Kategori: Gjatë

  • Dyfishim pagash, digjitalizim dhe zgjerim të Listës së barnave esenciale: Plani i AAK-së për Shëndetësinë

    Tre kandidatë për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me profesion mjekë,  zotohen se nëse partia e tyre e merr drejtimin e Qeverisë, do të realizohet Shërbimi Paliativ 24 orë, do të zvogëlohet lista e pritjes së pacientëve, do të themelohet një platformë online për të diagnostifikuarit me sëmundje kronike, do të ketë rritje të pagave, si dhe do të bëhet ndryshimi i organogrameve të shërbimit parësor.

    Zarife Asllani, kandidate për Deputete, duke ndarë përvojën personale si e diagnostifikuar me kancer të gjirit qe nëntë vjet, mëton që nëse AAK me partnerët e koalicionit i fitojnë Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të mundohet ta funksionalizojë platformën online për personat me sëmundje kronike. Përveç kësaj, ajo synon krijimin e një databaze në të cilën regjistrohen pacientët onkologjikë.

    Ballafaqimi me sëmundjen, ajo thotë se e ka bërë që të kandidojë për Deputete, në mënyrë që problemet në Shëndetësi të zgjidhen njëherë e përgjithmonë.

    “Ne hala jemi popull që e përdorim letrën. Nëse unë shkoj në Onkologji dhe nuk e kam një dokument të fundit dhe tre muaj vonesë në pagesë. [Kështu] nuk mundet askush me më identifiku që jam pacient onkologjik.” – tha ajo në “Debat Përnime”, më 20.01.2025.

    Misioni i kësaj Kandidateje e cila garon për herë të parë për Deputete është që ta krijojnë një platformë online, të cilën sipas saj duhet ta posedojnë pacientët me sëmundje kronike e në të cilën do të kenë qasje Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Spitalet regjionale. Në këtë mënyrë, ajo beson se do të krijohet një mundësi për përcjelljen e gjendjes së pacientëve dhe çështje të tjera.

    Kandidatja e AAK-së, Zarife Asllani. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Ka me qenë një pjesëtar i familjes i trajnuar që ta përdorë platformën, që unë mendoj se do të realizohet. Njëkohësisht çdo ndryshim i detajuar i pacientit do të bëhet në formë të komenteve. Mandej edhe terminet (të bëhen aty) dhe Spitalet e qyteteve të mëdha dhe Onkologjia të kenë qasje 24 orë në të.” – tha ajo, pa ndarë më shumë hollësi se si do të funksionojë kjo platformë.

    Përveç platformës, ajo tha se synon që ta shtyjë si kauzë institucionale që onkologjikët të posedojnë kartelat dhe të krijohet një databazë, ku ruhen të dhënat e tyre.

    “Në rastin e fundit, me Organizata të Francës dhe të Gjermanisë, ku i kam poseduar disa paruke, proteza dhe disa barna, i kam dhënë në grupe të caktuara – në grupe privat në Messenger.” – tha ajo.

    Cilat janë zgjidhjet për sistemin shëndetësor?

    Shemsedin Dreshaj, Arbër Tolaj dhe Zarife Asllani, kandidatë të AAK-së për deputetë shpalosën Programin e tyre qeverisës, me ato që ata i quajnë zgjidhje për sistemin shëndetësor.

    Për Zgjedhjet parlamentare, AAK-ja do të kandidojë në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal.

    Arbër Tolaj, me profesion ortoped, premtoi se nëse vijnë në krye të Qeverisë, si parti politike do të ofrojmë shërbime paliative 24-orëshe në çdo Komunë.

    “Këto shërbime do të ofrohen për pacientët që kanë sëmundje të rënda, sëmundje kronike, të lidhur për shtrati dhe që kanë nevojë për transport.” – tha ai shkurt.

    Një premtim tjetër që dha Tolaj është ndryshimi i organogrameve për mjekësinë primare.

    Sipas tij, aktualisht organogramet nuk janë të unifikuara dhe për pasojë ka mjekë dhe specialistë, të cilët punojnë në numër joproporcionalë me nevojat.

    “Meqenëse Komunat buxhetin e marrin prej Ministrisë së Shëndetësisë, ato i bëjnë projektet dhe propozimet. Mendojmë që organogrami mund të ndryshojë [gjendjen] në aspektin pozitiv.” – tha ai.

    Se a kanë bërë vlerësime, nëse një gjë e tillë shkakton largimin e mjekëve nga puna, Tolaj tha se asnjëherë nuk është intenca që të largohen nga puna profesionistët shëndetësorë.

    “Veç në vitin 2024 janë 105 mjekë që e kanë lëshuar detyrimisht Kosovën. I kemi 580 mjekë të cilët janë të papunë. Ne po pretendojmë që ta kthejmë trurin nga jashtë.” – tha ai duke e ndërlidhur me temën.

    Kandidati i AAK-së, Arbër Tolaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Tolaj pretendon se në Spitalin e Pejës ka Reparte që janë duke u mbyllur, andaj sipas tij duhet  të ekzistojnë strategjia afatmesme se si të bëhet riorganizimi i tyre.

    Kurse, në mjekësinë sekondare, ai tha se do të bëjnë decentralizimin e Klinikave në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK). Ndërsa në Spitalet regjionale, parashohin që Drejtorët e Spitaleve të bëjnë menaxhimin e mjeteve dhe t’i përcaktojnë cilat janë prioritetet e Spitaleve.

    “Në QKUK kemi plan më të madh, që të bëhet një rivitalizim i infrastrukturës. Po ashtu, edhe me trajnime profesionale të stafit shëndetësor – duke filluar nga stafi i mesëm, mjekët në specializim dhe specializantët e rinj.” – tha ai.

    Se si e ka synim AAK-NISMA të zvogëlojë listat e pritjes nëpër Spitale, Tolaj tha se e kanë një plan konkret – duke e ndërlidhur atë me mungesën e anesteziologëve.

    “Në Klinikën Ortopedike ne veçse kemi Sallat Operative. Një Sallë Operative mund të zvogëlojë listën e pritjes dhe të kryejë diku 500 operacione brenda vitit, në kuptim të endoprotezave të gjurit dhe kërdhokullës.” – tha ai.

    Sipas tij, në qoftë se se si Klinikë e kanë një anesteziolog të përhershëm për një Sallë Operative në baza ditore, një teknik të anestezionit dhe stafi tjetër përcjellës është i Klinikës – si kirurgët dhe mjekët, atëherë do të zvogëlohej numri i pritjeve dhe do të dyfishohej numri i operimeve brenda vitit.

    Tolaj thotë se në këtë mënyrë numri operimeve për endoproteza do të rritej nga 200 në vit në 1 mijë.

    Gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2024 shpërfaqën fotografi të fletoreve dhe shënimeve në të cilat regjistrohen pacientët nëpër lista të pritjeve – disa prej të cilave janë të gjata deri në katër vjet në QKUK. Një prej faktorëve kontribues në rritjen e numrit të pacientëve në lista të pritjes është evidentuar të jetë mungesa e ekspertizës së mjekëve në fusha të caktuara – duke ngarkuar QKUK-në, si Qendër referente.

    Kurse për kaosin me Listën e barnave esenciale, Tolaj ia la ‘fajin’ procedurave të prokurimit, që sipas tij janë të ndërlikuara.

    “Qysh ka mundësi që një procedurë me qenë e njëjtë sikur kur bëhet për një ndërtesë apo kur shtrohet një asfalt – njëjtë me vlejt për furnizim me barna.” – tha ai, duke shtuar se kanë plane që ta zgjerojnë e të rrisin buxhetin për Listën e barnave esenciale deri në funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.

    Sipas tij, çelësi për këtë çështje është ndryshimi i procedurave të prokurimit.

    Kurse, kandidati tjetër, Shemsedin Dreshaj, po ashtu mjek, tha se Aleanca në Agjendën e saj menaxheriale e ka zotim që një bar ose ilaç të jetë 365 ditë në dispozicion.

    Se a do të fusin në Listën esenciale terapinë hormonale për personat e komunitetit LGBTQ+, ai tha se decidivisht se nuk e kanë planifikuar një gjë të tillë “por, nëse është e nevojshme duhet të ofrohen shërbime shëndetësore për të gjitha komunitetet pa dallim”.

    Pacientët e Kosovës nuk kanë qasje në 88 lloje të barnave të Listës Esenciale, të cilat shteti e ka për obligim për t’i siguruar. Mungesa e dokumentit që e garanton cilësinë e barnave e që quhet Autorizim Marketingu ka pamundësuar furnizimin me këto lloje barnash në institucione publike shëndetësore.

    Se a do të shkarkohet Bordi i QKUK-së nëse AAK vjen në pushtet, Dreshaj tha se në Strategjinë e tyre kanë të paraparë që në vendet udhëheqëse të vijnë persona të guximshëm dhe të dëshmuar, e jo t’i lihet vend eksperimentit. Në frymën e kësaj, ai tha se politika duhet t’i mbajë duart larg profesionistëve shëndetësorë.

    Çka për paga dhe Fondin për Sigurime Shëndetësore?

    Fondi për Sigurime Shëndetësore është prej atyre premtimeve që proklamohet si zotim nga cilado parti e cila kandidon në Zgjedhje, megjithatë ende nuk është bërë. Qëllimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore është përmirësimi i gjendjes shëndetësore dhe mbrojtjes së rrezikut financiar të qytetarëve.

    Shemsedin Dreshaj deklaroi se nëse AAK-ja do të qeverisë, hapi i parë është decentralizimi i shërbimeve shëndetësore, ndërsa hapi i dytë është formimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore.

    Megjithatë Dreshaj për këtë të fundit tha se kërkon kohë, kurse kolegu i tij Tolaj tha se do ta bëjnë brenda mandatit.

    Dreshaj tha se Fondi Shëndetësor do tëduhej të shpërndahej në shtatë Komuna rajonale në objektet e veta, e jo në një objekt privat në Prishtinë.

    Kandidati i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Kjo Qeveri [Kurti] ka ardhur me pompozitet, duke proklamuar krijimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Kur kanë ardhë i kanë gjet diku 34 inspektorë të trajnuar për krijimin e Fondit Shëndetësor dhe i kanë bërë 46. Me Strategji, minimumi duhet të jenë 400 të trajtuar. Pra, nuk i kanë krijuar as parakushtet për implementimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.” – tha ai.

    Dreshaj fajësoi Qeverinë aktuale për të gjitha dështimet e këtij sektori.

    Për këtë Fond të shumëpërmendur, kolegu i tij, Tolaj tha se implementimin do ta fillojnë prej familjes.

    “Çdo familje duhet ta posedojë kartelën e saj. Duhet që të dhënat të futen në bazën e të dhënave. Edhe pacienti nëse ka nevojë, edhe pse qëllon i Komunës tjetër, por është në Prishtinë, do ta marrë shërbimin.” – tha ai.

    Më 11.01. 2025, KALLXO.com publikoi një intervistë në të cilën një prind, Islam Dani i cili tregon se si djali i tij 16-vjeçar tash e disa javë po ballafaqohet me sëmundjen e leukemisë akute dhe po trajtohet në Itali, por i duhet ndihmë financiare nga shteti, përkatësisht nga Fondi për Sigurimin Shëndetësor për pjesën tjetër të shpenzimeve.

    Ndërkohë, zotimi i i tretë që shpalosi Dreshaj është dyfishimi i pagës së mjekut dhe të infermierit.

    “Në mënyrë që ata të jenë të përkushtuar e të mos kenë nevojë që prej kujdestarisë të shkojnë edhe në një punë tjetër, diku tjetër.” – tha ai.

    Dreshaj tha po ashtu se sapo të marrin pushtetin, nëse veç ndodhë një gjë e tillë, do ta heqin menjëherë TVSH-së për barna dhe pajisje mjekësore.

    Një ndër hapat e parë që do të ndërmarrin në Shëndetësi, Dreshaj tha se është që të merren me statusin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitare të Kosovës, pasi që sipas tij ekziston një centralizim ekstrem i kompetencave në nivel të Bordit që menaxhon SHSKUK-në.

    Statusin e SHSKUK-së, Dreshaj tha se e kanë në plan që ta rishikojnë.

    Në Programin zgjedhor, Koalicioni AAK-Nisma ka paraparë që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun e vet familjar. Premtim tjetër është sigurimi i buxhetit dyvjeçar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për të gjithë qytetarët.

    Ky koalicion ka planifikuar zbatimin e një “plani të detajuar për revitalizimin e plotë të QKUK-së – duke u nisur nga infrastruktura deri te kuadri profesional”, si dhe një “autonomi të plotë për Spitalet rajonale – duke i bërë ato kompetente për shërbime të profilizuara shëndetësore”.

    Ndër tjera, ky koalicion e ka përfshirë në Programin zgjedhor edhe krijimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), krijimin e një linje të veçantë buxhetore për Spitalet Rajonale dhe Klinika (QKUK), si dhe ndërtimin e një laboratori për analiza specifike për të arritur diagnostifikimin e saktë dhe të shpejtë për sëmundje specifike.

    Përvoja e Aleancës në pushtet

    Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021, AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

    Kjo parti e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017, pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020, pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

    Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

    Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

    AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

     

  • Afat të shkurtuar, kritere diskriminuese në tenderin për ujësjellësin në fshatin Batushë të Graçanicës

    Më datën 03.10.2024 në platformën elektronike për prokurim “E-prokurimi”, Komuna e Graçanicës si autoritet kontraktues inicioi tenderin për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Batushë, faza e parë.

    Rehabilitimi i ujësjellësit në këtë fshat ishte paraparë me Planin e prokurimit për vitin 2024 dhe garancia për disponueshmërinë e fondeve ishte siguruar për vlerën e parashikuar të Kontratës deri 55,000 euro.

    Fondet në vlerë 30,000 euro ishin siguruar nga Komuna e Graçanicës dhe 25,000 euro të tjera nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.

    Mirëpo, më 04.10.2024, Komuna e Graçanicës e anuloi këtë aktivitet të prokurimit.

    Ndonëse në njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti nuk jepen arsye, përveç se ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është e nevojshme për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit.

    Në përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Graçanicës tregon më shumë për arsyet e anulimit të këtij tenderi.

    “Procedura e mëparshme në sistemin e prokurimit elektronik ka qenë vetëm 1 ditë. Në përgjigje të Njësisë Kërkuese të Komunës së Graçanicës dhe Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, të cilët kërkuan që kriteret për aftësi profesionale dhe teknike, si dhe Aneksi 7 të ndryshohen për t’iu përshtatur natyrës së projektit. Zyra e Prokurimit, në përputhje me këto kërkesa, ka rishpallur këtë procedurë tenderimi si Ritender.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

    Komuna shkurton afatin për pranim të tenderëve

    Përpjekjet e Komunës që ky projekt të rezultojë me Kontratë bëri që projekti të ritenderohet. Komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit dhe si kriter për dhënie të Kontratës u vendos çmimi më i ulët.

    Afati për pranimin e tenderëve ishte i përshpejtuar. Sipas thirrjes, data për pranimin e tenderëve ishte 21.10.2024, ndërsa thirrja për Kontratë në “E-prokurimi” u publikua më 14.10.2024 që  rezulton me afat prej 7 ditësh.

    Për dallim nga kërkesat ligjore ku për tenderët me vlerë të mesme të cilit i përket edhe ky tender, afati për dorëzimin e ofertave është 20 ditë, ndërsa i afati i shkurtuar 10 ditë.

    Afati i përshpejtuar për këtë aktivitet të prokurimit u justifikua se u bë për shkak të Memorandumit në mes të Komunës së Graçanicës me Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” dhe vonesat në përgatitje të dokumentacionit.

    “Kjo procedurë është shpallur me procedurë të përshpejtuar, sepse Memorandumi ndërmjet Komunës së Graçanicës dhe Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” është nënshkruar vetëm në fillim të shtatorit. Gjithashtu, projekti ishte i ndarë në faza, kështu që përgatitja e dokumentacionit të projektit për fazën e parë mori kohë dhe u desh të përfundonte sa më shpejt procedura e tenderit për të filluar zbatimin e projektit në vitin 2024.” – thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.

    Për më tepër, sipas Ligjit të LPP-së, secili autoritet kontraktues, në publikimin e aktivitetit të prokurimit publik është i obliguar të lë një periudhë kohore për pranimin e ofertave nga operatorët ekonomikë. Afatet dallojnë në bazë të vlerave të parashikuara të Kontratës.

    Ndërsa, rregullat e posaçme për mundësimin e shkurtimit të afateve kohore parashihen atëherë “nëse kërkojnë zbatimin e një aktiviteti të prokurimit në raste urgjente; (ii) e bëjnë të pamundur respektimin e afateve kohore të përcaktuara në Nenin 44 të këtij Ligji, ose nëse është e aplikueshme edhe në Nenin 45 të këtij Ligji.

    Kritere diskriminuese

    Komuna e Graçanicës kishte vendosur kritere diskriminuese – duke kufizuar kështu konkurrencën.

    Në Dosjen e tenderit, te specifikimet teknike u kërkuan mjetet pune, si: bulldozherë, eskavatorë, kamionë, ngarkues, makina për prerje të asfaltit dhe të betonit të kapaciteteve dhe tonazheve të ndryshme.

    Kundrejt këtyre kritereve të përcaktuara, përkatësisht mjeteve të kërkuara, ky tender pezullohet për shkak të paraqitjes së një Kërkese për rishqyrtim të Vendimit.

    Kërkesa e operatorit ekonomik Intact Sh.P.K ishte që të korrigjohet Aneksi 7 i listës së mjeteve, pasi kishte kërkesa për makineri me kapacitete të mëdha, për dallim nga natyra e punës.

    Kjo Kërkesë u pranua si pjesërisht e bazuar – thotë Komuna e Graçanicës për KALLXO.com.

    “Kemi marrë një Kërkesë për sqarimin e tenderit. E kemi pranuar këtë Kërkesë si pjesërisht të bazuar. Në bazë të kësaj Kërkese kemi përshtatur disa specifikime teknike, kryesisht Aneksin 7 të Dokumentit të Tenderit, kemi shpallur Formularin Standard B54 për korrigjimin e gabimeve në njoftimin e publikuar dhe kemi shtyrë hapjen e tenderit për 10 ditë të tjera.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

    Kallxo.com gjeti se Komuna e Graçanicës kishte hequr makineri të kapaciteteve të mëdha, Kërkesat si: buldozerë me peshë min. 14 ton – max 16 ton; ekskavatorë min 120 kw – max 125 kw; ngarkues min 135kw  – max 140 kw; cilindër jovibrues me peshë min 11 t – max 13 t; Cistern (Autobot) për karburante u konsideruan kërkesa të larta dhe diskriminuese.

    Korrigjimi i gabimeve vuri në pah kriteret diskriminuese dhe jo të nevojshme, të vendosura nga Komuna e Graçanicës.

    Dokumenti për pezullimin e tenderit, vetëm në serbisht

    Përkundër se Komuna e Graçanicës në përgjigjen e saj thotë se dokumentet e tenderit dhe njoftimet e tjera janë përgatitur në gjuhën shqipe dhe serbe. KALLXO.com evidentoi raste, dokumente që ishin vetëm në gjuhën serbe.

    Ndryshe nga Vendimi i cili ishte përgatitur në të dyja gjuhët: shqip dhe serbe, dokumenti për pezullimin e aktivitetit të prokurimit i cili përgatitet kur parashtrohet Kërkesë për rishqyrtim të Vendimit, në platformën elektronike “E-prokurimi” u gjet se ishte i përgatitur vetëm në gjuhën serbe.

    Po ashtu, edhe te Formulari për informata shtesë dhe korrigjimi të gabimeve njoftimi për korrigjim të gabimeve nuk ishte plotësuar si duhet. Te Neni 4 i këtij Formulari, saktësisht te Neni 4.2.3. “Teksti i cili duhet të përmirësohet/shtohet në njoftimin origjinal.” – është i plotësuar vetëm në gjuhën serbe.

    Mungesa e këtij dokumenti apo e ndonjë informate edhe në gjuhën shqipe, mund të përbëjë diskriminm për palët e interesuara dhe publikun të cilët nuk e flasin serbishten.

    Lidhur me përdorimin e gjuhëve më dokumentet e prokurimit evidentohet në Nenin 13 të Ligjit për Prokurim Publik, ku thuhet, po citoj: ”Autoriteti kontraktues do t’i përgatisë të gjitha dosjet e tenderëve, njoftimet, ftesat dhe dokumentet e tjera që janë publikuar ose u janë dhënë operatorëve ekonomik, gjatë ushtrimit të një aktiviteti të prokurimit që shpien drejt dhënies së një Kontrate ose Konkursi të projektimit me vlerë minimale, të vogël dhe të mesme në gjuhën shqipe dhe serbe…”.

    Ligji i jep mundësi, po ashtu, autoritetit kontraktues t’i përgatisë dokumentet në fjalë edhe në gjuhën angleze.

    Për këtë projekt është pranuar vetëm një ofertë për këtë procedurë tenderimi. Sipas Komunës është përgatitur procesverbal për hapjen e tenderit më 28.10.2024 dhe është publikuar në sistemin E-prokurimi, të njëjtën ditë, në orën 13:52, ndonëse ky proces…

    Kontrata në vlerë 39,992.50 euro iu dha operatorit ekonomik NNT ABC SH.P.K.

  • Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen

    Për zhvillimin e sektorit të sigurisë dhe të mbrojtjes, tre kandidatë për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), janë zotuar se nëse partia e tyre do të qeveris me vendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të bëhet digjitalizimi i sistemit të sigurisë, do të ngritet Njësiti i Helikopterëve për emergjenca civile, do të krijohet Garda Kombëtare, si dhe do të bëhen sigurimet shëndetësore dhe jetësore për ushtarakët dhe policët.

    PDK-ja, në programin zgjedhor ka paraparë një platformë të sigurisë kombëtare e cila parashihet të aplikohet në një periudhë afatgjate- 20 vjeçare. Nëse do të marrin besimin e mjaftueshëm të qytetarëve për të qeverisur me vendin, Besa Kabashi- Ramaj, Rashit Qalaj dhe Kujtim Gashi janë zotuar në “DebatPërnime”, më 19.01.2025, se do të bëjnë ndryshime të mëdha në sektorin e sigurisë, duke nisur nga konsolidimi i këtij sektori, në mënyrë që Kosova të shndërrohet në vend stabil e të sigurt, e që siguria mos të trajtohet më si një temë e përditshme.

    Në plan të parë, tre kandidatët vendosën digjitalizimin e sistemit të sigurisë duke integruar kështu jo vetëm institucionet e sigurisë, të mbrojtjes dhe të inteligjencës, por edhe akterët tjerë institucionalë si Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.

    Mes tjerash, pati zotime edhe për rajonin e Prizrenit. Një prej tyre më të rëndësishmëve ishte që në kazermën e KFOR-it në Prizren të ndërtohet një Qendër e Inovacionit për Trajnime dhe Teknologji Informative. Përveç kësaj saj, ata bën të ditur se në programin e PDK-së parashihet edhe ridizajnimi i autostradës Prizren-Tetovë.

    Si të bëhet digjitalizimi i sistemit të sigurisë përderisa FSK-ja nuk ka qasje në veri?

    Për të parë kërcënimet e sigurisë në kohë reale, kandidatja Besa Kabashi – Ramaj, eksperte e sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se do ta bëjnë digjitalizimin e sektorit të sigurisë dhe integrimin e platformave të ndryshme që përdorin institucionet brenda sektorit të Policisë.

    Kur u pyet se si do ta bëjnë digjitalizimin përderisa katër komunat veriore (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi) nuk kontrollohen nga Forca e Sigurisë të Kosovës, Kabashi- Ramaj tha që digjitalizimi nuk do ta bëjnë për katër vite, por se me kalimin e viteve do të shikojnë si do t’ia bëjnë që të integrojnë të dhëna edhe nga ato komuna.

    “T’i shikojmë krejt databazat aktuale që i kemi dhe t’ia fillojmë me pilotu integrimin e databazave të institucioneve ekzistuese. T’i testojmë se si mund t’i mbledhim ato informata dhe si mund t’i shfrytëzojmë për parandalimin e kërcënimeve. Mandej, momentin që funksionalizohen për këto, të mendojmë si t’ia bëjmë aty ku nuk kemi qasje”- tha ajo.

    Në vazhdimësinë e kësaj teme, se si do ta dërgojnë FSK-në në veri, Kabashi-Ramaj tha se nuk ka pjesë të Kosovës ku ligjërisht nuk mundet të dërgohet Ushtria e Kosovës, por sipas saj, PDK-ja zgjedh rrugën që të koordinohet me aleatët.

    “Me aleatët tonë NATO-n dhe SHBA-n në pjesë të ndjeshme të Kosovës do të koordinohemi për ta ruajtur stabilitetin … Kjo nuk do të thotë që nuk jemi sovran, nuk do të thotë që ne nuk kemi të drejtë ta përdorim ushtrinë atje, por se ne koordinohemi me aleatët”- tha ajo.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në dhjetor 2024 është shprehur se me zotimin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, për mosdërgim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit pa lejen e KFOR-it, janë krijuar kufij të brendshëm.

    Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Letër-këmbimi me NATO-n besohet të jetë bërë në përpjekje për ta mbajtur situatën atje nën kontroll. Kuvendi i Kosovës, në vitin 2018, miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri. Ligji për FSK-në, i cili hyri në fuqi në janar të 2019-ës, thotë se kjo forcë mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës.

    Ngritja e Gardës Kombëtare dhe e Njësitit të Helikopterëve për emergjenca civile

    Për të ngritur nivelin e mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, PDK zotohet se do ta zhvillojë Gardën Kombëtare, e cila do të mundësojë kombinimin e forcave aktive, forcave rezervë dhe vullnetarëve që duan t’i shërbejnë vendit në fushën e sigurisë.

    Kabashi-Ramaj beson që Garda Kombëtare e rrit aftësinë e Kosovës që të maksimizojë kapacitetet e saj që të reagojnë më shpejt në raste të katastrofave.

    “Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n, t’i ndërtojmë këto regjimente dhe t’i funksionalizojmë brenda këtij mandati”- tha ajo.

    Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi- Ramaj u zotua se do ta ngritin edhe Njësitin e Helikopterëve.

    Kandidatja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Ngritjen e kapaciteteve ajrore për emergjenca civile, sipas saj, do ta bëjnë me një njësi me gjashtë helikopterë, të cilët do të shfrytëzohen edhe për çështje mbrojtjeje.

    “Sidomos për shpëtimin e jetëve të qytetarëve tonë që me sa kam informacion 150 deri në 170 vdesin brenda vitit për shkak se nuk kemi kapacitet me transportu prej aty ku aksidentohen deri në QKUK (Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës)”- tha ajo.

    Kur u pyet nëse kjo njësi parashihet të pajiset me helikopterët “Black Ops”, të tipit që Qeveria Kurti po i negocion për qëllime ushtarake, ajo tha se kjo është njësi tjetër por e cila sipas planit të tyre duhet të vendoset në FSK për shkak se ka kapacitet më shumë për mirëmbajtje dhe për pilotë.

    Sipas saj, edhe pse e kanë në plan ta vendosin në FSK, do të ndërtojnë një protokoll të veçantë që për raste të incidenteve në emergjenca civile mund të shfrytëzohet për të shpëtuar jetë.

    “Deri të mbërrijmë që buxheti shtetëror të rritet deri në atë nivel që të kemi dy njësi të helikopterëve, ne kemi planifikuar që të kemi një njësi të përbashkët dhe kjo nuk është që nuk ka ndodhur kurrë më përpara në vende partnere”- tha ajo.

    Për helikopterët “Black Ops”, ajo tha se janë idealë pasi kanë mundësi të bëjnë operacione ushtarake dhe civile, veçse janë shumë të kushtueshëm.

    “Vendet e BE-së kanë disa helikopterë standard që përdoren në emergjenca civile, por që munden me shërbyer edhe në operacione ushtarake. Blerjet ushtarake nuk bëhen përmendësh, por na bazë të nevojave”- tha ajo.

    Kabashi-Ramaj u zotua se helikopterët do të blihen brenda mandatit të parë.

    Çka për armatimin?

    Besa Kabashi- Ramaj nuk tregoi se çfarë mendojnë saktë si PDK për Fabrikën e Municionit, për të cilën ka bërë marrëveshje Qeveria Kurti, por tha se si më të duhur e shohin që armatimi të blihet.

    “Nuk guxojmë t’i mashtrojmë qytetarët që vendet mbrohen vetë, sepse ne jemi demokraci dhe jemi rreshtuar kah Perëndimi. Dhe, vendet perëndimore mbrohen përmes aleancave siç është NATO”- tha ajo duke shtuar se “nëse kthejnë besimin në NATO e në SHBA, do të arrijnë të bëhen pjesë e kësaj Aleance”, e më pas edhe standardin e armatimit Kosova do ta ketë si ata.

    Se çfarë modeli kanë në plan për blerje të armatimit, ajo ta shkurt se do të marrin shembullin e aleatëve.

    “Aleatët tanë pikësëpari blejnë armatim, si për shembull “Beretta” është italiane, por në momentin që e përdorë Ushtria Amerikane, Beretten e prodhon vetë në Amerikë. Pra nuk blen armatim vetë. Ne duhet të kemi kujdes se si e trajtojmë sektorin e prodhimit”- tha ajo.

    Ajo tha se synojnë që buxhetin për mbrojtjen ta rrisin më shumë se 2 për qind të GDP-së dhe ta bëjnë minimumi gjysmë miliardi.

    “Kjo nuk është vetëm për ushtrinë, por ne e shohim sigurinë si sektor gjithëpërfshirës, që përfshin edhe dikastere tjera”- tha ajo.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16.12.2024, ka nënshkruar Kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilin, sipas shefit të Qeverisë, po vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes. Ai kishte thënë se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.

    Kurse, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci pati thënë se për hapjen e fabrikës së municionit kanë pranuar një Raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

    Kurse, për armët e Policisë të Kosovës, kandidati Rashit Qalaj i cili vetë ka qenë drejtor i këtij institucioni, tha se ka armë që janë blerë e nuk janë përdorur.

    “Duhet të blesh armë që janë efektive me kualitet të lartë të cilat mund t’i përdorë polici kudo. Ju e dini që ka armë të cilat policia kufitare nuk i përdorë tash e që janë blerë në këtë mandat. Armë të ndryshme nga Kroacia, Turqia të cilat nuk janë adekuate”- tha ai.

    Sipas tij, nuk duhet politika të imponoj blerje të armëve pa bërë analiza dhe pa marrë vendime nga organi kompetent në këtë rast që është Policia e Kosovës.

    Më 12.01.2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pati thënë se të gjitha patrullat policore në vend do të pajisjen me armë të gjata. Ai tha se këto armë do të rritet efikasiteti në luftimin e krimit.

    Njoftimi për blerjen e armëve të gjata për zyrtarët policorë erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërtanke, Javelin, që prodhohen në SHBA, për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Planet për Policinë

    Rashit Qalaj tha se e kanë në plan që të bëjnë një vlerësim strukturës organizative të Policisë për të parë nëse kjo e tanishmja është e duhura.

    “Aktualisht Policia ka 7 departamente dhe ka shumë divizione në kuadër të saj. Kemi një qasje të rritur të administratës, ndërsa nuk vërehen shumë efektet e policëve në terren, e nevojat janë që të ketë shumë policë në terren”- tha Qalaj.

    Sipas tij, ky vlerësim nuk do të bëhet vetëm nga ministri i Brendshëm, por nga të gjithë partnerët, Policia e Kosovës me Drejtorinë strategjike dhe shoqërinë civile.

    Përveç saj, ai tha se Kosova ka nevojë për ekspertë të hetimeve financiare që t’i qasen krimit të niveleve të larta, hetimit të krimit të organizuar, rrjedhjes së parave si dhe financimit të terrorizmit.

    Gjithashtu, Qalaj tha se Kosova ka kapacitete të limituara për hetimin e krimeve kibernetike, jo vetëm në nivel qendror në Prishtinë, por edhe të rajoneve policore që të jenë në gjendje si shtet t’i parandalojmë dhe t’i hetojnë këto.

    Kandidati i PDK-së, Rashit Qalaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Se a kanë në plan Vetting-un në Policinë e Kosovës, ai tha se Policia ka nevojë që të ketë zyrtarë me integritet sa më të lartë, kështu që do të shohin si ta bëjnë këtë proces gjatë përgatitjes të dokumenteve.

    “Qeverisja e Partisë Demokratike do të arrijë që të ketë mekanizma që Policia e Kosovës të arrijë me të vërtetë këtu dhe njëri nga mekanizmat që unë mendoj që është i domosdoshëm, i nevojshëm është çështja e Vetting-ut”- tha ai.

    Një tjetër çështje në lidhje me Policinë që Qalaj e renditi si emergjente është që Ligji mbi Policinë të ndryshohet dhe të plotësohet në mënyrë që aspekti operacional të jetë plotësisht i pavarur nga Ministria e Brendshme.

    “Edhe pse me ligjin aktual shkruhet aty që Policia e Kosovës në aspektin operacional është e pavarur apo që ministri i Brendshëm nuk përzihet në menaxhimin operacional, mirëpo duhet në mënyrë decidive të shkruhet që ministrit të Brendshëm dhe politikës i ndalohet përzierja në aspektin operacional “- tha Qalaj.

    Kurse, në aspektin e sigurimit dhe mirëqenies së policëve, Besa Kabashi-Ramaj tha që brenda mandatit të bëhet sigurimi shëndetësor dhe jetësor për FSK-në dhe Policinë.

    Për strukturën komanduese të Policisë, Qalaj tha se Drejtori i këtij institucioni duhet të udhëheqë më Policinë e Kosovës, por jo të jetë i nënshtruar nga ministri i Brendshëm.

    “Çështja e emërimit dhe shkarkimit e individëve në kuadër të strukturës komanduese është ekskluzivisht e Drejtorit të Policisë. Por, Drejtori duhet të jetë kompetent që t’i thotë edhe ministrit ‘Jo’ kur ministri tenton që të ndërhyj në kompetencat e tij”- tha ai.

    Për shujtat për Policinë, ai tha se është e pamundur që të sigurojnë shujta për të gjithë për shkak të punëve të tyre, por se do ta rregullojnë përmes kompensimit.

    Qalaj tha se këtë do ta bëjnë në gjysmën e parë të mandatit.

    “Shujtën të siguruar e kanë policët e Njësisë Speciale, të cilët e kanë pasë edhe më herët dhe e kanë edhe sot. Ndërsa për policët e patrullës duhet të rregullohet ndryshe që ata të marrin kompensim”- tha ai.

    Se a do t’i kthejnë policët serbë në pozitat e tyre të mëhershme në Policinë e Kosovës në vijnë në pushtet, Qalaj tha se rruga e të dorëhequrve në institucionet kosovare ka mbaruar.

    Sipas tij, ata kanë pasur të gjitha mundësitë e botës që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, sa që kanë pasur edhe afat për t’u rikthyer në institucionin ku kanë punuar.

    “Ata janë larguar me një kërkesë nga një president i një shteti tjetër dhe mendoj që një polic më uniformë kur jep dorëheqje rruga për kthimin e tij në institucionet e Kosovës ka mbaruar”- tha ai.

    Mirëpo, zgjidhje për këtë çështje, Qalaj tha se sheh që të integrojmë pjesëtarë të komunitetit serbë, që nuk kanë të kaluar kriminale.

    Cili është plani i PDK-së për zjarrfikësit?

    Zjarrfikësit në Kosovë i kanë kushtet më së keqi edhe pse kanë rol të madh në siguri.

    Se si do të gjejnë një zgjidhje nëse qeverisin nga 9 shkurti, Rashit Qalaj tha se në vitin e parë të qeverisjes do të përcaktojnë nën ombrellën e kujt janë zjarrfikësit: të Ministrisë të Brendshme apo të komunave.

    “Ku është ombrella e zjarrfikësve tanë? A është Ministria e Brendshme apo komunat. Kjo është çështja kryesore që do të rregullohet që në vitin e parë nën qeverisjen e PDK-së?”- tha ai.

    Qalaj tha se Kosova nuk ka zjarrfikës të trajnuar dhe me pajisje të duhura për shuarjen e zjarreve në ndërtesat 15-16 katëshe që janë ndërtuar gjatë zhvillimit të Kosovës.

    “Mosha e shtyrë- nëse nuk gaboj është 55 vjet. Ata fizikisht nuk janë në gjendje që t’i kryejnë punët ashtu siç duhet”- tha ai.

    Për pensionimin e parakohshëm, Qalaj tha se kjo çështje do të rregullohet në mes Ministrisë së Brendshme dhe komponentëve aktualë të nivelit menaxhues, të ekipeve të zjarrfikësve dhe po ashtu të sindikatave.

    Zjarrfikësit e Kosovës kishin protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të kushteve të tyre të punës më 30.11.2023, sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikës dhe shpëtimit dhe se kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë.

    Ndryshime në strukturën e AKI-së

    Besa Kabashi – Ramaj tha se nëse qeverisin do të bëjnë vlerësimin nëse do të vazhdojë Petrit Ajeti të jetë Kryeshef i Agjencisë të Kosovës për Inteligjencë.

    “Nuk është fare mirë që kur ndodhi p.sh sulmi mbi infrastrukturën kritike, në vend që me parandalu AKI–ja, bashkë me Policinë, shefi i AKI-së ishte atë ditë aty.

    Kabashi- Ramaj tha që ideja e tyre është që të rriten kapacitetet njerëzore, profesionale dhe teknologjike të AKI-së, që ata të kenë mundësi të ndihmojnë në luftën ndaj krimeve kibernetike dhe luftën hibride.

    “Po- do të bëjmë ndryshime në strukturën e AKI-së dhe ato ndryshime do të bëhen në bazë të nevojave të shtetit për t’i ngritur kompetencat e AKI-së dhe personelit “- tha ajo.

    Në vitin 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin emëruar Petrit Ajetin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Planet për rajonin e Prizrenit

    Kandidati për deputet, Kujtim Gashi, i cili ka qenë ministër i Kulturës nën qeverisjen e PDK-së, ka theksuar se PDK në programin e saj ka paraparë ndërtimin e hekurudhës së re për lidhjen e Kosovës me shtetet fqinj përmes Prizrenit.

    Ai tha se autostradën Prizren-Tetovë do ta ridizajnojnë me një fizibilitet të ri.

    “Natyrisht ky është projekt i shtetit të Kosovës që ka filluar si i tillë përkundër defekteve të mëdha. Ne do t’i adresojmë edhe problemet që i kanë banorët e Lagjes së Trimave dhe fshatit Hoçë. Këtë rrugë do ta realizojmë në afat rekord”- tha ai.

    Kandidati i PDK-së, Kujtim Gashi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Gashi tha se një hekurudhë e tillë ndihmon zhvillimin ekonomik, por edhe transportin me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut.

    Projekt të rëndësishëm, Gashi thotë që e kanë autostradën për Duhël e cila kalon nëpër Lipjan, Ferizaj dhe bënë lidhjen me Shkupin. Sipas tij, kjo ndihmon lidhjen e Dukagjinit, të Prizrenit, Therandës dhe Malishevës.

    Për Suharekën, Gashi u zotua se do ta ndërtojnë Unazën e Re.

    Kurse për Dragashin edhe Prevallën, ai tha se kanë paraparë ndërtimin e dy qendrave të skijimit.

    Gashi tha se kanë filluar në komunë fizibilitetin e projektit për t’u furnizuar me ujë nga Vërmica, që të sigurohet uji 24 orë për 50 vitet e ardhshme.

    Përvoja e PDK-së në qeverisje

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

    Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

    PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

    Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.