Kategori: Botë

  • Kryediplomatët e Gjermanisë dhe Francës vizitojnë Damaskun

    Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës thanë se duan të krijojnë raporte të reja me Sirinë dhe bënë thirrje për tranzcion paqësor, teksa gjatë vizitës në Damask u takuan me liderin e ri de facto Ahmed al-Sharaa, në emër të Bashkimit Evropian.

    Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock dhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot janë ministrat e parë nga BE-ja që vizitojnë Sirinë, pasi rebelët morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor dhe detyruan presidentin Bashar al-Assad të ikte për në Rusi pas më shumë se 13 vjetësh luftë civile – duke i dhënë fund sundimit dekadësh të familjes së tij.

    “Vizita ime sot… është mesazh i qartë për sirianët: se është i mundur një fillim i ri politik mes Evropës dhe Sirisë, mes Gjermanisë dhe Sirisë.” – tha Baerbock, para se të largohej nga Damasku.

    Barrot tha se shpreson për “për një Siri sovrane, të qëndrueshme dhe paqësore”. Ai në Damask, po ashtu, vizitoi Ambasadën franceze, e cila është e mbyllur që nga viti 2012.

    Që nga rrëzimi nga pushteti i Assadit, rebelët islamistë të udhëhequr nga Sharaa’s Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë kërkuar që të sigurojnë shtetet arabe dhe komunitetin ndërkombëtar se ata do të qeverisin në emër të të gjithë sirianëve.

    Qeveritë perëndimore kanë nisur gradualisht të hapin kanalet e komunikimit me Sharaa dhe HTS dhe po nisin debatin nëse duhet ta largojnë këtë grup nga lista e organizatave terroriste.

    Para vizitës në Siri, Baerbock tha se nga kjo vizitë kishte “pritje të qarta” nga sundimtarët e rinj, të cilët – sipas saj – do të gjykohen për veprimet e tyre.

    Qëllimi për Sirinë është që ky shtet të bëhet sërish një anëtar i respektuar i komunitetit ndërkombëtar – tha kryediplomatja gjermane.

    Ndërkaq, Barrot e cila u takua me patriarkun e Kishës Ortodokse Greke tha se Franca është e përkushtuar për një Siri, ku do të mbroheshin të drejtat e të gjithëve.

    Ai, po ashtu, qëndroi në ndërtesën e mbyllur të Ambasadës në Damask dhe tha se Parisi po punon drejt rivendosjes së pranisë diplomatike./REL.

  • Orbani nuk ftohet në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës polake të BE-së

    Polonia ka vendosur që të mos e ftojë ambasadorin e Hungarisë në ngjarjen që do të mbahet më 3 janar, për nisjen e Presidencës polake të Bashkimit Evropian. Kjo pasi Budapesti i dha azil politik një ish-zëvendësministri i cili po hetohet për dyshimet për “keqpërdorim të fondeve publike” – tha një zyrtare e lartë.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu, nuk është ftuar në ceremoninë, që do të mbahet në Varshavë – tha zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Magdalena Sobkowiak-Czarnecka.

    Varshava ka shprehur zemërim, pasi Hungaria muajin e kaluar i dha azil politik Marcin Romanowskit, ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë, i cili u ndalua në korrikun e vitit të kaluar si pjesë e një hetimi për “keqpërdorim të fondeve publike”.

    Romanowski u lirua shpejt pasi presidenti i Asamblesë evropiane për të drejtat e njeriut tha se ai kishte imunitet, pasi ishte anëtar i këtij trupi. Ish-zëvendësministri i mohon akuzat kundër tij.

    “Kur ne i ftuam mysafirët në galanë tonë para një muaji, ne e ftuam gjithë korpusin diplomatik.” – tha Sobkowiak-Czarnecka, gjatë një deklarimi televiziv të premten.

    “Por, pas situatës me zëvendësministrin Romanowski, ministri [i Punëve të Jashtme, Radek] Sikorski vendosi që ambasadori hungarez nuk do të ishte i mirëpritur në ngjarjen e sotme”.

    Kryeministri polak, Donald Tusk dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa pritet të mbajnë fjalime në ceremoninë e inaugurimit të Presidencës gjashtëmujore të Polonisë në BE.

    Hungaria e ka pasur kryesimin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2024.

    Tusk ka qenë një kritik i Orbanit për qëndrimin e tij lidhur me luftën në Ukrainë, por edhe për politikat që Polonia i konsideron proruse. Orban i ka thënë një medias hungareze se Qeveria e Tuskut i konsideron hungarezët armiq. /REL

  • Ukraina: Rusia kryen sulm vdekjeprurës në Kiev

    Një sulm me dron nga Rusia në kryeqytetin ukrainas, Kiev ka vrarë një person dhe ka plagosur katër të tjerë – thanë zyrtarët lokalë.

    Forcat e Moskës, që kanë nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, kanë përshkallëzuar sulmet ajrore në mbarë Ukrainën, që nga javët e parë të stinës së dimrit, duke kryer sulme edhe në ditën e Vitit të Ri në Kiev – sulme që vranë dy persona.

    “Një person është vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur, gjatë një sulmi ajror të armikut në rajonin e Kievit.” – tha Mykola Kalashnyk, kreu i rajonit të Kievit.

    Ai tha se një shofer kamioni është vrarë pasi është goditur nga copëzat e një droni të rrëzuar rus.

    Copëza të dronit, po ashtu, ranë mbi një shtëpi, duke plagosur tre persona – përfshirë një djalë 16 vjeçar.

    Forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia ka lëshuar 93 dronë gjatë natës. Ushtria tha se ka rrëzuar dronët ose i ka penguar përmes pajisjeve elektronike.

    Autoritetet thanë se copëzat e dronëve ranë në dy qarqe në Kiev, por nuk u raportua për të plagosur./REL