Etiketë: ShBA

  • Çfarë nënkupton ndalimi i mundshëm i TikTok-ut për konkurrencën SHBA-Kinë?

    TikTok, në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, po përballet me ndalesë në Shtetet e Bashkuara. Ajo çfarë do të ndodhë më pas do të ketë pasoja të mëdha për konkurrencën globale në fushën e teknologjisë mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mund të përcaktojë raportet e presidentit në ardhje, Donald Trump, me Pekinin.

    Platforma për video është aplikacioni i parë global i Kinës dhe ia ka kaluar me performancë rivalëve, që janë në pronësi të SHBA-së, sikurse Instagram, Facebook apo X. Çështja e pronësisë kineze ishte ajo që e vendosi TikTok-un në shënjestër të Kongresit amerikan, i cili në prill të vitit 2024 miratoi një ligj lidhur me shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, përfshirë përhapjen e dezinformatave dhe spiunazhit. Ligjin ka kërkuar nga ByteDance që ta shesë aplikacionin deri më 19.01.2025 apo, në të kundërtën, do të përballet me ndalesë.

    Përderisa kritikët e ndalesës thonë se të dhëna të ngjashme dhe shqetësime për privatësinë ekzistojnë edhe për platformat e mediave sociale të SHBA-së, çështja e pronësisë kineze i shton një dimension të ri.

    Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës.

    Më 2023, një gazetare britanike tha se të dhënat dhe vendndodhja e saj u gjurmuan nga punonjësit e TikTok-ut në Kinë dhe në SHBA. Dokumentet gjyqësore në SHBA të një ish-punonjësi të ByteDance po ashtu përshkruan se si Partia Komuniste e Kinës kishte qasje në të dhënat e kompanisë për të spiunuar protestuesit prodemokracisë në Hong Kong më 2018.

    E gjithë kjo po ndodh mes tensioneve të rritura ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit si dhe në mes të shqetësimeve në rritje për spiunazh dhe hakim kinez në SHBA.

    Trump ka lënë të kuptohet se është kundër ndalimit, pasi fillimisht e kishte mbështetur një lëvizje të tillë. Ai tha më 17.01.2025 se vendimi i tij për TikTok-un “do të merret në të ardhmen jo shumë të largët”. Ai po ashtu zbuloi se kishte biseduar me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, dhe veç tjerash, kishte diskutuar edhe për TikTok-un.

    Mandati paraprak i Trumpit si president, nga viti 2016 deri më 2020, ishte karakterizuar me një qëndrim të ashpër karshi Kinës dhe me shënjestrim të kompanive kineze në Kinë dhe jashtë vendit, duke nisur nga infrastruktura e telekomunikimit 5G e deri te firmat e kamerave mbikëqyrëse. Ky qëndrim i ashpër ishte në kontekstin e thellimit të garës teknologjike mes Pekinit dhe Uashingtonit.

    TikTok është versioni ndërkombëtar i Douyin-it të ByteDance, i cili shërben për tregjet në Hong Kong dhe Kinë dhe i përmbahet aparatit të rreptë të censurës të Pekinit. Teksa është një biznes i suksesshëm, popullariteti dhe ndikimi i tij i kanë dhënë një shtysë globale Pekinit. Mosgatishmëria e ByteDance për ndryshimin e pronësisë tregon vlerën që i jep algoritmit që e ka krijuar dhe që TikTok-u të vazhdojë të jetë kompani kineze.

    Se si do ta trajtojë Trumpi këtë ndalesë mund të jetë një sinjal i hershëm se si ai do t’i qaset raporteve me Kinën dhe për llojin e dinamikës që ai do të ketë me Xi-në./REL

  • J.D Vance, profili i një prej nënpresidentëve më të rinj në moshë në historinë e SHBA

    Republikani JD Vance vjen nga një familje e thjeshtë amerikane me prejardhje modeste. Ai u rrit në mes vështirësish ekonomike një qytet industrial të shtetit Ohajo. Më pas ai ndoqi studimet në një nga universitetet më të mira të vendit dhe tashmë merr detyrën e nënpresidentit, si një prej tre njerëzve më të rinj në moshë që kanë mbajtur këtë post në historinë amerikane.

    Pak minuta pasi u zgjodh nënpresident i Shteteve të Bashkuara, JD Vance deklaroi se:

    “Pas rikthimit më madhështor politik në historinë amerikane, ne do të udhëheqim rikthimin më të madh ekonomik në histori, nën drejtimin e Donald Trump-it”.

    Skena kombëtare në të cilën ai është ngjitur, është larg prej rrugicave të pjesës qendrore të Amerikës. Qyteti Jackson në Kentucky, nuk është vendi ku lindi zoti Vance. Por ai e quan atë vendin e tij.

    “Kur i propozova bashkëshortes time, i thashë: ‘E dashur, vij me një borxh prej 120 mijë dollarësh nga studimet juridike dhe një parcelë të rezervuar në një varrezë në lindje të shtetit Kentucky”, tha zoti Vance gjatë kandidimit në zgjedhje.

    Gjyshen e zotit Vance e thërrisnin ‘Nëna’.

    “Vinte gjithnjë këtu me gjyshen. Ajo e sillte në mal, që ai të shihte se si ishte jeta dhe ishte e dukshme që atij i pëlqente”, thotë John Hollan, sherifi i kontesë Breathitt, Kentucky.

    Ai lindi në Middletown, të Ohajos dhe u rrit më shumë nga gjyshja e rreptë, që ngrinte zërin shpesh dhe mbante në shtëpi 19 armë të mbushura.

    Duke mbajtur mbiemrin e njerkut të tij, JD Hamel fitoi zgjedhjet e tij të para. Për rastësi ai ishte dhe nënpresident i klasës së tij në shkollën e mesme në Middletown. Ai shërbeu si marins dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

    Më pas, ai vazhdoi studimet në Universitetin Yale, ku u njoh me studenten Usha Chilukuri – bashkëshorten e tij të ardhshme.

    Zoti Vance u bë i njohur në nivel kombëtar për shkak të librit të tij të suksesshëm të vitit 2016 për klasën punëtore të Amerikës, që më pas u shndërrua edhe në film me titullin “Hillbilly Elegy”. Në film, aktorja Glenn Close luan rolin e gjyshes së tij të rreptë

    “Je ti që duhet të vendosësh nëse dëshiron të bëhesh dikush apo jo?”, i thotë ajo në film.

    Me mbështetjen e ish-Presidentit Donald Trump, djaloshi nga Ohajo që dashuron shtetin Kentaki u zgjodh senator i shtetit të Ohajos. Dhe vetëm dy vite më vonë u njoftua se zoti Trump e përzgjodhi për të kandiduar për nënpresident të Shteteve të Bashkuara. Zoti Vance pati megjithatë një fillim të vështirë, pasi e kishte quajtur në të kaluarën zotin Trump “moskokëçarës’ dhe pati deklaruar se “nuk do të bëhej kurrë mbështetës i tij”.

    Më pas, ndërsa kandidonte për nënpresident, politikat e zotit Vance reflektonin ato të zotit Trump. Dhe ai dha këtë përgjigje kur u pyet nëse “ish-presidenti i kishte humbur zgjedhjet e 2020-ës?”:

    “Jo, mendoj se ka probleme serioze me 2020-ën. Pra, duke iu pergjigjur pyetjes a i humbi Donald Trump-i zgjedhjet? Jo, do te thosha une”.

    Zoti Vance ka përqasje të ashpër në lidhje me Kinën dhe Azinë Lindore, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe……i pyetur për konfliktin Izrael-Hamas tha se:

    “Kamala Harris, nga njëra anë thotë se shqetësohet vërtet për viktimat në radhët e civilëve. E megjithatë, ajo refuzon t’i japë Izraelit armët që i mundësojnë të minimizojë viktimat civile”.

    Në moshën 40-vjeçare, zoti Vance do të jetë nënpresidenti i tretë më i ri në historinë amerikane/VoA/.

  • Ceremonia e betimit të Trumpit do të mbahet brenda, për shkak të motit acar

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se inaugurimi i tij të hënën do të zhvillohet brenda ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington, për shkak të motit acar.

    Kjo do të jetë hera e parë në 40 vjetët e fundit që një president amerikan e bën betimin brenda dhe jo jashtë ndërtesës.

    “Një i ftohtë i Arktikut ka kapluar vendin. Nuk dua që njerëzit të dëmtohen, apo lëndohen në çfarëdo mënyre”, tha Trump të premten në rrjetin e tij social, Truth Social.

    Hera e fundit kur inaugurimi i zhvillua brenda ndërtesës për shkak të ftohtit të madh, ishte betimi i ish-presidentit republikan, Ronald Reagan, për mandatin e dytë presidenciale më 1985.

    Shërbimi Kombëtar i Motit ka parashikuar se temperatura do të jetë rreth -6 gradë celsius gjatë mesditës së hënë kur do ta bëjë betimin Trumpi. Gjatë inaugurimit të dytë të Reaganit, temperatura kishte rënë -14 gradë celsius.

    Trump tha se mbështetësit mund ta shikojnë ceremoninë në ekrane brenda Capital One Arena, një arenë sportive në qendër të Uashingtonit që ka kapacitet prej 20.000 ulësesh.

    Ai gjithashtu tha se parada e tij presidenciale, e cila ishte planifikuar të përfshinte bende muzikore dhe grupe të tjera që do të kalonin nëpër “Pennsylvania Avenue” pranë Shtëpisë së Bardhë, do të zhvendoset brenda Capital One Arena. Nuk është e qartë se si do të zhvillohet një paradë brenda arenës sportive.

    Trump tha se do t’i bashkohet turmës në arenën sportive pasi ta bëjë betimin.

    I ftohti acar ka ndikuar në disa inaugurime të të kaluarën.

    William Henry Harrison, presidenti i nëntë i SHBA-së, mbajti fjalimin më të gjatë të inaugurimit më 4 mars të vitit 1841, në kushte të lagështa dhe të ftohta, pa kapelë ose pallto.

    Ajo ngjarje dhe ai fjalim mendohet të kenë ndikuar në vdekjen e tij nga pneumonia. Ai vdiq një muaj pas marrjes së detyrës, duke e bërë presidencën e tij më jetëshkurtrën në historinë amerikane.

    Gjatë ceremonisë së dytë të betimit për presidentin, Ulysses S. Grant, më 4 mars 1873, disa kadetë dhe nënoficerë që qëndronin jashtë pa pallto, kolapsuan, ndërsa erërat e forta bënë që fjalimi i Grantit të mos dëgjohej as nga ata që ishin pranë tij në platformë, sipas një historie të botuar nga Shërbimi Kombëtar i Motit.

    Temperatura e ulët e mëngjesit prej -15 gradë celsius atë ditë mbetet dita më e ftohtë e marsit në e regjistruar ndonjëherë në Uashington/REL/.