Etiketë: ShBA

  • Direkt – Inaugurimi i presidentit Trump

    16:57 – Momenti kur Trump arrin në Shtëpinë e Bardhë

    Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump u pritën në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden në një takim pa praninë e medias.

    “Mirë se erdhe në shtëpi.” – i tha zoti Biden, presidentit të zgjedhur Donald Trump – raporton Zëri i Amerikës.

    Donald Trump do të inaugurohet sot, më 20.01.2025, si presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Inaugurimi – Ceremonia zyrtare që shënon fundin e kohës së një Presidenti në detyrë dhe fillimin e Administratës së pasardhësit është pjesa e tranzicionit të pushtetit midis udhëheqësve të Qeverisë në Uashington DC – raporton BBC.

    BBC sjell pamje te drejtpërdrejta nga përgatitjet dhe inaugurimi i Trumpit, të cilat mund t’i shihni në këtë LINK.

    Temperaturat e ulëta do t’i zhvendosin këtë vit ngjarjet në ambiente të mbyllura, me Trumpin dhe zëvendëspresidentin e sapozgjedhur JD Vance, të vendosur për të bërë betimin e tyre në ndërtesën e Kapitol Rotunda të SHBA-së.

    Në prag të kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump premtoi se do të nënshkruante një sërë urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë si President – duke u thënë mbështetësve se do të lëvizte me “shpejtësi dhe forcë historike”, në orët pas dhënies së betimit.

    Ai pritet të nënshkruajë më shumë se 200 Vendime të hënën, më 20.01.2025.

    Përgatiti: Emirjeta Vllahiu – KALLXO.com 

     

  • Trump dhe Kosova

    Nga sot merr detyrën presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Pas fitores në Zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku shërbeu edhe në periudhën 2017-2021 – shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Gjatë mandatit të parë, Trump dëshmoi nënshkrimin e një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020.

    Ndër pikat kryesore të kësaj Marrëveshjeje që gjetën zbatim të plotë ishte njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Izraelit.

    Ndonëse shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë, Trump e cilësoi atë si një “përparim të madh” në marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

    Atëkohë, ai tha se është “krenar për dy udhëheqësit”: kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Në sigurimin e kësaj Marrëveshjeje, rol të rëndësishëm luajti Richard Grenell, që asokohe shërbente si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi.

    Për këtë arritje, ai u dekorua edhe me Medaljen e Sigurisë Kombëtare nga Trump, në dhjetor të vitit 2020.

    Përveç tij kishte edhe zyrtarë të tjerë të Administratës së parë Trump që mbështetën ide për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Njëri prej tyre ishte John Bolton, atëkohë këshilltar për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk i përjashtoi si mundësi korrigjimet territoriale në mes të dy vendeve.

    “Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një Marrëveshje të kënaqshme.” – tha Bolton, në gusht të vitit 2018.

    Në Administratën e re, Trump zgjodhi republikanin Mike Waltz në pozitën e këshilltarit për siguri kombëtare.

    Ndonjë deklaratë e tij për Kosovën nuk është publike, por është i zgjedhuri i Trumpit për sekretar të ri të Shtetit, Marco Rubio, i cili, përgjatë karrierës, e kishte disa herë në fokus rajonin e Ballkanit.

    Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

    “Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes.” – u tha në atë letër.

    Vëzhguesit e zhvillimeve politike janë të rezervuar kur flasin për qasjen që pritet ta ketë Trump ndaj Kosovës, gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

    Kosova, aktualisht, është në mes të fushatës për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit; marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë nuk kanë shënuar ndonjë përparim, e ngjashëm ka ngecur edhe avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

    Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter tha në një intervistë të mëhershme për Radio Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do Marrëveshje.

    “Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore.” – tha Munter, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi.

    Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

    “Nëse ai sheh ndonjë Marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandër] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një Marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë.” – tha Wisner.

    Për David Kaninin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins”, në Uashington, Administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.

    “Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trump. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit.” – tha Kanin, por shtoi se Trump, megjithatë, është i paparashikueshëm.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti e uruan Trumpin për fitoren – duke e cilësuar SHBA-në si një aleate, mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës.

    Dhjetë ditë para se Trump ta merrte detyrën, Osmani bëri të ditur se Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë së shpejti një Marrëveshje për Dialog strategjik, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme./REL

  • Mijëra mbështetës u mblodhën në tubimin e fitores të presidentit Trump pak para inaugurimit të tij

    UASHINGTON – Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur Donald Trump pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores të dielën, një ditë përpara se ai të rikthehet në pushtet me plane që do të riformësojnë politikat amerikane mbi emigracionin apo tregtinë.

    Presidenti i zgjedhur vendosi një kurorë fillimisht në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën, përpara se të mbante fjalimin e tij të parë të rëndësishëm në Uashington, që nga tubimi me mbështetësit e tij më 6 janar 2021, që i parapriu sulmit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.

    “Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” fillon në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.

    Radha e mbështetësve, shumë të veshur me xhaketat e kuqe të markës së njohur Trump dhe kapelet MAGA, shtrihej në disa blloqe në qendër të Uashingtonit. Disa thërrisnin “SHBA! SHBA!” dhe të tjerët flisnin me megafon ndërsa prisnin.

    Zona të mëdha të kryeqytetit, përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë janë bllokuar nga gardhe çeliku që nga java e kaluar dhe ka patur një prani të shtuar të policisë në të gjithë zonën.

    Tubimi i Presidentit të zgjedhur Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të japë një pamje të tonit që ai planifikon të mbajë gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

    Në javët e fundit, ai ka befasuar vendet aleate me shprehjen e mendimit për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, si dhe shndërrimin e Kanadasë në një shtet të Shteteve të Bashkuara.

    Emigracioni pritet të jetë objekt i veprimeve të para ekzekutive të Presidentit të zgjedhur Trump pas marrjes së detyrës, së bashku me çështjet e energjisë dhe politikat që synojnë promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, tha për kanalin televiziv CBS këshilltari i tij i ardhshëm për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.

    “Populli amerikan i dha atij një mandat të qartë. Mbyllni kufirin tonë, deportoni më të këqijtë e më të këqijve, përballuni me kartelet”, tha zoti Waltz në një intervistë për emisionin “Face the Nation”.

    Axhenda e zotit Trump mendohet se ishte një tematikë e mundshme edhe gjatë mëngjesit të tij me senatorët republikanë në Blair House, godina përballë Shtëpisë së Bardhë, që përdoret për aktivitete të ndryshme. Senatorë kryesorë republikanë, si John Cornyn, Susan Collins, Ted Cruz, Rick Scott dhe Tim Scott ishin ndër të pranishmit që u panë duke u larguar nga aktiviteti të dielën.

    Tubimi pritej të kishte ngjashmëri me fjalimet e lira që kanë qenë një element kryesor që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2016./VOA