Kategori: Botë

  • Trump rikthehet me një mal vendimesh ekzekutive në ditën e parë

    Donald Trump do të zhvillojë një nga demonstrimet më intensive dhe më gjithëpërfshirëse të pushtetit presidencial në ditën e parë të ndonjë Administrate – duke u rrekur të ndryshojë rrënjësisht kursin e Amerikës ende pa rënë terri, në ditën e tij të parë të mandatit – vlerëson televizioni amerikan CNN.

    Në një ditë të ftohtë që detyroi zhvillimin e Ceremonisë së betimit të tij si Presidenti i 47, në mjedis të mbyllur, Trumpi planifikon një stuhi veprimesh ekzekutive të linjës së ashpër mbi emigracionin, prodhimin e energjisë, atletët transgjinorë dhe faljen e rebelëve të 6 janarit 2021.

    Shfaqja e tij inauguruese e forcës do të përcaktojë tonin e mandatit të dytë të Trumpit dhe vizionin e një Presidence të plotfuqishme, që synon të shkaktojë përçarje intensive brenda dhe jashtë vendit.

    Por, përpara se të merrte detyrën, presidenti në largim, Joe Biden përdori pushtetin e tij të jashtëzakonshëm që pasqyroi një moment të pasigurt kombëtar – duke falur nëpunës publikë që konsideroheshin objektiva të mundshme të zotimeve të Trumpit për hakmarrje kundër kundërshtarëve të tij.

    Lista përfshin ish-kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit, Mark Milley, ish-specialistin më të lartë të sëmundjeve infektive të vendit, Dr. Anthony Fauci dhe anëtarë të Kongresit dhe stafit që shërbyen në komitetin, që hetonte trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.

    Faljet, të cilat Biden theksoi se nuk përbënin shpërdorim detyre, prekën edhe oficerët e Policisë që dëshmuan para Panelit.

    Informaliteti i tij nënvizoi se si ish-magnati i pasurive të paluajtshme, njeriu i tabloideve dhe ylli i realitetit televiziv është bërë një figurë kulturore mes miliona admiruesve të tij.

    Kjo mistikë e MAGA-s është gjithashtu e rrënjosur në qëndrueshmërinë e tij, pasi u mbijetoi dy tentativave për vrasje, një mali akuzash, katër padive penale dhe një dënimi. Kthimi i tij në pushtet, duke përdorur të njëjtin proces demokratik që u përpoq të shtypte për të shmangur largimin nga detyra pas Zgjedhjeve të 2020, do të thotë se rikthimi është ndër mandatet e dyta më mahnitëse në historinë amerikane. Është gjithashtu një ogur i errët se si një President imperialist mund të përpiqet të përdorë pushtetin e tij të ri.

    Trump nuk është më një lajthitje populiste, nacionaliste në një linjë të gjatë të Presidentëve pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët të gjithë vepruan me supozime të ngjashme për rolin e amerikanëve në botë. Fitorja e tij në Nëntor, duke e kthyer atë vetëm në Presidentin e dytë që fiton mandate jo të njëpasnjëshme, do të thotë se ai është një figurë historike e rëndësishme – çfarëdo që të ndodhë gjatë katër vjetëve të ardhshme.

    Dhe Trumpi shënoi dy fitore të mëdha, edhe para se të merrte detyrën. Së pari, tri pengje u liruan të dielën në Izrael nga “Hamasi” – si pjesë e një Marrëveshjeje armëpushimi në Gazë, që i atribuohet ardhjes së tij të afërt në detyrë. Më pas, Trumpi, të paktën tani për tani, shpëtoi TikTok-un, i cili u mbyll për një kohë të shkurtër për të respektuar një ndalim federal të vendosur nga frika se faqja e mediave sociale mund të manipulohej nga Kina.

    Çdo Raport tregoi dhuntinë e Trumpit për mjeshtërinë e një shoumeni dhe preferencën e tij për përdorimin personal dhe improvizues të pushtetit presidencial. Që nga fitorja e Zgjedhjeve të nëntorit, ai ka ndryshuar dinamikën politike të brendshme dhe globale pas muajsh të të cilit një Bideni i plakur po zhdukej nga skena.

    Por në rastet e TikTok-ut dhe Lindjes së Mesme, “fitimet” fillestare të Trumpit të së dielës, së shpejti do të testohen në negociata dhe vendime shumë më komplekse, që do të kërkojnë angazhim intensiv presidencial dhe mençuri strategjike largpamëse, që ai nuk e ka shfaqur gjithmonë në mandatin e tij të parë – vlerëson CNN.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Direkt – Inaugurimi i presidentit Trump

    16:57 – Momenti kur Trump arrin në Shtëpinë e Bardhë

    Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump u pritën në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden në një takim pa praninë e medias.

    “Mirë se erdhe në shtëpi.” – i tha zoti Biden, presidentit të zgjedhur Donald Trump – raporton Zëri i Amerikës.

    Donald Trump do të inaugurohet sot, më 20.01.2025, si presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Inaugurimi – Ceremonia zyrtare që shënon fundin e kohës së një Presidenti në detyrë dhe fillimin e Administratës së pasardhësit është pjesa e tranzicionit të pushtetit midis udhëheqësve të Qeverisë në Uashington DC – raporton BBC.

    BBC sjell pamje te drejtpërdrejta nga përgatitjet dhe inaugurimi i Trumpit, të cilat mund t’i shihni në këtë LINK.

    Temperaturat e ulëta do t’i zhvendosin këtë vit ngjarjet në ambiente të mbyllura, me Trumpin dhe zëvendëspresidentin e sapozgjedhur JD Vance, të vendosur për të bërë betimin e tyre në ndërtesën e Kapitol Rotunda të SHBA-së.

    Në prag të kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump premtoi se do të nënshkruante një sërë urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë si President – duke u thënë mbështetësve se do të lëvizte me “shpejtësi dhe forcë historike”, në orët pas dhënies së betimit.

    Ai pritet të nënshkruajë më shumë se 200 Vendime të hënën, më 20.01.2025.

    Përgatiti: Emirjeta Vllahiu – KALLXO.com 

     

  • Trump zotohet përsëri se do t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë përsëri se do t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë t’i japin fund luftës gati trivjeçare.

    Ai theksoi gjithashtu se do t’i kërkojë talibanëve t’ia kthejnë SHBA-së pajisjet e saj ushtarake, në vlerë miliarda dollarë, të cilat ishin lënë pas në Afganistan në vitin 2021.

    “Unë do t’i japë fund luftës në Ukrainë, do ta ndalë këtë rrëmujë në Lindjen e Mesme dhe do ta parandalojë Luftën e Tretë Botërore.” – tha Trump në palestrën Capital Arena, në Uashington, të dielën, një ditë para se ta bëjë betimin si President.

    Ai nuk shpjegoi se si do t’i arrinte këto.

    Analistët thonë se do të jetë e vështirë përfundimi i luftës në Ukrainë së shpejti, sepse presidenti rus Vladimir Putin beson se ai po fiton dhe nuk është i nxitur për ta ndalur luftën.

    Gjatë këtij tubimi, Trump bëri një përmbledhje të synimeve që ai pretendon se do t’i përmbushë gjatë katër vjetëve të ardhshme, brenda dhe jashtë vendit – duke përfshirë forcimin e Ushtrisë.

    Trump do të betohet si Presidenti i 47, më 20 janar, në mesditë. Ceremonia do të mbahet brenda ndërtesës së Kongresit për herë të parë pas 40 vjetësh – për shkak të motit të acartë.

    Gjatë fjalimit të tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara po u japin talibanëve në Afganistan “miliarda dollarë në vit” dhe se ai do ta ndalojë këtë nëse grupi ekstremist nuk i kthen miliarda dollarë në pajisje amerikane.

    “Dhe, unë them, nëse do të paguajmë miliarda dollarë në vit, duhet t’u themi atyre se nuk do t’ua japim paratë, nëse nuk na i kthejnë pajisjet tona ushtarake.” – tha Trump.

    Shtetet e Bashkuara lanë në Afganistan pajisje ushtarake të vlefshme rreth 7 miliardë dollarë, kur u tërhoqën në gusht të vitit 2021 – pasi talibanët rimorën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

    Rimarrja e pushtetit nga talibanët ka çuar në një rënie drastike ekonomike, ku më shumë se gjysma e afro 24 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare, si ushqim – sipas USAID-it, Agjencisë amerikane për zhvillim.

    Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë më shumë se 2.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare Afganistanit, që nga marrja e pushtetit nga talibanët – sipas USAID-it.

    Që kur morën pushtetin, talibanët janë dënuar nga liderët perëndimorë, Organizatat Ndërkombëtare dhe aktivistët për shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut – veçanërisht kundër grave dhe vajzave./REL