Kategori: Botë

  • Televizioni CNN i largon 200 punëtorë nga puna në kuadër të transformimit digjital

    Televizioni amerikan CNN ka bërë të ditur, më 23.01.2025, se po kryen një ristrukturim – duke përfshirë largimin e 200 punëtorëve nga puna, në kuadër të kalimit në operacione digjitale dhe role të reja televizive për personalitete, si: Wolf Blitz, Jake Tapper dhe Audie Cornish – raporton Agjencia amerikane e lajmeve AP.

    Është ristrukturimi më i guximshëm deri më tani në mandatin 18-mujor të shefit ekzekutiv, Mark Thompson, ish-drejtor ekzekutiv në gazetën prestigjioze “The New York Times” dhe transmetuesin britanik BBC. Ai është angazhuar nga kompania amë “Warner Bros. Discovery”, për të rikthyer fitimet në rënie të mediumit amerikan.

    Largimet nga puna përqendrohen në pjesën e biznesit televiziv të CNN-it, ku vlerësimi ka rënë pasi shikuesit po heqin dorë prej kabllorit dhe po kërkojnë burime të tjera lajmesh. Largimet do të kompensohen përfundimisht me punësimet të reja në sektorin digjital, ku “Warner Bros. Discovery” po investon 70 milionë dollarë – ka njoftuar CNN.

    “Ky nuk është manifestim i kursimit të shpenzimeve.” – ka deklaruar Thompson në një intervistë. “Ne në fakt po anojmë për rritje investimesh”.

    Largimet nga puna ose janë bërë ose pritet të bëhen në të gjithë industrinë e lajmeve. Vlerësimi i CNN-it ka pësuar goditje që nga zgjedhja e presidentit Donald Trump, kritik i kahershëm i rrjetit televiziv kabllor. CNN-i pati rreth 1.7 milionë shikues gjatë inaugurimit të Trumpit në fillimjavë – krahasuar me 8 milionë për inaugurimin e Joe Bidenit katër vjet më parë, megjithëse audienca mund të luhatet bazuar në qëndrimin politik të personit që do të inaugurohet.

    CNN-i pësoi gjithashtu një goditje financiare – mbetet e paqartë sa e madhe ishte – kur javën e kaluar një Gjykatë në Floridë e shpalli rrjetin përgjegjës për shpifjen e një veterani të marinës amerikane, në një storie që përfshinte një përpjekje të paguar për nxjerrjen e afganëve të rrezikuar pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët. Rrjeti e zgjidhi çështjen përpara se Gjykata të vendoste plotësisht për dëmet.

    CNN-i njoftoi të enjten, më 23.01.2025, se po zhvillonte një produkt që do t’i lejonte konsumatorët të shikojnë videotransmetime të ngjashme me televizorin në çdo pajisje. Nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të hidhet produkti në treg.

    Nën Thompsonin, CNN-i ka ridizajnuar dhe ofruar pa bujë elemente të reja në faqen e internetit CNN.com. Në fund të vitit të kaluar, televizioni ofroi abonim mujor prej 3.99 dollarësh dhe prej 29.99 dollarësh në vit për përdoruesit dhe po punon për nxjerrjen e produkteve të reja në internet në fusha, si: stili i jetesës, moti dhe sporti.

    Në disa aspekte, Thompsoni po përpiqet të bëjë në CNN çfarë bëri në gazetën Times, ku produktet e saj dixhitale modernizuan biznesin e së përditshmes. Shefat Ekzekutivë shpresojnë se komponenti i videove të CNN-it dhe audienca ndërkombëtare do të ofrojnë mundësi rritjeje – pa e kopjuar Times-in.

    Transformimi i CNN-it “nuk është dhe nuk mund të jetë një grup i vetëm ndryshimesh, por një proces investimi, eksperimentimi dhe përshtatjeje që do të zgjasë me vite” – ka deklaruar Thompson në një memo për stafin e CNN-it. “Objektivi ynë është i thjeshtë: të zhvendosim gravitetin e CNN-it drejt platformave dhe produkteve, ku vetë audienca po zhvendoset”.

    CNN-i po kursen në televizion me më pak staf dhe me transferim të disa prej operacioneve teknike në Zyrën qendrore në Atlanta.

    Rrjeti ka njoftuar tashmë një seri ndryshimesh në orarin e emisioneve: “Situation Room” e moderatorit veteran Blitzer do të zhvendoset nga koha e mbrëmjes në orën 10:00 të mëngjesit – sipas kohës së SHBA-së lindore – ku atij do t’i bashkohet Pamela Broën; Emisioni dyorësh i Tapperit do të fillojë në orën 17:00; Cornish me “CNN This Morning” do të nisë nga ora gjashtë e mëngjesit; Kasie Hunt do ta drejtojë emisionin e ri, “The Arena”, në orën 16:00 dhe Rahel Solomon e nis “5 Things”, në orën 5 të mëngjesit.

    Për momentin, jashtë kësaj skeme është lënë moderatori aktual i mëngjesit të vonë, Jim Acosta, partner i shpeshtë përplasjesh me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Ai po negocion një emision të ri – ka konfirmuar televizioni CNN, pasi u raportua se ai nuk pranoi një emision të orëve të vonshme të natës.

    Përveç shkurtimeve të ashpra, sfida më e madhe e rrjetit televiziv mbetet depërtimi te mbështetësit e Trumpit, që rrjetin e konsiderojnë armiqësor. Shumë mbështetës, në fakt, kanë shprehur të enjten në internet gëzimin për pushimet nga puna në këtë televizion.

    “Jo vetëm që Trumpi është më i fortë se ndonjëherë në karrierën e tij politike, por ai edhe mund të ketë mbytur trashëgiminë mediatike, qysh e kemi njohur.” – shkroi moderatori dhe themeluesi i radios OutKick, Clay Travis në X.

    Thompson ka bërë të ditur se dëshiron që CNN-i të shquhet me gazetarinë e tij të fuqishme dhe për kontrollin e fakteve, me synimin që shikuesit të lihen të vendosnin vetë për çështjet. Ai ka spikatur se emisioni “Prime Time” i Abby Phillipit mbetet nga të paktat emisione informative kabllore, ku njerëzit me pikëpamje shumë të ndryshme mund të debatojnë çështje të ndryshme.

    “Unë mendoj se ne duhet të vazhdojmë me qetësi dhe durim punën tonë si gazetar.” – ka theksuar ai.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Kapelat “Kanadaja nuk është në shitje” bëhen virale pas kërcënimeve të Trumpit

    Kërcënimet verbale të Donald Trumpit ndaj Kanadasë po i shpaguhen një sipërmarrësi, pasi qasja grindavece e presidentit amerikan ia dha atij një ide.

    Liam Moneey, themelues i firmës së dizajnit në Otavë, ka reaguar me kapela me mbishkrimin “Canada is Not for Sale” (Kanadaja nuk është në shitje), si reagim ndaj kërcënimit të Trumpit për vendosje të tarifave dhe sugjerimeve që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – raporton të premten, më 24.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Kapelat kanë rrokur vëmendjen e madhe, pasi kryeministri i Ontarios, Doug Ford po e mbante gjatë një takimi me kryeministrin kanadez, Justin Trudeaum dhe me Kryeministrat e tjerë javën e kaluar në Otavë, gjatë takimit për të diskutuar zotimin e Trumpit për t’i vendosur tarifa importeve kanadeze.

    Sipas Mooneyt, dhjetëra-mijëra kapela janë porositur online prej asaj paraqitjeje.

    Mooney ka thënë për Reutersin se i kishte dizajnuar kapelat si kundërpërgjigje kreative ndaj retorikës së presidentit Trump, me synimin për t’ia prerë udhën diskutimit politik me një mesazh nacionalizmi dhe uniteti.

    “Është një mundësi për t’i bërë njerëzit tok nga krejt shoqëria civile, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike.” – ka thënë Mooney.

    Tarifat do ta dërrmonin ekonominë kanadeze dhe do të ngrehnin edhe çmimin e naftës e mallrave të tjera në Shtetet e Bashkuara.

    Trump ka kërcënuar me tarifa, në kohën kur Kanadaja po përballet me shkundje politike, me liderin liberal, Trudeau i cili pritet të japë dorëheqjen në mars, pothuajse një dekadë pas ardhjes në pushtet dhe opozitës konservatore që po prin në matjet e opinionit publik para Zgjedhjeve federale të sivjetme.

    Mooney ka thënë se ai dhe partneri i tij i biznesit i dizajnuan kapelat, pasi panë njërën prej intervistave të fundit të Fordit në Fox News. Moderatori i kishte kërkuar të shqyrtonte aneksimin – duke sugjeruar se do të ishte “privilegj” për Kanadanë që t’i bashkohej SHBA-së.

    Ford reagoi duke theksuar se Kanadaja nuk është në shitje.

    Trump duke folur nëpërmjet një videolidhjeje për Forumin Ekonomik Botëror në Davos në Zvicër të enjten ka thënë se ka kërkuar respekt nga Kanadaja. Ai më parë i ishte adresuar Trudeaut si “guvernator”.

    “Sovraniteti ynë kërcënohet kur nuk respektohet dinjiteti ynë.” – ka thënë Mooney. “Ne kemi aleatë dhe kemi miq anembanë botës, të cilët janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes dhe të na mbrojnë dhe të na bashkohen”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Digjet rafineria ruse e naftës pas sulmit më të madh ukrainas sivjet

    Një rafineri e naftës në qytetin Riazan në Rusi është përfshirë plotësisht nga zjarri, pasi Kievi e kreu një sulm të madh me dronë të premten.

    Ky sulm – më i madhi i Ukrainës që nga fillimi i këtij viti – u krye ndaj më shumë se dhjetëra rajoneve të Rusisë – përfshirë Moskën.

    Dëshmitarët dhe videot e verifikuara shfaqin një zjarr shumë të madh në rafinerinë e naftës së Rosneftit në Kazan.

    Një video, e postuar në Telegram, shfaq zjarrin e madh e njerëzit duke bërtitur dhe duke ikur nga një zonë industriale e përfshirë nga flakët.

    Për zjarre u raportua gjithashtu edhe në afërsi të Termocentralit Novo-Riazan.

     

    Nuk është raportuar për viktima, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se i ka shkatërruar mbi 120 dronë ukrainas në të gjithë territorin rus.

    Sipas kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, gjashtë dronë u rrëzuan mbi Moskë dhe disa të tjerë u rrëzuan në zonat përreth: Shchyolkovo, Kolomna, Ramenskoye dhe Podolsk.

    Sobyanin tha se nuk pati dëme të mëdha apo lëndime në vendet ku kishin rënë mbetjet e dronëve, por sulmi shkaktoi ndërprerje të dukshme në trafikun ajror civil – duke pezulluar përkohësisht operacionet në tri Aeroportet kryesore të Moskës: Vnukovo, Domodedovo dhe Zhukovsky.

    Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, në rajonin Briansk u rrëzuan 37 dronë, ndërsa në rajone të tjera si Kursk dhe Saratov u rrëzuan nga 17 dronë. Numër më i vogël dronësh u rrëzuan në rajonet Rostov, Belgorod, Voronezh, Tula, Oryol dhe Lipetsk.

    Kufizime të përkohshme u vendosën gjithashtu për uljet dhe nisjet e fluturimeve në Aeroportet në Kazan, Nizhnekamsk, Penza, Samara dhe Saratov, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga dronët.

    Shkalla e sulmeve të Ukrainës me dronë kundër Rusisë përkoi me një seri sulmesh ajrore ruse mbi territorin ukrainas.

    Në Kiev një sulm rus shkaktoi vdekjen e tre civilëve. U raportuan gjithashtu dëme në zona banimi – duke përfshirë shkatërrime të konsiderueshme në qytetet Fastiv dhe Brovari, pranë Kryeqytetit ukrainas.

    Forcat ruse përdorin rregullisht lloje të ndryshme armësh – përfshirë dronë, raketa dhe artileri, për t’i sulmuar rajonet ukrainase – duke goditur shpesh infrastrukturën civile dhe zonat e banuara.

    Derisa autoritetet ruse e mohojnë se e sulmojnë qëllimisht infrastrukturën civile, Ukraina dhe Organizatat Ndërkombëtare i kanë dënuar këto veprime si krime lufte – duke theksuar frekuencën dhe natyrën e qëllimshme të sulmeve ndaj Spitaleve, Shkollave dhe objekteve energjetike./REL