Kategori: Botë

  • Trumpi do të fajësohej nëse nuk do të zgjidhej President – thotë Prokurori Special

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të fajësohej për përpjekje ilegale për të përmbytur rezultatin e Zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i humbi, nëse nuk do të rizgjidhej me sukses në vitin 2024 – ka thënë njeriu që i ka prirë hetimit qeveritar amerikan kundër tij – raporton të martën, më 14.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Dëshmitë kundër Trumpit ishin “të mjaftueshme për të siguruar dhe mbrojtur një dënim në gjyq” – ka shkruar prokurori special, Jack Smith, në një Raport që është publikuar pjesërisht.

    Trumpi ia ka kthyer, duke thënë se Smithi është “i marrë” dhe se gjetjet e tij ishin “të rreme”.

    Trumpi ishte akuzuar se u kishte bërë presion zyrtarëve, që ta përmbysnin rezultatin e vitit 2020, duke e ditur se po përhapte rrena për mashtrim zgjedhor dhe se ishte munduar të shfrytëzonte trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitolin Amerikan. Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për keqpërdorim.

    Trumpi, i cili ishte President në kohën e akuzave të supozuara, i kaloi katër vjet pastaj jashtë Presidencës – por do të rizgjidhej suksesshëm për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në Nëntor. Ai do të rikthehet në Presidencë javën e ardhshme.

    Pas suksesit në Zgjedhjet e vitit 2024, çështje të ndryshme legale janë rrëzuar. Edhe rasti i ndërhyrjes tashmë është hedhur poshtë. Smith thotë se i qëndron “plotësisht prapa” gjetjeve që i kishte sjellë gjatë hetimit dhe se mund ta mbronte rastin.

    Ai ka përmendur faktin se vetëm Kushtetuta amerikane ia ka ndaluar hetimin e një Presidenti në detyrë.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Pikat kryesore të propozimit për armëpushim në Gazë

    Ndërmjetësuesit nga Katari kanë dërguar një projekt-propozim për një Marrëveshje për Ndalimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe Shkëmbimin e pengjeve izraelite për të burgosurit palestinezë – si një hap i parë drejt përfundimit të luftës gjatë 15 muajve.

    Luftimet po zhvillohen në mes të Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Një javë para se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të marrë detyrën nga presidenti Joe Biden, zyrtarët thanë se ishte arritur një përparim në bisedimet në Doha dhe një Marrëveshje mund të jetë afër.

    Ja pikat kryesore nga projekti, sipas një zyrtari izraelit dhe një zyrtari palestinez. Ndërsa Hamasi nuk ka dhënë detaje.

    Kthimi i pengjeve

    Në fazën e parë, do të lirohen 33 pengje izraelite. Në mesin e tyre janë fëmijë, gra, edhe ato ushtarake, burra mbi 50 vjeç, të plagosur dhe të sëmurë. Izraeli beson se shumica janë gjallë, por nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga Hamasi.

    Sipas Marrëveshjes, faza e parë do të zgjasë 60 ditë. Nëse vazhdon siç është planifikuar, në ditën e 16 nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes, do të fillojnë negociatat për një fazë të dytë, gjatë së cilës do të lirohen pengjet e mbetura gjallë: ushtarët burra e djemtë civilë më të rinj dhe trupat e pengjeve të vdekur do të kthehen.

    Tutje, në këmbim të pengjeve, Izraeli do të lirojë nga burgjet e tij më shumë se 1.000 të burgosur dhe të ndaluar palestinezë – përfshirë të dënuar me dënime të gjata për sulme vdekjeprurëse.

    Luftëtarët e Hamasit, të cilët morën pjesë në sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, nuk do të lirohen.

    Tërheqja e Ushtrisë

    Tërheqja do të jetë me faza, me forcat izraelite që do të qëndrojnë në kufij për të mbrojtur qytetet dhe fshatrat izraelite.

    Do të ketë Marrëveshje sigurie në korridorin Filadelfi që kufizon Egjiptin, në anën jugore të Gazës, me Izraelin që do të tërhiqet nga disa pjesë të tij pas ditëve të para të Marrëveshjes.

    Banorët e paarmatosur në veri të Gazës do të lejohen të kthehen, me një mekanizëm për të siguruar që aty të mos lëvizin armë. Forcat izraelite do të tërhiqen nga korridori Netzarim, në pjesën qendrore të Gazës.

    Kalimi në Rafah mes Egjiptit dhe Gazës do të fillojë të funksionojë gradualisht – duke lejuar kalimin e atyre që janë të sëmurë dhe rasteve humanitare për trajtim jashtë enklavës.

    Shtim i ndihmave

    Do të ketë një rritje të konsiderueshme të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës, ku organet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, thonë se popullsia po përballet me një krizë të thellë humanitare.

    Izraeli lejon hyrjen e ndihmave në enklavë, por ka pasur mosmarrëveshje për sasinë e ndihmës që lejohet dhe sasinë që arrin te njerëzit në nevojë – derisa plaçkitja nga bandat kriminale po bëhet një problem në rritje.

    Udhëheqësia e Gazës në të ardhmen

    Kush do ta drejtojë Gazën pas luftës është një nga pikat e panjohura të negociatave. Duket se raundi aktual i bisedimeve e ka lënë këtë çështje jashtë propozimit, për shkak të kompleksitetit të saj dhe mundësisë që ajo mund të pengonte një Marrëveshje të kufizuar.

    Izraeli ka thënë se nuk do ta mbyllë luftën duke e lënë Hamasin në pushtet. Ai ka refuzuar, gjithashtu, Administratën e Gazës nga Autoriteti Palestinez – organi i mbështetur nga Perëndimi, që u krijua sipas akordeve të paqes së Oslos 30 vjet më parë dhe që ka sovranitet të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar.

    Ai ka thënë, gjithashtu, që nga fillimi i fushatës ushtarake në Gaza se do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi enklavën pasi të përfundojnë luftimet.

    Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se Gaza duhet të drejtohet nga palestinezët, por përpjekjet për të gjetur alternativa nga fraksionet kryesore mes shoqërisë civile apo liderëve të klaneve kanë rezultuar kryesisht të pasuksesshme.

    Megjithatë ka pasur diskutime mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara për një Administratë përkohshme, e cila do të drejtonte Gazën deri në një reformim të Autoritetit Palestinez, që do të ishte në gjendje të merrte drejtimin./REL

  • Koreja e Veriut lëshon raketa me rreze të shkurtër

    Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër nga bregu i saj lindor të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut, duke shënuar një tjetër demonstrim fuqie, disa ditë para rikthimit në detyrë të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

    Raketat udhëtuan rreth 250 km pas ngritjes rreth orës 09:30 të mëngjesit nga Kanggye, në Provincën Jagang, afër kufirit të vendit me Kinën, tha Këshilli i Përbashkët i Shefave të Shtabit të Seulit (JCS).

    “Ne e dënojmë fuqishëm këtë lëshim si një provokim të qartë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean.” – tha JCS, duke e paralajmëruar Korenë e Veriut për “keqinterpretimin” e situatës dhe duke premtuar se do të “përgjigjen me forcë” ndaj çdo provokimi të mëtejshëm.

    Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok e dënoi gjithashtu lëshimin si një shkelje të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tha se Seuli do të përgjigjet ashpër ndaj provokimeve të Koresë së Veriut.

    Zyra Presidenciale e Seulit tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbajti një takim për të shqyrtuar situatën dhe premtoi një qëndrim të palëkundëshëm.

    Komanda Indo-Pacifike e SHBA-së e dënoi këtë testim, duke i kërkuar Pjongjangut të heqë dorë nga veprime të mëtejshme të paligjshme dhe destabilizuese.

    Sekretari i Kabinetit të Japonisë, Yoshimasa Hayashi tha se ishte në dijeni të testit të raketave dhe se Tokio po merrte të gjitha masat e mundshme për të përgjigjur përmes bashkëpunimit të ngushtë me Uashingtonin dhe Seulin – përfshirë ndarjen në kohë reale të të dhënave të paralajmërimeve për raketa.

    Lëshimi ndodhi rreth një javë pas lëshimit nga Koreja e Veriut të një rakete balistike hipersonike me rreze të mesme, që pretendoi se ishte një raketë e re, e cila ishte testi i parë i raketave që nga 5 nëntori.

    Lëshimi i fundit i raketave gjithashtu ndodhi gjatë një vizite në Seul të ministrit të Jashtëm të Japonisë, Takeshi Iwaya.

    Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Tae-yul dhe Iwaya e dënuan zhvillimin e armëve dhe raketave të Koresë së Veriut të hënën dhe premtuan të forcojnë lidhjet e sigurisë pas bisedimeve në Seul.

    Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, gjatë vizitës në Seul javën e kaluar, bëri gjithashtu thirrje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe trilateral – përfshirë Tokion, për të kundërshtuar më mirë kërcënimet në rritje ushtarake të Pjongjangut.

    Lëshimi i të martës ndodhi disa ditë para inagurimit të presidentit amerikan, Trump, i cili zhvilloi Samite me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë mandatit të tij të parë dhe e vlerësoi marrëdhënien e tij personale me të.

    Ligjvënësit e Koresë së Jugut, pas një informimi nga Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare, thanë të hënën se testet e armëve të fundit të Pjongjangut ishin pjesërisht të synuara për “të shfaqur asetet e tij ndaj SHBA-së dhe për të tërhequr vëmendjen e Trump”, pas premtimit të “kundërveprimit më të ashpër kundër SHBA-së”, në një takim kyç politik në fund të vitit të kaluar./REL