Kategori: Botë

  • Kryeministri britanik në Kiev, që të zotojë mbështetjen historike për Ukrainën

    Kryeministri britanik, Keir Starmer ka arritur në Kiev, për të nënshkruar atë që Downing Street po e quan “partneritet 100-vjeçar historik” me Ukrainën – bën të ditur të enjten, më 16.01.2025, televizioni britanik BBC.

    Pakti do të formalizonte mbështetjen ekonomike dhe ushtarake që tashmë e ka zotuar Mbretëria e Bashkuar ndaj Ukrainës, por do të ofrojë edhe shumë më shumë.

    Është vizita e parë e Kryeministrit britanik në këtë vend, pasi mori detyrën verës, si një dëshmi e mbështetjes për Ukrainën, pak ditë para se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të ketë diskutime të rëndësishme për garancitë e sigurisë nga aleatët kyç, si Britania e Madhe, në kohën kur raportohet se Administrata e re amerikane mund ta shtyjë Ukrainën që të arrijë Marrëveshje paqësore me Rusinë.

    Ndryshe prej Kryeministrave të tjerë që menjëherë vizitonin Kievin, Keirit ka marrë kohën e nevojshme para vizitës, por pas gjashtë muajsh në krye të Ekzekutivit britanik, ai i ka shprehur zotimin Ukrainës për mbështetje afatgjate, kundër atij që e ka quajtur “invazion barbar dhe ilegal” të Rusisë.

    Ai është pritur në Stacionin e trenit në Kiev prej ambasadorit britanik në Kiev, Martin Harris dhe emisarit ukrainas në Londër, Valeri Zaluzhnyi.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

     

  • Influencerja australiane akuzohet për helmimin e bebes së saj

    Një influencere australiane po akuzohet për helmimin e vajzës së saj foshnjore, që të siguronte donacione dhe që të rriste numrin e ndjekësve në internet – raporton të enjten, më 16.01.2025, televizioni britanik BBC.

    Gruaja nga Queensland ka pohuar se po shpaloste kronikisht betejën e fëmijës së saj me një sëmundje terminale në mediat sociale, por detektivët pretendojnë se ajo po e drogonte foshnjën  njëvjeçare dhe më pas e filmonte sa ishte në “shqetësim dhe në dhimbje të madhe”.

    Mjekët kishin ngritur alarmin në tetor, kur foshnja do të shtrohej në Spital, pas një episodi të rëndë mjekësor.

    Pas disa muajsh hetime, 34-vjeçarja u akuzua për “torturë”, “administrim helmi”, “material për shfrytëzimin e fëmijëve dhe mashtrim”.

    “(Nuk ka) fjalë se sa të neveritshme janë shkeljet e kësaj natyre.” – ka deklaruar para gazetarëve të enjten inspektori i Policisë së Queenslandit, Paul Dalton.

    Ndërmjet gushtit dhe tetorit, detektivët thonë se gruaja nga rajoni Sunshine Coast i dha fëmijës disa ilaçe, pa miratim të mjekut.

    Ajo bëri përpjekje të shumta që të merrte medikamente të paautorizuara dhe të fshihte mbuluar veprimet e saj, pretenduan hetuesit – duke bërë të ditur se gruaja përdorte ilaçe të mbetura për një person tjetër në shtëpinë e tyre.

    Policia kishte nisur hetimet më 15 tetor, kur foshnja do të çohej në Spital teksa po përjetonte “shqetësim dhe dëmtim të rëndë emocional dhe fizik”. Testet për ilaçe të paautorizuara treguan rezultat pozitiv në janar.

    Gruaja mblodhi 60 mijë dollarë australianë (37 mijë dollarë amerikanë), nëpërmjet donacioneve të “GoFundMe”, të cilat faqja po përpiqet t’i kthejë – ka njoftuar inspektori Dalton.

    Policia kishte hetuar persona të tjerë për abuzimin e supozuar, por nuk kishte prova për të akuzuar dikë tjetër – shtoi ai.

    Gruaja do të dalë të premten para Drejtësisë, në Gjykatën e Brisbanet.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Biden flet për rreziqet ndaj demokracisë amerikane në fjalimin lamtumirës

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden iu drejtua kombit me një fjalim lamtumire, mbrëmjen e së mërkurës, më 15.01.2025, duke paralajmëruar se një “oligarki e rrezikshme” e njerëzve jashtëzakonisht të pasur po formësohet në Amerikë, e cila zotëron pushtet dhe ndikim që kërcënojnë demokracinë.

    “Jam i shqetësuar për rënien e rrezikshme të pushtetit në duart e ca njerëzve të pasur.” – tha Biden, duke folur nga Shtëpia e Bardhë.

    Ai tha se rënia e pasurisë në duart e pak vetave nuk e kërcënon vetëm demokracinë, por edhe të drejtat dhe liritë themelore, si dhe pritjet se çdo njeri meriton një “mundësi të barabartë” për të arritur sukses.

    Pasi ta përfundojë mandatin e tij, Biden do të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20.01.2025 dhe do të pasohet nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili është miliarder dhe ka mbështetjen e shefit të Teslas dhe SpaceX, Elon Musk – njeriut më të pasur në botë, si dhe të njerëzve të tjerë jashtëzakonisht të pasur.

    Musk, i cili ndjek të njëjtën vijë të politikës së djathtë si Trumpi, i shpenzoi dhjetëra miliona dollarë për ta ndihmuar fushatën presidenciale të Trumpit vitin e kaluar dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e tij.

    Dy miliarderë të tjerë të njohur amerikanë: themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos dhe bashkëthemeluesi i Facebookut dhe shefi i Metas, Mark Zuckerberg, gjithashtu pritet të marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit.

    Biden përmendi disa nga arritjet e tij, përfshirë drejtimin e vendit për të dalë nga pandemia e koronavirusit gjatë dy vjetëve të tij të para si President, mbështetjen për prodhimin vendas dhe kufizimin e çmimit të barnave të përshkruara.

    Por, Biden tha se vlerat amerikane janë duke u “sprovuar vazhdimisht” – duke paralajmëruar për ngritjen e mundshme të asaj që ai e quajti “kompleksi industrial i teknologjisë” dhe të ardhmen e Inteligjencës Artificiale.

    “Amerikanët po varrosen nën një ortek dezinformimesh dhe keqinformimesh, që mundësojnë abuzimin me pushtetin.” – tha ai.

    “Shtypi i lirë po shembet. Redaktorët po zhduken. Mediat sociale po heqin dorë nga verifikimi i fakteve. E vërteta po mbytet nga gënjeshtrat për pushtet dhe për përfitime.” – theksoi ai.

    Ai nënvizoi se, për t’i luftuar këto prirje, platformat e mediave sociale duhet të mbajnë përgjegjësi për t’i mbrojtur fëmijët, familjet dhe demokracinë amerikane nga abuzimi me pushtetin.

    Inteligjenca Artificiale (IA), sipas tij, është një zhvillim që ka potencialin për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, madje edhe për të gjetur një shërim për kancerin, por në të njëjtën kohë mund edhe të “shkaktojë kërcënime të reja për të drejtat tona, mënyrën tonë të jetesës, privatësinë tonë, mënyrën se si punojmë dhe si e mbrojmë kombin tonë”.

    “Inteligjenca Artificiale është teknologjia më domethënëse e kohës sonë, ndoshta e të gjitha kohërave. Asgjë nuk ofron më shumë mundësi dhe rreziqe të mëdha për ekonominë, sigurinë, shoqërinë tonë dhe për njerëzimin.” – tha ai.

    Megjithatë, ajo duhet të jetë “e sigurt, e besueshme dhe e dobishme për mbarë njerëzimin.” – shtoi ai, duke theksuar se është më e rëndësishme se kurrë që “si tokë e lirisë, Amerika, dhe jo Kina, ta udhëheqë botën në zhvillimin e IA-së”.

    Biden, i cili e mundi Trumpin në Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, do të largohet nga detyra javën e ardhshme, pasi u tërhoq për shkak të shqetësimeve në lidhje me aftësinë e tij mendore – duke i hapur rrugën nënpresidentes Kamala Harris që të garonte kundër Trumpit, si kandidatja e Partisë Demokrate në Zgjedhjet e vitit 2024.

    Harris humbi përballë Trumpit në Zgjedhjet e 5 nëntorit 2024./REL