësim dhe ankth.

    Me këto veprime i pandehuri Merxhan Rexhepi po akuzohet se ka kryer veprën penale – kanosja.

  • Vrasja në “Bon Vivant”, avokati thirret në mbrojtje të nevojshme për veprimet e Andi Pajazitit

    Andi Pajaziti, i akuzuar për rastin e vrajses në “Bon Vivant”, më 04.08.2023, është ulur sërish sot, më28.01.2025, në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

    Pajaziti akuzohet për “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” në lokalin “Bon Vivant”, ku mbeti i varë K. R.

    Në seancën e sotme, avokati i të akuzuarit gjatë dhënies së fjalës përfunidmtare, deklaroi se veprimet e Pajazitit kanë qenë në mbrojtje të nevojshme.

    Avokati i të akuzuarit Pajaziti, Fanol Krasniqi në dhënien e fjalës përfundimtare, ka thënë se veprimet e Andi Pajazitit nuk janë bërë as nga pakujdesia e aq më pak me dëshirë.

    “Në rastin konkret mund të shtohet pyetja, a ka pasur mundësi Andi Pajaziti me i ik sulmit? Andi Pajaziti edhe po të donte s`ka mujt as me ik, as me iu shmang sulmit, mbrojta e Andi Pajazitit ishte proporcionale me mjetin e veprës, ishte i shënjestruar nga dy armë. Andit i është dashur me kusht ta shpëtojë kokën e vetë.” – ka thënë Krasniqi.

    Sipas avokatit Krasniqi, nëse veprimet konsistojnë me mbrojtje të nevojshme, nuk kemi vepër penale dhe nuk mund të dënohet dikush i cili nuk ka elemente të fajit.

    “Siç ka thënë edhe Monteskeu, e drejta e vetëmbrojtjes nuk është privilegj. Edhe ligji ynë e parasheh Dispozitën e Nenit 12: vepra e kryer në mbrojtje të nevojshme nuk është vepër penale.” – tha tutje Krasniqi.

    Krasniqi duke cituar fjalët e një juristi i cili kishte studiuar rolin e viktimave në rastet e vrasjes, tha se: “Të akuzuarit nuk janë çdo herë fajtor dhe viktimat nuk janë gjithmonë të pafajshëm”.

    Avokati i Pajazitit me të filluar dhënien e fjalës përfundimtare kërkoi nga gjyqtari që këtë rast ta gjykojë në bazë të provave, fakteve – duke mos u ndikuar nga emocionet e familjarëve të viktimës.

    Krasniqi tutje falënderoi mediat të cilat tha se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e asaj se çka kishte ndodhur atë natë.

    Ndërsa prokurorja Bukurie Gjonabalaj në fjalën përfundimtare ka thënë se Andi Pajaziti është fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet, në bazë të provave materiale dhe atyre personale të palëve që ishin të dëmtuara nga kjo ndodhi.

    https://kallxo.com/lajm/dosja-e-prokurorise-ndaj-andi-pajazitit-per-vrasjen-ne-bon-vivant/

    Prokuroria tha se Pajaziti vërtetohet se e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, edhe duke u bazuar në incizimet që janë shikuar në shqyrtim gjyqësor. Madje sa i përket kualifikimit juridik, prokurorja tha se është bazuar në ekspertizën e psikiatrisë forenzike.

    “Se i pandehuri e ka kryer veprën penale vërtetohet përmes video-incizimeve, që janë lëshuar në shqyrtim gjyqësor, ku vërehet momenti se ka qenë i goditur me një shishe qelqi në kokë, e ka shtënë në drejtim të të ndjerit – gjë që nga mendimi i ekspertit për gjendjen shëndetësore dhe mendore për Andi Pajazitin, ku konstatohet se tek i pandehuri në momentin e kryerjes së veprës penale ka dominuar gjendja e konfuzionit emocional dhe vepra është kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore.” – tha prokurorja Bukurie Gjonabalaj.

    Prokurorja kërkoi që të dënohet Pajaziti dhe të merren parasysh rrethanat rënduese si: shkalla e dëmit që e ka shkaktuar dhe historiku si i dënuar për vepra të tjera penale.

    https://kallxo.com/gjate/ne-disa-prej-aktakuzave-te-prokurorise-te-ngritura-kunder-andi-pajazitit-permendet-se-ai-perdori-arme/

    I dëmtuari i këtij rasti Granit Zeqiri ka thënë se kërkon dëmshpërblim – lidhur me këtë rast.

    Ndërsa Arlind Jupolli, i cili përfaqëson të dëmtuarin Agim Zeqiri, tha se meqenëse vepra penale për të cilat akuzohet Pajaziti nuk ndërlidhet asgjë me klientin e tij, nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, por që bëjnë Kërkesë për dëmshpërblim.

    Shpallja e Aktgjykimit për këtë rast penal pritet të bëhet më 31.01.2025, nga gjyqtari i vetëm gjykues, Eroll Gashi.

    Andi Pajaziti më 18.07.2024 në seancën e shqyrtimit fillestar kishte deklaruar se e pranon fajësinë për “armëmbajtje”, por për “vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore” nuk e pranon, pasi i njëjti ka vepruar në vetëmbrojtje.

    “Për veprën e parë penale ‘vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore’ nuk ndihem fajtor, sepse ajo vepër është kryer në vetëmbrojtje, kurse për ‘armëmbajtje’ e pranoj.” – deklaroi i akuzuari Andi Pajaziti.

    Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023, rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K. R.

    Dosja përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

    Pas tensionimit të situatës – sipas Prokurorisë – ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K. R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

    Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në Aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie me armë zjarri, me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K. R.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj. Gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

    Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti, me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme shëndetësore.

    Vdekja e K. R. – sipas Prokurorisë – ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

    Arma e cila është përdorur – sipas Prokurorisë – është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

    Për këtë, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.

    Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

    Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë, pas kërkesës së Prokurorisë.

    Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët e personave të tjerë, të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

    Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj, ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R., i cili kishte vdekur në QKUK.

    13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit, gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

    Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

  • Plagosja e policit në poligon – Gjykata vendos për të miturin

    Paraqitja në Stacion të Policisë është masa që ka vendosur Gjykata ndaj të miturit, i cili dyshohet se plagosi zyrtarin policor brenda një poligoni privat në regjionin e Gjilanit, përkatësisht në fshatin Pasjak, më 26.01.2025.

    Kurse për instruktorin e poligonit i cili ishte arrestuar pas incidentit, KALLXO.com mëson se të njëjtit ende nuk i është vendosur masa e sigurisë.

    Sipas Dosjes që ka siguruar KALLXO.com, i mituri në bazë të vendimit të gjyqtarit Sahit Borovci, për shkak të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” duhet të lajmërohet në Polici një herë në javë, deri më 25.02.2025.

    Gjykata nuk ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë në Gjilan për masën e paraburgimit ndaj të miturit, i cili brenda një poligoni në regjionin e Gjilanit qëlloi një zyrtar policor, i cili ishte duke ushtruar në një pistë tjetër të këtij poligoni.

    KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes për incidentin në poligonin privat në fshatin Pasjak të Novobërdës.

    Gjyqtari kishte konstatuar edhe se “me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatojë për të siguruar praninë e të pandehurit, Gjykata detyrohet t’i marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të sigurojë që të mos zbatojë masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë”.

    Në Dosjen që ka siguruar KALLXO.com thuhet edhe se i mituri ka qenë këmbëngulës që të gjuajë dhe të mësojë përdorimin e armës.

    “Sipas të dhënave, dëshira për përdorim dhe mësim të përdorimit të armëve në një moshë të mitur, siç ka vepruar i mituri, mund të ndikojë jashtëzakonisht keq në formimin e personalitetit të të miturit. Po ashtu kur kemi parasysh këmbëngulësinë e treguar për faktin se i mituri disa herë ka tentuar të gjuajë me armë zjarri në pistë, përkundër se nuk ka mundur. Nuk heq dorë duke tentuar përsëri, ku edhe arrin të shkrepë armën e zjarrit, që për pasojë e lëndon rëndë në nofull të dëmtuarin.” – thuhet në Dosjen e Gjykatës.

    Me këto veprime Gjykata ka konstatuar se edhe këto veprime të të miturit tregojnë rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprën penale.

    Mbi këto vlerësime, gjyqtari ka vendosur që të shqiptojë masën – atë për paraqitjen në Stacion Policor për të miturin.

    Më 27.01.2025, KALLXO.com raportoi se Prokuroria e Gjilanit kishte kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për të miturin i cili dyshohet se ka plagosur zyrtarin policor në një poligon qitjeje, në Pasjak të Novobërdës, më 26.01.2025, si dhe të inspektorit i cili ka qenë duke punuar në poligon, kur ka ndodhur rasti.

    Të dy ishin ndaluar të dielën nga organet e rendit, pak pasi ndodhi incidenti me armë.

    Policia konfirmoi se dyshohet se të miturit aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka plagosur policin.

    Të hënën Policia e Kosovës në Raportin 24-orësh njoftoi se rasti është iniciuar, si: “vrasje në tentativë nga pakujdesia” dhe “rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Sipas detajeve të PK-së, rreth orës 19:00 është raportuar se në një poligon të gjuajtjes, të dyshuarit dyshohet se i është bllokuar arma dhe po ashtu dyshohet se nga pakujdesia aksidentalisht i ka shkrepur arma dhe ka qëlluar zyrtarin policor.

    “Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Me vendim të Prokurorit është arrestuar personi i dyshuar dhe instruktori i poligonit për gjuajtje, i dyshuari mashkull kosovar dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.” – thuhej në Raport.

    Si prova materiale lidhur me rastin, Policia tha se janë sekuestruar tri armë zjarri.