Etiketë: ShBA

  • TikTok ndalohet në SHBA

    TikTok është ndaluar në Shtetet e Bashkuara dhe është zhdukur nga tregjet e aplikacioneve të Apple dhe Google, disa orë para se të hynte në fuqi më 19 janar ligji që kërkonte ndalimin e platformës që përdorej nga 170 milionë amerikanë.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka thënë se “me shumë gjasa” do t’i japë TikTok-ut një pezullim të ndalesës për 90 ditë, pasi të marrë detyrën të hënën, një premtim që TikTok-u e ka përmendur në njoftimin që ka publikuar për përdoruesit e aplikacionit.

    “Ligji që ndalon TikTok-un është miratuar në SHBA. Për fat të keq, kjo nënkupton se ju nuk mund të përdorni për momentin TikTok-un. Jemi me fat që presidenti Trump ka treguar se do të punojë me ne për një zgjidhje për të rikthyer TikTok-un, pasi ai të marrë detyrën”, u tha në njoftimin që platforma publikoi për përdoruesit të shtunën mbrëma.

    Edhe nëse është e përkohshme, ndalja e paprecedent e TikTok-ut, që është në pronësi të ByteDance nga Kina, pritet të ketë ndikime të ndryshme në raportet SHBA-Kinë, në politikën e brendshme amerikane, në tregjet në mediat sociale dhe te miliona amerikanë që varet ekonomikisht nga ky aplikacion.

    Kjo është hera e parë që SHBA-ja ndalon një platformë të madhe të mediave sociale. Kongresi amerikan vitin e kaluar miratoi ligjin për ndalimin e tij, por ligji i mundëson administratës së re të Trumpit autoritetin që ta ndalojë apo të kërkojë që të shitet tek aplikacionet tjera që janë në pronësi kineze.

    Aplikacionet e tjera që janë në pronësi të ByteDance, përfshirë edhe aplikacionin për editimin e videove CapCut dhe aplikacionin Lemon8, po ashtu dolën jashtë përdorimit në SHBA.

    “Zgjatja prej 90 ditësh është diçka që me shumë gjasa do të ndodhë sepse është gjëja e duhur”, tha Trump për NBC. “Nëse vendos ta bëj këtë, me gjasë do të njoftoj për këtë temë të hënën”.

    Sipas ligjit të miratuar vitin e kaluar, e që u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme amerikane më herët gjatë kësaj jave, platforma kishte kohë deri të dielën që të shkëpuste raportet me partnerët që gjenden në Kinë ose do të ndalohej në SHBA, për shkak të shqetësimeve se ky aplikacion paraqet kërcënime për sigurinë kombëtare.

    Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga demokrati Joe Biden, tha të shtunën se i përket administratës së re që të ndërmarrë veprime.

    Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës./REL

  • Temperatura të ulëta ekstreme në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara

    Një valë e re të ftohti pritet të përfshijë pjesë të tëra të Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, të shoqëruara me erëra të ftohta, dëborë dhe ngrica.

    Temperaturat e ftohta që parashikohen për ditën e hënë (20.01.2025) në Uashington, detyruan autoritetet që ta zhvendosin ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Trump në ambientet e brendshme të Kapitolit.

    Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, që nga malet Rockies në Kolorado deri tek shtetet veriore, temperaturat do të bien duke filluar nga e diela (19.01.2025) dhe do të vazhdojnë gjatë tërë javës së ardhshme dhe ato do të arrijnë deri në – 40 gradë celsius, ose edhe më të ulëta, në Dakota dhe në pjesën veriore të Minesotës, sipas meteorologut nga Shërbimi Kombëtar i Motit, Marc Chenard.

    Në kushte të tilla atmosferike, mund të pësohet deri edhe ngrirje nëse ndonjë pjesë e trupi të njeriut ekspozohet ndaj këtyre temperaturave, qoftë edhe për më pak se 10 minuta. Zyrtarët e institutit meteorologjik u bënë thirrje banorëve të veshin xhaketa, kapele dhe doreza dhe të kalojnë sa më pak kohë jashtë.

    Autoritetet presin që reshjet e shiut dhe të borës të krijojnë probleme në komunikacion, sidomos në pjesët e vendit që zakonisht nuk përjetojnë mot të këtillë dimëror./VoA

  • Presidenti i zgjedhur Trump sinjalizon për shtyrjen me 90 ditë të ndalimit të rrjetit TikTok

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha të shtunën (18.01.2025) se “brenda të gjitha gjasave” do t’i japë rrjetit TikTok edhe 90 ditë të tjera afat, për të arritur një marrëveshje që do t’i mundësonte kësaj platforme të suksesshme të shpërndajes së videove në Shtetet e Bashkuara, që të shmangte masën e ndalimit.

    Gjatë një interviste me kanalin televiziv NBC News, presidenti i zgjedhur Trump tha se nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë, por se po shqyrtonte mundësinë e një shtyrjeje të përkohshme të masës së ndalimit, pasi të ketë bërë betimin të hënën (20.01.2025). Të dielën hyn në fuqi në Shtetet e Bashkuara ligji i ri që ua ndalon shërbimeve të aplikacioneve dhe atyre të internetit shpërndarjen e programit TikTok.

    Sipas ligjit të miratuar nga Kongresi dhe të nënshkruar në fuqi nga presidenti Biden vitin e kaluar, kompanisë mëmë kineze të rrjetit TikTok i ishte dhënë një afat 9-mujor që t’ia shiste degën në Shtetet e Bashkuara një blerësi të miratuar paraprakisht. Ligji i lejon gjithashtu presidentit që të bëjë një shtyrje të afatit, nëse ka filluar procesi për shitjen.

    “Mendoj se do të ishte sigurisht një opsion që do ta shqyrtonim… Shtyrja 90-ditore është diçka që me të gjitha gjasat do të ndodhë, pasi është e përshtatshme. Është e përshtatshme”, i tha Presidenti i zgjedhur Trump, drejtueses së emisionit “Meet the Press”, Kristen Welker, gjatë një interviste nëpërmjet telefonit. “Duhet ta shqyrtojmë me kujdes. Është një situatë shumë e madhe… Nëse vendos ta bëj këtë, ndoshta do ta njoftoj të hënën” – tha ai./VoA