Kategori: Gjatë

  • QKK-ja e merr me qira për 200 euro në muaj Kino ABC-në, synon pronësinë e saj

    Nga janari i vitit 2025 Qendra Kinematografike e Kosovës ka marrë me qira Kinemanë ABC (Kino ABC) në Prishtinë.

    Marrja e Kino ABC-së nën menaxhim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes QKK-së, është konfirmuar për KALLXO.com nga drejtoresha e kësaj të fundit, Blerta Zeqiri.

    Por, MKRS dhe QKK-ja planifikojnë ta marrin në tërësi në pronësi Kinemanë ABC (Kino ABC), duke përfshirë edhe Ndërmarrjen për Distribuimin dhe Shfaqjen e Filmave “Genci”, e cila menaxhonte me KINO ABC-në. NDSHF “Genci” duke përfshirë edhe Kino ABC-në është nën të menaxhim të Agjencia Kosovare e Privatizimit.

    Më 27.12.2024, QKK-ja përmes një njoftimi pati bërë të ditur se në bashkëpunim me MKRS ka marrë në shfrytëzim këtë kinema.

    Vendimi për dhënien me qira të Kino ABC-së është marrë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) më 27 dhjetor 2024.

    Pas këtij vendimi, më 3 janar 2025, përmes Facebook-ut, Kino ABC njoftoi për ndërpreje të përkohshme të shfaqjes së filmave.

    Me Ligji për Kinematografinë i cili ka hyrë në fuqi më 16.07.2023, fusha e kinematografisë është shpalur me interesat të veçantë. Nisur nga ky fakt, po sipas këtij ligji, edhe kinematë publike janë shpallur institucione të interesit të veçantë.

    Marrëveshja për qiranë

    Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri ka thënë për KALLXO.com se QKK e ka marrë me qira KINO ABC-në për 200 euro në muaj dhe synon marrje në peronës të NDSHF “Genci”.

    “Kinemaja ABC është marrë me qira nga janari i vitit 2025, me një pagesë mujore prej 200 eurosh. Marrëveshja është planifikuar të zgjasë deri në përfundimin e procesit të shpronësimit. Kjo periudhë e qirasë siguron që kinemaja të vazhdojë të funksionojë pa ndërprerje, ndërkohë që punojmë për ta integruar atë plotësisht në pronësi publike, duke garantuar mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”- ka thënë Zeqiri.

    Drejtoresha Zeqiri ka thënë se vendimi për marrjen me qira të Kino ABC-së nga QKK-ja marrë më 27.12. 2024 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    “Vendimi bazohet në nenet 4, 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, si dhe në Ligjin Nr. 03/L-205 për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij ligji. Pas miratimit të kërkesës së QKK-së për marrjen me qira të kinemasë ABC, prona është transferuar nga administrimi i AKP-së në pronë publike.  Ajo do të administrohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) përmes QKK-së, duke mbështetur misionin për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës kulturore në Kosovë”- ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

    Zeqiri ka thënë se rifillimi i punës në kinemanë ABC pritet në muajin shkurt 2025.  Zeqiri thotë se, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema (Kino ABC) si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë.

    “Ne synojmë që ky institucion i dashur kulturor të vazhdojë të jetë një vend i gjallë për artin dhe kinematografinë, duke i qëndruar besnik traditës së tij si një hapësirë ku audienca e Prishtinës dhe më gjerë mund të shijojë magjinë e filmave”- ka thënë ajo, duke shtuar se  QKK do të rikthej në vendet e tyre të punës punëtorët që kanë kontribuar ndër vite në funksionimin e Kino ABC-së.

    Ndërsa, marrë në pronësi edhe të NDSHF “Genci”, së bashku me strukturën menaxhuese , Zeqiri e konsideron me rëndësi. Pasi sipas saj, kjo do të mundësojë një administrim më të qëndrueshëm dhe një fokus më të madh në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore që kinemaja përfaqëson.

    “Arsyeja kryesore është rëndësia kulturore dhe historike e kinemasë ABC. Duke marrë parasysh mandatin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për privatizimin e aseteve dhe ndërmarrjeve shoqërore, MKRS dhe QKK vlerësuan se ishte e domosdoshme të ndërhyhej për të ruajtur këtë kinema si një trashëgimi të çmuar të kulturës kinematografike në Kosovë”- ka thënë Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së për KALLXO.com.

    AKP-ja nuk i është përgjigjur KALLXO.com lidhur me vendimi për dhënien me qira të Kino ABC dhe procesin e kalimit të NDSHF “Genci” në pronësi të MKRS/QKK-së, deri në publikimin e artikullit.

    Me Ligji për kinematografinë, neni 4, fusha e kinematografisë është shpallur me interes të veçantë publik. Duke u bazuar në këtë nën të këtij ligji, kinematë publike shpallen gjithashtu institucione me interes të veçantë publik.

    “Në raport me kinematë si në paragrafin 1 të këtij neni, (21) të gjitha institucionet që ushtrojnë autoritet publik në Republikën e Kosovës, nuk mund të ndërmarrin veprime në drejtim të: ndërrimit të destinimit; privatizimit”- thuhet në pikën 2, të nenin 21 të Ligjit për Kinematografinë.

    Në bazë të këtij ligji, në kuadër të QKK-së parashihet edhe themelimi i njësia e veçantë për menaxhimin e rrjetit të kinemave publike.

    Kinemaja ABC, funksionon që nga 24 maji i vitit 2000 dhe që nga ajo kohë e deri më sot, kjo kinema ka shërbyer si urë lidhëse e Kosovës me botën e filmit. Në kinemanë ABC shfaqen filma premierë në bashkëpunim me kompanitë më të njohura holivudiane.

    Kjo kinema ishte e para kinema në Kosovë me të drejta të shfaqjes së filmave në formatin 3D dhe atë digjital 2D.

  • Mbi 3 milionë euro aneks-kontrata të negociuara për punë shtesë për rrugën Prishtinë-Podujevë

    Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar mbi 3 milionë euro aneks-kontrata për punë shtesë për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Tenderi është i ndarë në 5 LOT-e me vlerë totale të kontratave bazë prej 35 milionë eurove, të cilat ishin nënshkruar në qershor 2023. Aneks-kontratat janë nënshkruar përgjatë vitit 2024, për katër nga pesë LOT-et e tenderit bazë.

    Një nga pesë kontratat bazë, ajo në vlerë prej 9.2 milionë euro i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.

    Në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të ndarë 6 milionë euro shtesë për këtë rrugë dhe mjetet ishin marrë nga kontigjencat për shpenzime kapitale.

    Në ndërkohë, zëvendësministri Hysen Durmishi është duke u hetuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale në lidhje me këtë tender, kurse ministri Liburn Aliu kishte reaguar duke thënë se ‘Durmishi është i pastër’.

    Aneks-kontratat

    Në aneks-kontratën për LOT-in 0 janë kontraktuar punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; muret mbrojtëse; dislokim të ujësjellësit; punë në kanalizim fekal; punë në ura dhe mbikalime. Aneks-kontrata është nënshkruar me 16.07.2024, atë e ka fituar konzorciumi “Pro&Co Group” dhe “Levantina Ingenieria”, ndërsa vlera e saj është 613 mijë e 977 euro. Ky konzorcium e kishte fituar edhe kontratën bazë.

    Aneks-kontrata për LOT-in 1 është nënshkruar me 21.08.2024 dhe fitues i saj është kompania “2A Group”. Vlera e kësaj aneks-kontrate është 728 mijë e 166 euro.

    Në këtë aneks janë kontraktuar punët si:  Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; punët e betonit dhe armaturës; punët e ndriçimit; punë në kanalizim atmosferik dhe fekal; punë në hidroizolim; punë në asfalt; punimi i rrethojave të urës. Kjo kompani kishte fituar edhe kontratën bazë.

    Por në këtë aneks-kontratë Ministria e Infrastrukturës ka harruar që të kontraktojë edhe shtrirjen e ziftit nëpër pozicionet e kontratës. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar një tjetër aneks-kontratë vetëm për shtrirjen e ziftit nëpër këtë rrugë.

    Aneks-kontrata e dytë e kishte vlerën e 70 mijë eurove, prapë me të njëjtën kompani.

    Për LOT-in 2 të tenderit është nënshkruar një aneks-kontratë tjetër, në të cilën janë parashikuar të kryhen punë si Projektim i rrugës; Punët e gërmimeve dhe transportit dhe të ngjashme; punët ndërtimore në seksionin e rrugës; punët e betonit dhe armaturës; punë në kanalizim atmosferik dhe fekal; punët e ndërtimit dhe sinjalistikës.

    Këtë aneks-kontratë e ka fituar kompania “Bageri” dhe vlera e saj është 853 mijë e 619 euro. Kontrata është nënshkruar me 16.07.2024.  Edhe në këtë rast, kjo kompani kishte fituar kontratën bazë.

    Kurse për LOT-in 3 të tenderit, janë nënshkruar dy aneks-kontrata për punë shtesë. Në aneksin e parë është kontraktuar për të kryer punë si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; pune mbikalimit urë; ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë; punë në kanalizimin atmosferik; punët në ndriçim.

    Aneks-kontratën e ka fituar konzorciumi “Agbes Construksion”; “Arbotec”; “Geo Construction”; “Minera” dhe “BM Group”. Vlera e saj ka qenë 575 mijë e 972 euro dhe është nënshkruar me 14.06.2025.

    Ndërsa aneks-kontratën tjetër për këtë LOT, po ashtu e ka fituar i njëjti konzorcium, në vlerë 288 mijë e 418 euro. Kontrata është nënshkruar me 29.11.2024. Po ashtu, i njëjti konzorcium kishte fituar kontratën bazë.

    Në këtë aneks ka qenë e parashikuar të kryhen punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; punë përgatitore; punë demoluese; punë tokësore; punë montuese; punët e betonit dhe armaturës.

    Kurse aneks-kontrata e e fundit ka qenë për LOT-in 5 të tenderit. Në këtë aneks është kontraktuar të kryhen punë si Ndërtimi i rrugës; sinjalizimi vertikal; punët projektuese. Kontrata është fituar nga “Beni-Com” dhe e ka vlerën e 32 mijë e 404 eurove. Sikurse në aneks-kontratat tjera, edhe te ky LOT, kontratën bazë e kishte fituar e njëjta kompani.

    Në total janë nënshkruar shtatë aneks-kontrata, me vlerë totale prej 3 milionë e 162 mijë e 556 euro.

    Raportimet për rrugën

    Në fillim të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se si Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për “lot”-in 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë.

    Kurse në gusht të vitit 2023, KALLXO.com kishte zbuluar se kompanitë që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.

    Të dhënat e siguruara nga KPMM tregonin se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.

    Në anën tjetër, në maj të vitit 2024, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pikërisht për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

    Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

    “… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë  ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.

    Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

  • “Kënaqu e krenohu”: Muzika rome e Ballkanit shquhet për lojën e saj gazmore

    Muzikantët romë në Ballkan janë të njohur për interpretimin e melodive të gjalla prej bendeve me instrumente frymore në dasma. Tani tingujt e thekshëm e elektrikë të sintit që njihen si “tallava”, po ndikojnë edhe jashtë rajonit.

    Ideja e “muzikës rome prej Ballkani” pa përjashtim përfton në mendje klishe të caktuara mbi këngëtarët romë. Ata zakonisht dalin me bende tunxhi me 15 vetë, gati si të dehur, duke marrë nëpër ndeja dasmash bakshishe të majme.

    Realiteti i muzikës së dasmës rome në Ballkan mbase është më pak i larmishëm, por njerëzit nuk janë aspak më pak qejfli. Dallimi është se ansamblet me instrumente frymore shpesh po zëvendësohen prej bendeve: një klarinetist, një këngëtar dhe afërmendsh një ose dy sinta, duke luajtur një stil të gjatë, me ndryshime hidh e prit, pa fillim e pa fund – tallava, me një fjalë; tingulli i vërtetë i Ballkanit.

    Me fillimin e luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, shumë romë – të cilët, prej shqiptarëve shpesh shiheshin si kolaboracionistë me serbët – u zhvendosën në Maqedoninë Veriore. Shumë prej tyre u vendosën në një komunë të njohur zyrtarisht si Shuto Orizari, por prej vendasve më fort e njohur si Shutka, që nganjëherë quhet “qyteza më e madhe rome në botë”.

    Shutka, një periferi e madhe rome nja 45 minuta me autobus në jug-perëndim të Shkupit, është një mëhallë e veçantë etnikisht, e ndërtuar në vitin 1963 pas tërmetit shkatërrues të vendit. Ajo bëri emër në filmin e Emir Kusturicës “Koha e romëve”, si një lagje e varfër rome.

    Banorët e saj i nxjerrin mesatarisht nga 300 euro në muaj, që sipas standardeve perëndimore është një shumë e vogël, por për vendasit shumë e arsyeshme. Gjashtëdhjetë për qind e tyre janë myslimanë, pjesa tjetër të krishterë ortodoksë.

    Në të kaluarën muzika e Shutkës bazohej kryekëput në instrumente frymore. Do të kthehej në model në vitet 1990 para se të zëvendësohej, thotë DJ dhe promotori slloven i muzikës Petar Barbariq, nga “muzika elektrike e dasmës”, që përmban saksofon, klarinetë, fizarmonikë ose tastierë (sint), kitarë elektrike, bas-kitarë, bateri, dhe një këngëtare. Më vonë, me fluksin e refugjatëve nga Kosova, tallavaja ia mori anën.

    Sot, një nga yjet më të mëdhenj në skenën e tallavasë është njëri nga shutkasit me emrin Klinton (kini parasysh ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, shpëtimtar i Kosovës). Klinton Demirovski luan në tastierë në disa grupe – Gazoza dhe Mladi Kristali Orkestra, nëse përmendmi vetëm disa syresh – që përfshijnë gjithashtu klarinetë, darabuk dhe saksofon. Kohët e fundit, ai ka bërë video në YouTube, sponsorizuar nga Korg dhe marka të tjera të sintave.

    Kur ishte tetë vjeç, Klintoni u mësua  vetë të luante në sint (tastierë). Që ivogël, zhvilloi dashurinë për muzikën e filmave të Hollivudit, një element kiçi që Klinton e ngërthen në lojën e tij, shoqëruar me një ndikim të dukshëm të popit turk, arab dhe indian.

    “Tallavaja është për ne ajo që është reggaeton për Gjermaninë, ose muzika hip-hop, ose muzika e kërcimit”, thotë Klinton.

    Ripërpunimi dhe përmirësimi

    Muzika moderne rome e dasmave e bazuar në sint shpesh konsiderohet si fatkeqësia e muzikës ballkanike nga etnomuzikologët dhe puristët e ndryshëm. Megjithatë, për të tjerët, mund të jetë mrekullisht krijuese dhe të ndërthuret me virtuozitet të madh dhe improvizim të vrullshëm.

    “Më pëlqen mënyra se si ata përdorin sintin në Ballkan”, thekson Gergely Barcza, nga Besh o Drom i Budapestit. “Çdo vend në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme ka një muzikë të tillë popullore. Në Rumani quhet manele. Në Bullgari quhet chalga. Në Izrael, mizrahi. Unë luaj në grupin e këngëtarit më të famshëm të mizrachit në Izrael dhe më pëlqen shumë”, deklaron Barcza.

    “Më pëlqen ky lloj riciklimi tradicional, kur bëjnë muzikë popullore nga elementë tradicionalë”, ka shtuar ai. “Askush nuk thotë se tallavaja është muzikë tradicionale shqiptare. Ne e dimë se çfarë është muzika tradicionale shqiptare. Por nëse duam të kërcejmë, nëse duam të ndihemi mirë, ndoshta do të lëshonim tallava në vend të muzikës tradicionale”.

    Barbariq pajtohet me të: “Tallavaja është hit në çdo komunitet rom në Ballkan”. thotë ai. “Përbëhet nga kompozime të improvizuara, 30-40-minutëshe, ku këngëtari ngreh dolli për lumturinë e të porsamartuarve. Dhe pastaj ndoshta solisti, klarineta ose saksofoni ia thotë këngës prej një motivi”

    Atë e entuziazmon improvizimi lirik: “Këngëtari i këndon gjatë gjithë kohës familjes, të ftuarve, dhuratave. Një ‘këngë’ mund të zgjasë për një orë ose më shumë”.

    E popullarizuar në mesin e romëve nga Kosova dhe Maqedonia, tallavaja është marrë e inkorporuar në këngë nga dyshja ballkanike e Beogradit DJ ShazaLaKazoo dhe disa grupe të tjera progresive ballkanike. Por në pjesën më të madhe ajo nuk ka dalë shumë prej shtratit të subkulturës së muzikës rome.

    Etnomuzikologu slloven dhe eksperti i muzikës ballkanike, Svanibor Petan, thotë se fjala “tallava” buron nga fraza rome, “tel o vas”, që do të thotë “përdredhim nën krah”, që do të thotë lloji i mënyrës orientale belly dancing “çiftetelli” me lëvizje duarsh gjatë solokërcimit.

    Para se të ripërpunohej e përmirësohej, ishte një stil akustik i të kënduarit kryesisht të improvizuar në dasma të ndara rome, ku gratë kishin muzikantët e tyre dhe burrat të tyret. Zakonisht, muzikantët që performonin për gratë ishin burra homoseksualë që luanin me dajre.

    Këngëtarët u këndonin dasmorëve vargje improvizuese që kishin pak informacione për nusen dhe dhëndrin, apo dhuratat e bollshme që u jepeshin. Ata lavdëronin nusen dhe bukurinë e saj, duke improvizuar melodinë dhe kënduar tekste jashtë kornizave konvencionale, si ato dollitë xhamajkane reggae.

    “Tallavaja zakonisht i këndohej një qejflie”, ka spikatur profesoresha dhe antropologia kulturore e Universitetit të Oregonit, Carol Silverman. “Qejfliu mund të jetë një person që këndon. Më vonë, kur u fut në muzikën e dasmave në Kosovë, instrumentet u kthyen në qejf. Në një moment kërcimi bëhet më emocionues. Të ftuarit e dinë se ky është një moment improvizues intensiv”.

    Ndërkohë, këngëtarët nuk ishte e thënë të ishin homoseksualë dhe dajrja u zëvendësua me stintsajzerë, të cilët luanin në një stil minimalist, të ndyrë, me solo të shpejta rrufe që ngjanin me tingullin e zurnës (një klarinetë e turqizuar, e trumbetuar me pauza), por kryesisht karakterizohet nga ritme të ngadalta që i ngjanin darabukës. Të ftuarit e dasmës kërcenin vetëm, duke ngritur krahët lart, duke u byrytur me miqtë. Ose kërcenin me folklor, duke u lidhur në rreth krah njëri-tjetrit.

    Milan Gjuriq, muzikant beogradas nga grupi ShazaLaKazoo dhe etnomuzikolog, thotë se tingulli siç e njohim ne sot e ka origjinën në vitet 1990, kur muzikantët kaluan nga sazi, darabuka dhe zurna në sintet me sekuenca dhe mostra.

    Papritur, sinti mund të luante në vend të një orkestre të tërë. Për romët ruralë gjysmëurbanë nga Shqipëria ishte një instrument i mrekullueshëm dhe simbol statusi, një mjet i mahnitshëm teknologjik me të cilin organizatorët e dasmave donin të mahnitnin dasmorët.

    “Sinti ishte një hit absolut kur filloi të përdorej për herë të parë në vitet nëntëdhjetë”, thekson Henry Ernst i Asphalt Tango, një label muzikor kryesisht rom në Berlin.

    “Ishte sikur të shfaqej me një Porsche. Të gjithë e donin nga një. Pastaj grupet e dasmave u rritën zgjeruan me një bori, vokale, një saksofon. Shumë shpejt kishte grupe të vogla, me tre katër anëtarë, orkestra të vogla, kompakte. Grupet e muzikës me instrumente frymore mbetën jashtë loje!a) ishin të shtrenjta dhe b.) më nuk ishin në modë. Nuk përkonin me shpirtin e kohës.

    Sinti magjik në një garazh në Berlin

    Megjithatë, kjo është vetëm gjysma e historisë së muzikës bashkëkohore rome të Ballkanit. Luftërat e viteve 1990 në Ballkan çuan në grupe të mëdha refugjatësh romë që kërkonin azil në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Gjermani. Atje, tërësisht nën radarin e mekanizmave dhe mediave të biznesit muzikor perëndimor, muzikantët romë formuan një lloj kulture paralele muzikore, po aq “underground” si çdo subkulturë rinore perëndimore e dikurshme.

    Romët e rinj, me prirje muzikore, tani në qytetet e Perëndimit, kishin me vete edhe traditat e tyre ballkanike brenda tyre – ndërkohë që dëgjonin atë që po ndodhte rreth tyre muzikalisht: muzikën hip-hop dhe rap.

    Ne jemi ulur në garazhin e Shekit në lagjen e Dasmës në Berlin, një nga ato pjesë të Berlinit ku mund të imagjinoni se në mënyrë të pashpjegueshme keni dalë nga kryeqyteti i Gjermanisë dhe keni hyrë në Ballkan.

    Të fshehura pas Badstrasse në një rrugicë të vogël të përbaltur përballë një dyqani bangladeshas që shet veshje grash me çmime të lira, ka një varg garazhesh të shkatërruara të drejtuara nga romë nga Serbia.

    Mbrëmjeve verore, pasi kryhen punët, nga radiot jehon muzika tallava dhe narodna dhe ish-jugosllavët e të gjitha besimeve dhe kombësive, vijnë të bëjnë qejf me Shekin, të pijnë slivovicë shtëpie, të hanë qebapë ose, në ditë të veçanta, të pjekin e hanë mish derri, rrethuar me fëmijë dhe me gugatjen e pëllumbave në kafaz. Këtu njeriu ka një ndjenjë të veçantë të humbjes kohe hapësire. Berlini duket shumë larg.

    Romët që rrinë në garazhin e Shekit në mbrëmjen e ngrohtë flasin një serbishte të vrazhdë dhe të ashpër. Sheki, me rrobat dhe trupin lyer me vaj motorik, me krahë të mëdhenj me tatuazhe, në gojë mban duçin e një Marlboroje të kuqe pa ndezur, duke treguar një mal anekdotash. Në derë ka një flamur të shtirë serb.

    Kur nuk merrej me makina, Sheki luante tallava në sint. E quanin “gishtat e artë të Serbisë”. Ai ishte pjesë e një kulture të tërë rome sinti në Ballkan, e cila përfshinte emra si Cita, Amza, Xhemajl dhe Erxhan.

    Tingulli i tyre elektronik ishte i krisur, maniak, oriental që shkonte në psikedelikun. Ashtu si Sheki, ata të gjithë përdornin sinta të vogël Casio sepse tastet ishin të vogla dhe mund të luanit rrufeshëm, duke i lëvizur duart lart e poshtë tasteve si të çmendur. Disa djem thanë se këta sinta po shkatërronin muzikën e vjetër të Ballkanit, duke nxjerrë nga loja instrumentet tradicionale – violinat e trumbetat. Por duke parë mënyrën se si Sheki luante me instrumentin e tij, mund të shihje se si sintin e zotëronte me trup e me shpirt.

    Aq më keq për pijet alkoolike, bëmat më të mahnitshme i bënte me instrumentin e tij, duke luajtur me një gotë rakie, shishe birre ose një tavëll, duke lodruar gishtat lart e poshtë në sint; luante me ballë, me hundë, me instrumentin e mbështetur në kokë, mes këmbëve, duke u ulur në tavolinë. Gjëra të mahnitshme: një lloj Jimi Hendrixi ballkanik i sintit.

    Ai luante në grupin Blue Tigers (Tigrat e Kaltër). Në fundjavë pas punës në garazh, mblidheshin Tigrat… me këpucë të bardha lëkure me majuce dhe xhaketa me kapuç dhe dragonj kinezë në shpinë; disa syresh me syze të errëta dielli, kapele dhe mustaqe; e aty-këtu shkëlqente ndonjë dhëmb ari.

    Nëse kishte një audiencë “gadjo” (jorome), ata luanin Kallashnikovin, Meseçinën, ndërsa Adnani, turku trakas nga Edirna, që punonte te Sheki, pinte një shishe raki dhe hidhej në dysheme. Mimo, boshnjaku, do t’i fërshëllente grupit dhe pastaj do të ngjitej dhe do t’ia hidhte dhjetë euro Shekit në ballë. Dhe xhazi rom do ta pushtonte garazhin e Shekit, si në ndonjë kafehane breglumi në Beograd, me britma, ulëritje dhe rënkime, derisa këngëtari njëherësh vajton me zërin e tij grykor me një stil oriental.

    Këto ditë, një hise e mirë e tallavasë më të mirë luhet jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, destinacion për shumë romë kosovarë, serbë dhe maqedonas. Denis Saliov, i njohur ndryshe si Denorecords, është muzikant dhe producent me origjinë rome me rrënjë maqedonase, i cili e ka çuar tallavanë në Gjermani. Atje ai organizon një festë mujore tallava për romët dhe ballkanasit në zonën e Ruhrit, ku dalin artistë të njohur tallavaje që janë yje në skenën e tyre, por të panjohur për publikun në përgjithësi.

    “Fëmijët e mësojnë muzikën këtu në Gjermani”, ka theksuar Saliov. “Shkojnë në dasma, mësojnë muzikën. Sot, shumë të rinj janë të interesuar për këto valle të vjetra. Më parë, dikush mendonte, ‘Eh, kjo është më shumë për pleqtë.’ Por tani të rinjtë janë vërtet të interesuar”.

    Saliov ka një shpjegim të thjeshtë për suksesin e ndejave të tij. “Njerëzit vijnë tek ne, sepse e duan tradicionalen”, ka theksuar ai. “Dhe çfarë ndjeni:, qejf dhe jini krenarë”.

    Artikulli fillimisht është publikuar në gjuhën angleze në Balkan Insight.

    Përktheu nga gjuha angleze: Rexhep Maloku