Kategori: Botë

  • Harris do ta certifikojë Trumpin President, katër vjet pas trazirave të Kapitolit

    Zëvendëspresidentja demokrate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris do ta udhëheqë të hënën, më 06.01.2025, certifikimin zyrtar në Kongres të rezultatit të Zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024 – një garë që e kishte humbur kundrejt rivalit republikan, Donald Trump – ka raportuar transmetuesi britanik BBC.

    Kjo datë shënon edhe katërvjetorin e trazirave dhe mësymjes në Kapitolin amerikan, kur mbështetësit e Trumpit u munduan të pamundësonin certifikimin e presidentit demokrat, Joe Biden – pas fitores së Zgjedhjeve në nëntorin e vitit 2020. Kjo është një ceremoni formale.

    Por masa të rrepta sigurie janë marrë në Uashington DC dhe presidenti Biden është zotuar se nuk do të ketë përsëritje të dhunës së 06.01.2021, që rezultoi me disa të vdekur.

    Dhe derisa kongresistët po mblidhen në Uashington, stuhia e fuqishme e dëborës mund të shkaktojë telashe.

    Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka thënë se Ceremonia e Certifikimit në mbrëmje do të mbahet pavarësisht motit të ligë – duke deklaruar për Fox Newsin: “Pavarësisht se a do të ketë acar apo jo, ne do të të jemi në sallë që të sigurohemi që puna të kryhet”.

    Si zëvendëspresidente aktuale, Harrisit i kërkohet prej Kushtetutës amerikane që të udhëheqë zyrtarisht certifikimin e rezultatit pasi Trumpi e mposhti atë në Zgjedhjet kombëtare, më 05.11.2024.

    Trumpi i fitoi të gjitha – shtatë shtetet e pavendosura, duke e ndihmuar fitoren e tij në Kolegjin zgjedhor – mekanizmi që merr Presidencën. Do të jetë detyrë e Harrisit që të lexojë numrin e votave të Kolegjit zgjedhor, të fituara prej secilit kandidat.

    Mandati i dytë i Trumpit do të nisë pas inaugurimit të tij më 20 janar. Për herë të parë prej vitit 2017, partia e Presidentit do ta ketë shumicën edhe në dhomat e Kongresit, megjithëse me një epërsi të ngushtë.

    Fitorja e Trumpit shënoi një rikthim të jashtëzakonshëm prej humbjes së tij zgjedhore në vitin 2020 dhe pas dënimit penal më 2024 – i pari për një President aktual ose ish-President amerikan.

    Presidenti Biden është zotuar se do të ketë transferim paqësor të pushtetit presidencial.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Kongresi amerikan do të certifikojë fitoren e Trumpit në Zgjedhje

    Kongresi amerikan do të mblidhet të hënën për të certifikuar fitoren e zotit Donald Trump në Zgjedhjet presidenciale të Nëntorit përballë zëvendëspresidentes aktuale, Kamala Harris.

    Nënpresidentja është përgjegjëse për kryesimin e numërimit të rezultateve nga secili prej 50 shteteve të vendit – duke e vënë zonjën Harris në pozicionin e certifikimit të humbjes së saj.

    Për një kohë të gjatë procedura ishte një formalitet në procesin zgjedhor, por katër vjet më parë u shndërrua në kaos pasi mbështetësit e zotit Trump hynë në Kapitol: duke plagosur rreth 140 oficerë policie, duke shkaktuar dëme në ndërtesë dhe duke detyruar ligjvënësit të strehoheshin për shkaqe sigurie.

    Skena të ngjashme nuk priten të hënën, meqë zonja Harris e ka pranuar humbjen dhe presidenti Joe Biden ka theksuar nevojën për një proces paqësor të kalimit të pushtetit.

    Autoritetet janë përgatitur për çdo rast, duke ngritur pengesa të larta metalike rreth kompleksit të Kapitolit.

    Duke folur të dielën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden e quajti atë që ndodhi më 6 janar të vitit 2021 “një nga ditët më të vështira në historinë amerikane”.

    “Ne duhet të kthehemi në kalimin normal të pushtetit.” – tha ai.

    Ai shtoi se sjellja e zotit Trump katër vjet më parë, e cila përfshinte pretendime të përsëritura të rreme se ai fitoi Zgjedhjet “ishte një kërcënim i vërtetë për demokracinë”.

    Më shumë se 1500 persona janë akuzuar në lidhje me sulmin në Kapitol. Zoti Trump është zotuar se do të shpallë faljen e tyre, pasi të marrë detyrën më 20 janar./VoA

  • Zelensky kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se çdo garanci e sigurisë për shtetin e tij, në mënyrë që t’i jepet fund luftës me Rusinë, do të ishte kuptimplote vetëm nëse ajo do t’i jepej nga Shtetet e Bashkuara.

    Ai tha se shpreson se do të takohet shpejt me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, pas inaugurimit të tij më 20 janar.

    “Pa SHBA-në, garancitë e sigurisë nuk janë të mundura.” – tha ai në një intervistë triorëshe me Lex Fridman, që u publikua më 5 janar.

    “Po flas për garanci të sigurisë që mund ta parandalojnë agresionin rus.” – shtoi ai.

    Gjatë kësaj interviste, që u zhvillua në Kiev, Zelensky foli në gjuhën angleze, ukrainase e madje edhe ruse. Ai tha se beson se një armëpushim pa garanci të sigurisë për Kievin do të përdorej nga Kremlini si një mundësi për t’u furnizuar dhe riorganizuar për ofensiva të reja.

    Teksa përvjetori i tretë i nisjes së pushtimit rus të Ukrainës po afrohet, vdekjet dhe shkatërrimi po vazhdojnë në shumë qytete ukrainase, veçmas në lindje dhe në territorin e pushtuar nga forcat e Kremlinit, por edhe në Kursk, rajonin kufitar rus.

    Kohë të pasigurta po e presin Kievin, teksa Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

    Trump, i cili ka qenë kritik për sasinë e ndihmës së ofruar amerikane për Ukrainën, vazhdimisht është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, edhe pse për këtë ai ka dhënë pak detaje. Shumë mbështetës të Ukrainës janë të shqetësuar se ai do të shtyjë përpara kushte që do të jenë të papranueshme për Kievin.

    Përpjekjet për një armëpushim janë të pashmangshme, në dritë të premtimeve të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në një periudhë të shkurtër kohore.

    Administrata në largim e presidentit, Joe Biden në katër vjetët e fundit i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër në vlerë prej afër 60 miliardë dollarësh.

    Zelensky ka një histori të gjatë dhe të vështirë me Trumpin.

    Gjykimi i parë ndaj Trumpit për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit më 2019 u nxit nga një bisedë telefonike që ai kishte zhvilluar me Zelenskyn, në të cilin Trump dukej se kishte kushtëzuar ndihmën ushtarake amerikane në këmbim të hetimit nga Ukraina të familjes së Bidenit.

    Trump disa herë e ka kritikuar Zelenksyn. Gjatë fushatës zgjedhore, ai vazhdimisht e ka përshkruar Presidentin ukrainas si “tregtarin më të mirë në botë” – referencë për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë që ligjvënësit e të dy partive në SHBA kanë miratuar, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

    Megjithatë, gjatë intervistës Zelensky tha se është i bindur se Trumpi do të sjellë një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme të paqes, së bashku me garancitë e kërkuara të sigurisë.

    “Trumpi dhe unë do të arrijmë deri te një marrëveshje, të ofrojë garanci të forta të sigurisë, së bashku me Evropën dhe më pas ne mund të flasim me rusët. Ne dhe Trumpi jemi të parët dhe Evropa do të mbështesë pozicionin e Ukrainës.” – tha ai.

    “Mendoj se presidenti Trump jo vetëm që ka vullnet, por i ka të gjitha mundësitë dhe këto nuk janë vetëm fjalë”.

    “Unë vërtet llogaris në të dhe mendoj se njerëzit tanë vërtet llogarisin në të, prandaj ai ka fuqi të mjaftueshme për t’i bërë presion atij, për t’i bërë presion [presidentit rus, Vladimir] Putin.” – shtoi Zelensky.

    I pyetur se çfarë kërkon që ta shqyrtojë një armëpushim, Zelensky tha se janë garancitë e sigurisë, mundësisht përfshirja në NATO – diçka që Putin e ka kundërshtuar me forcë.

    Anëtarësimi në NATO ishte një nga argumentet fillestare që Kremlini përdori për të justifikuar luftën kundër Ukrainës.

    Për çdo marrëveshje, Zelensky tha se partnerët perëndimorë, të paktën duhet të garantojnë sigurinë në territorin ukrainas që aktualisht nuk është i pushtuar nga Rusia, të vazhdojnë mbështetjen ushtarake dhe të mbajnë në fuqi sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.

    “Nëse nuk ka garanci të sigurisë, Putin sërish do të sulmojë.” – tha ai.

    Sipas tij, qëllimet e Putinit janë një “NATO e dobët” dhe një “Ukrainë që nuk mund të mbijetojë në fushëbetejë” dhe “të pamundësohet një raport i fortë me Trumpin”./REL