Kategori: Botë

  • Kush është Ahmed Al-Awda, burri që mund t’i sfidojë sundimtarët e rinj të Sirisë?

    Mediat perëndimore dhe ekspertët i janë referuar si “njeriu i Rusisë në jug” të Sirisë dhe disa e shohin atë si kërcënim potencial për sundimtarin e ri të shtetit, Ahmed al-Sharaa.

    Ai quhet Ahmed al-Awda dhe emri i tij pushtoi mediat që kur u rrëzua nga pushteti Qeveria e ish-udhëheqësit sirian, Bashar al-Assad, muajin e kaluar.

    Awda ka udhëhequr forcat rebele që kundërshtonin Assadin në Dara, në jug të Sirisë, që në vitet e para të luftës civile e cila nisi më 2011, para se të ndryshonte aleanca dhe të bashkëpunonte me aleaten e Assadit, Rusinë.

    Teksa Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – dhe aleatët e tij nisën një ofensivë të shpejtë nga veriu kundër Qeverisë së Assadit më 27 nëntor 2024, Awda dhe luftëtarët e tij lëvizën drejt Damaskut nga jugu.

    “Ai është oportunist apo inteligjent dhe një lojtar pragramtik, varet nga perspektiva që e shikoni”, tha Robin Yassin-Kassab, bashkautor i librit me titullin: “Shtet në flakë: Sirianët në revolucion dhe luftë”.

    Rebel në jug

    Nuk ka detaje të qarta lidhur me fillimet e Awdas. Mediat, duke cituar njerëz të afërt me të, kanë thënë se në kohën para nisjes së luftës civile në Siri, ai u largua nga shteti dhe shkoi në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi përfundoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ushtrinë e Sirisë.

    Awda, i cili raportohet se nuk kishte përvojë ushtarake përveç shërbimit ushtarak, u kthye në Dara më 2012.

    Më 2014, ai iu bashkua Ushtrisë së Lirë Siriane, një koalicion i gjerë i forcave rebele që kundërshtonte Assadin. Ai mori komandën e batalionit Shabaab Al-Sunna (Rinia e Sunitëve) dhe më pas mori kontrollin në vendlindjen e tij, Bosra në Dara.

    Sipas njerëzve të afërt me të, pavarësisht bashkëpunimit me ta, ai asnjëherë nuk u afrua me grupet rebele islamiste sikurse Jabhat al-Nusra apo Fronti Nusra, që u themelua nga Sharaa, i cili në atë kohë njihej me nofkën guerile, Abu Muhammad al-Jolani. Awda asnjëherë publikisht nuk ka shprehur dëshirën për një sundim sipas Ligjit të Sheriatit.

    Pas ofensivës së madhe të forcave qeveritare siriane më 2018 për të rimarrë jugun nga forcat rebele, Awda arriti të ashtuquajturën marrëveshje për zgjidhje me Rusinë.

    Sipas marrëveshjes, rebelët “u pajtuan” me Qeverinë e Assadit, dorëzuan armatimin e tyre të rëndë dhe vazhduan të qëndronin në jug.

    “Në fakt, [Awda] arriti një nivel të ulët autonomie”, tha Yassin-Kassab. “Ai u bë një komandant lokal lufte”.

    Awda më pas u bë komandant i Brigadës së 8-të, një njësit që më 2020 u integrua në Korpusin e 5-të të ushtrisë siriane, që sponsorizohej nga Rusia.

    Awda, megjithatë, ndryshoi besnikërinë edhe një herë, pas ofensivës së udhëhequr nga HTS-ja kundër Assadit nëntorin e vitit të kaluar. Thuhet se duke punuar me HTS-në, ai shkëputi lidhjet me Rusinë dhe marshoi drejt Damaskut.

    Më 8 dhjetor 2024, Awda dhe forcat e tij u panë në kryeqytetin sirian para arritjes së Sharaas, por ata u larguan brenda orësh. Përderisa ai publikisht nuk e ka shprehur dëshirën që ta sfidojë Sharaan, ka pasur raportime që lënë të kuptohet se ai dëshiron të mbajë autonominë e tij në jug.

    Kërcënim për udhëheqjen?

    Shtetet e fuqishme sikurse Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë të shqetësuara për pasojat rajonale nga marrja e pushtetit në Siri nga islamistët.

    Ky shqetësim vjen në kohën kur SHBA-ja është në proces të heqjes të disa kufizimeve, për të lehtësuar tranzicionin në epokën post-Assad. Bashkimi Evropian po ashtu po punon drejt heqjes së sanksioneve ndaj naftës, gazit, sistemit bankar dhe transportit, sipas një dokumenti jozyrtar të BE-së, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.

    Colin Clark, drejtor për politika dhe hulumtime në firmën këshillëdhënëse Soufan Group me seli në Nju Jork, tha se nëse sundimtarët e rinj të Sirisë arrijnë që në mënyrë efektive të udhëheqin me shtetin, kjo do të shërbente si “një shtytje reale” për grupet islamiste.

    “Në udhëheqjen në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite ka shqetësim se marrja e Sirisë nga HTS-ja do t’i inkurajojë islamistët në këto shtete, dhe nëse [Sharaa] ia del që të qeverisë, do të ishte dëshmi e konceptit për grupet sikurse Vëllazëria Myslimane”, shtoi ai.

    Si Emiratet, ashtu edhe Arabia Saudite i shohin lëvizjet islamiste si kërcënime ekzistenciale për monarkitë dhe sisteme e tyre politike.

    Këtu, dikush si Awda – i cili njihet dhe ka lidhje me Emiratet e Bashkuara Arabe – mund të përfshihet. Disa vëzhgues rajonalë kanë sugjeruar se ai mund të bëhet Khalifa Haftar i Sirisë – një burrështetas që mbështetet nga Emiratet dhe Egjipti i cili ka sfiduar udhëheqjen e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Libi.

    “Jam i sigurt që Emiratet dhe [presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah] Sisi do të ndihmonin një kryengritje nëse dikush e nis një kryengritje në Siri”, tha Yassin-Kassab, duke shtuar se varet se sa efektive dhe sa e shpejtë do të jetë administrata e re siriane mund të vendosë rend dhe autoritet.

    “Por, nëse gjërat në përgjithësi degradohen, më pas Awda mund të bëhet një komandat lufte që do të merrte fonde nga jashtë”, tha ai./REL

  • Vriten dy gjykatës të Gjykatës Supreme në Iran

    Dy gjykatës të njohur të Gjykatës Supreme të Iranit janë vrarë në një sulm në selinë e kësaj gjykate, thanë zyrtarët.

    Viktimat janë identifikuar si Ali Razini dhe Mohammad Moghiseh. Një gjykatës tjetër po ashtu është plagosur gjatë sulmit që ndodhi në Pallatin e Drejtësisë në Teheran.

    Zyra për media e gjyqësorit të Iranit raportoi se një person i armatosur ishte “infiltruar në Gjykatën Supreme në një akt të planifikuar për vrasjen e dy gjykatësve.

    Motivi i sulmit ende nuk është i qartë.

    Hetimi fillestar gjeti se sulmuesi nuk kishte ndonjë rast gjyqësor para kësaj gjykate dhe as lidhje të tjera, tha zyra për media e gjyqësorit iranian.

    Gjykata Supreme është autoriteti më i lartë gjyqësor në Iran dhe kreu i saj emërohet nga lideri suprem. Selinë e ka në Teheran dhe degë ka në mbarë vendin.

    Detajet e incidentit mbeten të paqarta. Zyra për media e gjyqësorit raportoi se sulmuesi “u vetëvra” pas të shtënave, edhe pse ky informacion nuk është konfirmuar.

    Mediat tjera iraniane kanë raportuar se sulmuesi ishte anëtar i një “force infiltruese të sigurisë”, i cili fillimisht kishte plagosur me thikë një roje, ai kishte marrë armën dhe më pas kishte kryer vrasjet.

    Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr, duke cituar burime, raportoi se gjyqtarët u sulmuan me armë zjarri para se sulmuesi të bënte vetëvrasje.

    Dy viktimat kishin poste të rëndësishme në sistemin e fuqishëm gjyqësor të Iranit. Gjykatësi Mohammad Moghiseh kishte gjykuar disa raste politike, përfshirë rastet që përfshinin mbështetësit e Lëvizjes opozitare të Gjelbër më 2009. Ai ishte nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për shkelje të të drejtave të njeriut.

    Gjykatësi Ali Razini kishte mbajtur shumë poste të larta dhe ishte akuzuar nga opozita në Iran se ishte përfshirë në një sërë vrasjes pa gjyq të të burgosurve politikë më 1988/RadioEvropaeLirë/.

     

  • J.D Vance, profili i një prej nënpresidentëve më të rinj në moshë në historinë e SHBA

    Republikani JD Vance vjen nga një familje e thjeshtë amerikane me prejardhje modeste. Ai u rrit në mes vështirësish ekonomike një qytet industrial të shtetit Ohajo. Më pas ai ndoqi studimet në një nga universitetet më të mira të vendit dhe tashmë merr detyrën e nënpresidentit, si një prej tre njerëzve më të rinj në moshë që kanë mbajtur këtë post në historinë amerikane.

    Pak minuta pasi u zgjodh nënpresident i Shteteve të Bashkuara, JD Vance deklaroi se:

    “Pas rikthimit më madhështor politik në historinë amerikane, ne do të udhëheqim rikthimin më të madh ekonomik në histori, nën drejtimin e Donald Trump-it”.

    Skena kombëtare në të cilën ai është ngjitur, është larg prej rrugicave të pjesës qendrore të Amerikës. Qyteti Jackson në Kentucky, nuk është vendi ku lindi zoti Vance. Por ai e quan atë vendin e tij.

    “Kur i propozova bashkëshortes time, i thashë: ‘E dashur, vij me një borxh prej 120 mijë dollarësh nga studimet juridike dhe një parcelë të rezervuar në një varrezë në lindje të shtetit Kentucky”, tha zoti Vance gjatë kandidimit në zgjedhje.

    Gjyshen e zotit Vance e thërrisnin ‘Nëna’.

    “Vinte gjithnjë këtu me gjyshen. Ajo e sillte në mal, që ai të shihte se si ishte jeta dhe ishte e dukshme që atij i pëlqente”, thotë John Hollan, sherifi i kontesë Breathitt, Kentucky.

    Ai lindi në Middletown, të Ohajos dhe u rrit më shumë nga gjyshja e rreptë, që ngrinte zërin shpesh dhe mbante në shtëpi 19 armë të mbushura.

    Duke mbajtur mbiemrin e njerkut të tij, JD Hamel fitoi zgjedhjet e tij të para. Për rastësi ai ishte dhe nënpresident i klasës së tij në shkollën e mesme në Middletown. Ai shërbeu si marins dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

    Më pas, ai vazhdoi studimet në Universitetin Yale, ku u njoh me studenten Usha Chilukuri – bashkëshorten e tij të ardhshme.

    Zoti Vance u bë i njohur në nivel kombëtar për shkak të librit të tij të suksesshëm të vitit 2016 për klasën punëtore të Amerikës, që më pas u shndërrua edhe në film me titullin “Hillbilly Elegy”. Në film, aktorja Glenn Close luan rolin e gjyshes së tij të rreptë

    “Je ti që duhet të vendosësh nëse dëshiron të bëhesh dikush apo jo?”, i thotë ajo në film.

    Me mbështetjen e ish-Presidentit Donald Trump, djaloshi nga Ohajo që dashuron shtetin Kentaki u zgjodh senator i shtetit të Ohajos. Dhe vetëm dy vite më vonë u njoftua se zoti Trump e përzgjodhi për të kandiduar për nënpresident të Shteteve të Bashkuara. Zoti Vance pati megjithatë një fillim të vështirë, pasi e kishte quajtur në të kaluarën zotin Trump “moskokëçarës’ dhe pati deklaruar se “nuk do të bëhej kurrë mbështetës i tij”.

    Më pas, ndërsa kandidonte për nënpresident, politikat e zotit Vance reflektonin ato të zotit Trump. Dhe ai dha këtë përgjigje kur u pyet nëse “ish-presidenti i kishte humbur zgjedhjet e 2020-ës?”:

    “Jo, mendoj se ka probleme serioze me 2020-ën. Pra, duke iu pergjigjur pyetjes a i humbi Donald Trump-i zgjedhjet? Jo, do te thosha une”.

    Zoti Vance ka përqasje të ashpër në lidhje me Kinën dhe Azinë Lindore, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe……i pyetur për konfliktin Izrael-Hamas tha se:

    “Kamala Harris, nga njëra anë thotë se shqetësohet vërtet për viktimat në radhët e civilëve. E megjithatë, ajo refuzon t’i japë Izraelit armët që i mundësojnë të minimizojë viktimat civile”.

    Në moshën 40-vjeçare, zoti Vance do të jetë nënpresidenti i tretë më i ri në historinë amerikane/VoA/.