Polonia merr drejtimin e Këshillit të BE-së, Osmani: Koha për t’i dhënë Kosovës statusin kandidat dhe heqjen e masave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 01.01.2025 ka uruar Poloninë për marrjen e drejtimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.

Përmes rrjetit “X”, Osmani ka theksuar se është koha që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat si dhe t’i hiqen masat e BE-së.

“Urime Polonisë që merr drejtimin e Presidencës së Këshillit të BE-së. Pres me padurim të vazhdojmë punën me Presidentin Andrzej Duda dhe Kryeministrin Donald Tusk për të siguruar të ardhmen që Kosova meriton. Ka ardhur koha për dhënien e statusit të kandidatit dhe heqjen e masave të padrejta të BE-së kundër popullit të Kosovës”- ka shkruar Osmani.

Bashkimi Europian pati vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Autoritetet e Kosovës deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe masat e BE-së i konsiderojnë të padrejta.

Tutje, Osmani i ka shprehur mirënjohje Hungarisë për përkushtimin gjatë Presidencës së saj.