Kategori: Botë

  • Bideni e Trumpi shtyhen për meritat e ndërmjetësimit të armëpushimit

    Presidenti amerikan, Joe Biden ka theksuar se janë dashur “muaj të tërë diplomacie intensive”, për arritjen e Marrëveshjes së Armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit”, ndërsa ka përshkruar hapat e ardhshëm të Marrëveshjes që pritet t’i japë fund luftës 15-mujore – raporton BBC.

    Në një Konferencë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, ai ka deklaruar se ishte “thellësisht i kënaqur që erdhi kjo ditë” dhe i cilësoi negociatat prej më të vështirave të karrierës së tij.

    Marrëveshja përbëhet nga tri faza – ka njoftuar Biden. E para prej të cilave përfshin një “armëpushim të plotë”, që do të fillojë më 19 janar – një ditë para se ai të largohet nga detyra.

    Bideni u ka deklaruar gazetarëve se faza e parë do të përfshijë tërheqjen e forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gazës, lirimin e pengjeve në duar të “Hamasit” – duke përfshirë gra, të moshuar dhe të burgosur të plagosur dhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë.

    “Ka një numër detajesh për të negociuar për të kaluar nga faza e parë në fazën e dytë, por plani thotë se nëse negociatat zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë për sa kohë që negociatat vazhdojnë.” – ka deklaruar Bideni.

    Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura gjallë, duke përfshirë ushtarët meshkuj, si dhe çdo forcë të mbetur izraelite të tërhiqet nga Gaza. Armëpushimi i përkohshëm do të bëhet i përhershëm në këtë fazë – ka deklaruar ai.

    Faza e tretë përfshin kthimin e eshtrave të pengjeve që janë vrarë te familjet e tyre dhe një “plan të madh rindërtimi” për Gazën.

    Ndërsa Biden deklaroi se Administrata e tij kishte “folur si një ekip” me Administratën e ardhshme të Donald Trumpit. Presidenti theksoi rolin e tij dhe të Administratës së tij për finalizimin e Marrëveshjes. Ai ka theksuar se Korniza për Marrëveshjen ndoqi “konturat e sakta” të një plani, që ai e paraqiti për herë të parë në majin e vitit 2024.

    Dhe, sapo mbaroi Konferenca për shtyp, Presidenti u pyet se kush duhet të marrë meritat për Marrëveshjen – ai apo Trumpi. Biden u kthye dhe para se të largohej tha: “A është kjo një shaka?”.

    Trump, ndërkohë, ka shkruar në Truth Social se Marrëveshja “epike” u mundësua vetëm sepse ai i fitoi Zgjedhjet presidenciale të Nëntorit.

    “Kjo i sinjalizoi të gjithë botës se Administrata ime do të kërkonte paqe dhe do të negocionte Marrëveshje, për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë.” – ka shkruar ai.

    Megjithë mesazhet e duelit, të dy Administratat punuan në bashkërendim të ngushtë, ndërsa Marrëveshja e Armëpushimit u arrit në ditët e fundit – vlerëson transmetuesi britanik BBC.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • BBC: Armëpushimi mund t’i ndalë vrasjet, por nuk i jep fund konfliktit

    Një zyrtar palestinez i ka thënë BBC-së se “Hamasi” do t’i lirojë tri ushtare në ditën e parë të armëpushimit. Ndërmjetësit në Doha po mundohen që sa më parë të nisë zbatimi i armëpushimit. Madje qysh të enjten mbrëma, e jo të dielën – shkruan Jeremy Bowen, në një analizë në BBC.

    Derisa armëpushimi nuk do të hyjë në zbatim, lufta që nisi kur “Hamasi” sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, ende po vazhdon. Së paku, 12 palestinezë janë vrarë prej sulmeve izraelite në Gazë veriore në kohën kur po bëhej i njohur lajmi për armëpushimin.

    Në atë që ka qenë pothuajse ritual për pesëmbëdhjetë muaj me radhë, pamjet nga Gaza veriore kanë treguar trupat e viktimave që po barteshin me ambulanca dhe të shtrirë në rresht para një Spitali.

    Armëpushimi është një arritje e konsiderueshme diplomatike – vlerëson BBC në analizën pas lajmit për arritjen e ujdisë për armëpushimin. Versione të Marrëveshjes janë vendosur në tavolinë, prej njoftimit të presidentit Joe Biden në maj vjet. “Hamasi” dhe Izraeli fajësonin njëri-tjetrin për vonimin e arritjes së Marrëveshjes.

    Në Khan Younis në Gazë, gazetarët që po punonin për BBC-në kanë filmuar palestinezët duke vallëzuar e brohoritur, derisa po bëhej e qartë se ishte arritur Marrëveshja për armëpushimin.

    Izraeli nuk i lejon gazetarët e huaj të hyjnë në Gazë për të rpaortuar lirisht, kështu që BBC-ja dhe organizatat e tjera informative mbështeten te gazetarët e besueshëm palestinezë, për të mbledhur informacione për BBC-në. Raportimi prej 15 muajsh nga lufta do të ishte i pamundshëm pa ta. Izraeli ka vrarë më shumë se 200 gazetarë palestinezë në Gazë.

    “Njerëzit janë lodhur me shpirt”

    Umm Muhammed, një grua e moshuar palestineze, i ka thënë njërit prej gazetarëve që punojnë për BBC-në se po ndihej e lumtur dhe e lehtësuar.

    “Dhimbja është davaritur pak, megjithëse ende dhemb. Shpresojmë se do t’ia marrë anën gëzimi. Le të lirohen të burgosurit dhe të trajtohen të plagosurit. Njerëzit janë lodhur me shpirt.” – ka thënë ajo.

    Pos mbijetesës nuk është se kanë për çfarë tjetër të festojnë palestinezët në Gazë. Izraeli ka vrarë pothuajse 50 mijë palestinezë. Më shumë se dy milionë persona janë detyruar të zhvendosen prej shtëpive të tyre, prej aksioneve të ushtrisë izraelite.

    Kundërpërgjigjja e Izraelit ndaj sulmeve të “Hamasit” më 7 tetor 2023, ku u vranë pothuajse 1.200 persona, shumica izraelitë, e ka kthyer Gazën në gërmadhë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të udhëhequr nga “Hamasi”, sulmet izraelite kanë vrarë pothuajse pesëdhjetë mijë persona – luftëtarë dhe civilë. Një studim i kryer së fundmi nga revista shkencore për mjekësi, “Lancet” ka treguar se kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe.

    Shpresë edhe në Tel-Aviv

    Në Tel-Aviv kishte gjithashtu momente lehtësimi dhe frymëmarrjeje për familjet dhe përkrahësit e pengjeve izraelite, të gjallë apo të vdekur. Në fazën fillestare 33 gra, pleq dhe të sëmurë e të plagosur pritet të lirohen në gjashtë javët e ardhshme në këmbim të qindra të arrestuarve dhe të burgosurve palestinezë, por e ardhmja e pengjeve të tjera varet prej negociatave të ardhshme.

    Negociatat në gazën e dytë të Marrëveshjes për Lirimin e pengjeve të mbetura izraelite në këmbim të palestinezëve të burgosur dhe tërheqja izraelite nga Gaza pritet të nisë 16 ditë pas fuqizimit të Marrëveshjes.

    Sfida e parë e madhe është që të sigurohet se Marrëveshja po zbatohet. Diplomatë të lartë perëndimorë druajnë se pas fazës së parë 42-ditëshe do të ketë rishpërthim të luftës.

    Dhe, lufta në Gazë ka pasoja të menjëhershme në mbarë Lindjen e Mesme. Nuk shpiu drejt asaj, që shumëkush i druante, një lufte të përgjithshme në rajon. Administrata e Bidenit ka marrë lavdatën për këtë, por shkaktoi kokëçarje të mëdha gjeostrategjike.

    Dobësimi i Boshtit të Rezistencës

    “Hamasi” është ende në gjendje të luftojë, por është hije e asaj çfarë ishte. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i tij i Mbrojtjes janë akuzuar për “krime lufte” prej Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është duke hetuar një rast të ngritur nga Afrika Jugore, që e akuzon Izraelin për gjenocid.

    Pasi “Hezbollahu” në Liban ndërhyri në luftë, u shtyp pothuajse barabar prej ofensivës izraelite. Ky ishte një faktor që çoi drejt kolapsit të regjimit të Assadit në Siri. Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të drejtpërdrejta – duke e dobësuar Iranin. Është shpartalluar rrjeti iranian i aleatëve dhe grupeve besnike, të njohura si Boshti i Rezistencës.

    Huthët në Jemen kishin ndërprerë shumicën e qarkullimit me anije ndërmjet Europës dhe Azisë përgjatë Detit të Kuq. Tani raportohet se ata kanë bërë të ditur armëpushimin e vetëshpallur. Prejse ata nisën të sulmonin anijet në fillim të luftës, kanë thënë se vetëm një ujdi armëpushimi në Gazë do t’i frenonte ata.

    Me fat, vullnet politik dhe përpjekje të madhe diplomatike mund të mbahet në fuqi edhe armëpushimi, pavarësisht shkeljeve të pashmangshme – raporton BBC.

    Por pas 15 muajsh të luftës në Gazë, konflikti, më shumë se njëshekullor, është po aq i hidhur dhe i vështirë për t’iu prerë udhë se kurrë më parë.

    Armëpushimi nuk i jep fund konfliktit. Pasojat e shkatërrimit dhe numrit kaq të madh të vdekjeve do t’i ndjejë së paku edhe një brez.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Polonia akuzon Rusinë se po planifikon akte terroriste kundër linjave ajrore në mbarë botën

    Kryeministri polak Donald Tusk akuzoi të mërkurën Rusinë se po planifikon akte sabotazhi në mbarë botën, mes tyre “akte terroriste” kundër linjave ajrore.

    Zoti Tusk i bëri komentet në Varshavë në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin ukrainas Volodymr Zelenskyy.

    “Nuk do të hyj në detaje, por mund të konfirmoj se ekziston frika se Rusia po planifikon akte terrori kundër linjave ajrore, jo vetëm kundër Polonisë, por në mbarë botën”, tha ai.

    Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet e mëparshme perëndimore se Rusia ka paguar për akte sabotazhi dhe sulme në Evropë.

    Zyrtarët perëndimorë të sigurisë dyshojnë se zbulimi rus qëndron pas një disa komplotesh duke vendosur pajisjeve shpërthyese në aeroplanë që tranportonin mallra e produkte, e që fluturonin drejt Amerikës së Veriut. Mes tyre dy aeroplanë që morën flakë vitin e kaluar në Gjermani dhe Angli, ndërsa po ngarkonin pako për transport.

    Qeveria e Varshavës, me qasje pro Bashkimit Evropian, thotë se Rusia po kryen akte të luftës hibride kundër Polonisë dhe vendeve të tjera perëndimore si hakmarrje për mbështetjen që ato po i japin Ukrainës, në luftën e saj kundër agresionit rus.

    Polonia ka akuzuar Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë, për nxitje të një krize emigracioni në kufirin lindor të BE-së me Bjellorusinë, në mënyrë që të krijojë kaos dhe përçarje në Evropë.

    Vitin e kaluar, ministri i jashtëm i Polonisë urdhëroi mbylljen e një prej tre konsullatave ruse në këtë vend, si përgjigje ndaj akteve të sabotazhit, që përfshinin ndër të tjera, zjarrvënie të qëllimta, që siç tha ai, ishin porositur nga Moska./VOA