Kategori: Botë

  • Kryeministri i Grenlandës: Jemi të gatshëm të punojmë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes

    Grenlanda dëshiron të punojë më ngushtë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes dhe eksplorimin e burimeve të saj minerare, ka thënë kryeministri i saj Mute Egede më 13.01.2025.

    Sipas BBC-së, Egede tha se qeveria e tij po kërkonte mënyra për të punuar me presidentin e zgjedhur Donald Trump, i cili javët e fundit ka treguar interes të ri për të marrë nën kontroll territorin – pa përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta berë këtë.

    Gjithashtu të hënën, ministri i Jashtëm i Danimarkës tha se ishte gati të punonte me Grenlandën për të “vazhduar bisedimet” me Trump “për të siguruar interesat legjitime amerikane” në Arktik.

    Grenlanda, një territor danez me autonomi të zgjeruar, shtrihet në rrugën më të shkurtër nga Amerika e Veriut në Europë, duke e bërë atë strategjikisht të rëndësishme për SHBA-në.

    Trump u përpoq të blinte Grenlandën gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe e ka vendosur përsëri këtë çështje në axhendë me marrjen e mandatit të dytë, duke e quajtur atë një “domosdoshmëri absolute” si për sigurinë amerikane ashtu edhe për atë ndërkombëtare.

    Donald Trump ka shprehur gjithashtu dëshirën e tij për të marrë Kanalin e Panamasë dhe u zotua të përdorë “forcën ekonomike” për të absorbuar Kanadanë në SHBA./BBC

    Përgatiti: Arjana Berisha/KALLXO.com

  • Raportohet për përparim në bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit

    Ndërmjetësit amerikanë dhe arabë kanë bërë përparim të rëndësishëm drejt arritjes së një armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dhe lirimit të pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës.

    Megjithatë, marrëveshja ende nuk është arritur, thanë zyrtarët më 13 janar.

    Katër zyrtarë, që janë në dijeni për këtë çështje, thanë se është arritur përparim dhe ditët në vijim do të jenë vendimtare për t’i dhënë fund luftimeve 15-mujore që kanë destabilizuar Lindjen e Mesme. Ata folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar që të flisnin për mediat për këtë çështje.

    Një zyrtar amerikan tha se të gjitha palët “janë më afër se kurrë më parë, por gjithçka mund të shkatërrohet”. Ky zyrtar nuk pranoi të jepte ndonjë afat për një marrëveshje të mundshme, pasi tha se ende ka pasiguri për arritjen e një pakti.

    Dy zyrtarë të tjerë, përfshirë një të lidhur me Hamasin, thanë se ende ka disa sfida. Disa herë vitin e kaluar, udhëheqësit amerikanë kanë deklaruar se janë në prag të arritjes së një marrëveshjeje, por më pas bisedimet kanë ngecur.

    Një tjetër zyrtar i informuar për bisedimet tha se gjatë bisedimeve të zhvilluara gjatë natës në tavolinë është paraqitur një propozim-marrëveshje. Ai tha se negociatorët izraelitë dhe ata të Hamasit do t’ua dërgojnë udhëheqësve të tyre këtë propozim për miratimin përfundimtar.

    Një person tjetër tha se ndërmjetësit nga Katari kanë zhvendosur presionin ndaj Hamasit për të pranuar marrëveshjen, ndërkaq Steve Witkoff, i dërguari i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, po u bënë presion izraelitëve. Së fundi, Witkoff iu bashkua negociatave dhe ditëve të fundit ka qëndruar në rajon. Ky person tha se ndërmjetësit ua kanë dorëzuar propozimin palëve dhe kanë thënë se 24 orët e ardhshme do të jenë të rëndësishme.

    Edhe një zyrtar egjiptian tha se ka pasur përparim në bisedime, por sipas tij do të duhen disa ditë para se palët të synojnë një marrëveshje, para se Trump të inaugurohet në postin e presidentit më 20 janar.

    Një zyrtar i lidhur me Hamasin tha në kushte anonimiteti se duhet të zgjidhen një sërë çështjesh para një marrëveshje, përfshirë edhe zotimin e Izraelit për t’i dhënë fund luftës dhe detajet për tërheqjen e trupave izraelite, këmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë.

    Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani, është takuar me delegacionin e Hamasit në Doha, së bashku me Witkoff dhe të dërguarin e presidentit Joe Biden për Lindjen e Mesme, Brett McGurk. Thani po ashtu ka biseduar me Bidenin dhe ka vënë në pah nevojën urgjente për një marrëveshje.

    Administrata Biden, së bashku me Egjiptin dhe Katarin për më shumë se një vit po tentojnë të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës më të përgjakshme mes izraelitëve dhe palestinezëve dhe lirimit të pengjeve që u kapën nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit 2023. Gjatë sulmit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

    Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë./REL.

  • Fico e fton Zelenskyn për bisedime për transitin e gazit

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime për transitin e gazit, në mes të mosmarrëveshjeve lidhur me vendimin e Kievit për të ndalur dërgesat me gazin rus.

    Ukraina ndërpreu dërgesat e gazit për në Evropë në fillim të vitit, pas përfundimit të një marrëveshjeje për transit mes Kievit dhe Moskës. Me këtë vendim, Kievi po synon të ndalë të ardhurat nga energjia që Moska i përdor për të financuar pushtimin e Ukrainës, që ka nisur gati tre vjet më parë.

    Fico tha se vendimi ka ndikuar te Sllovakia, që gjendet në kufi me Ukrainën, përmes çmimeve më të larta të gazit dhe humbjes së tarifave për dërgimin e gazit më tej në Evropë. Ai tha se synon që të rinisin dërgesat.

    Fico tha në një letër të hapur drejtuar Zelenskyt, e cila u publikua nga zyra e tij, se një takim që do të mund të mbahej në Sllovaki pranë kufirit me Ukrainën dhe në të do të mund të diskutohej për zgjidhjet teknike për këtë çështje.

    “Një takim i tillë do të krijonte bazë të mirë për një diskutim të hapur lidhur me furnizimet me gaz për Sllovakinë dhe shtetet e tjera përmes territorit ukrainas”, tha Fico.

    Fico në të kaluarën ka thënë se është afër arritja e një marrëveshjeje që do të mundësonte vazhdimin e dërgesave të gazit përmes Ukrainës, duke ndryshuar paraprakisht pronësinë e gazit.

    Por, ai ka deklaruar se Zelensky kishte refuzuar zgjatjen e afatit për dërgesat e gazit përmes Ukrainës gjatë një samiti të Bashkimit Evropian të mbajtur dhjetorin e vitit të kaluar.

    Fico ka argumentuar se Evropa ka humbur miliarda euro nga rritja e çmimeve të gazit, që u shkaktuan nga mungesa e rreth 13.5 miliardë metra kub gaz që kaloi përmes Ukrainës vitin e kaluar, përfshirë 3 miliardë metra kub për konsum në Sllovaki./REL