Etiketë: ferizaj

  • Ferizaj, mbi 800 gjoba për kundërvajtje në komunikacion brenda një jave

    Policia në Ferizaj ka shqiptuar një numër gjobash kundërvajtëse dhe ka trajtuar disa aksidente në komunikacionin rrugor gjatë periudhës: prej 30.12.2024 deri më 05.01.2025.

    Sipas njoftimit të Policisë, në periudhën e përmendur janë shqiptuar 808 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr pesë patentë-shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor.

    Janë raportuar 66 aksidente, prej tyre: një aksident fatal në të cilin ka vdekur një person, 21 aksidente me lëndime në të cilat janë lënduar 34 persona dhe 44 aksidente me dëme materiale.

    Teksa u ka kërkuar kujdes shoferëve në komunikacion, Policia ka kërkuar nga qytetarët që të bashkëpunojnë me ta duke e raportuar secilën kundërvajtje në Stacionin më të afërt të Policisë apo në numrat e telefonit: 192,0290/326-250 & 0290/322-406.

    “Policia Rajonale e Ferizajit do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, si dhe apelojmë te shoferët që të bëjnë kujdes, të respektojnë shenjat dhe rregullat në komunikacion.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 06.01.2025.

  • Ferizaj, shoqërohet në Polici një person për dhunë psikike ndaj gruas së tij

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje me 04.01.2025 një person në Ferizaj është shoqëruar në stacionin policor, pasi që kishte shkaktuar dhunë psikike ndaj gruas së tij.

    Po ashtu, Policia ka njoftuar se nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me gaz.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

  • Fundi i vitit 2024 shënon edhe fundin e funksionimit të disa QMF-ve në fshatra të Ferizajt

    Me përfundimin e vitit 2024, punën e kanë përmbyllur edhe disa QMF në periferi të qyteteve. Në Ferizaj, në 5 prej fshatrave të njëjtat veçse janë mbyllur. Nga Drejtoria e Shëndetësisë këtë e arsyetojnë me numrin e vogël të stafit e mbingarkesën e punës. E të pakënaqur mbesin banorët të cilët përpos shpenzimeve mjekësore, tanimë u janë shtuar edhe ato të transportit.

    Qendrat për kujdesin parësor janë të parat që pranojnë në trajtim shqetësimet shëndetësore të qytetarëve.

    E ndonëse në qytete QMF-të po vazhdojnë ta kenë këtë funksion, ato në periferi të tyre po shuhen.

    Që nga koha e stërgjyshit të tij, Shefki Hasani dhe familja kanë jetuar në fshatin Gaçkë. Ndonëse larg nga Ferizaj, fshati ua plotësonte të gjitha nevojat. Por tash e disa muaj, jo më.

    Ambulantës së këtij fshati i është vënë dryni e nevojave të banorëve të këtij fshati, tani iu përgjigjen Qendrat e Mjekësive Familjare në qytet të Ferizajt. Kjo tregojnë se ua ka vështirësuar jetën.

    ”Unë frik kam dëgju që s’po punon, e pata një rast. Doja të merrja vaksinën e gripit sezonal dhe kur shkova, ambullanta ishte mbyllur. Çka u bë pyeta, më thanë se e kanë mbyllur, e kanë qu punëtoren në qytet me punu dhe mjeku më nuk vjen” – ka thënë Shefki Hasani, banor i Gaçkës.

    E nga nevoja për hapjen e saj, ai thotë se ka nisur të marrë vetiniciativë për rikthimin e saj.

    ”Unë vet kam biseduar me kusheri e kojshi, të shkojmë tek drejtori e tek kryetari dhe të kërkojmë pse të na e mbyllin. Jemi 500 shtëpi, 500 familje e pamundur pa u sëmurë ndonjëherë brenda ditës e natës. Janë afër 400 nxënës në shkollë, për çdo rast tash na duhet me qu në ambullanta të tjera duke e pas ata në derë të shtëpisë” – ka thënë Shefki Hasani, banor i Gaçkës.

    Por Gaça nuk është fshati i vetëm që QMF-ja është mbyllur. Njëjtë ka ndodhur edhe në Varosh.

    ”Në Ferizaj kontrollohem por më lehtë do ishte këtu, e kam më afër sesa në Ferizaj. Nëse s’kemi veturë, si të shkojmë?”.

    Të njëjtën pamje ka edhe Qendra e Mjekësisë familjare në Llojzë, e cila nga shtatori është jashtë funksioni.

    Ani pse mjekun e kishin në dyert e shtëpisë, tani banorët e fshatit Llojzë detyrohen të shkojnë deri në qytet për të marrë shërbimet mjekësore. E përpos tyre, në kosto u përfshihet edhe rrugëtimi”.

    Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj, Kemajl Emini, tregon se pos problemeve, shtesë vështirësi u ka shkaktuar edhe ndërprerja e një kontratë me organizatën “Caritas” për shkak të kontratës kolektive e që sipas tyre, penalizon drejtorinë me 1 milion euro.

    ”Së pari, që tri vite kemi bërë kërkesë për shtim stafi për QKMF në Ferizaj në ministritë përkatëse si edhe deputetëve të Ferizajt,  me 8 faqe arsyetime për 100 vetë, për shtim stafi; mjek, stomatolog, infermier etj., Por nuk kemi gjetë koncensus, edhe pse jemi komuna e tretë në Kosovë për numër banori e kemi vetëm 318 staf, ndërsa krahaso Gjilanin dhe Mitrovicën që kanë mbi 450 staf. Së dyti, kemi pas një kontratë me “CARITAS” të cilën nuk po mund ta vazhdojmë për shkak të kontratës kolektive që vetëm drejtorinë time e penalizon 1 milion e Ferizajn 10 milion. Së treti, kemi filluar një orar të ri 8- 16 , në bashkëbisedim me Ministrinë e Shëndetësisë për përzgjedhjen e mjekut familjar. E gjithë kjo po na pamundëson punën nëpër QMF”- Kemajl Emini, drejtor për Shëndetësi në Ferizaj.

    Televizioni ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë rreth çështjes, por nga e njëjta nuk ka pranuar përgjigje./Dukagjini