Kategori: Botë

  • Suedia ndan 1.2 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

    Ministri suedez i Mbrojtjes ka thënë të enjten, më 30.01.2025, se vendi nordik është pajtuar që të ndajë një pako ndihme prej 1.23 miliardë dollarësh amerikanë për Ukrainën – raporton Agjencia amerikane e lajmeve Reuters.

    Kjo konsiderohet ndihma më e madhe nga shteti skandinav, prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

    Kjo pako ndihme është e tetëmbëdhjeta e Suedisë deri tani.

    Qeveria suedeze po negocion tani me furnizuesit në Suedi dhe në Europë për të siguruar pajisjet parësore, si artileria dhe dronët – ka njoftuar ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Johnson, në një Konferencë për media.

    Ndihma ka ardhur në kohën kur Ukraina ka mëdyshje për ndihmën e aleatëve perëndimorë. Presidenti i ri amerikan, Donald Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do ta ndalte luftën në Ukrainë menjëherë pas marrjes së timonit të Shtëpisë së Bardhë, më 20.01.2025.

    Megjithatë, këshilltarët e tij e kanë pranuar për mediat amerikane se mbase do të duhen muaj të tërë derisa të arrihet një Marrëveshje armëpushimi dhe për përfundimin e luftës.

    Presidenti Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje presidentit Trump gjatë javës që t’ia mbajë anën Kievit – duke theksuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk i frikësohet Europës.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Nuk pritet të ketë të mbijetuar të aksidentit në mes të aeroplanit dhe të helikopterit në SHBA

    Askush nuk besohet se ka mbijetuar pas përplasjes së një aeroplani dhe një helikopteri në qiell mbi lumin Potomac në Uashington DC, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kanë thënë zyrtarët amerikanë – raportoi televizioni BBC.

    64 persona ndodheshin në aeroplanin e “American Airlines” dhe tre në helikopterin ushtarak në momentin kur fluturaket u ndeshën afër Aeroportit kombëtar “Ronald Reagan”.

    Shefi i Shërbimeve të Emergjencave, John Donnelly ka thënë se 29 trupa janë gjetur deri tani.

    Ishte një “natë e kthjelltë”, pilotët ishin “të sprovuar” dhe gjithçka ishte sipas standardit, para përplasjes në qiell – ka bërë të ditur sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, “por qartazi se diçka ndodhi”.

    Një prej fushave që po e hetojnë prokurorët është ajo se pse helikopteri po fluturonte në atë lokacion. Më herët presidenti Donald Trump ka vënë në dyshim gjithashtu se pse helikopteri është “ngritur, ulur ose kthyer” para aksidentit.

    Zyrtarët në Wichita, Kansas, prej nga ishte ngritur aeroplani, kanë thënë se zemrat “e njerëzve janë thyer” pas aksidentit. Mediat amerikane raportojnë se shumica e pasagjerëve ishin të këtij vendi. Edhe Federata amerikane e Patinazhit Artistik ka konfirmuar se në mesin e pasagjerëve kishte edhe shumë anëtarë të saj.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Babai vret të bijën në Pakistan shkaku i videove në TikTok

    Një burrë, i cili kohët e fundit e ktheu familjen në Pakistan nga Shtetet e Bashkuara, ka rrëfyer se ka vrarë të bijën e tij adoleshente, sepse nuk i pëlqenin videot e saj në TikTok – ka konfirmuar Policia pakistaneze për televizionin britanik BBC.

    Anwar ul-Haq akuzohet për vrasje, pasi pranoi se të martën, më 28.01.2025, e qëlloi për vdekje të bijën Hira në qytetin jugperëndimor Quetta. Ai u deklaroi fillimisht hetuesve se vrasjen e kishin kryer burra të paidentifikuar.

    Babai, i cili ka nënshtetësi amerikane, ka thënë se ishte kundër postimeve të së bijës.

    Policia ka bërë të ditur se po e heton rastin në të gjitha pistat e mundshme – duke përfshirë mundësinë e një vrasjeje nderi, e cila nuk është e pazakontë në vend.

    Qindra njerëz – shumica prej tyre gra – vdesin shkaku i të ashtuquajturave vrasje nderi në Pakistan çdo vit – thonë grupet për të drejtat e njeriut. Këto vrasje kryhen zakonisht nga të afërm, të cilët thonë se po veprojnë në mbrojtje të nderit të familjes.

    Në rastin e Hira Anwarit, e cila ishte ndërmjet 13 dhe 14 vjeç, një zëdhënës i Policisë ka thënë se familja e saj “kundërshtonte veshjen, stilin e jetesës dhe ndejat e saj shoqërore “.

    Familja jetoi në Shtetet e Bashkuara 25 vjet dhe Hira filloi të postonte përmbajtje në TikTok edhe para se me familje të kthehej në Pakistan.

    Hetuesit kanë thënë se kanë celularin e viktimës, por që është i kyçur.

    Në lidhje me vrasjen u arrestua edhe dhëndri i babait të saj – ka njoftuar Policia

    Nëse zbulohet se është vrasje nderi dhe të akuzuarit shpallen fajtorë do të përballen me dënim të detyrueshëm të përjetshëm – një ndryshim i bërë në Ligj nga Qeveria e Pakistanit, në vitin 2016. Më parë, fajtorët mund t’i shmangeshin dënimit me burg, nëse faleshin nga familja e viktimës.

    Në vitin 2023, një Gjykatë italiane dënoi një çift pakistanez me burgim të përjetshëm për vrasjen e vajzës së tyre 18-vjeçare, sepse ajo refuzoi një martesë të padëshiruar.

    Një vit më parë vëllai i yllit pakistanez të mediave sociale, Qandeel Baloch u lirua nga akuza për vrasjen e saj. Pas Ankesës në apel ai më herët ishte dënuar me burgim të përjetshëm, pasi pranoi vrasjen e vitit 2016 – duke thënë se kjo ishte për shkak se ylli e kishte turpëruar familjen.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com