Etiketë: Prishtinë

  • Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Këto raste janë regjistruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë dhe Malishevë.

    Më 09.01.2025, një burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psiqike dhe ka kanosur një grua. Sipas Policisë, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje. 

    Në të njëjtën ditë, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje në Fushë Kosovë. Sipas Raportit të Policisë së Kosovës, një burrë dyshohet se vazhdimisht kishte shqetësuar një grua. 

    “Lidhur me rastin i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin Policor, më 10.01.2025. 

    Ndërkaq në Podujevë raportohet se një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje, më 09.01.2025. Organet e rendit kanë treguar se viktima është kthyer në shtëpinë e familjarëve të saj, derisa i dyshuari është ende në arrati. 

    Në një qytet tjetër të Kosovës, në Gjilan një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi një burrë dyshohet se e sulmoi atë fizikisht. Policia tregon se i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti i inicuar si ‘lëndim i lehtë trupor’  dhe ‘dhunë në familje’ ka ndodhur më 07.01.2025.

    Në Pejë është regjistruar një rast kur një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër. Në këtë rast Policia e Kosovës njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas Policisë, e dyshuara është në arrati. 

    Policia njofton edhe për një rast tjetër të dhunës në familje në Malishevë.  Raportohet se pas një përleshjeje mes dy burrave, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore. 

    “Ndërsa i dyshuari mashkull kosovar pas rastit ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është hasur nga Policia.” – njofton Polica e Kosovës në Raportin e datës 10.01.2025.

  • Digjet një veturë në Prishtinë

    Policia ka bërë të ditur se të enjten, më 09.01.2025, një veturë është djegur në një parking nëntokësor në Prishtinë.

    Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për KALLXO.com, se rasti ka ndodhur në rrugën “Ukshin Hoti” dhe është raportuar rreth orës 22:30.

    “Rreth orës 22:30, është raportuar se në rrugën ‘Ukshin Hoti’ në Prishtinë, në parkingun nëntokësor të një objekti një veturë është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin”- ka thënë Borovci.

    Zëdhënësi Borovci ka thënë se nuk është raportuar për persona të lënduar.

    Aktualisht, sipas tij, Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rastit.

     

  • Rruga se si arriti Policia deri te zollat dhe terrorizmi në Bregun e Diellit

    Një rast i dhunës në familje për të cilin kishte marrë informacion Stacioni Policor – Qendra në Prishtinë doli më pas edhe me një rast tjetër, që kalon te terrorizmi.

    B.D. është arrestuar mbrëmë nën dyshimin për “armëmbajtje pa leje”, “posedim i narkotikëve” e “përgatitje e veprave terroriste”.

    KALLXO.com mëson nga burimet e saj se Stacioni Policor – Qendra në Prishtinë fillimisht kishte pranuar një informatë për një rast të dhunës në familje.

    Më pas një njësi e reagimit ishte dërguar në vendin e ngjarjes në Breg të Diellit. Ngjarja u trajtua menjëherë, ndërsa ekipi reagues i Policisë kishte kërkuar të hyjë brenda në banesë për të vërtetuar informatën. Me lejen e personit të dyshuar kanë hyrë brenda dhe kanë hasur në një sasi të lëndës narkotike, të dyshuar marihuanë, e vendosur në një tavolinë.

    Më pas kanë kryer edhe një kontrolle sipërfaqësore, gjatë së cilës kanë hasur në pajisje, municion dhe armë të tipit zolla.

    Menjëherë pasi u identifikuan këto armë, u thirr edhe Drejtoria e Anti-terrorit për të trajtuar rastin.

    Policia arriti që në banesën e të dyshuarit B.D., të gjejë dhe sekuestrojë tri zolla, gjashtë fishekë special, pesë fishekë të tjerë dhe substancë e dyshuar narkotike, që dyshohet se është marihuanë, me peshë 269.3 gram, peshore elektronike, një USB, grinder, një telefon dhe dy mbështjellëse të zollave.

    Më këtë rast po merret tashmë edhe Prokuroria Speciale. Deri më tani nga informacionet që ka KALLXO.com Prokuroria nuk ka pranuar ende kallëzimin penal ndaj të dyshuarit, për të vazhduar më pas me procedurat e tjera.

    Pas arrestimit dhe bastisjes, Prokurorja ka vendosur që të dyshuarin ta dërgojë fillimisht në mbajtje për 48 orë.