Kategori: Arsim

  • Policia jep detaje për rastin e sulmit të nxënësve nga qeni në Shkollën në Shirokë të Suharekës

    Policia në Suharekë e ka asgjësuar qenin, që hyri në Shkollën Fillore e të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë, më 22.01.2025 dhe i sulmoi katër nxënës.

    Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, në Raportin e saj 24-orësh. Sipas njoftimit, Policia e asgjësoi qenin duke përdorur armën zyrtare në drejtim të tij.

    Sipas Policisë, dyshohet se pranari i qenit, i cili u arrestua menjëherë pas rastit, e ka lënë pa përkujdesje qenin.

    “Zyrtarët policorë janë ballafaquar me rrezikun nga qeni, i cili u është vërsulur edhe zyrtarëve policorë. Me qëllim të eliminimit të rrezikut, një zyrtar policor ka përdorur pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të qenit – duke e asgjësuar qenin.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.01.2025.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 09:40 dhe dyshohet se qeni ka qenë i tërbuar. Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi se dy prej nxënësve të sulmuar u dërguan në Spitalin Rajonal të Prizrenit, kurse dy të tjerë janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.

    Drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi i ka thënë KALLXO.com se nxënësit të cilët u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.

    Shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti ka thënë se dy nxënësit e Shkollës Fillore “17 Shkurti”, të cilët i kanë pranuar kanë pasur disa plagë në trup.

    “Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë Veçgishti, më 22.01.2025.

    Gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së Shkollës “17 Shkurti”, për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në shkollë – sipas Bytyqit.

    “Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjekë ai qeni, deri në oborr të Shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi, më 22.01.2025.

    Kurse, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani ka thënë se e ka vizituar Shkollën “17 Shkurti”, nxënësit që janë sulmuar, si dhe familjen e nxënëses më të sulmuar nga qeni.

    Rasti është iniciuar, si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prizren në lidhje me të arrestuarin dhe është në pritje të përgjigjeve.

  • Katër nxënës në Suharekë u sulmuan nga qeni, njëra vazhdon të trajtohet në Spitalin e Prizrenit

    Dy prej nxënësve që u sulmuan nga qeni, i cili hyri në oborrin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë të Suharekës, janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, kurse dy të tjerë janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.

    Kështu ka treguar drejtoresha e shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi. Sipas Bytyqit, nxënësit që u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.

    “Dy në Prizren janë edhe dy këtu në Suharekë. Ma mirë janë, e kanë tejkalu. Një rast është ma i randë.” – ka thënë Bytyqi, më 22.01.2025.

    Shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti ka thënë se dy nxënësit e Shkollës Fillore “17 Shkurti”, që i kanë pranuar kanë pasur disa plagë në trup.

    “Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë Veçgishti.

    Gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së shkollës “17 Shkurti” për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në shkollë – sipas Bytyqit.

    “Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjek ai qeni, deri në oborr të shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi.

    Pasi kanë njoftuar Policinë, Bytyqi tha se ka ardhur edhe Ndihma e Shpejtë, kurse nxënësit janë shqetësuar shumë dhe u është dashur ta ndërprejnë mësimin për të gjithë.

    “Po, po e kemi ndërpre (mësimin). I kemi liru fëmijët, se nuk ke atmosferë e mësimit.” – tha Bytyqi.

    Bytyqi tha se prindërit e nxënësve që janë sulmuar nga qeni janë shqetësuar shumë dhe e kanë fajësuar stafin e shkollës për rastin që ka ndodhur. Ajo e ka pohuar se shkolla “17 Shkurti” ka psikolog shkollor dhe e ka trajtuar rastin.

    Bytyqi ka shtuar se nuk kanë pasur ndonjë rast tjetër në të kaluarën, kurse për atë që ka ndodhur të mërkurën, më 22.01.2025, e ka vlerësuar si rast “të tmerrshëm”. 

    Sipas Bytyqit, po mendojnë që të marrin vendim që nxënësit të qëndrojnë vetëm brenda oborrit të shkollës, gjatë pushimit të gjatë e të mos dalin jashtë hapësirës së shkollës.

    “Vetëm brenda oborrit. Me marr ushqimin me vete ose me porosit na, me ua marrë dikush. Nesër ma gjerësisht bisedojmë. Edhe këtë vendim do ta marrim.” – ka shtuar Bytyqi.

    Kurse, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani ka thënë se e ka vizituar Shkollën “17 Shkurti”, nxënësit që janë sulmuar, si dhe familjen e nxënëses më të sulmuar nga qeni. 

    “Kryetari (Bali Muharremaj) ka shku në Prizren, në Spital me taku atë fëmijën, që është (atje)… Dy (nxënës) i vizitova në QKMF në Suharekë, veç për shqetësim. Nuk i ka prekë, bisedova me ta, shkuan në shtëpi. Dy kanë shku në Prizren. Njëri është prej shqetësimit më shumë, ndërsa një vajzë, ajo është e lënduar në kokë.” – ka thënë Bajselmani.

    KALLXO.com raportoi se disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.

    Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar të mërkurën, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.

    “Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë, ku kanë arritur në shkollë. Kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

    Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja, si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti është arrestuar.

    Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    https://kallxo.com/lajm/detaje-nga-policia-pervec-nxenesve-qeni-sulmoi-edhe-disa-police-arrestohet-pronari/

  • Me 10 ditë të humbura e mungesë të karrigeve fillon Gjysmëvjetori i dytë në dy Shkollat e mesme në Ferizaj

    Pasi u bën dy javë që ka filluar Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit në Kosovë, për ata të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj ka filluar të mërkurën, më 22.01.2025. 

    Drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj, Hajrije Nebihu e ka konfirmuar fillimin e Gjysmëvjetorit të dytë në objektin e ri, që është ndërtuar për këtë Gjimnaz dhe për Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.

    Nxënësit e të dy Shkollave të mesme në Ferizaj nuk e filluan Gjysmëvjetorin e dytë, më 08.01.2025, pasi u dolën disa probleme me objektin e ri të ndërtuar për to.

    Dy ditë më parë, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani njoftoi për KALLXO.com se është shtyrë fillimi i Gjysmëvjetorit të dytë deri më 22.01.2025, për nxënësit e dy Shkollave të mesme, për shkak se nuk ishte ngrohur në tërësi ambienti i objektit të ri të këtyre Shkollave.

    Në mesin e problemeve që kishte përmendur Llabjani se pse nuk kishte filluar me kohë Gjysmëvjetori i dytë ishte edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy Shkollat e mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.

    Furnizimi me banka shkollore i objektit të ri u bë në muajin tetor të vitit 2024 – sipas Ministrisë së Arsimit, në një përgjigje të tyre të datës 15.01.2025, por furnizimin me karrige kanë thënë se do ta bëjnë deri në fund të muajit janar 2025.

    E, drejtoresha Nebihu tha se kanë mungesë të karrigeve në objektin e ri të ndërtuar për Gjimnazin “Shaban Hashani” dhe Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, edhe pse i kanë bartur karriget e vjetra të objektit të ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi”, në të cilin kishin mësuar më parë nxënësit e dy Shkollave.

    Nebihu e ka pohuar se është ngrohur ambienti në objektin e ri.

    “Bankat i kemi të reja, karrige kemi mungesë, d.m.th se kemi pasë edhe atje mungesë të vjetrave. Si dhe, nëpër shkollat e tjera kapak kemi marrë të vjetra. I kemi kompletu.” – tha Nebihu, më 22.01.2025.

    Sa i përket zëvendësimit të orëve mësimore të humbura, Nebihu tha se nuk e kanë diskutuar ende me Drejtorinë e Arsimit se si t’i zëvendësojnë. 

    Sipas Nebihut, bashkë me Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” e kanë ndarë objektin e ri nga kati i parë tek i treti. Edhe për nxënësit e Shkollës së Mjekësisë, Nebihu tha se e kanë filluar Gjysmëvjetorin, më 22.01.2025.

    Nebihu ka thënë se rreth 1,900 nxënës janë gjithsej në objektin e ri – duke llogaritur 1,100 nxënës të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe 800 nxënës të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika”. 

    Për mungesën e karrigeve, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani përmes telefonit tha se Ministria e Arsimit u ka thënë se brenda kësaj jave pritet të furnizohet me karrige objekti i ri.

    “Ka mungesë pak të karrigeve të klasës në një shkollë: asaj të Gjimnazit. Kemi arritë pak m’i furnizu me disa karrige, që kemi mund m’i gjetë nëpër shkolla, po jo mjaftueshëm. E, pastaj ju bjen pakëz me lëviz (me karrige), po sido që të jetë me mundësitë tona, ato që i kemi pasë, ne si DKA (Drejtori Komunale e Arsimit), i kemi ofru.” – ka thënë Llabjani, më 22.01.2025.

    Llabjani tha se nëse Ministria e Arsimit nuk i sjell karriget këtë javë, të hënën, më 27.01.2025, do t’i njoftojë se kanë filluar procesin mësimor dhe se kanë mungesë të karrigeve.

    Kurse, për zëvendësimin e orëve mësimore, Llabjani tha se nuk është që ka arritur të bisedojë me Drejtoritë e të dy Shkollave të mesme, por e ka analizuar propozimin që do t’ua rekomandojë atyre.

    Llabjani planifikon që zëvendësimi i orëve mësimore nga nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” të ndodhë ndonjë ditë të shtunë apo në pushimin pranveror.

    “Besoj që nuk ka alternativa shumë. Pos kësaj, që e kam mendu unë me bë. Alternativa mundet me qenë pushimi pranveror, pak ma, si me thënë më specifik… Sido që të jetë, ditët do të kompensohen, nëse jo edhe gjatë pushimit pranveror, atëherë në fund të përfundimit të vitit shkollor.” – ka shtuar Llabjani.

    KALLXO.com është duke raportuar nga data 13.01.2025, për mosfillimin me kohë të Gjysmëvjetorit të dytë nga nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe ata të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

    Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari kishte thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige, që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.

    Për cilësinë e karrigeve ka folur edhe Llabjani – duke thënë se Ministria e Arsimit i kishte vonuar karriget, pasi nuk ishin ndarë të kënaqur me cilësinë e tyre.

    E, Ministria tha se afati i Kontratës ekzistuese ka qenë deri në fund të muajit tetor dhe për shkak të importit të artikujve – karrigeve, Kompania furnizuese nuk ka arritur të kryejë furnizimet brenda afatit ligjor të Kontratës.

    “Objekti i ri i Shkollës do të vazhdojë të furnizohet me karrige me Kontratën e re të lidhur nga AQP – furnizuesi i së cilës është në proces të sigurimit të artikujve për furnizim dhe pritet që deri në fund të muajit janar të kryhen furnizimet.” – ka thënë Ministria e Arsimit në përgjigjet e saj, më 15.01.2025.

    Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, prindi Jashari ka thënë se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e lëre më të zhvillohet mësim aty.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa e tualetet në gjendje jo të mirë.