Kategori: Botë

  • Masa të rrepta sigurie për inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump

    UASHINGTON – Me dyzet e tetë kilometra gardhe të përkohshme, 25,000 oficerë policie dhe postblloqe sigurie të vendosura për të kontrolluar qindra mijëra spektatorë, Uashingtoni është bërë gati për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump javën e ardhshme.

    Ceremonia e betimit në shkallët e Kapitolit dhe parada deri tek Shtëpia e Bardhë do të zhvillohen të hënën, pas një fundjave me protesta nga kundërshtarët e zotit Trump dhe tubime festive të përkrahësve të presidentit republikan.

    Inaugurimi vjen pas një fushate zgjedhore gjatë të cilës ndodhën dy përpjekje për atentat ndaj zotit Trump, përfshirë njërin, kur plumbi i preku shkarazi veshin, duke i shkaktuar një plagë të lehtë, si dhe pas sulmeve të natës së Vitit të Ri në disa qytete. Në një nga këto sulme, 14 persona u vranë dhe dhjetra u plagosën kur një veteran i ushtrisë amerikane goditi me makinë turmën që po festonte për Vitin e Ri në Nju Orlins. Po të njëjtën ditë, një ushtar amerikan hodhi në erë makinën Tesla Cybertruck para hotelit që mban emrin e Trumpit në Las Vegas, duke vrarë veten.

    “Po operojmë në një mjedis me kërcënime të shtuara”, deklaroi të hënën agjenti përgjegjës nga Shërbimi Sekret amerikan.

    Ceremonia e inaugurimit, kur zoti Trump bën zyrtarisht betimin para ligjvënësve të Kongresit, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zyrtarëve të administratës së re dhe dhjetëra mijëra të pranishmëve, bëhet në shkallët e Kapitolit, përballë Monumentit të Uashingtonit.

    Ky është vend i njëjtë ku, më 6 janar të vitit 2021, mijëra përkrahës së zotit Trump thyen xhamat, u përplasën me policinë dhe i detyruan ligjvënësit të kërkojnë strehim, ndërsa synonin të përmbysnin humbjen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.

    Rivalja e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2024, Nënpresidentja Kamala Harris, e pranoi humbjen në zgjedhet e 5 nëntorit, ndryshe nga zoti Trump, i cili vazhdon të bëjë pretendime të rreme se humbja e tij erdhi si rezultat i mashtrimit.

    Frika nga sulmuesit që veprojnë vetëm

    Zyrtarët e sigurisë thonë se nuk janë të vetëdijshëm për ndonjë kërcënim specifik ndaj ceremonisë së inaugurimit. Ata janë të shqetësuar për sulmuesit që veprojnë vetëm, siç ishte rasti me autorin e sulmit në Nju Orlins, apo në dy incidentet e javës së kaluar. Në njërin incident, një person u arrestua ndërsa u përpoq të hynte në Kapitol me një thikë të madhe. Në incidentin tjetër, një person tjetër u përpoq të ndizte një zjarr në afërsi të Kapitolit, sipas policisë së Kapitolit.

    “Kërcënimi nga autorë që veprojnë të vetëm mbetet arsyeja jonë kryesore për këtë gjendje të shtuar sigurie përgjatë javës së ardhshme”, deklaroi shefi i policisë së Kapitolit, Thomas Manger.

    FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan policinë në mbarë vendin për rreziqet ndaj sulmeve që përpiqen të kopjojnë incidentin në Nju Orlins.

    Një pjesë e madhe e qendrës së Uashingtonit – që shtrihet rreth 3 kilometra nga Shtëpia e Bardhë deri tek Kapitoli – do të jetë e mbyllur për makinat. Pikat kyçe për të hyrë në këtë zonë do të bllokohen me barrikada çimentoje, kamionë dhe materiale të tjera të rënda.

    Gardhi prej 48 kilometrash, me lartësi 2 metra, i menduar për të penguar ngjitjen mbi të, do të jetë më i gjati i vendosur ndonjëherë në Uashington, sipas zyrtarëve. Rreth 7,800 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe 4 mijë oficerë policie nga departamente të tjera janë dislokuar në mbarë vendin për të përforcuar sigurinë.

    Ndërkohë disa nga banorët e kryeqytetit, ku 90 për qind e votuesve mbështetën kandidaten demokrate Harris, po bëhen gati ta kalojnë fundjavën tre ditore, e cila përfshin edhe ditën e hënë, që është ditë pushimi në Shtetet e Bashkuara, jashtë qytetit, apo në shtëpi për t’u ikur turmave.

    Rreth 70 për qind e 34,500 dhomave të hoteleve që ka Uashingtoni janë rezervuar për natën para dhe pas inaugurimit, në bazë të të dhënave të javës së kaluar. Për inaugurimin e zotit Trump në vitin 2017, 95 për qind e dhomave të hoteleve ishin rezervuar dhe rreth 78 për qind për inaugurimin për mandatin e dytë të Presidentit Barack Obama në vitin 2013.

    Protestat dhe tubimet

    Ceremonia e inaugurimit e zotit Trump në vitin 2017 u karakterizua me protesta masive dhe kundër protesta.

    Marshi i Grave, një ditë pas ceremonisë, mblodhi qindra mijëra persona në rrugët e Uashingtonit – dhe edhe më shumë, në marshime tjera solidarizuese në mbarë vendin.

    Një turmë shumë më e vogël, me 25 mijë pjesëmarrës, pritet të mblidhet në Marshin e Popullit në Uashington të shtunën, sipas shefes së policisë së kryeqytetit, Pamela Smith.

    Mijëra protestues protet të marrin pjesë në dhjetëra protesta apo tubime të tjera, të cilave u kanë dhënë leje zyrtarët vendorë për t’u zhvilluar në nga e shtuna deri të hënën, përfshirë një tubim në përkrahje të zotit Trump që do të mbahet të dielën në një sallë me kapacitet prej 20 mijë vendesh.

    Profesorja e Harvardit, Juliette Kayyem, e cila shërbeu si zyrtare sigurie gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se zyrtarët duket se po ndjekin një praktikë standarde duke bërë plane për të gjitha situatat.

    “Planifikimi bëhet duke patur parasysh skenarin më të keq, por dyshoj që do të ketë diçka të tillë, gjë që është lajm i mirë”, thotë ajo. “Sa i përket planifikimit, gjithmonë është më mirë të bësh më shumë se më pak”./ VOA

  • Blinken paraqet planin për qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 14 janar paraqiti planin për menaxhimin e Gazës në periudhën e pasluftës, duke thënë se administrata në largim e Joe Biden, do t’ia dorëzojë këtë plan ekipit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, nëse arrihet marrëveshje për armëpushim.

    Duke folur në Këshillin e Atlantikut në Uashington, në ditët e fundit të mandatit si kryediplomat i SHBA-së, Blinken tha se Uashingtoni ka parashikuar një Autoritet Palestinez të reformuar, që do të udhëhiqte me Gazën, dhe ftoi partnerët ndërkombëtarë që të ndihmojnë në krijimin e një administrate të përkohshme për enklavën palestineze.

    Sipas planit amerikan, një forcë e sigurisë do të formohej nga forcat e shteteve partnere dhe personeli palestinez që do të kalonte nëpër procese të verifikimit, tha Blinken gjatë fjalimit.

    Fjalimi i tij u ndërpre vazhdimisht nga protestues që e akuzuan atë se po mbështet, siç thanë ata, gjenocidin e Izraelit kundër palestinezëve në Gazë, Izraeli vazhdimisht ka mohuar akuzat për gjenocid.

    Fjalimi i Blinkenit erdhi pasi negociatorët u takuan në Katar me shpresën që të finalizojnë një plan për t’i dhënë fund luftës 15-mujore në Gazë, midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që ka zhytur në krizë rajonin e Lindjes së Mesme.

    “Për muaj të tërë, ne kemi punuar në mënyrë intensive me partnerët tanë për të krijuar një plan të detajuar për periudhën e pasluftës që do të mundësojë që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza, të parandalohet që Hamasi të marrë pushtetin dhe t’i japë qeverisje Gazës, siguri dhe rindërtim”, tha Blinken.

    Trump dhe ekipi i tij nuk kanë thënë nëse do ta zbatojnë këtë plan.

    Sipas Blinkenit, ky plan dhe “një horizont kredibil politik për palestinezët” kërkohet që Hamasi të mos rishfaqet në Gazë.

    SHBA-ja në të kaluarën e ka paralajmëruar Izraelin se Hamasi nuk mund të mposhtet vetëm me fushatë ushtarake, tha Blinken.

    “Ne vlerësojmë se Hamasi ka rekrutuar po aq militantë të rinj sa ka humbur”, tha ai.

    Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë./ REL

  • Zvicra neutrale do t’i bashkohet projektit të mobilitetit ushtarak të BE-së

    Zvicra do të bëhet anëtare e nismës së Bashkimit Europian për të lehtësuar mobilizimin e forcave dhe pajisjeve ushtarake, ku tashmë janë përfshirë edhe vende të treta si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Norvegjia dhe Kanadaja, ka raportuar të martën (më 14.01.2025) televizioni Euronews.

    Zvicra do t’i bashkohet projektit të mobilitetit ushtarak të BE-së që synon të sigurojë lëvizje të shpejtë dhe të pabujshme të personelit, pajisjeve dhe aseteve ushtarake pasi shtetet anëtare janë pajtuar të hënën që t’i dërgojnë shtetit helvetik ftesë zyrtare.

    Këshilli Federal i vendit neutral ka vendosur në gusht që Zvicra të marrë pjesë në nismën e BE-së dhe që ta heqë shiritin e kuq kur ushtritë e mobilizuara kalojnë përgjatë ose ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, qoftë nëpërmjet hekurudhave, rrugëve, ajrit ose detit – por vendet anëtare ende duhet t’i japin dritën e gjelbër Holandës, koordinatore e projektit, që ta dërgojë letrën zyrtare me ftesën për shtetin helvetik.

    “Pjesëmarrja e Zvicrës në projekt përkon me parimin e neutralitetit, derisa nuk përbën ndonjë zotim legal ose de fakto ndaj mbrojtjes kolektive” – ka njoftuar Departamenti Federal i Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit (DDPS) në një deklarim për Euronews.

    Vendet e tjera, joanëtare të BE-së, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, janë gjithashtu pjesë e projektit Bashkëpunimi i Përhershëm i Strukturuar (PESCO), që është dizajnuar për të thelluar bashkëpunimin e mbrojtjes ndërmjet shteteve anëtare (hiq Maltën neutrale, që nuk merr pjesë në PESCO) dhe partnerëve të NATO-s.

    Nisma e Mobilitetit Ushtarak e BE-së vepron si një Schengen për forcat e armatosura. Projekti ua mundëson trupave të shteteve anëtare të përgjigjen më shpejt dhe me efektivitet ndaj krizave në kufijtë e jashtëm të bllokut ose më gjerë, si për operacionet e BE-së ashtu edhe për dislokimet në mjedise të tjera shumëpalëshe si NATO-ja, duke përfshirë reagimin me një njoftim të shkurtër dhe në shkallë të gjerë.

    Plani i Veprimit për Mobilitetin Ushtarak (2022-26) synon gjithashtu të forcojë gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës së transportit si hekurudhat, rrugët, rrugët ujore dhe aeroportet që përdoren për qëllime civile dhe ushtarake.

    Pas ftesës së shteteve anëtare, Zvicra tani vetë duhet të bëjë një marrëveshje administrative për të formalizuar anëtarësimin. Modalitetet e bashkëpunimit do të përcaktohen në marrëveshjen administrative e padetyrueshme.

    Zvicra gjithashtu synon t’i bashkohet projektit të Federatës së Rrjeteve Kibernetike, të koordinuar nga Estonia që nga viti 2021, që të përmirësojë cilësinë e trajnimit për Forcat e Armatosura Zvicerane dhe për të thelluar ndërveprimin e tyre.

    “Dy projektet – Federata e Rrjeteve Kibernetike dhe Mobilitetit Ushtarak – ofrojnë mundësinë për të zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar midis forcave të armatosura dhe kështu të forcojnë aftësitë kombëtare të mbrojtjes së Zvicrës dhe kontributin për sigurinë europiane”, ka thënë DDPS-ja për Euronewsin.

    Për momentin, Zvicra nuk ka ndërmend të marrë pjesë në projekte të tjera të PESCO-s, por mundësia nuk përjashtohet për të ardhmen./Euronews

    Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com