Kategori: Botë

  • Shqipëria nënshkruan Marrëveshje njëmiliardëshe me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

    Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan të mërkurën, më 15.01.2025, një Marrëveshje me vlerë prej të paktën një miliard eurosh, për të ndërtuar një lidhje nëndetare për importim të energjisë së ripërtëritshme përmes Detit Adriatik.

    Plani do të forcojë lidhjet ekzistuese të energjisë elektrike, “të shtrira përgjatë 430 kilometrave në fund të Detit Adriatik, duke lidhur Italinë me Malin e Zi dhe rajone të tjera të Ballkanit… për t’i bërë ato më efikase dhe konkurruese.” – tha kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Samitin Botëror të së Ardhmes së Energjisë në Abu Dhabi.

    “Ky partneritet shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë energjetike, promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përshpejtimit të tranzicionit drejt energjisë së pastër në rajonin e Mesdheut.” – thuhet në deklaratën e të tria vendeve.

    Marrëveshja me Shqipërinë – aleate e ngushtë politike e Qeverisë së krahut të djathtë të Melonit – vjen si shtesë ndaj një projekti për ndërtimin e një lidhjeje elektrike midis Italisë dhe Tunizisë, për të rritur kapacitetin e transferimit të energjisë në rajonin e Mesdheut.

    Partneriteti trepalësh do të përfshijë operatorin italian Terna dhe Kompaninë Kombëtare të Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe – tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Ai shtoi se infrastruktura do ta lidhte portin shqiptar të Vlorës me rajonin jugor italian të Pulias – pika më e afërt midis dy vendeve dhe shtoi se kjo pritet të jetë funksionale brenda një maksimumi prej tre vjetësh.

    Projekti do t’i mundësojë Shqipërisë të shesë energji të ripërtëritshme të prodhuar në vend, në një kohë kur vendi po punon drejt diversifikimit të energjisë së saj të ripërtëritshme, duke rritur kapacitetin e saj me rreth 500 megavat gjatë dy vjetëve të fundit – tha për Reuters zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    “Duke shfrytëzuar ekspertizën botërore të Emirateve të Bashkuara Arabe në energjinë e ripërtëritshme, burimet e pasura natyrore të Shqipërisë dhe tregun e sofistikuar të energjisë në Itali, ne po lidhim kombet në një bashkëpunim largpamës.” – tha Sultan Al Jaber, ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe./REL

  • Obezitetit i duhet një përkufizim i ri – thotë Raporti botëror

    Ekziston rreziku që shumë njerëz të diagnostifikohen si obezë kur nevojitet një përkufizim “më i saktë” dhe “i nuancuar” – thotë një Raport nga ekspertët globalë – shkruan BBC.

    Mjekët duhet të marrin në konsideratë shëndetin e përgjithshëm të pacientëve me yndyrë të tepërt, në vend që të matin vetëm Indeksin e Masës Trupore të tyre (BMI) – thotë Raporti.

    Ata me sëmundje kronike të shkaktuara nga pesha e tyre duhet të diagnostifikohen me “obezitet klinik”, por ata që nuk kanë probleme shëndetësore duhet të diagnostifikohen me “obezitet paraklinik”.

    Më shumë se një miliard njerëz vlerësohet se jetojnë me obezitet në mbarë botën dhe ilaçet për humbje peshe me recetë janë shumë të kërkuara.

    Raporti, i publikuar në revistën “The Lancet Diabetes & Endocrinology”, mbështetet nga më shumë se 50 ekspertë mjekësorë në mbarë botën.

    Ripërkufizimi

    “Obeziteti është një spektër.” – ka theksuar profesori Francesco Rubino, nga “King’s College” në Londër, i cili kryesoi grupin.

    “Disa e kanë dhe arrijnë të bëjnë një jetë normale, të funksionojnë normalisht. Të tjerët nuk mund të ecin mirë ose të marrin frymë mirë, ose janë të lidhur me karrige me rrota me probleme të rëndësishme shëndetësore.” – ka theksuar ai.

    Raporti bën thirrje për një “riformulim” të obezitetit që të bëhet dallimi midis pacientëve me një sëmundje dhe atyre që mbeten të shëndetshëm, por në rrezik të sëmundjes në të ardhmen.

    Aktualisht, në shumë vende, obeziteti përkufizohet si të kesh një BMI mbi 30 – një matje që vlerëson yndyrën e trupit bazuar në gjatësinë dhe peshën.

    Qasja në barna për humbje peshe si “Wegovy” dhe “Mounjaro” është shpesh e kufizuar për pacientët e kësaj kategorie.

    Në shumë pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë (NHS) kërkon gjithashtu që njerëzit të kenë një gjendje shëndetësore të lidhur me peshën.

    Por BMI-ja nuk zbulon asgjë në lidhje me shëndetin e përgjithshëm të pacientit, thuhet në Raport dhe nuk arrin të bëjë dallimin midis muskujve dhe yndyrës së trupit ose të llogarisë yndyrën më të rrezikshme rreth belit dhe organeve.

    Ekspertët argumentojnë për një model të ri që shikon shenjat e obezitetit që prekin organet në trup, të tilla si: sëmundjet e zemrës, gulçimi, diabeti i tipit 2 ose dhimbjet e kyçeve dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në jetën e përditshme.

    Kjo tregon se obeziteti është bërë një sëmundje klinike dhe ka nevojë për trajtim medikamentoz.

    Megjithatë, njerëzve me “obezitet paraklinik”, në vend të ilaçeve dhe kirurgjisë, duhet t’u ofrohen këshilla për humbje peshe, këshillim dhe monitorim për të zvogëluar shanset e zhvillimit të problemeve shëndetësore. Edhe trajtimi mund të jetë i nevojshëm.

    “Trajtimi i panevojshëm”

    “Obeziteti është një rrezik për shëndetin, ndryshimi është se është gjithashtu sëmundje për disa njerëz.” – ka theksuar profesori Rubino.

    Ripërcaktimi i tij është i arsyeshëm, shtoi ai, që të kuptohet niveli i rrezikut në një popullsi të madhe, në vend të “pasqyrës së paqartë të obezitetit”.

    Raporti thotë se gjatësia e belit ose matja e drejtpërdrejtë e yndyrës, së bashku me një histori të detajuar mjekësore, mund të krijojnë pasqyrë shumë më të qartë se BMI-ja.

    Ekspertja e obezitetit të fëmijëve, profesoresha Louise Baur, nga Universiteti i Sidneit, e cila kontribuoi në Raport, ka theksuar se qasja e re do t’i lejojë të rriturit dhe fëmijët me obezitet “të kenë kujdesin më të duhur” – duke reduktuar numrin e mbidiagnostifikuar dhe trajtimin e panevojshëm.

    Në një kohë kur medikamentet që ulin peshën trupore deri në 20% po përshkruhen në shkallë të gjerë, Raporti shkruan se ky “riformulim” i obezitetit “është edhe më i rëndësishëm”, sepse “përmirëson saktësinë e diagnozës”.

    “Financim i kufizuar” 

    Kolegji Mbretëror i Mjekëve ka vlerësuar se Raporti ka vendosur një bazë të fortë “për trajtimin e obezitetit me të njëjtën ashpërsi mjekësore dhe dhembshuri si sëmundjet e tjera kronike”.

    Dallimi midis obezitetit paraklinik dhe atij klinik do të ishte “një hap jetik përpara” dhe “theksoi nevojën për të identifikuar dhe ndërhyrë herët” – duke ofruar kujdesin e duhur për pacientët, shëndeti i të cilëve tashmë është prekur rëndë, vlerëson Kolegji.

    Por, ka shqetësime se presioni mbi buxhetet e Shëndetësisë mund të nënkuptojë më pak para për ata në kategorinë “para-obezë”.

    Profesori Jim Mann, bashkëdrejtor i Qendrës Kërkimore të Diabetit dhe Obezitetit Edgar, në Otago, në Zelandën e Re, ka theksuar se theksi ka të ngjarë të jetë “në nevojat e atyre që përcaktohen si klinikisht të trashë” dhe financimi i kufizuar “ka shumë gjasa” që të përqendrohet për ta.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • SHBA-ja heq Kubën prej listës së sponsorëve shtetërorë të terrorizmit

    Presidenti amerikan, Joe Biden do ta heqë përcaktimin e Kubës si sponsor shtetëror terrorizmi, si pjesë e një ujdie për lirimin e të burgosurve – ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë – raporton BBC.

    Menjëherë pas njoftimit, Kuba ka njoftuar se do të lirojë 553 të burgosur të arrestuar – të dënuar për “krime të ndryshme”. Shpresohet se në këtë ujdi do të përfshihen edhe pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare të para katër vjetëve.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump e kishte kthyer përcaktimin zyrtar të Kubës si sponsor terrorizmi në ditët e fundit të Presidencës së tij të parë më 2021 – duke ndaluar ndihmën amerikane dhe eksportimin e armëve për këtë vend ishullor.

    Por të martën – sipas kohës lokale amerikane – Administrata e Bidenit ka njoftuar se në një vlerësim të situatës “nuk ka më informacione” se shteti kuban sponsoron terrorizmin.

    Kuba ka vlerësuar se vendimi i Bidenit është “një hap në drejtimin e duhur”, pavarësisht “natyrës së tij të kufizuar”.

    “Vendimi i jep fund një mase specifike shantazhuese, që bashkë me të tjerat shkakton dëm serioz për ekonominë kubane, me efekt të ashpër në popullsinë.” – thuhet në deklaratën e shkruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kubës.

    Qindra të burgosur do të lirohen “gradualisht”, pas bisedimeve të ndërmjetësuara prej Kishës katolike – është thënë në një deklaratë të pastajme të diplomacisë kubane.

    Vendimi amerikan shihet si hap i rëndësishëm për normalizimin eventual të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com