Kategori: Botë

  • SHBA sanksione për korrupsion bashkëpunëtorit më të afërt të kryeministrit hungarez Orban

    Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një zyrtari të lartë të Qeverisë hungareze për akuzat për korrupsion – njoftoi të martën Departamenti amerikan i Thesarit, një masë që Budapesti tha se do ta ankimojë kur të marrë detyrën presidenti i zgjedhur Donald Trump.

    Akuzat për korrupsion dhe nepotizëm e kanë shoqëruar kryeministrin Viktor Orban që kur erdhi në pushtet në vitin 2010, ndërsa marrëdhëniet e Budapestit me Uashingtonin janë përkeqësuar gjatë mandatit të presidentit Joe Biden, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të ngrohta të Budapestit me Moskën, pavarësisht luftës në Ukrainë.

    Kryeministri Orban i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.

    Sanksionet u vendosën ndaj Antal Roganit, një bashkëpunëtor i afërt i zotit Orban, i cili ka mbajtur detyrën si Shef kabineti që nga viti 2015.

    Zoti Rogan ka qenë një person i afërt me zotin Orban prej dekadash, duke drejtuar makinerinë mediatike të Qeverisë dhe duke ndihmuar për fushatat e tij zgjedhore. Ai mbikëqyr aktualisht edhe Shërbimet sekrete të Hungarisë – një vend anëtar i NATO-s.

    Departamenti amerikan i Thesarit e akuzon zotin Rogan se ka shfrytëzuar rolin e tij për të siguruar përfitime financiare për veten dhe aleatët politikë.

    “Personat e lidhur ngushtë me partinë politike në pushtet kanë përfituar një perandori të ardhurash.” – tha gjatë një Konference për shtypin ambasadori amerikan në Hungari, David Pressman. “Antal Rogani është arkitekt kryesor, zbatues dhe përfitues i këtij sistemi korrupsioni”.

    Ambasadori Pressman ka qenë një kritik i hapur i Qeverisë Orban gjatë mandatit të tij në Budapest – duke e kritikuar ashpër për forcimin e marrëdhënieve me Rusinë.

    Kabineti i zotit Orban, i drejtuar nga zoti Rogan, e hodhi poshtë vendimin duke e cilësuar si “hakmarrjen e fundit, të vockël të ambasadorit amerikan, të pasuksesshëm dhe në largim ”.

    “Pas 20 janarit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë një Qeveri të re dhe një President të ri. Pas inaugurimit të tyre, do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme ligjore.” – thuhet në një deklaratë të Qeverisë hungareze, të dërguar nëpërmjet postës elektronike.

    Kryeministri Orban dhe partia e tij Fidesz kanë qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj në Evropë të Presidentit të zgjedhur Trump, i cili do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.

    Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj pesë zyrtarëve të Qeverisë bullgare me akuza për korrupsion./ VOA

  • Ekipet e shpëtimit në Tibet kërkojnë të mbijetuar të tërmetit në temperatura të ulëta

    Ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar pasi një tërmet i madh la të vdekur dhjetëra njerëz dhe dëmtoi më shumë se 1000 ndërtesa në një rajon të largët të Tibetit afër Everestit – raporton BBC.

    Të paktën 126 njerëz kanë vdekur dhe 188 të tjerë u plagosën, pasi tërmeti goditi ultësirat e Himalajeve rreth orës 09:00 më 07.01.2024 – sipas mediave shtetërore kineze.

    Një operacion i madh shpëtimi u nis me të mbijetuarit nën presion shtesë, pasi temperaturat u parashikuan të bien deri në -16 gradë Celsius gjatë natës.

    Tërmeti me magnitudë 7.1, i cili goditi në një thellësi prej 10 kilometrash – sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së – u ndje edhe në Nepal dhe pjesë të Indisë, e cila është fqinje me Tibetin.

    Temperaturat në qarkun Tingri, pranë epiqendrës së tërmetit në ultësirat veriore të Himalajeve, ishin tashmë deri në -8C  përpara se të binte nata – sipas Administratës Meteorologjike të Kinës.

    Një banor i hotelit në Shigatse tha për median kineze Fengmian News se ai u zgjua nga një valë dridhjesh. Ai tha se kapi çorapet e tij dhe doli me nxitim në rrugë, ku pa helikopterë që rrotulloheshin në qiell.

    “Ndihej sikur edhe shtrati po ngrihej.” – tha ai, duke shtuar se ai e dinte menjëherë se ishte një tërmet sepse Tibeti së fundmi përjetoi tërmete të shumta, por më të vogla.

    Si energjia ashtu edhe uji në rajon janë ndërprerë. Pati më shumë se 40 pasgoditje në orët e para pas tërmetit.

    Mediat shtetërore kineze raportuan se tërmeti kishte një magnitudë pak më të vogël prej 6.8 ballë – duke shkaktuar lëkundje “të dukshme” dhe duke çuar në dëmtimin e më shumë se 1000 shtëpive.

    Forcat ajrore kineze kanë nisur përpjekjet e shpëtimit dhe dronët në zonën e prekur.

    Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë gjithashtu thirrje për përpjekje të gjithanshme të kërkim-shpëtimit për të minimizuar viktimat dhe për të rivendosur banorët e prekur.

    Ndërsa lëkundjet e forta u ndjenë në Nepal, nuk u raportuan dëme të mëdha apo viktima – tha një zyrtar nga Qendra Kombëtare e Operacioneve të Emergjencave për BBC Newsday – vetëm “dëmtime të vogla dhe çarje në shtëpi”.

    Përgatiti: Ilirjana Hoti/ KALLXO.com 

  • Administrata Biden pritet të njoftojë “ndihmë masive ushtarake” për Ukrainën

    Administrata e presidentit amerikan Joe Biden pritet të njoftojë një Paketë Ndihme Ushtarake masive, e fundit e kësaj Administrate për Ukrainën.

    Ndihma do të njoftohet në kuadër të vizitës së Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin në Gjermani të enjten, gjatë së cilës do të takohet me rreth 50 vende partnere që kanë ndihmuar për mbrojtjen e Ukrainës, që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë tre vjet më parë – thanë dy zyrtarë të mbrojtjes për Agjencinë e lajmeve Associated Press.

    Zyrtarët nuk dhanë hollësi mbi vlerën e saktë të ndihmës, por thanë se Paketa pritet të jetë “e konsiderueshme” edhe pse nuk do të përfshijë të gjithë shumën financiare prej rreth 4 miliardë dollarësh, që ka mbetur nga fondi që ka autorizuar Kongresi për Ukrainën.

    Ka të ngjarë që “të mbeten më shumë se 2 miliardë dollarë” për ekipin e Mbrojtjes së Administratës së re për t’ia dërguar Ukrainës, nëse Administrata zgjedh të veprojë në mënyrë të tillë – tha të martën një zyrtar gjatë një bisede me gazetarët të cilët po ndjekin vizitën e zotit Austin.

    Ukraina është duke filluar një ofensivë të dytë në rajonin Kursk të Rusisë dhe po përballet me sulme të vazhdueshme raketash me rreze të gjatë veprimi dhe përparime në terren nga Rusia, ndërsa secila nga palët po përpiqet që të jetë në kushtet më të mira të mundshme për të negociuar, përpara se presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar.

    Zyrtarët e mbrojtjes së Administratës së presidentit Biden të cilët punojnë mbi çështjet e lidhura me Ukrainën kanë qenë në komunikim me ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur Trump për të diskutuar “të gjitha temat që ne besojmë se janë të rëndësishme” – tha një nga zyrtarët. Gjatë qëndrimit të sekretarit Austin në bazën ajrore Ramstein do të mbahet takimi i tij i fundit me grupin, që ai organizoi për t’i dalë në mbrojtje Ukrainës pas sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia.

    Së bashku vendet e këtij grupi kanë dhënë një ndihmë prej më shumë se 126 miliardë dollarësh, për: armatime, stërvitje ushtarake dhe ndihma të tjera. Paketat e Ndihmës kanë përfshirë: miliona fishekë municionesh, avionë luftarakë të avancuar, sisteme të mbrojtjes ajrore – madje edhe tanke.

    Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 66 miliardë dollarë nga ndihma totale.

    Paketa e Ndihmës që do të njoftohet të enjten do të sigurohet nga rezervat ekzistuese, me synimin për të dërguar shumicën e armëve që i janë premtuar Ukrainës, deri në kohën kur zoti Trump të bëjë betimin – tha një nga zyrtarët e mbrojtjes.

    Më 30 dhjetor, Administrata njoftoi një Paketë tjetër Ndihme prej 1.25 miliardë dollarësh, pjesë e një sërë njoftimesh për ndihma, ndërsa nxitoi të siguronte sa më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, përpara se presidenti Joe Biden të largohej nga detyra. Zyrtarët thanë se afërsisht 80 deri në 90% e të gjitha armatimeve që i ishin premtuar, tashmë i janë dhënë Ukrainës./VOA