Kategori: Botë

  • Trump po shqyrton vendosjen e dhjetëmijë trupave në kufi me Meksikën

    Më shumë se dhjetëmijë trupa do të dërgohen dhe vendosen përgjatë kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ta luftuar kalimin ilegal të emigrantëve, në kuadër të fushatës së presidentit Donald Trump kundër emigracionit – sugjerohet në një memo të brendshme, për të cilën raporton të enjten, më 23.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Presidenti i ri amerikan ka urdhëruar tashmë vendosjen e 1.500 trupave në kufi, për të vendosur barriera – ka bërë të ditur një burim ushtarak, duke treguar se këta ushtarë nuk do të përfshihen në “zbatimin e ligjit”.

    BBC-ja raporton se këto masa po merren në kuadër të premtimeve dhe zotimeve të Trumpit gjatë kohës së fushatës presidenciale, se me të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë do t’i ashpërsojë masat ndaj emigrantëve që kalojnë nëpërmjet kufirit jugor me Meksikën.

    Në një memo të përditësuar, të cilën e ka parë partneri amerikan i BBC-së, CBS News sugjerohet se edhe dhjetëmijë trupa shtesë mund të vendosen përgjatë kufirit me shtetin fqinj.

    Memoja e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare është e datës 21 janar – një ditë pas inaugurimit të presidentit Trump dhe aty thuhet se ka një plan për vendosje “të dhjetëmijë ushtarëve” për ta ndihmuar këtë Agjenci.

    1.500 trupat e parë janë urdhëruar që të vendosen në San Diego në Kaliforni dhe El Paso në Teksas, për të ndihmuar 2.500 ushtarët e tjerë, që tashmë janë stacionuar në kufi.

    Memoja thotë gjithashtu se Bazat e Departamentit amerikan të Mbrojtjes mund të përdoren si Qendra të Pritjes, derisa emigrantët të riatdhesohen.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Putini i shqetësuar për ekonominë, derisa Trump i kërkon ujdi për Ukrainën

    Presidenti rus, Vladimir Putin është përherë e më i shqetësuar për telashet që ka shkaktuar lufta në ekonominë ruse, në kohën kur homologu amerikan, Donald Trump po i shtyn përpara përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë – bëjnë të ditur për Agjencinë e lajmeve Reuters pesë burime të informuara me rrjedhat e situatës.

    Ekonomia e Rusisë, e bazuar goxha shumë në eksportet e naftës, gazit e mineraleve, kishte shënuar ngritje pavarësisht dy vjetëve nën sanksione të shumëfishta perëndimore, pas evazionit në Ukrainë më 2022.

    Por, aktiviteti i brendshëm ekonomik është tkurrur muajve të fundit, për shkak të shkurtimit të fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit për ta luftuar inflacionin, që ka shënuar ngritje të theksuar sherri i shpenzimeve ushtarake rekorde.

    Kjo ka kontribuar për krijimin e pikëpamjes në mesin e një hiseje të elitës ruse, se një marrëveshje e negociuar lufte do të ishte e dëshirueshme – bëjnë të ditur dy burime të informuara me qasjen që po dominon në Kremlin.

    Trump, i cili ka marrë të hënën, më 20.01.2025, timonin e Shtëpisë së Bardhë, është zotuar se do ta zgjidhë shpejt konfliktin në Ukrainë – më i madhi në Europë prej Luftës së Dytë Botërore. Gjatë javës, ai ka thënë se do të ketë më shumë sanksione dhe më shumë tarifa për Rusinë, nëse Putini nuk ulet në tavolinën e negociatave – duke shtuar se Rusia ka marrë udhë drejt “telasheve të mëdha” ekonomike. Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka thënë të martën se Rusia deri tani nuk ka marrë ndonjë propozim specifik për bisedime.

    Reuters kishte raportuar më parë se Putini është i gatshëm të diskutojë opsionet për Marrëveshje armëpushimi me Trumpin, por që duhet të mbesin avancimet territoriale të Rusisë në Ukrainë dhe se Ukraina duhet të heqë dorë prej kërkesës për anëtarësim në NATO.

    Kremlini nuk e ka komentuar Raportin dhe Kërkesën e Reuters-it për gatishmërinë për bisedime, për shkak të ndikimit të luftës në ekonominë ruse.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Trump thotë se TikTok-u “do të mbetet këndejpari”

    Në një intervistë për Sean Haniity në Fox News, presidenti amerikan, Donald Trump ka hedhur poshtë paralajmërimet se platforma sociale TikTok përbën kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane, pasi përdoruesit mund të përgjohen nga Kina – raporton transmetuesi britanik BBC.

    Presidenti i ri amerikan ka folur pasi Gjykata Supreme ka fuqizuar ndalimin e TikTok-ut. Trump ka nënshkruar pastaj një Urdhër Ekzekutiv duke ia dhënë TikTok-ut edhe 75 ditë shtesë për të zbatuar kërkesat, që dalin prej Ligjit amerikan të Ndalimit – nëse platforma sociale nuk shitet.

    Trump i ka thënë Haniityt se “mendoj se TikTok-u do të jetë këndejpari”.

    Kur është pyetur për frikën se aplikacioni po përdoret prej Qeverisë kineze për spiunim të qytetarëve amerikanë, Trump ka deklaruar se “mund ta thoni atë për çfarëdo të prodhuar në Kinë” dhe se “ne kemi celularë të prodhuar në Kinë”.

    Trump ka thënë se përdoruesit e TikTok-ut janë kryesisht të rinj dhe ka pyetur se “a është e rëndësishme të spiunohen të rinjtë, fëmijët tuaj që shikojnë video të krisura?? Hanity ka thënë se nuk dëshiron që Kina të spiunojë askënd.

    Trump ia ka kthyer: “Porse ata po i prodhojnë celularët tuaj, ata prodhojnë kompjuterët tuaj… A nuk është ky kërcënim më i madh?”

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com