Kategori: Botë

  • Raportohet se Izraeli nuk lejon mijëra palestinezë që të kthehen në veri të Gazës

    Izraeli bllokoi mijëra palestinezë që të ktheheshin në veri të Gazës, ndërsa akuzoi Hamasin se nuk ka respektuar marrëveshjen sa përket rendit të pengjeve që duheshin liruar. Autoritetet lokale thanë të dielën se forcat izraelite qëlluan mbi turma duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas, Izraeli të shtunën do duhej të fillonte t’i lejonte palestinezët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, në këmbë përmes të ashtuquajturit korridori Netzarim që përshkon mes për mes Gazën. Izraeli vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë derisa Hamasi të lirojë një peng për të cilin Izraeli tha se supozohej të ishte liruar të shtunën. Hamasi nga ana e tij akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.

    Në një tjetër zhvillim, Presidenti Donald Trump sugjeroi që pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës duhet të zhvendoset përkohësisht diku tjetër, përfshirë në Egjipt dhe Jordani në mënyrë që të bëhet e mundur siç u shpreh ai “pastrimi” i të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.

    Më herët, Egjipti, Jordania dhe vetë palestinezët kanë refuzuar një ide të tillë, pasi druhen se Izraeli mund të mos lejojë më kurrë kthimin e të zhvendosurve në Gazë./VOA

  • Lideri autoritar bjellorus, Lukashenka synon mandatin e shtatë mes kritikave nga Perëndimi

    Bjellorusët dolën për të votuar të dielën në zgjedhje që pritet t’ia dhurojnë edhe një mandat tjetër pesëvjeçar presidentit autoritar Alyaksandr Lukashenka, i cili është mik i ngushtë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka bashkuar Lukashenkan dhe Putinin më shumë se kurrë më parë, pasi lideri autoritar ia ka ofruar Putinit vendin e vet si platformë për ta nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, ndërsa në vitin pasues u pajtua ta lejojë Moskën të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

    Kjo e ka bërë 70-vjeçarin Lukashenka – i cili është mënjanuar dhe sanksionuar nga Perëndimi edhe para së të niste lufta – edhe më shumë të izoluar.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë para zgjedhjeve të dielën se votimi nuk mund të jetë i lirë dhe i drejtë, për shkak se mediat e pavarura janë të ndaluara në Bjellorusi dhe të gjitha figurat kryesore opozitare ose janë burgosur, ose janë detyruar të ikin nga vendi.

    “Kjo është fyerje e hapur ndaj demokracisë”, shkroi në rrjetet sociale shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke e përshkruar votimin si farsë.

    Udhëheqësja opozitare në mërgim, Sviatlana Tsikhanouskaya, tha se Lukashenka po e orkestron rizgjedhjen e tij si pjesë e një “rituali për diktatorët”.

    Lukashenka, dikur shef i fermës sovjetike, thotë se është populli ai që ka zgjedhur ta mbajë atë në pushtet që nga viti 1994.

    Ai u zotuar gjatë një tubimi të premten se të sjellë “drejtësi, siguri dhe një det me mundësi”.

    Ai përballet me katër kandidatë të tjerë, asnjëri prej të cilëve nuk ka bërë ndonjë sfidë apo kritikë serioze. Në përgjithësi, 6.9 milionë njerëz janë regjistruar për të votuar./REL

  • Propozimi i Donald Trump për situatën në Gaza

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tregoi se kishte folur të shtunën me mbretin e Jordanisë për ndërtimin e mundshëm të banesave dhe zhvendosjen e më shumë se 1 milion palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje.

    Siç raporton CNN, Trump tha se i kërkoi Abdullah II të Jordanisë, një partner kyç i SHBA-së në rajon, të pranonte më shumë palestinezë.

    “Unë i thashë atij se do të doja që ju të merrnit më shumë, sepse po shikoj të gjithë Rripin e Gazës tani dhe është një rrëmujë, është një rrëmujë e vërtetë,” u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One.

    Agjencia shtetërore e lajmeve e Jordanisë Petra raportoi telefonatën me Trump, por nuk përmendi zhvendosjen e palestinezëve.

    Sipas OKB-së, mbretëria tashmë është shtëpia e më shumë se 2.39 milionë refugjatëve palestinezë të regjistruar.

    Trump tha se do të donte që edhe Jordania edhe Egjipti – që kufizohet me enklavën e shkatërruar – të strehojnë njerëz dhe se ai do të fliste me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi për këtë çështje të dielën.

    “Ju po flisni për një milion e gjysmë njerëz dhe ne thjesht e pastrojmë të gjithë këtë gjë”, tha Trump, duke shtuar se ka pasur konflikte shekullore në rajon.

    Ai vazhdoi: “Nuk e di, diçka duhet të ndodhë, por është një vend rrënimi tani. Pothuajse gjithçka është shkatërruar dhe njerëzit po vdesin atje, kështu që unë preferoj të përfshihem me disa nga kombet arabe dhe të ndërtoj banesa në një vend tjetër ku mendoj se ata mund të jetojnë në paqe për një ndryshim.”

    Presidenti, një ish-zhvillues pronash, tha se strehimi i mundshëm “mund të jetë i përkohshëm” ose “mund të jetë afatgjatë”.

    Me marrjen e detyrës këtë javë, Trump anuloi sanksionet e kohës së Bidenit kundër kolonëve izraelitë që konsideroheshin përgjegjës për dhunën vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kjo u mirëprit nga ministri i financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili ka argumentuar fuqishëm që Izraeli të rivendosë vendbanimet hebraike në Gaza u braktis me urdhër të Izraelit në 2005.

    Përgatiti:Xheneta Murtezaj