Kategori: Botë

  • Koreja Jugore e arreston Presidentin e saj për kryengritje

    Yoon Suk Yeol i Koresë Jugore është bërë Presidenti i parë në detyrë që arrestohet, duke i dhënë fund një përplasjeje njëjavëshe ndërmjet prokurorëve dhe sigurimit të tij personal – raporton të mërkurën në mëngjes, më 15.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Yooni, përpjekja e dështuar e të cilit për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme e zhyti vendin në trazira dhe rezultoi me shkarkimin e tij në Parlament, po hetohet me akuzën për kryengritje.

    Megjithatë ai teknikisht është ende President, derisa Gjykata Kushtetuese të përcaktojë nëse shkarkimi ishte i vlefshëm.

    Hetuesit kanë përdorur shkallë dhe gërshërë për prerjen e telave gjemborë, në një mëngjes të acartë dimri, për ta arrestuar Yoonin, me Shërbimin Presidencial të Sigurisë (PSS), që kishte ngritur barrikada në përpjekje për ta pamundësuar arrestimin.

    64-vjeçari ka thënë se është pajtuar që të shkojë në Zyrën për Hetimin e Korrupsionin (CIO), për zyrtarët e lartë, për të shmangur gjakderdhjen. Në një xhirim prej tre minutash, Yooni ka thënë se do të bashkëpunojë me zyrtarët, megjithëse është kundër hetimit.

    Ai vazhdimisht ka pretenduar se fletarrestimi nuk është i ligjshëm. Yoon ka thënë se e ka parë me sytë e tij sesi autoritetet “pushtuan” perimetrin e sigurisë së shtëpisë së tij me ekipe zjarrfikësish.

    “Kam ndarë mendjen të dalë para CIO-s, megjithëse është një hetim ilegal, me qëllim që të parandalojë çfarëdo gjakderdhjeje të pandalshme.” – ka thënë ai.

    Më shumë se njëmijë policë dhe zyrtarë janë angazhuar në operacionin e hershëm të së mërkurës. Ishte përpjekja e dytë për arrestimin e tij.

    CIO, që po e heton Yoonin, më parë ishte munduar ta arrestonte atë më 3 janar.

    Zyrtarët kishin marrë fletarrestimin, pasi ai i kishte urdhëruar disa kërkesa zyrtare për t’u lajmëruar në Prokurori.

    Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit e ka quajtur “ilegal” arrestimin. Lideri i saj, Kveon Seong-dong i ka përshkruar ngjarjet si aso “për të ardhur keq”.

    Në anën tjetër, lideri i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në opozitë, Park Chan-dae ka thënë se arrestimi i Yoonit ka treguar se “drejtësia në Korenë Jugore është gjallë”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Policia gjermane heton AfD-në për shpërndarje të broshurave që përngjajnë me “biletat e deportimit”

    Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është përfshirë në një kundërthënie pasi ka shpërndarë broshura që përngjajnë me “biletat e deportimit” në qytetin Karlsruhe, ka raportuar të martën (14.01.2025) televizioni “Euronews”.

    Policia ka nisur një hetim ndaj degës lokale të partisë AfD në këtë qytet lidhur me posterët si “bileta deportimi” që shkaktuan kundërthënie para fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 23 shkurtit.

    Broshurat, që bazohen në bileta aeroplani, po hetohen me dyshimin e nxitjes së urrejtjes racore, ka bërë të ditur policia për hetime penale në Karlsruhe. Ato paraqesin një biletë fluturimesh me logon e AfD-së në të me hollësi të manipuluar fluturimesh, me mbishkrimin “Ngritjet: Gjermani” dhe “destinacioni: vendi i sigurt i origjinës”.

    Në broshura, “AfD” është si porta e terminalit për nisje të fluturimeve, dhe në dy fjalitë pasuese shkruan: “Vetëm riemigrimi mund ta shpëtojë Gjermaninë” dhe “Edhe në vendlindje është mirë”.

    Mesazhet dhe broshurat kanë shkaktuar ankesa në mesin e publikut dhe të anëtarëve të partisë majtiste, E Majta, që kanë kërcënuar se do ta raportojnë degën e AfD-së për nxitje të urrejtjes.

    E Majta ka argumentuar se broshurat ishin shpërndarë qëllimisht në kuti postash të shtëpive me familje me të kaluar emigrante. Ato janë gjykuar si ksenofobe dhe me synim për të krijuar ndasi dhe urrejtje ndërmjet grupeve të ndryshme.

    Dega e AfD-së në shtetin e Baden-Vyrtembergut ka ngulmuar se broshurat kishin për qëllim të gjithë votuesit me një hise të madhe të tyre që jetojnë në Karslruhe, ka raportuar agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

    Mediat gjermane kanë spikatur si fushatë të ngjashme me atë që ishte shtyrë përpara edhe prej Partisë Nacionaldemokratike të Gjermanisë (NPD), e riemërtuar si Heimat, më 2013.

    Atëherë, partia e djathtë ekstreme kishte shpërndarë bileta fluturimesh me mbishkrimin “Nga Gjermania – destinacioni vendlindja” në përpjekje për t’i dekurajuar kandidatët me një të kaluar emigrante që të garonin për deputetë. /“Euronews”

    Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com

  • Kryeministri i ri i Francës: Do rinegociojmë planin për të rritur moshën e pensionit

    Kryeministri i Francës François Bayrou njoftoi të martën se do të rinegociojë planin për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç, një lëvizje që vlerësohet e rëndësishme për të siguruar stabilitet për qeverinë e tij të pakicës.

    Në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Kryeministri Bayrou tha se “ka vendosur ta rihapë këtë çështje”.

    Ai u zotua se do të kërkojë “një rrugë të re për reforma, pa patur ndonjë tabu as kur bëhet fjalë për çështjen e moshës së pensionit”, përderisa financat për ndryshimin janë të garantuara.

    Plani i Presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën për të dalë në pension nxiti protesta masive nga janari deri në qershor të vitit 2023.

    Çfarë po propozon Kryeministri Bayrou?

    Kryeministri duhet ta miratojë me urgjencë buxhetin për vitin 2025. Pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme u miratua një ligj emergjence që t’i mundësonte qeverisë mbledhjen e taksave duke filluar nga 1 janari, pagimin e shpenzimeve bazë për të shmangur mbylljen e qeverisë.

    Megjithatë, vetëm një buxhet i rregullt mund të ndihmojë në zvogëlimin e deficitit buxhetor të Francës dhe të mundësojë shpenzime kyçe si për shembull marrjen e masave mbrojtëse që janë të nevojshme si rezultat i luftës në Ukrainë.

    Kryeministri Bayrou gjithashtu ka nënvizuar nevojën që Franca dhe Bashkimi Evropian të vazhdojnë të mbeten të fuqishme pas komenteve të bëra së fundmi nga Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump.

    “Vetë Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të paprecedent, ka bërë kërcënime për të aneksuar territore sovrane: Groenlandën, Kanalin e Panamasë si dhe Kanadanë”, tha kryeministri, duke shprehur keqardhje për këto komente.

    Tregjet financiare, agjencitë që vlerësojnë aftësitë kreditore të vendeve dhe Komisioni Evropian po i bëjnë trysni Francës që t’i përmbahet rregullave të bllokut për të kufizuar borxhin dhe për të mos lejuar daljen jashtë kontrollit të kostos së huamarrjes. Kjo do të rrezikonte ekonominë e vendeve të eurozonës.

    Deficiti i Francës pritet të arrijë në 6% të prodhimit të brendshëm bruto të vitit 2024. Kryeministri tha të martën se qeveria synon të mbajë deficitin në nivelin 5.4% me qëllim që deri në vitin 2029 ta ulë në 3%, sipas rregullave të BE-së.

    “Do të propozohen shkurtime të mëdha të shpenzimeve”, tha ai pa dhënë detaje konkrete.

    Pse janë bisedimet për reformat e pensionit me rëndësi kyçe?

    Reforma për ligjin e pensionit, që u miratua në prill të vitit 2023, pavarësisht protestave masive, është zbatuar gradualisht.

    Socialistët i kërkuan Kryeministri Bayrou të shpallte “pezullimin” e reformës që rrit moshën e daljes në pension dhe të vendosë masa të posaçme për ata që kanë karriera të gjata dhe disa profesione që vlerësohen si punë të vështira.

    Kryeministri Bayrou nuk e mori këtë vendim të martën, megjithatë propozimi i tij për të rinegociuar duket si një dorë e shtrirë drejt së majtës.

    Kryeministri i ri dëshiron të sigurojë një pakt me socialistët për të shmangur sulmet, në mënyrë që ata të mos mbështesin asnjë lëvizje të ardhshme për të rrëzuar qeverinë e re.

    Ai sugjeroi se mosha 64 vjeçare, që ishte ndryshimi më i kritikuar, mund të ulej në varësi të rezultatit të negociatave.

    “Ne nuk mund ta përkeqësojmë bilancin financiar” të sistemit të pensioneve, këmbënguli Kryeministri Bayrou.

    Në anën tjetër të spektrit politik, konservatorët kanë paralajmëruar kundër pezullimit të ndryshimeve në lidhje me pensionet.

    “Nëse do të anulonim reformën e pensioneve, kostoja do të ishte 3.4 miliardë euro më 2025 dhe pothuajse 16 miliardë më 2032”, tha presidenti i senatit Gérard Larcher, një konservator.

    A mund të rrëzohet sërish qeveria?

    Kabineti i Kryeministri Bayrou mbështetet në një marrëveshje të brishtë midis aleatëve të qendrës së Presidentit Macron dhe konservatorëve të partisë Republikane, të cilët edhe po u bën bashkë nuk kanë shumicë parlamentare.

    Qeveria e mëparshme ishte në pushtet vetëm për tre muaj përpara se të rrëzohej nga ligjvënësit e opozitës si nga e majta ashtu edhe nga e djathta ekstreme mes një mosmarrëveshjeje buxhetore.

    Këtë herë, socialistët thanë se ishin të hapur për bisedime me Kryeministrin Bayrou ndërsa qëndronin në opozitë.

    Kreu i grupit socialist në Asamblenë Kombëtare, Boris Vallaud, tha se partia e tij pranon ofertën për të rihapur negociatat mbi ndryshimet në ligjin për pensionet. Megjithatë, ai paralajmëroi se qëllimi ende ishte tërheqja e reformës dhe për rrjedhojë ulja e moshës së pensionit në 62 vjeç.

    Ndërkohë, mundësia për një tjetër votë mosbesimi është ende një mundësi.

    Partia e fuqishme e majtë ‘Franca e Padorëzuar’ refuzoi të hynte në bisedime me qeverinë dhe njoftoi se do të paraqiste një mocion mosbesimi.

    “Sa më shpejt të largoheni, aq më mirë”, i tha Kryeministrit Bayrou Mathilde Panot, drejtuesja e grupit të ligjvënësve të së majtës “Franca e Padorëzuar”.

    A ka ende fuqi e djathta ekstreme?

    Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, rivalja më e ashpër e Presidentit Macron luajti rol të rëndësishëm në rrëzimin e qeverisë së mëparshme.

    Kryeministri Bayrou u konsultua me të kur formoi qeverinë e re dhe zonja Le Pen mbetet një forcë e fuqishme. Partia e saj “Bashkimi Kombëtar” ka grupin më të madh si subjekt i vetëm politik pa një koalicion në Asamblenë Kombëtare, dhomën e ulët të fuqishme të parlamentit të Francës.

    Ditët e fundit, qeveria e Kryeministri Bayrou u përpoq të mënjanonte zonjën Le Pen duke negociuar në vend të kësaj me socialistët, të gjelbërtit dhe komunistët për çështjet e buxhetit.

    Ligjvënësi i “Bashkimit Kombëtar” Jean-Philippe Tanguy tha se “vijat e kuqe” mbeten të njëjta. Partia tha se do të kundërshtojë çdo buxhet që do të rrisë koston e mjekimeve, do të sigurojë më shumë kujdes shëndetësor për emigrantët që qëndrojnë ilegalisht në vend dhe do të vendosë taksa të reja për bizneset.

    “Ne u themi francezëve: prisni, ne po arrijmë”, tha zoti Tanguy.

    Por zonja Le Pen do të përballet me probleme të tjera në muajt në vijim pasi një vendim i gjykatës në mars mbi financimin e dyshuar të paligjshëm të partive mund ta ndalojë atë të kandidojë për postin e Presidentit./ VOA