Kategori: Botë

  • Presidenti Biden nderon 20 amerikanë me Medaljen Presidenciale të Qytetarisë

    Presidenti amerikan Joe Biden do t’u japë 20 amerikanëve nderimin e dytë më të lartë civil të vendit në një ceremoni që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

    Në këtë grup përfshihen ligjvënësi Bennie Thompson dhe ish-ligjvënësja republikane Elizabeth Cheney, të cilët drejtuan hetimet e Kongresit për sulmin e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitol. Sulmi i 6 janarit u bë nga një turmë e mbështetësve të zotit Donald Trump në përpjekje për të mos lejuar certifikimin e fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

    Presidenti i zgjedhur Trump, që fitoi zgjedhjet e vitit 2024 për një mandat të ri që fillon më 20 janar, ka thënë se zoti Thompson dhe zonja Cheney duhet të burgosen.

    Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për të nderuarit e së enjtes thekson se republikania Cheney, “ngriti zërin e saj dhe u bë bashkë me palën kundërshtare në politikë për të mbrojtur vendin tonë dhe idealet mbi të cilat ne qëndrojmë: Lirinë. Dinjitetin dhe Integritetin”.

    E krijuar në vitin 1969, Medalja Presidenciale e Qytetarisë nderon shtetasit amerikanë“që kanë kryer vepra shembullore për vendin e tyre ose bashkëqytetarët e tyre”.

    “Presidenti Biden beson se këta amerikanë kanë të përbashkët integritetin dhe përkushtimin e tyre për t’u shërbyer të tjerëve. Vendi ynë është më i mirë për shkak të përkushtimit dhe sakrificës së tyre”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Në mesin e atyre që do të nderohen janë edhe Mary Bonauto dhe Evan Wolfson, të cilët u angazhuan për legalizimin e së drejtës për martesë mes personave të së njëjtës gjini në Shtetet e Bashkuara.

    Frank Butler është një tjetër fitues i medaljes për përpjekjet e tij për të përmirësuar teknikat e ndihmës së shpejtë për ushtarët e plagosur në fushën e betejës.

    Mitsuye Endo Tsutsumi do të nderohet për padinë e saj të suksesshme ligjore kundër burgosjes së japonezëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Presidenti Biden do të nderojë edhe zonjën Eleanor Smeal për punën e saj në udhëheqjen e protestave për të drejtat e grave dhe për paga të barabarta për gratë.

    Medalje do t’u jepen edhe ish ligjvënëses Carolyn McCarthy, si dhe një grupi ish-senatorësh: Bill Bradley, Chris Dodd, Nancy Kassebaum dhe Ted Kaufman.

    Në mesin e të nderuarve përfshihen edhe Diane Carlson Evans, themeluese e Fondacionit të Përkujtimit të Grave të Vietnamit, korrespondentin nga zonat e luftës Joseph Galloway, avokatin e të drejtave civile Louis Redding dhe fotografin Bobby Sager.

    Në këtë grup janë edhe gjykatësi Collins Seitz, themeluesi i Universitetit Fulbright të Vietnamit, Thomas Vallely, aktivisti i studimeve mbi kancerin e gjirit, Frances Visco dhe themeluesja e Fakulteti të Artit dhe Dizajnit në Savannah, Paula Wallace.
    Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’/VOA

  • Apple ofron zbritje për iPhone në Kinë pas intensifikimit të konkurrencës

    Gjiganti amerikan Apple është duke ofruar zbritje të rralla, deri në 68 dollarë, në modelet e reja të telefonave të mençur iPhone në Kinë, teksa tenton të ruajë tregun, pas rritjes së konkurrencës prej rivalëve të brendshëm, sikuse Huawei.

    Promocioni katërditor, në periudhën 4-7 janar aplikohet në disa prej modeleve të iPhoneve, varësisht prej mënyrës së pagesës.

    Këto zbritje vijnë edhe në kohën kur ekonomia kineze është në ngadalësim e sipër, dhe teksa blerjet e konsumatorëve kanë rënë në nivelin më të ulët në pesë muajt e fundit.

    Këtë e ka përjetuar edhe Apple, pasi ka raportuar rënie të shitjeve në Kinë, tregun më të madh në botë për telefona të mençur.

    Gjiganti kinez, Huawei është rritur shpejt dhe është bërë konkurrent i konsiderueshëm prej gushtit të vitit 2023, kur është fokusuar në krijim të çipave.

    Huawei ka ndikuar në ulje të çmimeve të shumë pajisjeve teknologjike.

    Perëndimi ka secilën herë e më shumë shqetësim për mënyrën e funksionimit të kësaj kompanie, pasi ka dyshime se të dhënat e klientëve i ndan me Qeverinë kineze./REL

  • Shumica e makinave të shitura në Norvegji më 2024 ishin elektrike

    Nëntë prej 10 makinave të reja që janë shitur vitin e kaluar në Norvegji kanë qenë krejtësisht elektrike, kanë treguar të dhënat e fundit të regjistrimit në këtë shtet.

    Kështu, Norvegjia është afër arritjes së synimit që të shtojë nëpër rrugë vetëm makina elektrike më 2025.

    Makinat krejtësisht elektrike përbëjnë 88.9 për qind të makinave të reja të shitura më 2024, rritje prej 82.4 për qind, në krahasim me vitin 2023, ka thënë Federata Norvegjeze e Rrugëve.

    Sipas të dhënave, markat si Tesla, Volswagen dhe Toyota kanë shitur më së shumti makina elektrike ne këtë shtet.

    “Norvegjia do të shteti i parë në botë që do të zhdukë makinat me naftë dhe benzinë nga tregu i ri i makinave”, ka thënë Christina Bu, shefe e Asociacionit Norvegjez EV.

    Norvegjia është shtet që prodhon naftë, por i penalizon makinat me naftë dhe benzinë, me taksa të larta, ndërsa për makinat elektrike heq taksat e importit për t’i bërë më atraktive.

    Kjo politikë ka funksionuar sepse ka qenë e vazhdueshme, kanë thënë ekspertët.

    Plus shtesë për këtë vend është që nuk prodhon vetë makina.

    “Për këtë arsye, që nuk prodhojmë makina, vendosjen e taksave e kemi shumë më të thjeshtë”, ka thënë Ulf Tore Hekneby, udhëheqës i kompanisë më të madhe importuese të makinave në Norvegji, Harald A. Moeller.

    Bashkimi Evropian ka vendosur të ndalojë shitjen e makinave që lëshojnë dyoksid të karbonit deri më 2035./REL