Kategori: Botë

  • India nuk mbështet një monedhë të përbashkët për vendet e grupit BRICS

    Sipas analistëve në Nju Delhi, India nuk mbështet krijimin e një monedhe të përbashkët për organizatën BRICS të përbërë nga nëntë vende, por po përpiqet të nxisë tregtinë në monedhën e saj.

    Siç njofton nga Nju Delhi, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anjana Pasricha, Presidenti i ardhshëm amerikan Donald Trump, paralajmëroi rishtazi vendet e BRICS-it që të mos bëjnë përpjekje për ta zëvendësuar dollarin me një monedhë alternative.

    India nuk dëshiron krijimin e një monedhe të përbashkët BRICS, një iniciativë e mundshme që është përballur me një reagim të fortë nga Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave 100% për produktet nga nëntë vendet anëtare të BRICS-it, nëse ky grup zëvendëson dollarin amerikan me një monedhë tjetër, ose mbështet një alternativë tjetër në vend të monedhës amerikane.

    Analistët thonë se mosbesimi dhe dallimet ndërmjet anëtarëve kryesorë të BRICS-it, si India dhe Kina, janë një pengesë e madhe për të kaluar drejt një monedhe të përbashkët.

    “India nuk e mbështet këtë iniciativë. Një monedhë e përbashkët nuk do të ndihmojë askënd; thjesht do të diktonin vendet dominuese si Kina. Pra, është shumë e vështirë të krijohet një konsensus për të patur një monedhë të përbashkët”, thotë eksperti Chintamani Mahapatra, nga Instituti Kalinga për Studimin e Indo-Paqësorit.

    Grupi kryesor i BRICS-it – ku merrnin pjesë Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut – u zgjerua këtë vit me Iranin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopinë dhe Egjiptin. Ideja e një monedhe për grupin BRICS zuri vend në vitin 2022, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Kinës.

    Por aleanca e vendeve në zhvillim është shumë e larmishme për ta bërë të zbatueshme një monedhë të përbashkët.

    “Nuk kemi një treg të përbashkët. Nuk kemi ndonjë politikë të përbashkët tregtare. Nuk kemi asgjë të përbashkët”, thotë për grupin BRICS eksperti Mahapatra.

    Megjithatë, India dhe disa vende të tjera të BRICS-it kanë shtuar përpjekjet për të bërë tregëti në monedhat e tyre, për të ulur varësinë nga dollari amerikan.

    “Janë 17 vende që janë identifikuar nga qeveria e Indisë, me të cilët India dëshiron të bëjë tregëti në monedhën rupi, ose në një monedhë dypalëshe”, thotë analisti për tregtinë Biswajit Dhar.

    Ndër këto vende është edhe Rusia. Nju Delhi, i cili nuk iu bashkua sanksioneve amerikane, po paguan për importet masive të naftës ruse në monedhën rupi. Por edhe tregtia në rupi paraqet probleme.

    “India ka një deficit të madh tregtar me Rusinë, që do të thotë se kur India blen shumë naftë dhe paguan në rupi, Rusia nuk di se çfarë të bëjë me sasinë e madhe të rupive që zotëron tashmë”, thotë analisti Dhar.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Indisë, Subramanian Jaishankar, ka thënë se largimi nga dollari amerikan nuk është pjesë e politikës ekonomike të Indisë. Kjo, thonë analistët, është për shkak se interesat strategjike të Indisë janë përgjithësisht në linjë me Shtetet e Bashkuara./VOA

  • Qeveria e përkohshme siriane do t’i rrisë 400% pagat në sektorin publik

    Ministri i Financave në Siri, Mohammed Abazeed, ka thënë të dielën se Qeveria e përkohshme do t’i rrisë pagat për 400 për qind në sektorin publik në muajin tjetër, pas kompletimit të ristrukturimeve nëpër ministri, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies.

    Kjo rritje, që besohet se do të kushtojë 127 milionë dollarë, do të financohet nga burimet ekzistuese shtetërore, si dhe një kombinim i ndihmës rajonale, investimeve të reja, dhe përpjekjeve për të pasur qasje sërish në asetet siriane të ngrira jashtë shtetit.

    “Ky është hapi i parë drejt zgjidhjeve emergjente në realitetin ekonomik aktual në shtetin tonë”, ka thënë Abazeed, për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Ai ka thënë se pagat e këtij muaji do të dalin javën që vjen.

    Qeveria e përkohshme e Sirisë, në krye me liderin de facto, Ahmed al-Sharaa, është krijuar pas rrëzimit të regjimit brutal të Bashar al-Assadit, i cili ka qenë me dekada në pushtet.

    Regjimi i Assadit është rrëzuar nga grupi Tahrir al-Sham (HTS), pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.

    HTS është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Assadi dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që u është miratuar direkt prej presidentit rus, Vladimir Putin./REL

  • Vdes ish-kryeministri grek Kostas Simitis

    Ish-kryeministri grek Kostas Simitis, i cili udhëhoqi vendin në procesin e kalimit tek monedha e përbashkët e Bashkimit Evropian euro në vitin 2001, vdiq të dielën në moshën 88-vjeçare në shtëpinë e tij verore në Peloponez.

    Zoti Simitis, një profesor i së drejtës dhe reformist, mori drejtimin e partisë socialiste PASOK në vitin 1996 dhe ishte kryeministër deri në vitin 2004.

    “Me trishtim dhe respekt, i jap lamtumirën Kostas Simitisit, një kundërshtar politik i denjë dhe fisnik, por edhe kryeministri që drejtoi Greqinë përmes zhvillimeve të mëdha kombëtare”, tha në një deklaratë kryeministri konservator grek, Kyriakos Mitsotakis.

    Qeveria shpalli katër ditë zie dhe njoftoi për një varrim shtetëror për të.

    Zoti Simitis ishte vlerësuar për reduktimin e shpenzimeve të tepërta të qeverisë, por kritikët thonë se ai nuk bëri sa ç’duhet për të luftuar në korrupsionin.

    Ish-kryeministri kishte qenë në rezidencën e tij verore pranë Athinës në Peloponez ditët e fundit. Ai u transferua pa ndjenja në spital herët në mëngjes ku u konfirmua vdekja e tij, tha drejtori i spitalit të Korinthit për mediat lokale.

    Ai la pas gruan dhe dy vajzat e tij.

    Gjatë qeverisjes së tij, zoti Simitis uli deficitin buxhetor dhe borxhin publik duke mundësuar kualifikimin e Athinës për t’u bërë pjesë e anëtarësimit në eurozonë.

    Në vitin 2012, tre vjet pasi shpërtheu kriza greke e borxhit, ai botoi një libër që kritikonte trajtimin e krizës nga politikanët grekë dhe të BE-së. Në një libër me këtë temë, ai akuzoi gjithashtu Komisionin Evropian se kishte mbyllur një sy ndaj shpenzimeve të tepërta nga pasardhësi i tij konservator./VOA