Etiketë: ShBA

  • Kuba do të lirojë të burgosur, pas hapit të SHBA-së

    Qeveria kubane ka njoftuar lirimin e qindra të arrestuarve. Ky është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj Vendimit të Qeverisë amerikane për ta hequr shtetin socialist nga lista e vendeve terroriste.

    Pas njoftimit të një përfaqësuesi të Qeverisë amerikane për heqjen e Kubës nga lista amerikane e vendeve terroriste, Havana ka folur për lirimin e qindra të burgosurve. Presidenti Miguel Diaz-Canel njoftoi një Vendim “për t’u dhënë liri 553 personave të dënuar siç duhet për krime të ndryshme” – tha Ministria e Jashtme Kubane.

    Sipas Ministrisë së Jashtme Kubane lirimi do të bëhet gradualisht. Për momentin nuk dihen emrat e të burgosurve kubanë të cilët do të lirohen.

    Havana e mirëpriti njoftimin e SHBA-së për heqjen e listës terroriste, si një hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, bllokada e SHBA-së kundër vendit të tij mbetet në fuqi – tha ministri i Jashtëm Bruno Rodriguez, duke iu referuar embargos së madhe amerikane të vendosur ndaj shtetit komunist të Karaibeve, që nga viti 1962.

    Heqja nga lista amerikane e terrorizmit

    Sipas një zyrtari qeveritar, presidenti amerikan Joe Biden kishte vendosur më parë të hiqte Kubën nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit. Siç tha përfaqësuesi i Qeverisë në Uashington të martën, më 14.01.2025, ky “gjest i vullnetit të mirë” duhet të ndihmojë negociatat për lirimin e një “numri të konsiderueshëm të të burgosurve politikë”.

    Shpresohet se lirimi të ndodhë përpara se Donald Trump, Partia Republikane e të cilit tradicionalisht mban një linjë të ashpër kundër autoriteteve në Kubën komuniste të marrë detyrën të hënën e ardhshme, më 13.01.2025.

    Katër vjet më parë, Trump e vendosi Kubën në listën amerikane të vendeve që mbështesin terrorizmin, ku përfshihen edhe Siria, Irani dhe Koreja e Veriut. Pas marrjes së detyrës, ai mund ta ndryshojë menjëherë Vendimin e Biden-it.

    Dënime me burg për pjesëmarrje në protesta

    Vendimi për Lirimin e të burgosurve është pjesë e një Marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike. Ai ka të bëjë kryesisht me personat e arrestuar gjatë protestave antiqeveritare të verës 2021 në Kubë.

    Sipas shifrave zyrtare, rreth 500 persona janë dënuar në Kubë me burgim deri në 25 vjet, për pjesëmarrjen e tyre në protestat e 11 – 12.07.2021. Këto ishin demonstratat më të mëdha kundër Qeverisë së Havanës, që nga Revolucioni Kuban i vitit 1959./DW

  • Ministria e Mbrojtjes: FSK-ja merr dritën e gjelbër nga SHBA-ja për blerjen e helikopterëve

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në blerjen e helikopterëve, radarëve dhe mbrojtjes ajrore – ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes.

    Siç thekson Minstria, kjo është konfirmuar nga vizita zyrtare në SHBA e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit.

    “Mbështetja e SHBA-së përbën një shtyllë të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës, si një vend me vizion euroatlantik. Mirënjohje të thellë për aleatin tonë të përhershëm, SHBA-në, për ndihmën dhe besimin e vazhdueshëm.” – citohet ministri Maqedonci, në postimin e publikuar më 15.01.2025 nga Ministria e Mbrojtjes.

    Më tej thuhet se ministri Maqedonci shtoi se kjo iniciativë “jo vetëm që rrit aftësitë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe forcon pozicionin tonë si partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë”.

    14.01.2025, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, bashkë me delegacionin përcjellës gjatë vizitës së tyre në SHBA janë pritur nga ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Europë, Alton Buland në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.

     

  • Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i FSK-së priten nga Ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Europë në SHBA 

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, bashkë me delegacionin përcjellës, janë pritur nga Ndihmëssekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Europë, Alton Buland në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.

    Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se ministri Maqedonci gjatë këtij takimi ka folur për sukseset e përbashkëta dhe për aktivitetet dypalëshe, Planin e tranzicionit dhe për realizimin e Marrëveshjes Kornizë ndërmjet vendeve tona në fushën e mbrojtjes.

    Ndërkaq, Jashari thuhet se ka folur për aktivitetet bilaterale ushatrake në mes të dy forcave, për planet për bashkëpunim me Gardën Kombëtare të Ajovës dhe për finalizmin e Planit 10-vjeçar të tranzicionit. 

    Ndërkaq, Buland tuhet se ka theksuar rëndësinë e partneritetit në mes të dy vendeve dhe se ka ofruar mbështetjen e Departamentit të Mbrojtjes për rrugëtimin përpara drejt përmbushjes së objektivave strategjike.

    “Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi në mes bilateral është në nivel të lartë dhe me hapa konkret për zhvillim të mëtutjeshëm në shërbim të garantimit të interesave të sigurisë të dy vendeve tona.” – thuhet në njoftim, më 14.01.2025.