Kategori: Botë

  • Trumpi shton kërcënimet për marrjen e kontrollit mbi Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump nuk ka treguar shenja të heqjes dorë prej dëshirës së tij për marrjen e kontrollit amerikan të Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë, duke i quajtur të dyja kritike për sigurinë kombëtare amerikane – ka raportuar transmetuesi britanik BBC.

    I pyetur nëse përjashton mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake ose ekonomike, me qëllim të marrjes së territorit autonom danez ose të Kanalit, ai është përgjigjur: “Jo, nuk mund t’ju siguroj për asnjërën prej tyre”.

    “Por mund ta them këtë, ne na duhen ato për sigurinë ekonomike.” ka deklaruar ai para gazetarëve në një Konferencë të gjatë me shumë pyetje në pronën e tij në Mar-a-Lago në Floridë.

    Edhe Danimarka, edhe Panamaja kanë hedhur poshtë çfarëdo sugjerimi se mund të japin territor.

    Deklaratat e Trumpit erdhën në kohën kur i biri i tij, Donald Trump Jr po qëndronte në Grenlandë. Para se të arrinte në kryeqytetin Nuuk, Trump i Riu ka thënë se ishte në një “udhëtim personal” për të folur me vendasit dhe se nuk kishte asnjë takim të planifikuar me zyrtarë qeveritarë.

    Kur është pyetur për vizitën e të birit të presidentit të zgjedhur në Grenlandë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka deklaruar për Televizionin Danez se “Grenlanda u përket grenlandezëve” dhe se vetëm vendasit mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre.

    Ndërkaq në një mesazh të regjistruar, më 23.12.2025, nga presidenti i Panamasë Mulino ka deklaruar se pavarësia e Panamasë është e panegociueshme dhe se Kina nuk ka asnjë ndikim në administrimin e Kanalit. Ai mbrojti, gjithashtu, tarifat e kalimit të ngarkuara nga Panama – raportonte Reuters.

    Kina nuk e kontrollon apo administron Kanalin, por një degë të “CK Hutchison Holdings”, me bazë në Hong-Kong, ka menaxhuar prej kohësh dy Porte të vendosura në hyrjet e Kanalit në Karaibe dhe në Paqësor.

    Shtetet e Bashkuara ndërtuan kryesisht Kanalin dhe administruan territorin përreth kalimit për dekada me radhë. Por, Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një mori Marrëveshjesh në 1977, që hapën rrugën për kthimin e Kanalit në kontrollin e plotë të Panamasë. Shtetet e Bashkuara dorëzuan kontrollin e kalimit më 1999, pas një periudhe administrimi të përbashkët.

    Trumpi është zotuar gjithashtu për të përdorur “forcën ekonomike” kur është pyetur nëse do të aneksonte Kanadanë dhe e ka quajtur kufirin e përbashkët “vijë të tërhequr artificialisht”.

    Kufiri është më i gjati në botë ndërmjet dy shteteve dhe ishte vendosur sipas Traktateve, që datojnë prej kohës së themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fund të viteve 1700.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Zjarr në Kaliforninë Jugore në SHBA

    Një zjarr që ka kapluar malet e Palisades në Los Anxhelos të Kalifornisë është duke u rritur me një ritëm alarmues – raporton BBC.

    Zyrtarët thonë se zjarri u rrit nga 20 hektarë, në më shumë se 200 hektarë në rreth 20 minuta, pasi u raportua rreth orës 10:30 me orën lokale – duke i vendosur komunitetet nën evakuim pasi një tym i dendur dhe i rëndë ishte varur mbi rajon.

    Zjarrfikësit po përpiqen të ngadalësojnë flakët në malet e Palisades. Zyra e Guvernatorit të Kalifornisë ka sjellë burime shtesë përpara motit të sotëm – duke përfshirë 45 makina të tjera zjarrfikëse dhe pesë helikopterë.

    Zyrtarët në të gjithë rajonin kishin paralajmëruar banorët për kërcënimin nga zjarri dhe ekuipazhet e Emergjencës kanë vendosur pajisje dhe personel në të gjithë rajonin.

    Kapiteni i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit, Erik Scott foli sot me transmetuesin lokal KCAL-TV, duke paralajmëruar se erërat mund të sjellin “sjellje shpërthyese të zjarrit plus rrëzimin e pemëve dhe telave të rrëzuara”.

    Ndërsa, Margaret Stewart, një zëdhënëse e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit, i tha BBC-së se erërat me shpejtësi 50 milje në orë po ndezin zjarrin dhe po lëvizin prush me milje larg – gjë që po lejon zjarret në vend të fillojnë në të gjithë zonën.

    “Sfida me të cilën përballemi është se këto janë kodra të thella, të izoluara dhe ka një dendësi të lartë njerëzish në zonë.” – thotë ajo duke vazhduar se “Kjo është një situatë shumë e rëndë”.

    Përgatiti: Ilirjana Hoti/ KALLXO.com 

  • Gjykatësja bllokon përkohësisht publikimin e Raportit të prokurorit Smith për Trumpin

    Një gjykatëse federale bllokoi përkohësisht publikimin e Raportit të Prokurorit të Posaçëm Jack Smith mbi hetimet e tij ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, ndërkohë që Gjykata e Apelit po shqyrton kërkesën e avokatëve për të mos i publikuar ato.

    Gjykatësja Aileen Cannon e mori vendimin të martën, pas kërkesës urgjente të avokatëve të mbrojtjes për t’ia ndaluar Departamentit të Drejtësisë publikimin e Raportit – një hap që Prokurori Smith tha se mund të bëhej që të premten.

    Çështja po trajtohet në Gjykatën e Apelit në Atlanta.

    Zoti Trump reagoi duke thënë se “Raporti do të jetë i rremë, ashtu siç ishin edhe hetimet e tij”.

    Prokurori i Posaçëm Smith tha të martën se ekipi i tij po finalizonte Raportin mbi dy çështjet që ai hetoi rreth Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të paktën njëri prej tyre mund të publikohej që të premten.

    Ai e bëri këtë deklaratë si përgjigje ndaj kërkesës së avokatëve të zotit Trump, që i kishin kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland të bllokonte paraprakisht Raportin para se ai të bëhej publik.

    Raporti pritet të përshkruajë gjetjet që çuan në ngritjen e akuzave nga Prokurori Smith për dy Aktpadi të veçanta: atë të marrjes së dokumenteve sekrete dhe dërgimin e tyre në pronën e zotit Trump në Mar-a-Lago, si dhe përpjekjet e ish-Presidentit për të përmbysur rezultatin e Zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 para trazirave të 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol.

    Çështja e dokumenteve sekrete, për të cilën u akuzua zoti Trump dhe dy të pandehur të tjerë, u pushua në muajin korrik nga një Gjykatëse që ishte emëruar nga vetë zoti Trump kur ai ishte President. Gjykatësja e pushoi çështjen nën argumentin se emërimi i Prokurorit të Posaçëm Smith ishte bërë në shkelje të ligjit. Ndaj zotit Trump ishte ngritur edhe një Aktpadi tjetër për ndërhyrje në procesin zgjedhor, por akuzat në Aktpadi u kufizuan ndjeshëm pas Vendimit të Gjykatës së Lartë mbi imunitetin e gjerë që gëzojnë Presidentët.

    Ekipi i Prokurorit Smith vendosi t’i pushojë të dyja rastet në nëntor, pas fitores së zotit Trump, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës Presidentët që janë duke ushtruar detyrën nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale.

    Avokatët mbrojtës të zotit Trump, përfshirë avokatin Todd Blanche, i cili është emëruar nga ai për të shërbyer si Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Administratën e re, i bënë thirrje Prokurorit të tanishëm të Përgjithshëm Garland përmes një letre, që u bë publike në orët e vona të hënën, që ta bllokonte publikimin e Raportit dhe ta largonte prokurorin Smith “menjëherë”, ose t’ia delegonte vendimin për publikimin e Raportit Prokurorit të ardhshëm të Përgjithshëm.

    Me një gjuhë të ngjashme me sulmet e zotit Trump ndaj prokurorit Smith dhe punës së tij, avokati Blanche i shkruante prokurorit Garland se “publikimi i një Raporti konfidencial, të përgatitur nga një qytetar privat, i cili ka dalë jashtë kontrollit dhe, që në shkelje të Kushtetutës, hiqet si Prokuror, do të ishte një veprim politik i jashtëligjshëm, që synon të dëmtojë presidentin Trump dhe të justifikojë paratë e taksapaguesve, të cilat zoti Smith i shpenzoi në kundërshtim me Kushtetutën për hetimet e tij të dështuara dhe të hedhura tashmë poshtë”.

    Si kundërpërgjigje ndaj kësaj kërkese, ekipi i prokurorit Smith tha të martën se do t’ia dorëzonte Raportin prokurorit Garland në orët e pasdites dhe se pjesa e parë, që ka të bëjë me hetimet mbi dokumentet sekrete, nuk do të bëhej publike para orës 10 të mëngjesit të ditës së premte. Pritshmëria është që të dyja pjesët e Raportit të prokurorit Smith të publikohen në të njëjtën kohë.

    Sipas Rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, prokurorët e posaçëm duhet të dorëzojnë një Raport konfidencial rreth gjetjeve të hetimeve të tyre te Prokurori i Përgjithshëm.

    Prokurori i Përgjithshëm Garland deri më tani i ka publikuar në tërësi Raportet e hartuara nga Prokurorët e Posaçëm të cilët kanë vepruar nën mbikëqyrjen e tij, përfshirë Raportin e prokurorit Robert Hur mbi hetimet për dokumentet sekrete nga koha kur ishte Nënpresident, që iu gjetën në mjediset private presidentit Joe Biden, si dhe Raportin e prokurorit John Durhman mbi hetimet e FBI-së për ndërhyrjet ruse në Zgjedhje./ VOA