Kategori: Botë

  • Së paku shtatë të vdekur në rrëmujën e Festivalit “Maha Kumbh” në Indi

    Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur në një rrëmujë në Maha Kumbh Mela në Indinë veriore të mërkurën, ka njoftuar një zyrtar, ndërsa dhjetëra-miliona persona ishin mbledhur për zhytjen e shenjtë në ditën kryesore të Festivalit indus gjashtëjavor – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Ngjarja ndodhi ndërmjet 1 dhe 2 të mëngjesit pranë arenës ku ishin vendosur barrikada për menaxhimin e turmës gjatë zhytjes së tyre të shenjtë – ka theksuar Yogi Adityanath, kryeministër i shtetit Uttar Pradesh, ku mbahet Festivali.

    Kryeministri Narendra Modi, në një postim në X, ka shprehur ngushëllime për “adhuruesit që kanë humbur të dashurit e tyre”, por nuk specifikoi numrin e të vdekurve.

    “Administrata lokale është e angazhuar për të ndihmuar viktimat në çdo mënyrë.” – ka theksuar ai.

    Adityanath shtoi se situata ishte nën kontroll, por turma ishte ende masive.

    Një zyrtar i lartë shtetëror ka theksuar se “më shumë se shtatë persona janë vrarë në rrëmujë dhe rreth 10 të tjerë janë plagosur”. Zyrtari nuk deshi të identifikohej, pasi nuk është i autorizuar të fliste për media.

    Videot dhe fotografitë pas rrëmujës treguan trupat që merreshin me barela dhe njerëz të ulur në tokë duke qarë, ndërsa të tjerët kaluan mbi rroba, këpucë, çanta shpine dhe batanije të lëna nga ata që përpiqeshin t’i shpëtonin rrëmujës.

    Një dëshmitar ka theksuar për Reuters se ka parë disa trupa të pajetë, teksa dhjetëra ambulanca po nxitonin drejt bregut të lumit ku ndodhi incidenti.

    Dëshmitarët thanë se kishte një rrëmujë të madhe pranë bashkimit të tre lumenjve të shenjtë – ku zhytja konsiderohet veçanërisht e shenjtë – që bëri që besimtarët të binin mbi njëri-tjetrin. Kryeministri Adityanath u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën.

    “Ne kishim barrikada para nesh dhe policë me shkopinj në anën tjetër. Shtytja nga pas ishte shumë e fuqishme… njerëzit filluan të binin.” – ka thënë Vijay Kumar, i cili shkoi në Festival prej qytetit lindor Patna.

    “Kishte njerëz të shtrirë përreth, nuk e di nëse ishin të vdekur apo gjallë.”

    Një grua që ishte pjesë e turmës, por nuk tregoi emrin, ka treguar për Agjencinë e lajmeve ANI se njerëzit “vazhdonin të shkelnin” nënën e saj dhe atë teksa ato kishin rënë përtokë.

    “Unë jam mirë, por nëna ka vdekur.” – ka thënë ajo.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Senati konfirmon Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent

    Senati amerikan konfirmoi të hënën Scott Bessent-in si Sekretar të Thesarit, në Qeverinë e Presidentit Donald Trump, duke i dhënë kështu drejtuesit miliarder të fondeve të investimeve një rol qendror në hartimin e përparësive politike të Administratës së re në lidhje me uljen e taksave, të shpenzimeve qeveritare dhe menaxhimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatët dhe kundërshtarët.

    Si Sekretari i 79-të i Thesarit, zoti Bessent do të ketë ndikim mbi mbledhjen e taksave dhe tregun e borxhit të thesarit prej 28 trilionë dollarësh, mbi politikën fiskale, rregulloret financiare, sanksionet ndërkombëtare dhe investimet nga jashtë.

    Votimi ishte 68-29, me 16 demokratë që mbështetën emërimin e tij.

    Zoti Bessent, 62 vjeç, tashmë është shfaqur si një mbrojtës i fuqishëm për agjendën ekonomike të Presidentit Trump, e cila përqendrohet tek ulja e taksave dhe vendosja e tarifave të larta, që demokratët dhe disa ekonomistë argumentojnë se mund të zhbëjnë një pjesë të përparimit që ka bërë Rezerva Federale në vendosjen e inflacionit nën kontroll.

    Në seancën e tij të konfirmimit zoti Bessent paralajmëroi se dështimi për të rinovuar një shkurtim prej 4 trilionë dollarësh nga taksat, që skadon në fund të këtij viti, do të ishte një “fatkeqësi” për amerikanët e klasës së mesme dhe argumentoi se tarifat do të ndihmonin në luftimin e praktikave të padrejta tregtare, rritjen e të ardhurave dhe do të forconin ndikimin e Shteteve të Bashkuara në negociatat ndërkombëtare.

    Ai kundërshtoi gjithashtu idenë se politikat e Presidentit Trump do të ishin inflacioniste dhe tha se përpjekjet e Administratës për të rritur prodhimin e naftës në fakt do të ndihmonin në uljen e çmimeve.

    Si zyrtari më i lartë ekonomik i Presidentit Trump, zoti Bessent do të përballet me një sërë sfidash, më urgjentja prej të cilave do të jetë menaxhimi i likuiditetit të Qeverisë federale, pasi Qeveria arriti kufirin e saj ligjor të borxhit në ditën e dytë të Presidentit Trump në detyrë. Edhe përpara se të bënte betimin, Departamenti i Thesarit po përdorte “masa të jashtëzakonshme” për të shmangur shkeljen e kufirit të borxhit dhe shkaktimin e një falimenti katastrofik. Zoti Bessent u tha senatorëve në seancën e tij të konfirmimit se nuk do të kishte mospagim nën drejtimin e tij.

    Sekretarit Bessent do t’i duhet gjithashtu të merret me perspektivën e rritjes së deficiteve buxhetore dhe borxhit të shtuar të Qeverisë që vlerësohet të arrijë në triliona dollarë – nëse rinovimi i uljes së taksave dhe lehtësimet e tjera të premtuara tatimore nuk mund të kompensohen nga rritja e të ardhurave ose shkurtimet e shpenzimeve. Nëse vazhdon precedenti i deritanishëm, ai do të jetë një aktor qendror që do të punojë me Kongresin për përmasat dhe trajtën e reformave tatimore./VOA

  • Policia suedeze arreston burrin i cili mësyu Ambasadën ruse në Stokholm

    Policia suedeze ka bërë të ditur të martën, më 28.01.2025, se ka arrestuar një burrë i cili po mundohej të hynte me forcë me një makinë nëpër portat e Ambasadës ruse në Stokholm, mëngjesin e sotëm – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Policia ka bërë të ditur se burri 45 vjeç ka dështuar në përpjekjen e tij dhe se është arrestuar nga autoritetet e rendit. Ai është arrestuar si i dyshuar për “shkelje të rëndë”. Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi për identitetin e burrit.

    Një zëdhënës policie ka bërë të ditur se nuk ka indikacione të menjëhershme për motivin e mësymjes dhe se në makinë nuk kishte asgjë të dyshimtë.

    Reutersi nuk ka pasur mundësi që të merrte menjëherë një deklaratë prej Ambasadës ruse në Suedi.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com