Kategori: Botë

  • Mike Johnson rizgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

    Mike Johnson u rizgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të premten pas një raundi të gjatë votimi që vuri në dukje ndasitë e vazhdueshme mes Partisë Republikane në Kongres.

    Fillimisht ai u duk se nuk arriti të siguronte votat që i duheshin për të mbajtur rolin e udhëheqësit, por dy republikanë, që fillimisht nuk mbështetën atë, ndryshuan qëndrim duke votuar për të, pas më shumë se një orë e gjysmë negociatash. Ai u rizgjodh me 218 vota, minimumi i votave të nevojshme.

    Republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqesuesve me një shumicë të ngushtë 219 -215.

    Votimi ishte një provë e hershme mbi aftësinë e Partisë Republikane për të qenë e bashkuar ndërsa synon të çojë përpara agjendën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për shkurtim të taksave dhe forcim të sigurinë kufitare. Procesi po ashtu vuri në provë ndikimin e zotit Trump në Kapitol, ku një grusht republikanësh kishin shfaqur dëshirën për ta sfiduar.

    Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë përballur me ndasi të brendshme gajtë dy vjetëve të fundit.

    Zoti Johnson e mori detyrën pasi Partia Republikane e shkarkoi paraardhësin e tij Kevin McCarthy në mes të mandatit të këtij të fundit.

    Dy vjet më parë, zoti McCarthy u zgjodh në krye të Dhomës së Përfaqësuesve pas 15 raundesh votimi.

    Në këtë legjislaturë të re, republikanët do të kenë edhe kontrollin e Senatit, që deri më tani ishte mbajtur nga demokratët.

    Republikanët do të kenë shumicën 53 – 47, shumë më pak se 60 votat që nevojiten për miratimin e pjesës së më të madhe të akteve ligjore.

    Me betimin e zotit Trump në 20 janar, republikanët do kenë kontrollin e të tre degëve të qeverisjes në 2 dhomat e Kongresit dhe në Shtëpinë e Bardhë.

    Tradicionalisht, 100 ditët e para të Presidencës dhe Kongresit të ri paraqesin një periudhë për një agjendë legjislative ambicioze.

    “Presidenti i ri do të përqëndrohet tek tarifat, tek kufiri, urdhërat ekzekutivë të lidhur me emigracionin dhe emigrantët, veçanërisht ata nga Meksika dhe vendet myslimane. Dhe më pas ai do të përpiqet për çdo kompromis të mundshëm për të siguruar miratimin e ligjeve për çështje që lidhen me ekonominë, ushqimet, siç preferon ai t’i cilësojë”, shprehet për Zërin e Amerikës përmes platformës Zoom Casey Burgat, profesore pranë universitetit “George Washington”./VoA

  • Irani e qorton ambasadoren italiane në lidhje me arrestimin e një iraniani të kërkuar nga SHBA-ja

    Ministria e Jashtme e Iranit e ka thirrur në një takim ambasadoren italiane në Teheran të premten, për të protestuar në lidhje me ndalimin e një shtetasi iranian të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të dyshuar në sulmin vdekjeprurës me dronë kundër forcave amerikane, raporton Reuters.

    Të enjten, Italia veproi ngjashëm duke e thirrur në takim protestues ambasadorin iranian në Romë, në lidhje me arrestimin e gazetares italiane Cecilia Sala, e cila u ndalua në Teheran më 19 dhjetor derisa po punonte me vizë gazetareske.

    Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit “i bëri thirrje Italisë të mos e përdor politiken amerikane pengmarrëse – e cila është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, posaçërisht me të drejtat e njeriut – dhe ta lirojë sa më parë [Mohammad] Abedinin dhe ta parandalojë dëmtimin e marrëdhënieve dypalëshe”, raportuan mediat shtetërore në Iran.

    Të enjten, Ambasada iraniane në Romë tha se autoritetet iraniane janë duke ia ofruar Salas të gjithë kujdesin e nevojshëm humanitar, dhe për herë të parë, e lidhën rastin e saj me atë të Abedinit.

    Irani tha të hënën se Sala u arrestua për “shkeljen e ligjeve të Republikës Islamike”, duke mos dhënë hollësi shtesë.

    Sala u arrestua tri ditë pas Abedinit, biznesmenit iranian që u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një fletarrestimi të SHBA-së, pasi dyshohet se i kishte furnizuar me pjesë dronët që Uashingtoni thotë se u përdorën në sulmin e vitit 2023, ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.

    Irani i ka mohuar përfshirjen në sulm.

    Abedini po mbahet në paraburgim dhe gjykata do të vendosë këtë muaj nëse do t’i vendoset në arrest shtëpiak, derisa gjyqtarët ta shqyrtojnë kërkesën e SHBA-së për ekstradim.

    Në vitet e fundit, forcat e sigurisë të Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe njerëz me shtetësi të dyfishtë, kryesisht për akuza që lidhen me spiunazhin dhe sigurinë. Grupet për të drejtat e njeriut e ka akuzuar Iranin se po përpiqet të nxjerrë koncesione nga shtetet e tjera përmes këtyre arresteve.

    Irani e mohon këtë./REL

  • Ndryshimet në kurrikulën shkollore në Siri nxisin reagime

    Qeveria e re e Sirisë po përballet me reagime pasi bëri të ditur ndryshimet në kurrikulën shkollore, përfshirë futjen e asaj që kritikët thonë se është prirje islamike në mësimdhënie, ka raportuar më 03.01.2025 televizioni amerikan, CNN.

    Ndryshimet, të publikuara në një listë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit në Facebook, përfshijnë ndryshimin e frazave “rruga drejt së mirës” në “rrugën islamike”, dhe “ata që janë mallkuar dhe kanë humbur udhën”, duke iu referuar “hebrenjve dhe të krishterëve” – që është një interpretim ultra-konservator i një ajeti të librit të shenjtë islamik, Kuranit.

    Kuptimi i ri i “martirit”

    Modifikimet kanë ridefinuar edhe shprehjen “martir”, prej kuptimit që kishte për dikë që kishte vdekur për atdheun në fjalë për qikdë që ka sakrifikuar veten “për hir të Zotit”.

    Disa kapituj janë hequr krejtësisht, tregon lista, përfshirë një kapitull për “prejardhjet dhe evolucionin e jetës”.

    Ende nuk është e qartë nëse ndryshimet kanë nisur të zbatohen, por do të zbatohen për të gjithë nxënësit nga gjashtë deri në tetëmbëdhjetë vjeç.

    Përderisa heqje e disa ndryshimeve nga regjimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, ishin mirëpritur për ata që kanë reaguar online, modifikimet e kapitullit fetar shkaktuan zemërim në mediat sociale.

    Ministria e re ka marrë muajin e kaluar detyrën pasi Assadi u rrëzua nga kryengritësit e prirë prej “Hayat Tahrir Al-Sham” (HTS), një grup që doli prej kryengritësve të lidhur me “Al-Qaedan”. Prijësi i saj, Ahmed al-Sharaa, është munduar javëve të fundit të distanconte HTS-në nga “Al-Qaeda”, duke u zotuar se do të ketë një qeveri të etur për tolerancë dhe gjithëpërfshirje.

    Për dhe kundër ndryshimeve

    Para se të rrëzohej, Assadi kishte prirë Partisë Bathe, parti shekullare nacionaliste që kishte qenë në krye të pushtetit në Siri prej grusht shtetit të vitit 1963.

    Disa përdorues të mediave sociale kanë vënë në dyshim se pse një qeveri e përkohshme po bën ndryshime në kurrikulë, derisa të tjerë kanë hedhur poshtë ato që i kanë quajtur përpjekje për të “shlyer” pjesë të historisë së vendit.

    “Qeveria aktuale është qeveri kudjestare që nuk e ka të drejtën për t’i bërë këto ndryshime në kurrikulë”, ka komentuar një përdorues në faqen e Ministrisë së Arsimit në Facebook. “Kurrikula duhet të ndryshohet në pajtim me kushtetutën e re”.

    Të tjerët kanë kritikuar çfarë e kanë parë si prirje islamike në aspektin gjuhësor.

    Pas reagme të ashpra, Ministria e Arsimit është munduar t’i hidhte poshtë ndryshimet, duke theksuar se :kurrikula në të gjitha shkollat në mbarë Sirinë mbetet e pandryshuar derisa komisionet e specializuara të formohen për t’i rishikuar dhe hartuar”.

    Në një deklaratë të lëshuar në emër të ministrit të Arsimit, Nazir Mohammad al-Qadri, thuhet se Ministria “vetëm ka instruktuar heqjen e përmbajtjes që lavdëronte regjimin e rrëzuar të Assadit dhe ka zëvendësuar imazhet e flamurit të regjimit me ato të flamurit të revolucionit sirian në të gjitha tekstet shkollore”.

    “Pasaktësitë” fetare

    Ministria ka bërë të ditur se vetëm është përpjekur të korrektonte disa “pasaktësi” që ishin të përfshira gjatë regjimit të Assadit në kurrikulën arsimore islamike, “si keqinterpretimi i disa ajeteve kuranore”.

    Ministri i ri i Arsimit kishte thënë më parë se kurrikula arsimore e Sirisë nuk do të ndryshojë përtej heqjes së referencave të ish-Partisë sunduese Bathe.

    Në një intervistë për Reutersin muajin e kaluar, Al-Qadri ka thënë se edhe religjioni islamik, edhe ai katolik, do të vazhdojnë të mësohen si lëndë në shkollë, dhe se shkollat fillore do të mbesin të përziera me djem e vajza. Shkollimi i mesëm do të mbetet kryesisht i ndarë, kishte deklaruar për Reutersin, sikur se ishin në kohën e Assadit.

    Kabineti i prirë prej HTS-së mendohet të jetë qeveri e përkohshme derisa vendi t’i mbajë zgjedhjet, lideri de fakto i së cilës, Al-Sharaa, ka thënë se mund të marrë deri në katër vjet për t’u organizuar.

    Mbetet e paqartë sesi qeveri teknike do ta dorëzojë pushtetin pasi më parë kishte thënë se do të qëndronte në detyrë vetëm deri në marsin e vitit 2025.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com