Kategori: Botë

  • Seuli: Koresë së Veriut i janë vrarë e plagosur mbi tremijë ushtarë në Ukrainë

    Koresë së Veriut  mund t’i jenë vrarë dhe plagosur më shumë se tremijë ushtarë në Ukrainë – duke përfshirë 300 vdekje dhe mbi 2.700 raste të plagosjes dhe lëndimit.

    Kështu i ka thënë një deputeti të Koresë Jugore Agjencia vendase e spiunimit – ka raportuar të hënën, më 13.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Autoritetet e Koresë Veriore duket se po u bëjnë thirrje ushtarëve të vet që të bëjnë vetëvrasje, duke hedhur veten në erë për t’iu shmangur rënies në duar të ukrainasve – ka thënë deputeti jugkorean, duke iu referuar Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (NIS).

    Ushtarët e kapur të Koresë Veriore nuk kanë treguar qëllimin për t’u kthyer në Korenë Jugore, megjithëse Seuli do të bashkëpunonte me Ukrainën nëse do të kishte një kërkesë të ngjashme – ka raportuar Agjencia e lajmeve Yonhap, duke iu referuar NIS-it.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Rikthehen erërat, shkon në 24 numri i viktimave të zjarreve në Los Anxhelos

    Parashikuesit e motit në Kaliforni po paralajmërojnë se erërat e forta që nxitën tmerrin përreth Los Anxhelosit pritet të rikthehen këtë javë, ndërsa ekipet e zjarrfikësve në terren po luftojnë për kontrollimin e tri vatrave të zjarreve – raporton BBC.

    Zyrtarët paralajmëruan se pas fundjavës me erëra relativisht të qeta, erërat e thata famëkeqe të Santa Anas do të kthehen përsëri nga e diela deri të mërkurën – duke shkuar në shpejtësi prej 60 kilometrash në orë.

    Përpara fuqizimit të erës është bërë njëfarë përparimi në ndalimin e përhapjes së zjarreve vdekjeprurëse në Palisades dhe Eaton, që po digjen në skajet e kundërta të qytetit. Zjarrfikësit lokalë po ndihmohen nga ekipet nga tetë shtete të tjera, si dhe nga Kanadaja dhe Meksika, të cilat vazhdojnë të mbërrijnë.

    Ekzaminuesi mjekësor i qarkut LA përditësoi numrin e të vdekurve të dielën në 24 sosh, ndërsa zyrtarët kanë deklaruar më herët se të paktën 16 të tjerë mbeten të zhdukur.

    Gjashtëmbëdhjetë nga të vdekurit u gjetën në zonën e zjarrit Eaton, ndërsa tetë u gjetën në zonën Palisades.

    Tri zjarre vazhdojnë të digjen rreth Los Anxhelosit.

    Zjarri më i madh është në Palisades, që tani ka djegur më shumë se 23 mijë hektarë dhe është 13 në kontroll.

    Zjarri i Eaton është i dyti më i madh dhe ka djegur më shumë se 14 mijë hektarë.

    Zjarri i Hurst është rritur në 799 hektarë dhe është frenuar pothuajse plotësisht.

    BBC më tej raporton se zjarret e egra janë rrugës për t’u kthyer, ndër më të kushtueshmet në historinë e SHBA-së.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Rumani, mijëra protestues demonstrojnë kundër anulimit të Zgjedhjeve presidenciale

    Dhjetëra-mijëra rumunë protestuan të dielën në kryeqytetin Bukuresht, kundër vendimit të muajit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Zgjedhjeve presidenciale, pasi një kandidat i panjohur fitoi raundin e parë.

    Demonstruesit u ranë borive të makinave, valëvitën flamurin kombëtar dhe mbajtën pankarta ku shkruhej, “Duam Zgjedhje të lira” dhe bënë thirrje për demokraci. Shumë nga protestuesit kërkojnë vazhdimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve presidenciale.

    Protesta vjen një muaj pasi Gjykata Kushtetuese mori vendimin e pashembullt, për të anuluar Zgjedhjet vetëm dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit.

    Avantazhi i politikanit populist, Calin Georgescu, i ekstremit të djathtë, tronditi shumë njerëz pas votimeve në raundin e parë më 24 nëntor. Më pas u ngritën akuza për shkelje zgjedhore dhe ndërhyrje të Rusisë.

    George Simion, udhëheqës i ekstremit të djathtë “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve” tha gjatë protestës të dielën se: “Po protestojmë kundër grushtit të shtetit që ndodhi më 6 dhjetor”.

    Udhëheqësi i partisë që organizoi protestën të dielën tha për shtypin se: “Na vjen keq që zbuluam kaq vonë se po jetonim një gënjeshtër dhe se na udhëhiqnin njerëz që pretendonin se ishin demokratë, por që nuk janë. Kërkojmë rikthimin e demokracisë, përmes rifillimit të procesit zgjedhor – duke mbajtur raundin e dytë”.

    Anulim i Zgjedhjeve muajin e kaluar e ka zhytur Rumaninë në trazira. Vendi anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s është përfshirë edhe nga polemika të tjera – përfshirë rinumërimin e votave të raundit të parë.

    Rumania ka caktuar datën 4 maj për mbajtjen e raundit të parë të Zgjedhjeve të reja. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave, balotazhi do të zhvillohet dy javë më vonë, më 18 maj. Nuk është e qartë nëse zoti Georgescu do të mund të marrë pjesë në Zgjedhjet e reja.

    Populisti Calin Georgescu e ka apeluar vendimin për Zgjedhjet në një Gjykatë lokale, si dhe ka paraqitur një ankesë pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Vendimi i publikuar i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Zgjedhjeve përmendi përdorimin e paligjshëm të teknologjive dixhitale, përfshirë inteligjencën artificiale, si dhe përdorimin e “burimeve të padeklaruara” për financimin e fushatës. Zoti Georgescu kishte deklaruar zero shpenzime për fushatën./VOA