Kategori: Botë

  • Izraeli kryen sulme hakmarrëse ndaj rebelëve Huthi

    Avionët luftarakë izraelitë kanë shënjestruar rebelët Huthi në Jemen më 10 janar, përfshirë një stacion të energjisë dhe portet detare, në përgjigje të sulmeve me dronë dhe raketa të kryera nga rebelët.

    Izraeli po ashtu ka paralajmëruar se do të shënjestrojë udhëheqësit e grupit.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë gjuajtur dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit, për, siç kanë thënë, t’u solidarizuar me palestinezët në Rripin e Gazës.

    Sulmet ajrore izraelite vijnë pasi ushtria e Izraelit rrëzoi dy dronë që besohet se ishin lëshuar nga Jemeni një ditë më parë.

    Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar caqe ushtarake të rebelëve Huthi në zonën bregdetare dhe në pjesë të tjetra të Jemenit.

    Sulmet, sipas Izraelit, ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve kundër këtij shteti.

    Izraeli tha se në këtë sulm morën pjesë mbi 20 avionë luftarakë.

    Më pas, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha përmes një deklarate se rebelët jemenas u ndëshkuan për sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj shtetit të tij.

    “Siç kemi premtuar, rebelët Huthi po paguajnë dhe ata do të vazhdojnë të paguajnë çmim të lartë për agresionin kundër nesh”, tha ai, duke u zotuar se nuk do të tolerojë sulme ndaj Izraelit.

    Pavarësisht dëmeve minimale, për shkak se sistemet izraelite të mbrojtjes kanë rrëzuar shumicën e raketave dhe dronëve të rebelëve, rebelët jemenas kanë penguar në mënyrë të ndjeshme jetën e civilëve në Izrael.

    Ndërkaq, rebelët Huthi thanë se në 48 orët e fundit kanë shënjestruar Jafan, emrin që ata përdorin për t’iu referuar qytetit Tel Aviv të Izraelit.

    Që nga 7 tetori 2023, Izraeli lufton në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – grup që ka dënuar sulmet e fundit izraelite në Jemen.

    Rebelët Huthi që nga nisja e luftës në Gazë po ashtu kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania./REL

  • Trumpi i shpëton burgut dhe gjobës

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është dënuar, por nuk do të vuajë në burg për çështjen e pagesave. Madje nuk do të ketë as gjobë për të, ka raportuar televizioni britanik BBC.

    Ai, derisa po qëndronte afër avokatit tij, është lidhur me gjykatën njujorkeze nëpërmjet një videolidhjeje, ka raportuar gazetari i BBC-së nga objekti i gjykatës.

    Prokuroria kishte nuk kishte kërkuar dënim me burgim, lirim me kusht ose gjobë si dënim – saktësisht që ka vendosur edhe gjykatësi në verdiktin e tij.

    Trumpi ka thënë se kjo ka qenë “një përvojë e tmerrshme” dhe se ai është “krejtësisht i pafajshëm”, derisa pala mbrojtëse ka thënë se asnjëherë nuk është dashur të ngriheshin akuzat.

    Gjyqtari Merchen e ka quajtur rastin si “të jashtëzakonshëm” dhe paradoks me shumë vëmendje, por me procedura të rregullta gjyqësore.

    Në majin e kaluar, Trumpi u dënua për 34 pika të akuzës lidhur me çështjen e pagesave që ia kishte bërë aktores së njohur të filmave për të rritur, Stormy Daniels, dhe se si pagesat ishin riimbursuar më vonë.

    Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com

  • Smogu shkakton kaos në trafikun e Delhit

    Mjegulla e dendur dhe cilësia e përkeqësuar e ajrit kanë shkaktuar kaos në kryeqytetin e Indisë, Delhi.

    Dukshmëria në shumë rajone është raportuar të jetë zero në orët e para të së premtes, më 10.01.2025, duke shkaktuar ndryshim të orareve të fluturimeve, trenave dhe trafikut rrugor – raporton BBC.

    Më shumë se 150 fluturime janë shtyrë dhe shumë trena janë nisur me vonesa të mëdha, për shkak të kushteve të liga të motit – raportojnë mediat vendase.

    Ky është një problem që përsëritet çdo dimër herë pas here në Indinë veriore, ku temperaturat e ulëta ndërmjet dhjetorit dhe janarit, u bëjnë presion ndotësve që të mbesin afër sipërfaqes tokësore – duke ndikuar dukshmërinë, duke vështirësuar udhëtimin dhe duke bërë më të rrezikshëm ajrin.

    Indeksi i cilësisë së ajrit në Delhi ishte mbi 400 në disa rajone – ka bërë të ditur uebfaqja shtetërore “Safar”. Kjo është 25-fish më shumë se kufiri i përcaktuar i sigurisë, i përcaktuar prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Autoritetet në Kryeqytet kanë thënë se kanë marrë masa për kontrollin e ndotjes, që përfshijnë ndalimin e aktiviteteve të shkatërrimit e ndërtimit, si dhe që mësimi në shkolla të mbahet online.

    Xhirimet e fotografitë nga Delhi dhe qytetet përreth kanë treguar se një batanije mjegulle ka mbuluar rrugët dhe ndërtesat.

    Aeroporti i Delit ka lëshuar një vërejtje këshilluese për pasagjerët për ndryshime itineraresh, për shkak të dukshmërisë së ulët.

    “Ndërsa uljet dhe ngritjet vazhdojnë në Aeroportin e Delhit, fluturimet që nuk janë në përputhje me standardet CAT III mund të preken.” – thuhet në paralajmërim. CAT III është një sistem i cili lejon aeroplanët të ulen gjatë kushteve të shikueshmërisë së dobët.

    Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve “flightradar24” ngritjet në Aeroportin e Delhit janë vonuar me më shumë se 30 minuta dhe mbërritjet deri  në 20 minuta.

    Disa pasagjerë u ankuan në rrjetet sociale për kaos në Aeroport.

    Ndërkohë, 26 trena për në qytet po vonohen për shkak të mjegullës – kanë njoftuar Hekurudhat e Indisë.

    Departamenti i Motit i Indisë ka parashikuar reshje të pakta gjatë fundjavës, të cilat pritet të përmirësojnë kushtet e dukshmërisë.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com