Kategori: Gjatë

  • Policët në shoqërinë e Noizyt, i cili për disa muaj kërkohej nga Policia e Kosovës

    Jo rrallë herë, ata që janë të thirrur që të trajtojnë raste penale, shihen në shoqëri me persona të cilët kanë të kaluar kriminale dhe janë të përfshirë në vepra penale.

    Muaj më parë, organet e rendit nisën kërkimin për një këngëtar i cili dyshohej se ishte përfshirë në një rrahje, në një diskotekë në Pejë. Rigels Rajku i njohur si Noizy po kërkohej nën dyshimin se ka kryer veprën penale: “lëndim i rëndë trupor”.

    Ai nuk ishte paraqitur para organeve të rendit në Kosovë, ndërsa Policia e Shqipërisë të njëjtin e kishte arrestuar e më pas ishte dorëzuar në Kosovë në Polici të Pejës.

    KALLXO.com ka pranuar disa fotografi të cilat tregojnë se policët që ishin përkujdesur që ta dërgonin Noizyn në seancë gjyqësore, pasi ndaj të njëjtit u kërkua një masë e sigurisë, ditë më vonë u panë në një ambient krejt tjetër: në kafene.

    Policët e NJRSH-së në seancën për masën e sigurisë ndaj këngëtarit Noizy, më 06.11.2024

    Tre policë u panë në shoqërinë e një personi, i cili u ishte shmangur kërkesave për paraqitje në Polici, konsiderohej se ishte në arrati dhe po hetohej për veprimtari kriminale.

    KALLXO.com ka siguruar fotografitë në të cilat shihen tre policë: Arben Daci, Blerim Nikçi dhe Qaush Mataj.

    Të njëjtit janë zyrtarë në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në rajonin e Pejës. Të tre zyrtarët ishin pjesë e ekipit që shoqëruan këngëtarin Noizy në seancën për caktimin e masës së sigurisë – masë kjo e kërkuar nga Prokuroria e Pejës.

    Në seancën e cila u mbajt më 06.11.2024 në Gjykatën e Pejës shihen zyrtarët policorë derisa përcjellin Noizyn drejt Gjykatës, brenda në Gjykatore.

    Vetëm pak ditë më vonë, të njëjtit policë në një fotografi që ka siguruar KALLXO.com shihen derisa janë duke pirë kafe në një kafene, nën shoqërinë e këngëtarit të njëjtë, pra Noizyt dhe në shoqëri të personave të tjerë.

    Policët e NJRSH-së: Arben Daci, Qaush Mataj dhe Blerim Nikçi, në shoqërinë e Noizyt, më 27.11.2024, Foto: Instagram

    KALLXO.com ka kërkuar një sqarim nga ana e Policisë Rajonale në Pejë në lidhje me këtë rast, por nuk ka pranuar një sqarim nga policët, për çka ekipi ka kërkuar reagimin e tyre ndaj kësaj afërsie me një ish të kërkuar, i cili po hetohet për vepër penale.

    Në një përgjigje për ekipin e KALLXO.com, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka thënë vetëm se rasti është duke u trajtuar nga njësitet kompetente.

    KALLXO.com shkoi më tutje, duke telefonuar policët që u panë nën shoqërinë e të dyshuarit për lëndim të rëndë trupor.

    Në një bisedë përmes telefonit, KALLXO.com ka marrë sqarimin e njërit polic që shihet në fotografinë e publikuar në rrjete sociale. Arben Daci tha fillimisht se nuk është kompetent të flasë për këtë çështje, ndërsa konfirmoi për KALLXO.com se është nisur hetimi për rastin.

    Daci pranoi për ekipin e KALLXO.com se bashkë me Blerim Nikçin e Qaush Matajn e kanë ruajtur dhe siguruar praninë e këngëtarit shqiptar në seancën për caktimin e masës së sigurisë.

    “Më datë 06.11.2024 që e kemi ruajtur në Spital dhe është mbajtur seanca ndaj të njëjtit, ndërsa fotografia është shkrepur më 27.11.2024 dhe më 28 nëntor. Pastaj, unë e kam shpërndarë në rrjete sociale. Pra 3 javë, 21 ditë është dallimi nga seanca deri te fotoja.” – shpjegon zyrtari policor Arben Daci.

    Për kërkesën e KALLXO.com në lidhje me afërsinë e policëve me të dyshuarin për rrahjen në diskotekë në Pejë, Daci thotë se pas kërkesës së KALLXO.com kanë dhënë deklaratë edhe në standarde profesionale në Pejë.

    “Për atë rast, përmes asaj kërkese që e keni bërë ju, rasti është duke u trajtu në standarde profesionale pas pyetjeve të juaja që i keni dërgu.” – tha Daci tutje gjatë telefonatës me ekipin e KALLXO.com.

    Ai mohoi se kishte ndonjë afërsi me këngëtarin Noizy, ndërsa arsyeton edhe takimin me të.

    “Kurrë në jetë hiç se kam njoftë. Ishim në një mall në Prishtinë, ishim për të blerë pajisje policore, ishim me shokët, kolegët që dalim edhe pas orarit. Ti e din që gjendja jonë logjistike nuk është e mirë – policore. Kemi shku me i ble disa gjëra policore. Rastësisht e kemi parë një shok të Noizyt në Parking dhe ai na ka njoftë neve. Na ka thënë ‘A mundem me pi një kafe me ju?’. Pastaj, ai e ka thirrë Noizyn dhe nuk kemi qëndru as 10 minuta.” – ka treguar polici Daci.

    “Fotografinë e kam shkrepë, unë e kam postu. Nuk kam pasë kurrë kontakt më herët, vetëm atë ditë që jemi taku rastësisht. Unë kurrë nuk e kisha publiku fotografinë nëse e kisha ditë që e qes keq Policinë apo ajo fotografi do të krijonte ndonjë telashe.” – arsyetohet Daci.

    Tutje, ai thotë se nuk kanë pasur asnjë vërejtje në lidhje me trajtimin e të dyshuarit në ditën e seancës.

    “Përderisa nuk ka vërejtje për punën që e kemi kry, sigurimin në Spital. Pastaj, edhe në seancë, edhe kthimin prapë në Spital dhe deri te Vendimi i Gjykatës për lirimin e tij me kaucion. Nga ana jonë gjithçka ka qenë profesionale dhe prapë nëse ka nevojë prapë kemi me qenë profesional. Aty nuk mundet me pas vërejtje, pse e kemi bërë një fotografi. Unë jam përgjigjur edhe në standarde profesionale për pyetjet të cilat ju i keni drejtuar.” – tha Daci.

    Sipas tij shkak i takimit ishte bërë një shok i këngëtarit që i njihte policët. E njohja ishte në ditën kur ishte mbajtur seanca, pasi shoku i këngëtarit kishte parë policët që po mbikëqyrin dhe sigurojnë Noizyn.

    “Prej orës 08:00 në mëngjes, deri në ora 18:00 në mbrëmje unë e kam ruajtur në Spital Noizyn. E kam sjellë në Gjykatë. E kam kthy prej Gjykatës. Shoku i tij na ka thirrë për kafe. S’kam pasë asnjë kontakt me Noizyn.” – shton, tutje, ai.

    Sipas Dacit, këngëtari ende nuk ka ndonjë vendim të prerë në rastin e tij dhe se kjo sipas tij nuk mund të krijojë ndonjë problem.

    “Unë te kisha ditë apo te kisha mendu që paraqet ndonjë problem, ai person është i dyshuar për rrahje por përderisa nuk ka aktakuzë, nuk ka ndonjë Vendim të prerë nga Gjykata…, unë nuk jam polic fillestar i rastit, nuk jam hetues, as prokuror, as gjyqtar që mundem me ndërhy apo me ndiku në rast. Te kisha ditë që i bëjë dëm vetes apo institucionit nuk e kisha postu me vetëdije të plotë.” – thotë ai.

    Daci thotë se me dy kolegët e tij që u panë, edhe në seancë, edhe në kafene, dalin gjatë gjithë kohës edhe jashtë orarit të punës.

    “Asnjëherë nuk e kemi ditë që do të takohemi me Noizyn. Ka qenë rastësisht gjithçka. A po më kupton, unë po të them që aty sa kam mujt me i kuptu pyetjet që i keni dërgu, keni pyetur ‘nëse mund të ndikojmë në rast!?’. Unë, prapë, po them, unë ato 10 orë sa e kam ruajt kam qenë shumë profesional. Edhe prapë me qenë herën tjetër që është i kërkuar apo diçka unë nuk ndikohem që ai është yll i muzikës. Unë jam profesional.” – përfundon bisedën Daci.

    KALLXO.com ka kontaktuar edhe policin tjetër i cili shihet në fotografi, Qaush Mataj.

    I njëjti tha se tashmë deklarimin e tij e ka dhënë në Standarde Profesionale, brenda Policisë dhe se nuk ka të drejtë të japë informacione më shumë.

    “Nëse keni nevojë për sqarime kërkoni në Zyrën për Media. Unë nuk mund të japë të dhëna për këtë çështje. Deklarimin për këtë që po pyetni e kam dhënë në standarde profesionale. Ata po merren me rastin.” – tha Mataj shkurt përmes telefonit.

    Polici tjetër, Blerim Nikçi nuk i është përgjigjur telefonatave të KALLXO.com për të dhënë versionin e tij për këtë ngjarje.

    KALLXO.com ka raportuar më 05.11.2024, se këngëtari nga Shqipëria, Rigels Rajku i njohur si Noizy është dorëzuar në Stacionin Policor në Pejë, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

    Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    “Është dorëzuar në Stacionin Policor, do të hetohet nga hetuesit policorë dhe më pas do të ndalohet për 48 orë.” – pati thënë Nikçi për KALLXO.com.

    Rigels Rajku i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktari – shtetas i Kosovës ishin të dyshuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” – pas një rrahje që kishte ndodhur në një diskotekë në Pejë.

    Policia e Shqipërisë, më 07.08.2024, kishte arrestuar Noizyn dhe Bajraktarin.

    Në kërkim të Policisë së Kosovës ishte shpallur edhe Arkimed Lushaj, këngëtari nga Shqipëria i njohur si Stresi.

    Më 01.11.2024 Lushaj ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, në objektet e Drejtorisë Rajonale në Pejë.

    Stresi ishte shpallur në kërkim të Policisë më 06.08.2024 si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”.

    Një ditë pas dorëzimit, Stresi ishte liruar nga ndalimi prej 48-orësh, pasi të njëjtit i ishte ofruar mundësia e dorëzanisë me shumën prej 20 mijë euro.

    Pas rrahjes në diskotekë, reperi Noizy kishte reaguar më 06.08.2024 duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.

    “Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero.” – pati thënë Noizy në reagimin e tij.

    Ai, tutje, kishte shtuar se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë, të cilin pretendon që është duke u bërë ndaj tij.

    “Dua të bëjë me dije dhe të garantojë këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe për t’i dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e Drejtësisë në Kosovë.” – pati thënë ai.

    Tutje, ai shtoi se bashkë me Studio të Avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.

    Kujtojmë që Noizy ka qenë i përfshirë edhe më parë në një rast në Kosovë.

    Reperi i njohur shqiptar nga ‘label’-i OTR, Rigels Rajku (Noizy) e ka pranuar fajësinë në akuzën e Prokurorisë për një konflikt të vitit 2016, në qendër të Prishtinës.

    Në deklarimin e tij gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Noizy kishte thënë se ndihet keq për konfliktin në të cilin ai kishte mbetur i plagosur.

    “Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtet fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo, por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri-tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa…” – kishte thënë Rigels Rajku-Noizy para Gjykatës, më 17.09.2018.

    Më 13 shtator të vitit 2016, rreth orës 17:15 në Parkingun para hotelit “Swiss Diamond” kishte ndodhur një përleshje mes dy prej grupeve më të mëdha të reperëve: atë të OTR-së nga Shqipëria dhe BabaStars nga Kosova.

    Si pasojë e kësaj përleshjeje mbetën të lënduar disa persona – përfshirë edhe Rigels Rajkun i njohur për publikun si Noizy. Atij i ishte hequr një plumb gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike.

  • Heshtja e liderëve: Osmani e Kurti s’tregojnë a kanë marrë ftesë për inaugurimin e Trumpit

    Një “Po” ose një “Jo” nuk kanë qenë në gjendje ta thonë për më shumë se dy javë Zyra e Presidencës dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, për të konfirmuar ose për të mohuar ftesën për pjesëmarrje në Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të 47-të amerikan, Donald Trump. Duke zgjedhur heshtjen, këto dy Zyra kanë lënë pikëpyetje nëse dy liderët kryesorë të shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti do të jenë të pranishëm në momentin kur i pari i SHBA-së do të vë dorën mbi Bibël dhe ta japë betimin presidencial.

    Kallxo.com është interesuar të marrë një përgjigje nga Ambasada amerikane në Kosovë, nëse Presidentja dhe Kryeministri kanë marrë ftesë për inaugurimin e Trumpit, por nga kjo Ambasadë kanë sugjeruar që për këtë çështje të kërkohet përgjigje nga Departamenti për Europë në Departamentin Amerikan të Shtetit. As ky Departament nuk është përgjigjur, vetëm ka rekomanduar që të kontaktohet ekipi i Trumpit. Si përfundim, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është marrë përgjigje as nga ky ekip. Kallxo.com ka insistuar të marrë një përgjigje nga vet kryeministri Kurti, pas një vizite që ai i ka bërë Planetariumit në Shtime më 08.01.2025, por ai ka refuzuar të flasë, edhe pse e ka dëgjuar pyetjen që i është i bërë nga gazetari.

    Derisa për liderët e shtetit që konsiderohet më miqësori në raport më SHBA-në nuk dihet nëse kanë pranuar ftesë për të qenë të pranishëm më 20 janar në Uashington, Trump ka zgjedhur që t’i ftojë në Ceremoninë e Inaugurimit të tij jo vetëm aleatët por edhe kundërshtarët.

    Zëdhënësja e republikanit Trump, Karoline Leavitt ka deklaruar në emisionin “Fox and Friends” se ftesa për liderët e botës është “një shembull i Presidentit Trump për të krijuar një dialog të hapur me udhëheqësit e vendeve, që janë jo vetëm aleatët, por edhe kundërshtarët dhe konkurrentët tanë.”

    Gjatë rihapjes së Katedraljes ikonike Notre Dame në Paris, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte takuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. “Ndërsa isha në Paris, ishte një nder të takoja presidentin Donald Trump dhe ta përgëzoja për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova, gjithashtu, angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së, ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë.” – ka shkruar Osmani, në rrjetin social X, më 08.12.2024.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar më 11.11.2024 se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me cilëndo Administratë që vjen në SHBA – pa marrë parasysh a janë demokratët ose republikanët në pushtet.

    I pyetur nëse do të zhvillojë ndonjë telefonatë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, Kurti tha se “ne bashkëpunojmë me SHBA-në në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë”.

    “Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, në një letër urimi që i pati dërguar një pararendësi para nesh, pati vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë e Serbi dhe jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë.” – kishte thënë Kurti.

    Megjithatë, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pati shprehur vitin e kaluar shqetësime me cilësinë e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, veçmas sa i përket mënyrës se si Ekzekutivi po i menaxhonte çështjet që kanë të bëjnë me minoritetin serb. Në një intervistë për REL-in, ai pati theksuar se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së, për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

    Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, në inagurimin e Trumpit janë ftuar edhe presidenti i Kinës Xi Jinping, kryeministri hungarez Viktor Orbán, presidenti argjentinas Javier Milei, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ndërsa, sipas medias SkyNews, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka marrë ftesë. Presidenti në largim, demokrati Biden ka konfirmuar se do të marrë pjesë në inaugurim. Se a do të marrin pjesë të ftuarit e sipërpërmendur ende është e paqartë.

    Ceremonia do të zhvillohet në Uashington DC dhe shënon kalimin paqësor të pushtetit nga Bideni te Trumpi, i cili po kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, pas një shkëputje që e pati për një mandat, ku në krye të SHBA-së qëndroi Biden.

    Parada pritet të nisë nga Kapitoli i SHBA-së në Shtëpinë e Bardhë. Ngjarja do të fillojë afërsisht në orën 15:00 me kohën lokale (rreth orës 21:00 – sipas kohës sonë).

    Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë.

    Republikani Trump 78-vjeçar ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë President.

    Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Donald Trump ka qenë President i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.

  • Pse SHBA-ja, nën Trumpin, duhet të nënshkruajë një marrëveshje sigurie me Kosovën

    Një marrëveshje sigurie ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës do të përbënte fitore të dyfishtë për të dy shtetet  – dhe do t’i shkonte për shtat qasjes transkasionale të Donald Trumpit ndaj politikës së jashtme.

    Shtetet e Bashkuara dhe Kosova duhet të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të sigurisë që të fuqizojnë nivelet aktuale të bashkëpunimit të sigurisë, jo vetëm si simbol miqësie, por si pjesë e një strategjie për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, për të lartësuar shtetësinë e Kosovës dhe avancuar lidershipin amerikan në Ballkanin Perëndimor. Dhe Donald Trumpi është në vendin e duhur për ta jetësuar këtë.

    Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar zotimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës, dhe krejt së fundmi me autorizimin në Kongres të trajnimeve ushtarake, sipas Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare më 2024 dhe me aprovimin e blerjes nga Kosova të 246 raketave anti-tank “Javelin”, në vlerë prej 75 milionë dollarësh, për të fuqizuar deterencën (mbrojtjen parandaluese, shënim i përkthyesit).

    Një marrëveshje dypalëshe sigurie do të ndërtonte një zinxhir furnizimi të sigurisë që do të garantonte qasjen e Kosovës në asetet amerikane, njëherësh duke fuqizuar edhe lidershipin amerikan në rajon. Do ta ndihmonte njashtu rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, aleanca kryesore e sigurisë në botë.

    Zhvillimi i vazhdueshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet konsultimeve të rregullta në nisma shkollimi ushtarak, manovra të përbashkëta, reagime krizash dhe misione ndërkombëtare paqeruajtëse do ta lidhin Kosovën me standardet operacionale të NATO-s.

    Për më tepër, ngritja e mbështetjes amerikane nëpërmjet Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillimor të NATO-s do të ndihmonte Kosovën me trajnime në logjistikë, prokurim dhe lidership. Formalizimi i partneritetit të sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, sipas doracakëve të NATO-s, do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do t’u kundërvihej operacioneve maline të Rusisë në rajon.

    Kosova duhet të marrë gjithashtu trajnime dhe mbështetje në kapacitete kibernetike, sidomos në inteligjencë të kërcënimit kibernetik, mbrojtje të infrastrukturës kritike dhe ndarje teknologjie dhe prokurim.

    Një marrëveshje dypalëshe duhet të qendërsohet në avancimin e shkathtësive të personelit, avancimin e kornizave të qeverisjes, përmirësimin e reagimit ndaj incidenteve dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s. Përderisa Kosova kualifikohet për bashkëpunim dhe trajnim të sigurisë kibernetike sipas Aktit amerikan të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, një marrëveshje dypalëshe zyrtare sigurie do të garantonte mbështetje në planin afatgjatë.

    Megjithatë, Kosova duhet të punojë në përditësimin e Strategjisë së saj të Sigurisë Kibernetike dhe pocizionimin e Agjencisë së saj të Sigurisë Kibernetike për t’iu kundërvënë operacioneve maline dhe agresioneve kibernetike.

    Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike e Kosovës duhet të jetë partnere me institucione akademike për të zhvilluar një radhë profesionistësh të kibernetikës për t’u kyçur në sektorin publik. Kosova duhet të ketë gjithashtu qasje në platformat e ndarjes së informacioneve dhe të zgjerojë bashkëpunimin brenda shkëmbimeve rajonale, si forumi i Bashkëpunimit i Sigurisë në Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit.

    Mundësitë dhe rreziqet

    Një marrëveshje dypalëshe do të bazohej në marrëveshjet ekzistuese ndërmjet SHBA-së dhe partnerëve të tjerë. Në vazhdën e invazionit të Rusisë në Ukrainë, SHBA-ja ka nënshkruar, ndaras, marrëveshje sigurie me aleatët e NATO-s, Finlandën, Danimarkën dhe Suedinë, dhe një marrëveshje tjetër të detyrueshme dhjetëvjeçare me Ukrainën.

    Bazuar në Traktatin e Mbrojtjes së Përbashkët, të vitit 1951 ndërmjet SHBA-së dhe Filipineve, në nëntorin e vitit 2024 SHBA-ja dhe Filipinet nënshkruan Marrëveshjen e Përgjithshme Ushtarake për të zgjeruar ndarjen e informacioneve dhe të dhënave të inteligjencës ushtarake, dhe teknologjive të mbrojtjes si kundërvënie ndaj agresionit të Kinës.

    Marrëveshjet e tilla reflektojnë preferencat amerikane për përfshirje të partnerëve dhe aleatëve mbi baza dypalëshe bashkëpunimi. Një marrëveshje sigurie SHBA-Kosovë do të sinjalizonte zotimin amerikan për bashkëpunim ndërshtetëror me Kosovën, partnere pro-amerikane.

    Por Kosova gjithashtu duhet ta kryejë hisen e saj të punës, duke dyfishuar trupën e saj diplomatike, të aftë për t’i bindur shtetet anëtare të NATO-s dhe pesë vendet e Bashkimit Europian, të cilat nuk ia njohin pavarësinë, që ta ndryshojnë krejtësisht kursin dhe t’ia njohin shtetësinë.

    Përderisa SHBA-ja është e përkushtuar që të lartësojë sovranitetin e Kosovës kundrejt përpjekjeve të vazhdueshme delegjitimuese, një marrëveshje dypalëshe sigurie do të formalizonte atë zotim, duke e bërë Kosovën njëherësh përgjegjëse si ofruese e sigurisë.

    Në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe sigurie, armiqtë do ta bëjnë të veten. Rusia kaherë ka zbatuar një strategji të luftës hibride që kombinonin narrativat kulturore strategjike dhe dezinformimin, gënjeshtrat dhe sulmet kibernetike. Kremlini do të vazhdojë të cenojë sovranitetin e Kosovës, të ashpërsojë tensionet etnike në rajonet me shumicë serbe dhe do të minojë integrimin euroatlantik.

    Gjithashtu, është qenësore që SHBA-së të rifuqizojë partneritetet në rajon, në kohën kur investimet strategjike të Kinës në ekonomi dhe infrastrukturë do të mund të shërbenin, nëse kalojnë pa rënë në sy, si alternativë edhe për Shtetet e Bashkuara, edhe për Bashkimin Europian. Kompleksitetet e përfshira në njohjen e Kosovës, të ndërthurura me kontestet gjeopolitike, nënkuptojnë se tashmë është vonuar hapja e një shtegu të ri.

    Përfshirja e drejtpërdrejtë me administratën e Trumpit

    Zgjedhja e Donald Trumpit më 2024 do ta ndërrojë diskursin e politikës së jashtme amerikane që të reflektojë prirjet e tij që për të bërë marrëveshje dypalëshe në vend të marrëveshjeve shumëpalëshe. Por sfidat që janë paraqitur prej boshtit në ngritje ndërmjet Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë Veriore nënkuptojnë se SHBA-së do t’i duhen aleatët në rajonet e kontestuara gjeopolitikisht, si Ballkani Perëndimor.

    Nëse merret për doracak administrata e parë e Trumpit, atëherë ne mund të presim se e dyta e tija do të ndjekë një politikë të jashtme ndërvepruese. Një marrëveshje dypalëshe ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës i shkon fiks për shtat asaj qasjeje.

    Përpjekjet e administratës së parë të Trumpit për të lehtësuar normalizimin ekonomik me Marrëveshjen e Uashingtonit më 2020 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sinjalizoi lidershipin amerikan dhe rrugën përpara.

    Marrëveshja përfshiu 16 pika të fushës ekonomike, solli njohjen diplomatike izraelite të Kosovës, vendosi një moratorium njëvjeçar të qasjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën mosnjohëse të Serbisë, dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të lokalizojnë personat ende të pagjetur prej luftës së vitit 1999.

    Megjithëse Marrëveshja e Uashingtonit hasi në pengesa të zbatimit të dobët, administrata e dytë e Trumpit mund të marrë masa të ngjashme si pretekst për normalizim.

    Me mbështetjen e vazhdueshme për institucionet qeverisëse dhe reformat politike të Kosovës, SHBA-ja mund ta ndihmojë Kosovën të shërbejë si një forcë demokracie dhe stabiliteti politik, që është thelbësore për zhvillimin e një ndikimi sigurie.

    Kjo do të inkurajojë investime të reja amerikane në sektorin e mbrojtjes dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, do t’u jepte shtytje blerjeve të pajisjeve dhe teknologjive mbrojtëse amerikane nga Kosova dhe manovra të përbashkëta ushtarake.

    Administrata e dytë e Trumpit duhet të përfshijë edhe aleatët tjerë në rajon, veçmas Shqipërinë, dhe aleatë si Britania, që të fuqizohet stabiliteti dhe mbështetja për një front të bashkuar kundër kërcënimeve të përbashkëta.

    Përfshirja e drejtpërdrejtë amerikane dhe angazhimi me aleatët dhe partnerët në rajon dhe gjetiu do të mund të ndihmonin nisjen e proceseve që stagnuan gjatë administratës së Bidenit.

    Përgjatë vitit 2024, Trumpi bëri fushatën për president në emër të realpolitikës “Paqe Nëpërmjet Forcës”, një shprehje latine që shihet në platformat e Partisë Republikane dhe që do të shprehej bujshëm prej ish-presidentit Ronald Reagan, i cili e kishte huazuar prej perandorit romak, Adrian.

    Vënia e theksit te deterenca nga Trumpi dhe preferenca e tij për nisma dypalëshe u shërben interesave amerikane të sigurisë dhe shtetit më pro-amerikan në botë, Republikës së Kosovës. Një Kosovë e pavarur, sovrane, e sigurt dhe stabile do të garantonte pozitën e saj si ofruese sigurie dhe do të fuqizonte rastin e saj për anëtarësim në NATO.

    Nevoja për qasje pragmatike ndaj dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsistente me qëllimin e politikës së jashtme të Trumpit për përfitime të prekshme sigurie në vend të diskutimeve të pafundme e idealiste, të shfrytëzuara nga Rusia.

    Një marrëveshje zyrtare sigurie ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do t’i sillte stabilitet Ballkanit Perëndimor, duke promovuar demokracinë, zhvillimin, reformën në sektorin e sigurisë dhe bashkëpunimin e sigurisë. Gjithashtu, do të shërbente si kundërmasë e fuqishme ndaj forcave armiqësore që kërcënojnë të minojnë rajonin dhe t’ia prenë udhën SHBA-së.

    Administrata e dytë e Trumpit do të pozicionet për të lidhur marrëveshje dypalëshe sigurie, duke përdorur si levë kornizat ekzistuese dhe duke zgjeruar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të sigurisë. Dhe bash tani është momenti për aksion vendimtar.

    Avancimi i partneritetit SHBA-Kosovë nuk është thjesht një opsion; më fort është domosdoshmëri për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe për të siguruar vendin e drejtë të Kosovës në rendin euroatlantik.

    (Dr. Chris Dolan, doktor shkence, është profesor asistent në Shkollën e Çështjeve Publike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. Hulumtimi i tij shkencor qendërsohet në NATO-n, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të sigurisë, mbrojtjen kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kombëtare amerikane dhe sigurinë e brendshme. Ai dy herë ishte përfitues i programit amerikan studimor, Fulbright (në Maqedoninë e Veriut më 2022; në Kosovë më 2019-2020. Më 2024, Dolan, mbështetur nga programi studimor i Departamentit të Shtetit, Fulbright, punoi si specialist në mbrojtjen kibernetike dhe infrastrukturën kritike me Qendrën Kosovare për Studime Sigurie (KCSS) në Kosovë. Më 2023, ai botoi dy libra: “NATO, the U.S., and Cold War 2.0” dhe “The Politicis of U.S. Foreign Policy and NATO”.

    Dr. Arben Hajrullahu është rektor i Universitetit të Prishtinës dhe profesor i Shkencave Politike. Në kuadër të programit Fulbright Hubert Humphrey ka shërbyer në Universitetin e Karolinës Veriore në Chapel Hill dhe si ligjërues mysafir në Qendrën Ndërkombëtare për Studiues, “Woodrow Wilson”, në Uashington DC.)

    Opinionet e shprehur janë të autorëve dhe jodomosdsoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e BIRN-it.

    Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.

    Nga anglishtja: Rexhep Maloku