Kategori: Botë

  • Ukraina raportohet të ketë nisur ofensivë të re në Kursk të Rusisë

    Ushtria ukrainase ka nisur ofensivë të re në rajonin rus Kursk, sipas deklaratave preliminare të zyrtarëve ukrainas dhe raportimeve në disa kanale pro-ruse në platformën Telegram.

    Ofensiva e papritur është bërë e ditur nga Andriy Kovalenko, udhëheqës i Qendrës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës kundër Dezinformimit, përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Tëitter.

    Ai ka thënë se forcat ruse në Kursk janë “sulmuar në disa drejtime, në mënyrë të befasishme”.

    Edhe shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përmendur sulmin në mënyrë indirekte në Telegram.

    “Rajoni Kursk, lajme të mira, Rusia po fiton atë që e meriton”, ka thënë ai.

    Ofensiva është raportuar të jetë nisur nga qendra Sudzha, e cila ka qenë nën kontrollin ukrainas prej gushtit të vitit 2024, dhe ka vazhduar në drejtim të Bolshoje Soldatskojes, rreth 70 kilometra larg qytetit Kursk.

    Ushtria ukrainase nuk i ka komentuar ende raportimet për sulme, mirëpo Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se “rreth orës 9:00, forcat e armatosura ukrainase kanë nisur kundërsulm për të bllokuar avancimin e trupave ruse në drejtim të Kurskut”.

    Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur zhvillimet e reja në Kursk.

    Sipas llogarive ruse në Telegram që vëzhgojnë nga afër zhvillimet në fushëbetejë, sulmet janë duke u kryer me makina të armatosura, pajisje për pastrim minash, sisteme elektrike të luftës, dhe armë tjera që po luftojnë me sukses dronët rusë.

    Trupat ukrainase patën kryer edhe në gusht ofensivë të befasishme në Kursk.

    Pothuajse gjysma e tokës së kapur nga ukrainasit është rikthyer prapë nën kontrollin rus, mirëpo Kievi e ka nën kontroll Sudazhn, dhe rreth 500 kilometra katrorë të territorit rus.

    Në ditët e fundit në Telegram ka pasur raportime për ofensive të re të Ukrainës, teksa kanë mbetur edhe pak ditë deri te inaugurimi i Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara.

    Përgjatë fushatës zgjedhore, ai është zotuar se në rast të fitores do t’i japë fund luftës së Moskës në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/RadioEvropaeLirë/.

  • Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

    Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në vijim si kancelar dhe si lider i partisë, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar.

    Kancelari ka thënë se partia e tij, Partia Popullore konservative – dhe Social Demokratët, nuk janë pajtuar për çështjet kryesore.

    Neoliberalët, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, është tërhequr po ashtu të premten.

    Në shtator, Partia e Lirisë – e së djathtës ekstreme – ka shënuar fitore të pashembullt në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, mirëpo partitë tjera patën thënë se nuk formojnë koalicion me liderin e këtij subjekti politik, Herbert Kickl.

    Kolapsimi i bisedimeve mund të rezultojë me nisjen e bisedimeve të konservatorëve me të djathtën ekstreme, apo edhe me organizim të zgjedhjeve të reja, vlerësojnë analistë.

    Partia e Lirisë – miqësore me Rusinë – ka qenë më parë në pushtet. Ajo duket se do t’i mirëpriste zgjedhjet e reja, pasi sondazhet e opinionit publik sugjerojnë për rritjen e mëtejme të saj edhe pas shtatorit.

    Kjo parti e ka kritikuar presidentin e shtetit, Alexander Van der Bellen për “kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.

    Dalja në zgjedhjet e shtatorit ka qenë 77.3 për qind, ndërsa temat kryesore kanë qenë ato të migrimit, azilit dhe ekonomisë në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Kickl pati premtuar se do të rikthente sigurinë për austriakët.

    Partia që udhëheq ai është e ashpër për çështjet e migrimit dhe e promovon idenë e rimigrimit, që përfshin dërgimin e azilkërkuesve në shtetet e origjinës.

    Partia e Lirisë është themeluar nga ish-nazistët në vitet ’50.

    Dy ditë para zgjedhjeve të shtatorit, disa kandidatë janë zënë duke kënduar në një funeral këngë të nazistëve, ndonëse partia më vonë ka mohuar gjithçka/RadioEvropaeLirë/.

     

  • Meloni në vizitë të papritur në rezidencën e Trumpit

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e ka realizuar një vizitë jozyrtare dhe të papritur në rezidencën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump në Florida, ka konfirmuar zyra e saj të dielën.

    Në disa fotografi të publikuara nga zyra e kryeministres, Meloni dhe Trump shihen duke bërë fotografi në hyrjen e rezidencës, dhe me vonë duke biseduar.

    Zyra e saj nuk ka dhënë më shumë hollësi për vizitën.

    Fotografitë e dy liderëve konservatorë afër njëri-tjetrit janë publikuar në faqet e para të të gjitha gazetave italiane.

    Meloni është njëra prej liderëve botërorë, përfshirë kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, që kanë vizituar Trumpin para inaguruimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.

    Meloni e ka realizuar këtë vitë pak para se presidenti amerikan, Joe Biden të nisë një vizitë katërditore në Romë.

    Në fotografitë e publikuara nga zyra e Melonit, ajo është parë në takim edhe me senatorin e Floridas, Marco Rubio, të nominuar nga Trumpi për Sekretar amerikan Shteti/RadioEvropaeLirë/.