Kategori: Botë

  • FBI: Autori i sulmit terrorist në New Orleans veproi i vetëm

    FBI-ja thotë se beson se autori i sulmit terrorist në New Orleans që shkaktoi vdekjen e 15 personave në ditën e Vitit të Ri, ka vepruar i vetëm.

    Autoritetet e deklaruan një gjë të tillë në një konferencë shtypi duke shtuar se nuk ka më rrezik për banorët e New Orleans. Më herë auroritetet po hetonin nëse autori, Shamsud-Din Jabbar, një shtetas amerikan nga Teksasi dhe ish-rezervist i ushtrisë që kishte shërbyer në Afganistan, kishte pasur bashkëpunëtorë në sulmin, që autoritetet thanë se ishte i paramenduar.

    FBI-ja tha se autori i dyshuar udhëtoi me makinë nga Houston për në New Orleans më 31.12.2024 dhe kishte postuar pesë video në Facebook midis orës 1:29 dhe 3:02 të mëngjesit të ditës së sulmit, ku shprehej se mbështeste ISIS-in, grupin militant islamik me luftëtarë në Irak dhe Siri.

    Në videon e parë, Jabbar shpjegon se ai kishte planifikuar më parë të sulmonte familjarë dhe miq të tij, por se ishte i shqetësuar se mbulimi i medias do të largonte vëmendjen nga “lufta midis besimtarëve dhe jobesimtarëve” – tha në një konferencë shtypi zëvendësdrejtori i FBI-së, Christopher Raia.

    Jabbar tha gjithashtu në video se ai ishte bashkuar me ISIS-in para verës së kaluar .

    “Ky ishte një akt terrorizmi” – tha Raia. “Ishte një veprim i paramenduar dhe një veprim djallëzor”.

    FBI-ja kishte konfirmuar më parë se Jabbar kishte një flamur të grupit ISIS-it në kamionin që përdori për të goditur turmën. Ai vdiq nga një këmbim zjarri me policinë.

    Të mërkurën (01.01.2025) në mbrëmje presidenti Joe Biden shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se i dyshuari kishte bërë disa veprime vetëm disa orë para sulmit që linin të kuptonin ideologjinë e tij. Presidenti Biden tha se organet e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i zbulimit po vazhdojnë të kërkojnë për ndonjë lidhje apo bashkëpunëtor tjetër dhe se hetimi vazhdon të jetë aktiv.

    “Ai postoi video në mediat sociale duke treguar se ishte frymëzuar nga ISIS-i, duke shprehur dëshirën për të vrarë. Flamuri i ISIS-it u gjet në automjetin e tij, të cilin e kishte marrë me qira për të kryer këtë sulm. Në automjet janë gjetur edhe eksplozivë të mundshëm dhe aty pranë janë gjetur eksplozivë të tjerë” – tha ai.

    Hetuesit kishte gjetur armë dhe një mjet shpërthyes të improvizuar brenda automjetit. Po ashtu, në lagjen e njohur ku ndodhi shpërthimi, autoritetet kanë gjetur pajisje të tjera shpërthyese në një shtëpi në të cilën kishte rënë zjarr.

    Për 18 vjeçarin Zion Parsons, ishte hera e parë në Nju Orlins. Ai tha se skena dukej si zonë lufte.

    “Kishte trupa në gjithë rrugën. Të gjithë bërtisnin. Shihje dikë që po përpiqej të shpëtonte dikë tjetër, shikoje njerëz që qanin, pjesë trupash gjithandej. Ishte e dhimbshme të shihja një nga shoqet e mia të ngushta që u godit”, tha ai.

    Zona turistike e New Orleans vazhdon të jetë nën masa të rrepta sigurie.

    Sulmi në New Orleans është shembulli i fundit kur një automjet përdoret si armë për të kryer vrasje masive dhe sulmi më vdekjeprurës i frymëzuar nga ISIS në territorin e Shteteve të Bashkuara prej vitesh.

    Clara Broekart, një eksperte për grupet terroriste i tha Zërit të Amerikës se në vitin 2024 kishte pasur një rritje të ndjeshme në përpjekjet e frymëzuara nga ISIS globalisht, përfshirë në Shtetet e Bashkuara.

    “Ndonjëherë autori i mundshëm thjesht ishte frymëzuar nga ISIS-i, konsumonte propagandë nga Shteti Islamik dhe synonte të kryente një sulm në mbështetje të Shtetit Islamik. Por kemi parë edhe përpjekje kur persona me bazë në SHBA ishin në kontakt me rekrutuesit e ISIS-it në internet” – thotë ajo.

    FBI-ja thotë gjithashtu se nuk kishte lidhje mes sulmit në New Orleans dhe një shpërthimi në Las Vegas para hotelit Trump, ku personi brenda makinës gjeti vdekjen./VoA

  • Kritika ndaj Arabisë Saudite për rritjen e numrit të dënimeve me vdekje

    Dy grupe për të drejta të njeriut e kanë kritikuar Arabinë Saudite për rritjen e numrit të dënimeve me vdekje, duke thënë se ky shtet ka kryer numrin më të madh të ekzekutimeve në vitin që lamë pas.

    Organizata Evropiane Saudite për të Drejta të Njeriut, e cila monitoron ekzekutimet në Arabinë Saudite, dhe organizata tjetër, Reprive, kanë thënë se shifrat janë në kundërshtim me tentimet e shtetit për të prezantuar veten si një vend më i hapur dhe tolerant.

    Arabia Saudite nën udhëheqësin de facto, princin e kurorës, Mohammed bin Salman, është duke shpenzuar para të mëdha në infrastrukturën për turistë, teksa tenton të diversifikojë ekonominë që i varet nga nafta.

    Sipas dy organizatave, Arabia Saudite ka dhënë urdhër për 345 ekzekutime më 2024.

    Sipas tyre, shifra vjetore e ekzekutimeve pothuajse është dyfishuar në krahasim me atë të vitit paraprak.

    “Këto vrasje shpërfaqin realitetin e Arabisë Saudite të Mohammed bin Salmanit”, ka thënë Jeed Basyouni, udhëheqës i organizatës Reprieve.

    “Sa ekzekutime konsiderohen tepër derisa të organizohet kampionati Kupa e Botës në Arabinë Saudite, më 2034? Sipas shifrës aktuale, duhet të shkojë në 3.000”, ka thënë ai.

    Arabia Saudite është një prej vendeve që urdhëron më së shumti dënime me vdekje.

    Vetëm Kina dhe Irani kanë ekzekutuar më shumë njerëz më 2023, sipas organizatës ndërkombëtare Amnesty International.

    Autoritetet saudite deklarojnë se dënimet me vdekje janë të domosdoshme për të mbajtur rendin publik dhe se ky dënim shfrytëzohet vetëm kur të jenë shterur të gjitha mundësitë tjera./REL

  • Suedia: Plani i BE-së për migrantët mund të finalizohet në mars

    Bashkimi Evropian mund të finalizojë në mars propozimin për krijimin e të ashtuquajturave “qendra kthimi” për migrantët e paligjshëm, ka thënë të enjten kryeministri suedez, Ulf Kristersson.

    Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi në Vjenë me kancelarin austriak Karl Nehammer, gjithashtu konservator, prandaj dy burrat kanë bërë thirrje që Bashkimi Evropian t’i rrisë përpjekjet për të luftuar migrimin e paligjshëm.

    Rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë në Evropë, ka rezultuar me çuarje përpara të migrimit nëpër agjenda politike.

    Liderët e BE-së kanë thënë në tetor se janë duke analizuar një skemë, sipas së cilës, migrantët që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në bllokun evropian, të dërgohen nëpër disa qendra që konsiderohen të sigurta jashtë territorit të BE-së.

    Kristersson ka thënë se e ka diskutuar skemën me Komisionarin e BE-së për Migrim, Magnus Brunner, i cili e ka siguruar që propozimi do të finalizohet në këtë pranverë.

    “Ekziston një lloj momentumi tani”, ka thënë Kristersson.

    Nehammer e ka përgëzuar Kristerssonin që po e mban çështjen e migrimit lart në agjendën e BE-së, dhe që aktualisht janë 18 shtete brenda Zonës për lëvizje të lirë, Schengen, përfshirë Zvicrën dhe Norvegjinë, që kanë interes të përbashkët në luftimin e valës së migrimit.

    Kancelari austriak ka thënë se qeveritë që kanë shprehur shqetësim kanë arritur “të ndryshojnë plotësisht” diskutimin rreth migrimit, në mënyrë që shtetet pa kufij të jashtëm të BE-së, sikurse Austria, të jenë më të përfshira në diskutimet për këtë temë.

    “Vetëm kur e kuptojmë që problemi duhet zgjidhur bashkë, atëherë e kemi mundësinë që të shënojmë përparim”, ka thënë ai./REL