Kategori: Kulturë

  • “Memory Jam” bashkon artistët e rinj të Kosovës dhe Britanisë së Madhe

    Iniciativa për art dhe kulturë “StoryLab” nga Prishtina, në bashkëpunim me Shkollën e Arteve Digjitale (SODA) në Universitetin e Manchester-it, do të organizojnë një sërë punëtorish në kuadër të projektit “Memory Jam”, me ligjërues nga Kosova dhe Britania e Madhe.

    Projekti “Memory Jam” do të mbahet më 8 dhe 20 shkurt, si dhe 4 mars 2025, ndërsa komunikimi në mes të artistëve kosovarë dhe atyre britanikë do të bëhet në mënyrë virtuale.

    “StoryLab” përmes një komunikate ka bërë të ditur se punëtoritë në kuadër të projektit “Memory Jam” do të zbulojnë fuqinë e tregimit multimedial përmes “realitetit të shtuar, fotografisë, filmit dhe shkrimit kreativ”.

    “Ky projekt bashkon studentë dhe profesionistë të rinj krijues nga Britania e Madhe dhe Kosova (e rajoni), për të zhvilluar punë që eksplorojnë identitetin, memorien dhe hapësirën virtuale. ‘Memory Jam’ eksploron memorien duke ‘i mveshur’ objektet fizike me një ‘kujtesë’ të zgjeruar virtuale, si tekst, audio apo video.” – thuhet në komunikatë.

    Po sipas komunikatës pjesëmarrësit e projektit “Memory Jam” do të krijojnë një vepër digjitale, e cila do të ekspozohet online dhe do të publikohet në një revistë.

    Takimet  e krijuesve në kuadër të “Memory Jam” do të bëhen në mënyrë hibride, online dhe fizike.

    Të gjithë pjesëmarrësit nga Kosova do të takohen në “Rezidencën 17” në Prishtinë dhe pjesëmarrësit nga Britania e Madhe do të takohen në SODA, ku të dy palët do të komunikojnë virtualisht.

  • Filharmonia e Kosovës të premten mban koncert në Prishtinë

    Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë të premten, më 31.01.2025, nga ora 19:30, koncert në atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

    Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian Dario Salvi, ndërsa pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe flautisti italian Andrea Griminelli.

    “Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Moxartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa”- thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

    Në këtë mbrëmje, sipas njoftimit, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethovenit, orkestra do të interpretojë “Simfoninë e 8-të” të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.

    Me këtë koncert, siaps njoftimit, do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës.

     

     

     

  • QKK emëron jurinë për vlerësimin e projekteve filmike që kanë aplikuar për subvencionim

    Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar jurinë vlerësuese për projektet filmike të metrazhit të gjatë, të cilat kanë aplikuar në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024.

    Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi, janë emëruar anëtarë të jurisë vlerësues për projektet filmike të cilat kërkojnë mbështetje financiare nga fondet publike.

    Më 12.12.2024, QKK-ja ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, por jo edhe për zhanret e  tjera të filmit siç kishte vepruar në vitet paraprake.

    Ndërsa konkursi u zgjat më 13.01.2025 për 24 orë për shkak të problemeve teknike që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online të QKK-së gjatë datës 12.01.2025.