Kategori: Botë

  • Trump i kërkon OPEC-ut të rrisë prodhimin e naftës për t’i bërë presion Putinit

    Presidenti amerikan, Donald Trump nuk ka arritur që ta bindë liderin e Kremlinit, Vladimir Putin, për bisedime që t’i japë  fund luftës në Ukrainë. Prandaj, ai po kërkon ndihmë për këtë çështje nga Arabia Saudite.

    Gjatë fjalimit më 23 janar në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, Trump u bëri thirrje Arabisë Saudite dhe aleatëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, që të rrisin prodhimin e naftës – një lëvizje që do të ulte çmimet e naftës së papërpunuar – duke ngufatur burimet e të ardhurave që Moska përdor për luftën kundër Ukrainës.

    “Unë do t’iu kërkojë po ashtu Arabisë Saudite dhe OPEC-ut që t’i ulin kostot e naftës. Do t’i ulim çmimet, që në fakt jam i befasuar që nuk i kanë ulur para Zgjedhjeve. Isha i befasuar nga ky fakt. Nëse çmimet ulen, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të merrte fund menjëherë.” – tha Trump.

    Gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump e bëri prioritet përfundimin e pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës dhe ka deklaruar se do që të takohet me presidentin Putin.

    Megjithatë, Kremlini duket se po heziton që të përfshihet në bisedime, teksa analistët thonë se Putini beson se po fiton luftën dhe prandaj nuk sheh arsye që të ndalë luftimet.

    Së fundi, Rusia është duke marrë territor në lindje të Ukrainës me ritmin më të shpejtë që nga nisja e luftës, teksa Ukraina po përballet me sfida të rekrutimit të ushtarëve të rinj.

    Një ditë pas inaugurimit më 20 janar, Trump tha se do të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë, që ta detyrojë që të ulet në tavolinën e bisedimeve. Por, ai nuk tregoi se çfarë do të shënjestronin sanksionet e reja eventuale.

    Një ditë më vonë ai përsëriti këtë paralajmërim. Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha më 23 janar – para se Trump të fliste në Davos – se Moska “nuk sheh asnjë element të ri”, në atë që Trump ka deklaruar.

    Gjatë mandatit të paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, SHBA-ja vendosi një sërë sanksionesh ndaj ekonomisë ruse – përfshirë edhe ndaj industrisë së naftës.

    Ekonomia ruse varet shumë nga eksportet e naftës, që përbëjnë mbi 30% të të ardhurave të buxhetit federal. Një rënie, qoftë e eksporteve të naftës ruse apo e çmimeve të naftës, do të shtrëngonte edhe më shumë ekonominë ruse, që veçse po përballet me vështirësi.

    Megjithatë, sanksione të reja ndaj industrisë së naftës ruse mund të çojë në rritje të çmimeve globale të naftës – nëse shtetet e tjera nuk rrisin prodhimin.

     

    Arabia Saudite dhe disa nga aleatët e saj në OPEC janë të aftë të rrisin prodhimin për një periudhë të shkurtër kohore. Arabia Saudite prodhon aktualisht 3 milionë fuçi nafte në ditë, ndërkaq Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 1 milion fuçi.

    Prodhimi në sasi të tilla është rezultat i Marrëveshjes mes shteteve të OPEC-ut, që të prodhojnë aq sa çmimet e naftës të mbesin të larta.

    Rusia, anëtare e OPEC+, eksporton rreth 6.6 milionë fuçi nafte dhe produkt të naftës në ditë.

    Para fjalimit virtual në Davos, Trump bisedoi me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, në bisedën e parë telefonike të realizuar me një udhëheqës të huaj, që kur mori mandatin në fillim të javës.

    Të dy diskutuan për stabilitetin në Lindjen e Mesme, luftën kundër terrorizmit, rritjen e tregtisë – tha Shtëpia e Bardhë.

    Chris Weafer, ekspert për industrinë e naftës dhe themelues i firmës këshilluese, Macro-Advisory tha se nuk mendon që Trumpi mund të bindë sauditët dhe anëtarët e tjerë të OPEC-ut që të rrisin prodhimin, me qëllim që t’i bëhet presion Kremlinit për Ukrainën.

    “Ka pak gjasa që Arabia Saudite, Emiratet apo ndonjë prodhues tjetër i OPEC-ut që të përfshihen në një lëvizje të tillë politike kundër anëtares së OPEC+, Rusisë, apo të ndërmarrin ndonjë veprim që do të bënte që ata të humbin të ardhura nga eksportet dhe t’i japin hise më të madhe në treg prodhuesve të SHBA-së.” – tha Weafer për Radio Evropa e Lirë.

    David Oxley, ekonomist për klimën dhe mallrat në Capital Economics, tha se përderisa Arabia Saudite është “larguar” nga SHBA-ja viteve të fundit, Trump ka lidhje të forta me udhëheqjen e vendit.

    “Ka pasur shenja së fundi të ngrohjeve të raporteve dhe Trump njihet si person që ka raporte të mira me Princin e Kurorës dhe me Fondin Publik të Investimeve të Arabisë Saudite.” – tha Oyley, më 23 janar.

    Ai shtoi se Arabia Saudite ka shprehur gjithashtu zhgënjimin me anëtarët e tjerë të OPEC-ut, për prodhimin e një sasie më të madhe të naftës sesa kuota e tyre dhe mund të “hapë portat” për të rimarrë pjesën e tregut global.

    “Kjo ftesë eksplicite nga Trumpi mund të jetë mbulesa që i duhet Arabisë, për të hapur portat.” – tha ai./REL

     

     

  • Palestinezët përgatisin tendat për kthimin e familjeve në Gazë pas armëpushimit

    Palestinezët në Gazën veriore po i përgatisnin të enjten kampet e najlonit për familjet e zhvendosura, dy ditë para se pritet të kthehen në zonat e tyre, në pajtim me afatin kohor të Marrëveshjes së Armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” – raporton të premten, më 24.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Në fushë të hapur rrethuar nga ndërtesa të shkatërruara, një grup burrash filluan të ngrenë rreshta çadrash të bardha, që të vendosnin familjet që po planifikojnë të kthehen në Veri të shtunën, kur grupi militant palestinez “Hamas” do të lirojë grupin e dytë të pengjeve në këmbim të dhjetëra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

    Shumë nga qindra-mijëra palestinezë, që pritet të kthehen në Rripin verior të Gazës, do të kthehen në shtëpitë e rrënuara pas ofensives ushtarake 15-mujore izraelite, që ka shkatërruar enklavën dhe ka vrarë më shumë se 47.000 palestinezë të Gazës.

    Në tetor forcat izraelite u kthyen në zonat e veriut në një operacion të madh kundër “Hamasit”, të fokusuar në kampin e refugjatëve “Jabalia” pranë qytetit të Gazës dhe qyteteve Beit Hanoun e Beit Lahiya – duke spastruar zonën nga banorët dhe rrafshuar shumicën e ndërtesave.

    “A është kjo tenda që kemi ëndërruar? Në të duhet të vendosen 10 persona. Kjo tendë është për fëmijët e mi, të cilët vijnë nga Jugu. Vërtet, a është kjo hapësirë ​​e përshtatshme?” – ka pyetur Vael Jundiya, ndërsa po përgatiste një tendë për fëmijët e tij të cilët do të kthehen nga zona bregdetare Maëasi në jug.

    “Të shtunën, njerëzit që do të vijnë nga Jugu dhe do të vërshojnë (Qytetin) Gazën, ku do të shkojnë? Ky kamp do të strehojë 100, 200 njerëz. Do të jenë 1.5 milionë, që do të vijnë nga Jugu.” – tha Jundiya për Reutersin.

    Izraeli filloi sulmin e tij në Gazë, pasi luftëtarët e “Hamasit” sulmuan përtej kufirit më 7 tetor 2023 – duke vrarë 1.200 njerëz dhe marrë peng më shumë se 250 persona – sipas të dhënave izraelite.

    “Hamasi” publikoi një deklaratë të enjten, duke thënë se kthimi i familjeve të zhvendosura do të fillojë pasi të përfundojë shkëmbimi i së shtunës dhe pasi forcat izraelite të tërhiqen nga rruga bregdetare në Veri. Të paktën katër pengje pritet t’i dorëzohen Izraelit të shtunën.

    Duke theksuar shqetësimet e shumë palestinezëve se sa serioz është armëpushimi me faza, një bombardim izraelit me tank vrau dy persona në Rafah në jug të enklavës të Gazës – njoftoi Shërbimi Lokal i Emergjencës Civile.

    Ushtria izraelite ka njoftuar në një deklaratë, se ushtarët qëlluan një individ të armatosur në Rafah, megjithëse nuk specifikoi nëse personi ishte goditur.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

     

  • Trump i gatshëm të takohet “sa më shpejt” me Putinin për të përfunduar luftën në Ukrainë

    Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin, sa më shpejt që është e mundshme që të sigurojë përfundimin e luftës me Ukrainën. Ai ka shprehur edhe dëshirën që të punojë për reduktimin e armëve bërthamore – raporton Reuters.

    Në prag të fitores në Zgjedhjet e 5 nëntorit, Trumpi kishte deklaruar shumë herë se do të kishte një Marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë në ditën e tij të parë në detyrë – nëse jo më parë. Këshilltarët e tij tani pranojnë se lufta do të marrë muaj për t’u ndalur.

    “Unë me të vërtetë do të doja të jem në gjendje të takohem me presidentin Putin së shpejti, për të përfunduar luftën.” – ka thënë Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, përmes video-lidhjes. Trump është kthyer të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

    “Dhe kjo nuk është nga pikëpamja ekonomike, apo ndonjë gjëje tjetër. Nga pikëpamja e miliona jetëve që po humbin… Është një masakër. Dhe, ne me të vërtetë duhet ta ndalim atë luftë.”

    Duke folur në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë ditës, Trumpi deklaroi para gazetarëve se është i gatshëm të takohet me Putinin sa më shpejt, që t’i jepet fund asaj që e quajti “luftë qesharake”.

    “Me sa dëgjoj, Putini do të donte të më takonte.” – ka thënë ai. “Do të takohesha menjëherë.” – ka thënë Trumpi. “Çdo ditë që kalon pa u takuar, ushtarët vriten në fushën e betejës.”

    Trump shtoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy i kishte thënë se është gati të arrinte Marrëveshje, për t’i dhënë fund luftës.

    Trump u ka thënë pjesëmarrësve në Davos, se po bëhen përpjekje amerikane për zgjidhje paqeje, por nuk dha më shumë detaje. Rusia pushtoi Ukrainën në shkurtin e vitit 2022.

    Në fillim të kësaj jave, Trump kërcënoi se do të vendoste “nivele të larta” sanksionesh ndaj Rusisë dhe tarifa për importet nga atje nëse Moska nuk do zgjidhje.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com