Kategori: Botë

  • Seuli konfirmon se Ukraina i ka kapur dy ushtarë koreanoveriorë

    Koreja e Jugut ka konfirmuar të dielën se Ukraina i ka kapur dy ushtarë të Koresë së Veriut, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se autoritetet ukrainase të sigurisë janë duke i marrë në pyetje dy luftëtarët e zënë në rajonin Kursk të Rusisë.

    “Përmes bashkëpunimit në kohë reale me agjencinë e inteligjencës së Ukrainës… [Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës së Koresë së Jugut] ka konfirmuar se ushtria ukrainase zuri dy ushtarë koreanoveriorë më 9 janar në fushëbetejën e Kurskut në Rusi”, tha Seuli në një komunikatë.

    Të shtunën, Zelensky tha se hetuesit ukrainas janë duke i marrë në pyetje dy ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët u zunë nga forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë.

    Zelensky postoi në Telegram gjithashtu edhe fotografi të ushtarëve për të cilët thotë se janë kapur. Ai nuk dha dëshmi që ata ishin koreanoveriorë, por deklarata e Koresë së Jugut i jep më shumë besueshmëri pretendimit.

    Shërbimi i Inteligjencës i Ukrainës (SBU) publikoi të shtunën një video që tregon dy burra në shtretër spitali, njëri me duar të lidhura me fashë dhe tjetri me nofull të mbështjellë me fashë.

    Zyrtarët ukrainas thanë se të burgosurit po flisnin përmes përkthyesve që punojnë me Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës të Koresë së Jugut (NIS).

    SBU-ja tha se njëri prej të burgosurve, i cili tha se ishte lindur në vitin 2005, pretendoi se besonte se “po shkonte për trajnim, jo për të luftuar në luftë kundër Ukrainës”.

    Burri tjetër u detyrua t’i shkruante përgjigjet e tij për shkak të dëmtimit në nofull, tha SBU-ja. Ky ushtar tha se ishte lindur në vitin 1999 dhe se është snajper në Ushtrinë e Koresë së Veriut.

    NIS-i tha gjithashtu se një nga ushtarët e kapur tha se ishte stërvitur nga ushtria ruse pasi arriti në vend në nëntor.

    “Ai fillimisht besonte se po dërgohej për stërvitje, por e kuptoi pasi mbërriti në Rusi se ishte dërguar në luftë”, tha agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.

    Ajo shtoi se njëri prej të burgosurve “qëndroi pa ushqim apo ujë për rreth katër-pesë ditë, para se të kapej” nga forcat ukrainase.

    Ata u kapën pak ditë pasi Ukraina e nisi një ofensivë të re në Kursk, për ta parandaluar Rusinë nga rimarrja e territoreve të humbura. Ushtria ukrainase e kreu një ofensivë të rrufeshme dhe befasuese në gusht të vitit 2024, duke kapur pjesë të mëdha të rajonit të Kurskut. Ky ishte inkursioni më i madh në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Vjeshtën e kaluar, Koreja e Veriut i dërgoi rreth 11.000 trupa në rajonin e Kurskut për t’i mbështetur forcat ruse atje. Moska e ka rimarrë rreth 40 për qind të territorit, por trupat ukrainase ende kontrollojnë më shumë se 500 kilometra katrorë në Kursk, dhe trupat e Koresë së Veriut raportohet se po përjetojnë humbje të mëdha.

    Zelensky tha më 23 dhjetor se më shumë se 3.000 trupa, ose rreth një çerek i forcave speciale të Koresë së Veriut të dërguara në Rusi, janë vrarë ose plagosur, megjithëse ai nuk dha prova për këtë./REL

  • Jack Smith jep dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë

    Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, pasi e ka dorëzuar raportin hetues ndaj presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

    Departamenti i Drejtësisë e bëri të ditur largimin e tij të shtunën mbrëma, duke thënë se ai dha dorëheqje të premten.

    Dorëheqja e tij, 10 ditë para se Trumpi ta marrë detyrën, vjen pas përfundimit të pasuksesshëm të dy ndjekjeve penale kundër Trumpit, të cilat pushuan pasi Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor.

    Tash çështje është fati i një raporti dyvolumesh që Smithi dhe ekipi i tij e kishin përgatitur gjatë hetimit të tyre të dyfishtë për përpjekjet e Trumpit për ta zhbërë humbjen e tij kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij, Mar-a-Lago.

    Departamenti i Drejtësisë pritej ta bënte publik raportin në ditët e fundit të administratës Biden, por një gjykatëse e emëruar nga Trumpi, e cila e udhëhoqi rastin e dokumenteve të klasifikuara, e pranoi kërkesën e mbrojtjes që publikimi i raportit të shtyhej të paktën përkohësisht.

    Dy nga bashkëpandehurit e Trumpit në atë rast, shërbyesi i tij personal, Walt Nauta, dhe menaxheri i pronës në Mar-a-Lago, Carlos De Oliveira, argumentuan se publikimi i raportit do të ishte padrejtësisht paragjykues, një argument që edhe ekipi ligjor i Trumpit e mbështeti.

    Departamenti u përgjigj duke thënë se do ta mbante të fshehtë nga publikimi vëllimin e dokumenteve të klasifikuara për aq kohë që proceset penale kundër Nautas dhe De Oliveiras mbeten pezull.

    Megjithatë, prokurorët thanë se e kanë ndër mend të vazhdojnë me publikimin e vëllimit që lidhet me ndërhyrjen në zgjedhje.

    Në një mocion urgjent të premten mbrëma, ata kërkuan nga Gjykata e Apelit me bazë në Atlanta që ta heqë menjëherë një ndalesë të vendosur nga gjykatësja e Qarkut Aileen Cannon, e cila kishte ndaluar publikimin e ndonjë pjese të raportit.

    Ata i thanë veçmas Cannonit të shtunën se ajo nuk ka autoritet për të ndaluar publikimin e raportit, por ajo u përgjigj me një urdhër që kërkonte nga prokurorët të dorëzonin një material shtesë deri të dielën.

    Gjykata e Apelit e hodhi poshtë të enjten një kërkesë urgjente të mbrojtjes për të bllokuar publikimin e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje, i cili mbulon përpjekjet e Trumpit para trazirave në Kongres më 6 janar 2021 për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës. Por, gjykata e la në fuqi ndalesën e Cannonit që asnjë nga gjetjet nuk mund të publikohen deri tri ditë pas zgjidhjes së çështjes nga Gjykata e Apelit.

    Departamenti i Drejtësisë i tha Gjykatës së Apelit në mocionin e tij urgjent se urdhri i Cannonit ishte “qartësisht i gabuar”.

    Rregulloret e Departamentit të Drejtësisë kërkojnë që prokurorët e posaçëm të përpilojnë raporte në përfundim të punës së tyre, dhe është zakon që dokumente të tilla të bëhen publike pavarësisht temës së tyre.

    William Barr, prokuror i përgjithshëm gjatë mandatit të parë të Trumpit, e publikoi një raport të prokurorit të posaçëm që shqyrtonte ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, dhe lidhjet e mundshme me fushatën e Trumpit.

    Prokurori i përgjithshëm i Biden, Merrick Garland, ka publikuar gjithashtu raporte të prokurorëve të posaçëm, përfshirë ato për trajtimin e informacionit të klasifikuar nga Biden përpara se të bëhej president./REL

  • Shkon në 16 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Anxhelos

    Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga zjarret që e kanë shkatërruar zonën e Los Anxhelosit, është rritur në 16, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për ta parandaluar përhapjen e zjarreve para se erërat e fuqishme të rikthehen.

    Druhet se rikthimi i mundshëm i erërave të fuqishme mund t’i devijojë flakët drejt disa prej vendeve më të famshme të qytetit.

    Pesë njerëz vdiqën nga zjarri “Palisades” dhe 11 të tjerë nga zjarri “Eaton”, thanë zyrtarët në Los Anxhelos të shtunën mbrëma.

    Para të shtunës natën, numri i konfirmuar i të vdekurve ishte 11, por zyrtarët thanë se prisnin që ky numër të rritej derisa ekipet po i vazhdonin kërkimet nëpër lagjet e bëra rrafsh me tokën.

    Autoritetet e kanë hapur një qendër ku njerëzit mund t’i raportojnë të zhdukurit.

    Druhet se erërat mund t’i lëviznin zjarret drejt Muzeut “J. Paul Getty” dhe Universitetit të Kalifornisë në Los Anxhelos.

    Të shtunën në mbrëmje, Cal Fire raportoi se zjarret “Palisades”, “Eaton”, “Kenneth” dhe “Hurst” i kanë djegur rreth 160 kilometra katrorë tokë në Los Anxhelos.

    Në një përmbledhje të postuar online të shtunën në mbrëmje, Michael Traum nga Zyra e Shërbimeve të Emergjencave të Kalifornisë tha se 150.000 njerëz në qarkun e Los Anxhelosit janë nën urdhra evakuimi, dhe se më shumë se 700 njerëz janë strehuar në nëntë qendra strehimi.

    Cal Fire tha se zjarri “Palisades” është lokalizuar vetëm 11 për qind dhe ai “Eaton” 15 për qind, që nënkupton se lufta për shuarjen e këtyre zjarreve vazhdon.

    “Kushtet e motit janë ende kritike dhe një raund tjetër i erërave të forta pritet të fillojë të hënën,” tha Traum.

    Kostoja historike

    Zjarret që filluan të martën në veri të qendrës së Los Anxhelosit, kanë djegur më shumë se 12.000 struktura.

    Zjarrfikësit për herë të parë shënuan përparim të premten pasdite në zjarrin “Eaton” në veri të Pasadenës, i cili ka djegur më shumë se 7.000 struktura, një term që përfshin shtëpi, ndërtesa banimi, biznese, ndërtesa ndihmëse dhe automjete.

    Shumica e urdhrave të evakuimit për zonën u hoqën, thanë zyrtarët.

    Ende nuk dihet shkaktari i këtyre zjarreve, të cilat cilësohen si më të mëdhatë në Los Anxhelos, dhe vlerësimet fillestare tregojnë se këto zjarret me gjasë kanë shkaktuar dëmet më të mëdha si kurrë më parë.

    Sipas një vlerësimi fillestar nga AccuWeather dëmet dhe humbjet ekonomike deri më tani janë mes 135 dhe 150 miliardë dollarë./REL