Kategori: Botë

  • Hamasi liron tri pengje pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gazë

    Tri pengje që po mbaheshin nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë liruar dhe kanë arritur në Izrael njoftuan autoritetet.

    Më vonë gjatë 19 janarit, Izraeli pritet të lirojë afër 90 të burgosur palestinezë.

    Ky është hapi i parë i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit që hyri të dielën në fuqi.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “armët në Gazë kanë pushuar” në bazë të marrëveshjes që ai ideoi në majin e vitit të kaluar.

    Presidenti në largim, teksa mori pjesë në një ngjarje në Karolinën e Jugut, tha se ndihmat humanitare veçse kanë nisur të shkojnë në Gazë.

    Sipas tij, armëpushimi në Gazë ka “transformuar në mënyrë fundamentale” rajonin e Lindjes së Mesme.

    I pyetur nga gazetarët nëse është i shqetësuar për rigrupimin e Hamasit, udhëheqësi amerikan tha se nuk është i shqetësuar.

    Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra – sipas marrëveshjes së armëpushimit – që u liruan më 19 janar.

    Një zyrtar izraelit konfirmoi se Romi Gonen, 24-vjeçare, Emily Damari, 28 vjeçe dhe Doron Steinbrecher, 31-vjeçare janë personat e parë që lirohen përmes marrëveshjes së armëpushimit. Gonen ishte rrëmbyer nga festivali i muzikës, Nova, ndërkaq dy gratë e tjera ishin rrëmbyer nga vendbanimi Kfar Aza. Damari është shtetase izraelite dhe britanike.

    Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se si pasojë e sulmeve izraelite, të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.

    Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.

    Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.

    Kombet e Bashkuara njoftuan se kamionë me ndihmë humanitare kanë nisur të hyjnë në Gazë, pas nisjes së armëpushimit.

    “Kamionët e parë me ndihma kanë nisur të hyjnë” në Gazë pak minuta pasi hyri në fuqi marrëveshja, tha zyrtari për ndihmë i OKB-së, Jonathan Whittall, njëkohësisht ushtrues i detyrës të agjencisë për ndihmë në territoret palestineze, OCHA.

    Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

    Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.

    Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.

    Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.

    Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.

    Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.

    Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

    Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit./ REL

  • Ukraina insiston se situata në Pokrovsk është “stabile” pas luftimeve të ashpra

    Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase pretendoi se situata në Pokrovks vazhdon të jetë “stabile” dhe nuk ka trupa ruse brenda qytetit të rrethuar ukrainas, edhe pse autoritetet kanë evakuuar fëmijët nga aty.

    “Në Pokrovsk, në qytet, situata nuk ka ndryshuar. Është stabile”, tha zëdhënësi Viktor Tregubov, përderisa e pranoi se forcat ruse ende duket se po synojnë ta rrethojnë zonën.

    “Atje [në qytet] nuk ka forca të armikut. Tashmë na duhet ta përgënjeshtrojmë informacionin e publikuar se forcat armike kanë arritur atje. Kjo nuk është e vërtetë”, insistoi ai.

    Forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë qytetin që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, policia më 18 janar ndihmoi banorët lokalë të largoheshin nga qyteti, sipas korrespondentëve të Radios Evropa e Lirë në terren.

    Dikur shtëpi e 60 mijë banorëve, në Pokrovsk aktualisht gjenden afër 7 mijë banorë, vlerësojnë autoritetet lokale.

    Situata përreth kësaj qendre të rëndësishme logjistike – që ka qenë në shënjestër të forcave ruse në muajt e fundit – mbetet e paqartë. Është raportuar se të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha, edhe pse ushtritë e asnjërit shtet nuk publikojnë numrin e viktimave.

    Forcat ruse që disa javë janë afër Pokrovskut, por disa vëzhgues kanë sugjeruar se Kremlini mund të vendosë që ta shmangë luftën në këtë qytet dhe të vazhdojë tutje për të marrë territor në pjesë të tjera të Ukrainës.

    Më 7 janar, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se trupat e saj kishin marrë nën kontroll qytezën ukrainase të Kurahovas, që gjendet rreth 30 kilometra në jug të Pokrovskut.

    Më 18 janar, kjo ministri tha se forcat e saj kanë marrë nën kontroll edhe dy vendbanime në këtë rajon, fshatin Petropavlivka – që gjendet mes Pokrovskut dhe Kurakovas – dhe Vremivka.

    Nëse forcat ruse marrin Pokrovskun, kjo do të ishte një fitore e madhe për Kremlinin pasi luftimet e kanë shndërruar shumicën e këtij qyteti në gërmadha.

    Në deklaratën e tij, Tregubov tha se “armiku po tenton që të qëndrojë në jug të Pokrovskut në mënyrë që të avancojë në jugperëndim të vendbanimit dhe të ndërpresë rrugët që përdoren për furnizime të logjistikës”.

    “Ajo që po ndodh në vendbanimet në jug të Pokrovskut… atje ka luftime të vazhdueshme, përpjekje të vazhdueshme nga armiku që ta bëjë këtë zonë bazë dhe të avancojë. Rusët aktualisht janë larg arritjes së këtij qëllimi, por ata po tentojnë”, tha ai.

    Instituti për Studim të Luftës – me bazë në SHBA – në përditësimin e fundit sa i përket luftës në Ukrainë, tha se “forcat ruse së fundi kanë avancuar në drejtim të Pokrovskut dhe po vazhduan ofensivat e tyre më 17 janar./REL

  • TikTok ndalohet në SHBA

    TikTok është ndaluar në Shtetet e Bashkuara dhe është zhdukur nga tregjet e aplikacioneve të Apple dhe Google, disa orë para se të hynte në fuqi më 19 janar ligji që kërkonte ndalimin e platformës që përdorej nga 170 milionë amerikanë.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka thënë se “me shumë gjasa” do t’i japë TikTok-ut një pezullim të ndalesës për 90 ditë, pasi të marrë detyrën të hënën, një premtim që TikTok-u e ka përmendur në njoftimin që ka publikuar për përdoruesit e aplikacionit.

    “Ligji që ndalon TikTok-un është miratuar në SHBA. Për fat të keq, kjo nënkupton se ju nuk mund të përdorni për momentin TikTok-un. Jemi me fat që presidenti Trump ka treguar se do të punojë me ne për një zgjidhje për të rikthyer TikTok-un, pasi ai të marrë detyrën”, u tha në njoftimin që platforma publikoi për përdoruesit të shtunën mbrëma.

    Edhe nëse është e përkohshme, ndalja e paprecedent e TikTok-ut, që është në pronësi të ByteDance nga Kina, pritet të ketë ndikime të ndryshme në raportet SHBA-Kinë, në politikën e brendshme amerikane, në tregjet në mediat sociale dhe te miliona amerikanë që varet ekonomikisht nga ky aplikacion.

    Kjo është hera e parë që SHBA-ja ndalon një platformë të madhe të mediave sociale. Kongresi amerikan vitin e kaluar miratoi ligjin për ndalimin e tij, por ligji i mundëson administratës së re të Trumpit autoritetin që ta ndalojë apo të kërkojë që të shitet tek aplikacionet tjera që janë në pronësi kineze.

    Aplikacionet e tjera që janë në pronësi të ByteDance, përfshirë edhe aplikacionin për editimin e videove CapCut dhe aplikacionin Lemon8, po ashtu dolën jashtë përdorimit në SHBA.

    “Zgjatja prej 90 ditësh është diçka që me shumë gjasa do të ndodhë sepse është gjëja e duhur”, tha Trump për NBC. “Nëse vendos ta bëj këtë, me gjasë do të njoftoj për këtë temë të hënën”.

    Sipas ligjit të miratuar vitin e kaluar, e që u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme amerikane më herët gjatë kësaj jave, platforma kishte kohë deri të dielën që të shkëpuste raportet me partnerët që gjenden në Kinë ose do të ndalohej në SHBA, për shkak të shqetësimeve se ky aplikacion paraqet kërcënime për sigurinë kombëtare.

    Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga demokrati Joe Biden, tha të shtunën se i përket administratës së re që të ndërmarrë veprime.

    Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës./REL