Kategori: Botë

  • Koreja e Veriut thotë se raketa e re hipersonike do t’i “frenojë” rivalët

    Koreja e Veriut tha të martën se raketa më e fundit që e testoi është raketë e re hipersonike, me rreze të mesme veprimi, e dizajnuar për t’i goditur shënjestrat në Paqësor.

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është zotuar se do ta zgjerojë arsenalin bërthamor të Phenianit për t’i kundërshtuar kombet rivale.

    Të hënën, Ushtria e Koresë së Jugut tha se e vërejti Korenë e Veriut duke e lëshuar një raketë e cila fluturoi 1.100 kilometra para se të binte në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë.

    Koreja e Veriut ka demonstruar sisteme të shumta armësh vitin e kaluar, të cilat mund t’i vënë në shënjestër fqinjët e saj, si dhe Shtetet e Bashkuara. Në mesin e armëve të testuara ka pasur edhe raketa balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë. Janë ngritur shqetësime se Veriu mund t’i avancojë edhe më tej aftësitë e veta ushtarake përmes teknologjisë së ofruar nga Rusia, pasi këtu dy vende kanë rritur bashkëpunimin për luftën në Ukrainë.

    Në vitet e fundit, Koreja e Veriut ka lëshuar dhe testuar raketa të ndryshme me rreze të mesme veprimi, të cilat, nëse perfeksionohen, mund ta arrijnë bazën ushtarake të SHBA-së në Guam.

    Prej vitit 2021, ajo ka testuar amë hipersonike të dizajnuara për të fluturuar të paktën pesë herë më shpejt sesa shpejtësia e zërit. Qëlllimi i shpejtësisë dhe lëvizshmërisë së armëve të tilla është t’i bëhet ballë sistemeve rajonale të mbrojtjes raketore. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto raketa mund të fluturojnë vazhdimisht me shpejtësinë e njëjtë siç pretendon Veriu.

    Mediat shtetërore të Koresë së Veriut thanë se Kimi e mbikëqyri testimin e raketës të hënën dhe se raketa udhëtoi 1.500 kilometra, duke i arritur dy pika të ndryshme kulmore, 99.8 kilometra dhe 42.5 kilometra, dhe se arriti një shpejtësi 12 herë më të shpejtë se shpejtësia e zërit, para se ta godiste saktë shënjestër detare.

    Lee Sung Joon, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, deklaroi se ushtria koreanojugore beson se Koreja e Veriut po i ekzagjeron aftësitë e sistemit të saj hipersonik, duke theksuar se raketa mbuloi një distancë më të vogël dhe se ajo nuk e arriti një pikë të dytë kulmore në trajektoren e saj.

    Sipas Lee, ka mundësi që ky testim ishte vazhdim i një testimi tjetër të një rakete balistike hipersonike me rreze të mesme, i kryer në prill. Ai gjithashtu e vuri në dyshim efikasitetin e përdorimit të këtyre sistemeve në një territor relativisht të vogël si Gadishulli Korean. Ai shtoi se ushtritë e Koresë së Jugut dhe SHBA-së po vazhdojnë ta analizojnë raketën.

    Kim Jong Un e përshkroi raketën si arritje thelbësore në qëllimet e tij për ta përforcuar programin mbrojtës bërthamor të Koresë së Veriut, duke e krijuar një arsenal “që askush nuk mund t’i përgjigjet”, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA).

    Kim e përsëriti se këmbëngulësia e tij për forcimin e arsenalit bërthamor ka për qëllim kundërpërgjigjen ndaj “kërcënimeve të ndryshme të sigurisë të ngritura nga forcat armiqësore”. Por, KCNA nuk përmendi kritika të drejtpërdrejta ndaj Uashingtonit, Seulit apo Tokios.

    Lëshimi i raketës ndodhi gjatë vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Seul, ku ai zhvilloi bisedime me aleatët koreanojugorë mbi kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe çështje të tjera.

    Në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, Blinkeni e dënoi lëshimin e raketës nga Koreja e Veriut, duke theksuar se kjo veprimtari shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër programeve të armëve të Veriut.

    Ai gjithashtu shprehu shqetësim për rritjen e bashkëpunimit midis Koresë së Veriut dhe Rusisë në luftën e Moskës në Ukrainë.

    Blinken e përshkroi bashkëpunimin ushtarak mes Phenianit dhe Moskës si “rrugë dypalëshe”, duke thënë se Rusia i ka ofruar pajisje ushtarake dhe trajnim Veriut dhe se synon t’i japë edhe teknologji hapësinore dhe satelitore.

    Sipas vlerësimeve nga SHBA, Ukraina dhe Koreja e Jugut, Koreja e Veriut i ka dërguar më shumë se 10.000 trupa dhe sisteme armësh konvencionale për ta mbështetur fushatën luftarake të Moskës. Ka shqetësime se Rusia mund t’i dhurojë Koresë së Veriut teknologji të avancuar armësh në këmbim, gjë që ka mundësi ta rrisë kërcënimin që përben ushtria e Kimit e armatosur me armë bërthamore.

    Në një konferencë politike për fundvit, Kim Jong Un u zotua se do ta zbatojë politikën “më të ashpër” kundër SHBA-së dhe kritikoi përpjekjet e administratës Biden për ta forcuar bashkëpunimin e sigurisë me Seulin dhe Tokion, të cilin e përshkroi si një “bllok ushtarak bërthamor për agresion”./ REL

  • Një tërmet i fuqishëm vret 95 njerëz në Tibet

    Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe 130 janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm që e goditi rajonin bjeshkor të Tibetit të martën në mëngjes, raportojnë mediat shtetërore kineze.

    Shumë njerëz të tjerë kanë ngecur nën rrënoja të shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

    Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet.

    Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh.

    Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

    Rreth 50 lëkundje u dëgjuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

    Rreth 1.500 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë dërguar për t’i kërkuar njerëzit e ngecur nën rrënoja, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, raportojnë mediat shtetërore.

    Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

    Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

    Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndien tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi./REL

  • Trump kërkon shtyrjen e shpalljes së dënimit në rastin e blerjes së heshtjes

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar një gjykatësi në Nju Jork të hënën që ta shtyjë shqiptimin e dënimit ndaj tij në rastin penal të blerjes së heshtjes, në të cilin ai u shpall fajtor vitin e kaluar.

    Avokatët e Trumpit thanë se synojnë t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit ta hedhë poshtë vendimin e javës së kaluar nga gjykatësit Juan Merchan për shqiptimin e dënimit më 10 janar.

    Avokatët Todd Blanche dhe Emil Boce i kërkuan Merchanit të mos e shpallë aktgjykimi ndaj Trumpit derisa ata ta bëjnë ankesën në Gjykatën e Apelit. Nëse kjo ndodh, atëherë gjasat janë që aktgjykimi ndaj Trumpit të mos shpallet para inaugurimit të tij më 20 janar.

    Merchan e caktoi të premten si datë për shpalljen e aktgjykimit, por la të kuptohej se Trumpi nuk do të përballet me ndonjë dënim me burgim apo gjobë.

    Trumpi u shpall fajtor në maj për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

    Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.

    Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.

    Trump ka thënë se rrëfimi i saj ishte i rrejshëm dhe i ka mohuar të gjitha akuzat./REL.