Etiketë: ferizaj

  • Nxënësit e dy shkollave të mesme në Ferizaj ende s’e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë

    Nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe ata të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj ende nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë.

    Të dy shkollat e mesme të larta, sipas drejtorit të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, kanë funksionuar në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” dhe pritet që të dalin në objektin e ri që është ndërtuar te salla e sporteve “Bill Clinton”.

    I pyetur se pse nuk ka nisur gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave të mesme të larta “Elena Gjika” e “Shaban Hashani”, Llabjani tha se u kanë dalë disa probleme me objektin e ri që është ndërtuar për këto shkolla.

    Llabjani ka thënë se po përpiqen që nxënësit e të dy shkollave ta fillojnë mësimin më 20.01.2025, ndërsa gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024/2025 ka nisur në Kosovë më 08.01.2025.

    Drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, tha se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.

    “Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu edhe bash sot kem me pastru. Karrika e banka i kemi mbushë klasat” – ka thënë Nebihu.

    Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.

    Ajo ka shpjeguar se deri më 24.12.2024 kanë mësuar në objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për të cilin tha se është objekt i vjetër dhe ka pasur kushte “të tmerrshme”  për ta zhvilluar procesin mësimor.

    “Dyert, dritaret s’ka mundësi me u renovu se e shtijnë të ftohtin në tana anët, një erë ato i qet… Tualetet m’i pa, i kemi renovu kur kemi hy, krejt tavanet kanë ra poshtë, pikin n’tana anët… Ajo ka ardhë veç t’u u demolu” – ka treguar Nebihu.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa, tualetet e shkollës në gjendje jo të mirë. 

    Nebihu nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” ta fillojnë gjysmëvjetorin e dytë.

    “U kam thënë (nxënësve) që duhet me pritë deri në njoftimin e ardhshëm… Ndodhë që në qershor (2025) me vazhdu zëvendësimin e orëve (mësimore)” – ka thënë Nebihu.

    Por kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari, tha se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për gjimnazin.

    “Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige edhe nuk është fillu mësimi” – ka thënë Jashari.

    Për objektin e ish-shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari tha se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e jo të zhvillohet mësim aty.

    “As s’kanë funksionu nxemjet qysh duhet, as dritare… Aty mund të marrësh sëmundje, d.m.th. nëse shkoni gjatë ditë ti merr sëmundje aty edhe kthehesh në shtëpi i sëmurë” – tha Jashari.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.

    Jashari tha se bashkë me Këshillin drejtues të Gjimnazit “Shaban Hashani” janë duke e shqyrtuar mundësinë që të dalin prapë në objektin e ish-shkollës “Gjon Serreçi” nëse nuk dalin në objektin e ri të ndërtuar.

    Si Këshill i Prindërve, Jashari tha se janë pro zëvendësimit të mësimit për ditët e humbura.

    Kurse, zëvendësdrejtori i Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, Bardhyl Xheladini, nuk ka pranuar të japë shumë detaje, por ka kërkuar që për këtë çështje të pyetet Drejtoria e Arsimit.

    “Në rregull është ama drejtori i Arsimit e ka përgjegjësinë për me dhanë këtë deklaratë, se prej atij varet” – ka thënë Xheladini.

    Sipas Xheladinit, ata nuk e dinë se kur do ta fillojnë mësimin nxënësit e Shkollës së Mjekësisë në Ferizaj.

    Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se u kanë dalë telashe me kulm të objektit të ri që është ndërtuar për të dy shkollat e mesme.

    “Ka piku kulmi edhe kena pasë pak problem me, ujë edhe me energji elektrike. Sidomos me ujë, kur e kemi lëshu, ka pasë ngapak do rrjedhje” – ka thënë Llabjani.

    Kur u pyet se si ka pasur problem me kulmin objekti i ri që është ndërtuar, ai ka shpjeguar se problemi ka qenë te ndërtimi i kullueseve të kulmit.

    “Kur kanë fillu m’i ndërtu ulluqet aty, ai operatori që i ka rregullu ulluqet, unë po flas sipas atyre të cilët ma kanë shpjegu… aty pastaj ka lëvizë një llamarinë edhe është dashtë me rregullu, atë e kemi rregullu javën e kalume” – tha Llabjani. 

    Ndërsa, për karriget, Llabjani ka thënë se Ministria e Arsimit ua ka premtuar, mirëpo para tre-katër javësh objekti është furnizuar vetëm me bankat shkollore.

    “Ata janë arsyetu me një mendim se është prishë tenderi apo nuk kanë qenë të kënaqur me cilësinë e karrigeve edhe ne jemi detyruar që gjatë këtyre ditëve d.m.th. sa kemi pritë kaq shumë, jemi detyru që karriget e vjetra m’i çu atje” – ka treguar Llabjani.

    Sipas Llabjanit, ata janë detyruar që t’i bartin karriget e komodinat e mëparshme që i kanë shfrytëzuar të dy shkollat te objekti i ri.

    Llabjani tha se edhe sikur të kishte buxhet Komuna e Ferizajt t’i blejë bankat shkollore dhe karriget nuk ka të drejtë pasi i takon Autoritetit Qendror të Prokurimit përmes Ministrisë së Arsimit.

    Ndërtimi i objektit të ri të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” i ka kushtuar Komunës së Ferizajt rreth një milion e 200 mijë euro, sipas Llabjanit.

    KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për furnizimin e objektit të ri me banka shkollore e karrige, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

    Lokacioni ku është ndërtuar objekti i ri, Llabjani ka shpjeguar se ka qenë i AKP-së, e cila për dy vjet ua ka ndalur punimet, e ato kanë filluar në vitin 2019 deri më 2021.

    “Shumicën e kohës na e ka marrë pastaj Agjencioni Kosovar i Privatizimit me ndërrimin e Qeverisë nga Qeveria Hoti në Qeverinë Kurti, d.m.th. Qeveria Kurti ka nxjerrë vendim edhe i ka shfuqizu krejt vendimet e mëparshme, i cili ua ka leju tokat e AKP-së, komunave edhe na i ka marr pronat AKP-ja prapë. Pastaj, është dashtë me ndjek shumë procedura për me na leju fillimin e punimeve. Rifillimi i punimeve ka fillu para 4-5 muajve” – tha Llabjani. 

  • Ferizaj – Policia u shqipton mbi njëmijë gjoba kundërvajtësve brenda një jave 

    Policia Rajonale e Ferizajit ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka shqiptuar njëmijë e tridhjetë (1030) gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr tre patentë-shoferë për drejtuesit, të cilët kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor. 

    Po ashtu, Policia bën të ditur se gjatë kësaj kohe, janë raportuar 39 aksidente: prej tyre 16 me lëndime, me 22 persona të lënduar dhe 23 aksidente të tjera me dëme materiale. 

    “Policia Rajonale e Ferizajit do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë te shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.” – thuhet në njoftimin e datës 13.01.2025. 

    Tutje, Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë dhe për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë Policinë, Stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’, apo edhe në numrat kujdestarë: 192,0290/326-250 & 0290/322-406.

     

  • Policia shqipton gjoba ndaj dy shoferëve në Ferizaj, thyen rregullat e trafikut – FOTO

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj dy shoferëve në Ferizaj pasi të njëjtit në dy raste të ndryshme kishin thyer rregullat e trafikut.

    A.V., 74 vjeç është gjobitur nga Policia me 100 euro pasi kishte bërë kthim gjysmërrethi në rrugën ” Ahmet Kaçiku” në Ferizaj.

    Një njoftimin e organeve të rendit thuhet se kjo kundërvajtje ishte xhiruar me telefon nga një qytetar dhe kishte qarkulluar në rrjete sociale.

    Në rastin tjetër Policia i ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse prej 150 euro dhe një pikë negative shoferit, L.M 27 vjeç pasi kishte bërë rrëshqitjen e gomave gjatë lëvizjes duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

    Edhe kjo kundërvajtje ishte xhiruar me telefon nga një qytetar dhe i ishte dërguar Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës ka inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë me ta në identifikimin e kundërvajtjeve në komunikacionin rrugor.