Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë të premten, më 31.01.2025, nga ora 19:30, koncert në atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian Dario Salvi, ndërsa pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe flautisti italian Andrea Griminelli.
“Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Moxartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa”- thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Në këtë mbrëmje, sipas njoftimit, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethovenit, orkestra do të interpretojë “Simfoninë e 8-të” të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.
Me këtë koncert, siaps njoftimit, do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës.
Dega e baletit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka shfaqur të mërkurën, më 29.01.2025, premierën e baletit “Transformim”.
Kjo premierë është shfaqur në Teatrin “Oda” në Prishtinë.
Koreografia e shfaqjes është realizuar nga Driton Saqipi, profesor i baletit në këtë shkollë, ndërsa interpretuan nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo shfaqje e zhanrit kontemporan është përcjellë me muzikë të emrave të njohur botërore, si: Edith Piaf, Bill Haley, Pan Sonic e Rona Castrioti.
Koreografi Driton Saqipi tha për KALLXO.com se shfaqja “Transformim” është krijuar duke u bazuar në transformimet që po ndodhin në shoqëri në përgjithësi, që nga lojërat e fëmijëve deri tek ato politike.
“Për realizmin e shfaqjes ‘Transformim’ jam inspiruar nga transformimet që po ndodhin çdo ditë në përditshmërinë tonë, si po transformohet dansi, lojërat e fëmijëve deri te transformimet politike. Dansi kontemporan të mundëson të kapësh tema të cilat mund t‘i kapësh dhe përjtosh çdo ditë”- ka thënë Saqipi.
Sipas tij, për vitin e pestë me radhë, kjo shkollë është fokusuar në realizimin e 4 shfaqjeve premierë në vit të zhanrit kontemporan dhe klasik.
Saqipi thotë se me shfaqjen e këtyre premierave nxënësit e shkollës e kanë më të lehtë përballjen me publikun në të ardhmen.
Me shfaqjen “Transformimi” Shkolla “Prenk Jakova” ka shënuar edhe 75 -vjetorin e saj. Në kuadër të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” që nga 2001 funksionon edhe Dega e Baletit.
Pamje nga shfaqja e baletit ‘Transformim’. Foto: KALLXO.com.Pamje nga shfaqja e baletit ‘Transformim’. Foto: KALLXO.com.
Shfaqja “Bëje ose vdis” e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, me regji të Blerta Nezirajt do të hapë Edicionin e 34-të të Festivalit të Dramës Origjinale shqipe, “Talia e Flakës”.
Festivali “Talia e Flakës 2025” hapet sot, e mërkurë, më 22.01.20025, në ora 20:00 në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
Festivali “Talia e Flakë” mbahet nga 22 deri më 27 janar 2025 – në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janari”, që po mbahet në Gjilan.
Edicioni i 34-të i manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” është hapur me 11 janar dhe mbyllet me Gala mbrëmje, në “Vali Ranch Resort”, më 31.01.2025.
Anvi Shkodra, nga Organizata “Varg e Vi” ka thënë për KALLXO.com, se në Edicionin e sivjetmë të “Talias së Flakës” do të shfaqen gjithsej 6 shfaqje teatrore nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Të gjitha shfaqjet jepen në Teatrin e Gjilanit.
Ai ka thënë se Festivali ka karakter garues dhe do të ndahen edhe disa çmime. Shkodra tha se risi e Edicionit të sivjetmë të “Talias së Flakës” është themelimi dhe ndarja edhe e çmimit për “Dramën më të mirë origjinale të shkruar”.
“Ideja (për themelimin e këtij çmimi) është që të përkrahet drama origjinale shqipe – duke krijuar mundësi që të paktën dikush t’ua lexojë dramat tekstshkruesve tanë. Tutje stimulimit dhe shpërblimit për dramë fituese e po ashtu me shumë gjasë edhe inskenimin e saj në Teatrin e Gjilanit.” – ka thënë ai.
Sipas tij, ky çmim dhe çmimet e tjera të Festivalit do të ndahen më 31.01.2025, në Gala mbrëmjen përmbyllëse të manifestimit “Flaka e Janarit”.
“Talia e Flakës 2025” – Orari i shfaqjeve.
Edicioni i 34-të i manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janari” është hapur më 11 janar 2025.
Deri më tani, gjatë këtij manifestimi janë mbajtur një sërë aktivitetesh, si: homazhe për heronjtë e Kosovës, Akademi e Tryeza kushtuar personaliteteve të njohura historike e aktivitete kulturore. Ndërsa, deri në mbyllje të manifestimit do të mbahen edhe një sërë aktivitetesh kulturore.
Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” për të nderuar të rënët për liri.
Edicioni i sivjetmë i “Flakës së Janarit” mbyllet me gala mbrëmje në “Vali Ranch Resort”, më 31.01.2025.