Etiketë: AAK

  • Haradinaj e Limaj nisin fushatën në Prekaz: Zotohemi për fuqizimin e vendit

    Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.

    Ai fushatën e hapi duke bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

    Haradinaj ka thënë se nga Prekazi niset për “Kosovën Fituese” me numrin 137.

    “Prekazi është vendi që na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe, liri e demokraci. Nga këtu nisemi për Kosovën Fituese me numrin 137. Rroftë Kosova”- ka thënë Haradinaj.

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se fushatën po e nisin nga Prekazi i komandantit legjendar, Adem Jashari, prej aty ku nisën celulat e para të lirisë.

    “Nga Prekazi i Adem Jasharit, nga emblema e lirisë, nga ku nisën celulat e para të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke u zotuar për avancimin dhe fuqizimin e vendit tonë”- shkroi Limaj.

    Nga sot më 11 janar ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Partitë politike në Kosovë, kanё nisur qё moti tё përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pёrmes para-fushatave qё kanё zhvilluar tash e disa muaj.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, ndërsa Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore me numër 137.

    Nga këto zgjedhje do të vendoset përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.

    Qeveria aktuale e formuar mё 2021 në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

    KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

  • AAK premton rritje të subvencioneve në bujqësi

    Kandidatët për deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë shpalosur në “Debat Përnime” prioritetet në fushën e bujqësisë. 

    Me profesion ekonomiste, Emine Daci-Zejnullahu, tha se ka fakte që 300 milionë euro të Qeverisë të tanishme të cilat janë investuar në sektorin e bujqësisë nuk kanë rezultuar me rritjen e GDP-së (Bruto Produkti Vendor). 

    “Sektori i bujqësisë në vitin 2019 ka kontribuar në 7.4 % të GDP-së, kurse tani, nëse shkojmë në vitin 2023 e kemi të njëjtën. Kjo ka ardhur si pasojë e një qasjeje joprofesionale” – tha ajo.

    Kandidatja për deputete u zotua se në sektorin e bujqësisë do të fokusohen kryesisht te fuqizimi ekonomik i ndërmarrjeve të vogla, femerëve të vegjël si dhe atyre të mesëm.

    Ndërsa, Tahiri tha se në fushën e bujqësisë e para dhe më kryesorja do të jetë rritja e subvencioneve për fermer, pasi sipas tij, “armiku kryesor” i Kosovës pas Serbisë është “dobësimi i ekonomisë, dobësimi i prodhimit dhe dobësimi i atyre që bëjnë punë në fushë”.

    “Subvencionimi do të krijohet në mekanizmin jo të dhuratave për miqë e dashamirë, por subvencionimi do të kthehet në pika strategjike”- tha Tahiri, duke shtuar se nëse e marrin Qeverinë do t’i rrisim 20% krahasuar me Qeverinë aktuale.

    Për më shumë klikoni në link:

    https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-aak-se-ne-debat-pernime-per-ckapje-te-sistemit-te-drejtesise/

  • AAK në “Debat Përnime”: Kosova s’ka nevojë për SPAK, e kemi Prokurorinë Speciale

    Në emisionin “Debat Përnime”, në të cilin është diskutuar për programin zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e diskutimeve ishte nevoja për një “reformim rrënjësor” të sistemit të drejtësisë.

    Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com ka ballafaquar kandidatët e AAK-së me objektivat e tyre programore në këtë fushë.

    “Pse po doni me e fuqizu Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, një mekanizëm i cili është totalisht jofunksional edhe mbi bazën e ligjore në hetimin e pasurisë, dhe në anën tjetër mos me e fuqizu Prokurorinë e Shtetit, e cila i ka kompetencat për me i hetu- prej deklarimit, prej shpëlarjes së parave, prej krimit të organizuar, prej korrupsionit dhe elementeve të tjera. A po tentohet që sërish me u investu edhe katër vite të tjera në diçka që është mekanizëm i Kuvendit, i cili nuk ka përgjegjësi të mëdha në hetim të korrupsionit, por në parandalim, e me u shmangë investimi aty ku duhet- në krijimin e një SPAK-u të Kosovës” – pyetur Gashi.

    Përgjigje për këtë çështje ka dhënë kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për një SPAK, pasi të njëjtin funksion e ka Prokuroria Speciale.

    “ Shqipëria, SPAK-un e ka themeluar jo për qef. E ka themeluar sepse e ka pasë parakusht themelor për më ecë përpara. Dhe, unë mendoj që SPAK-u është mrekullia që i ka ndodhë Shqipërisë, por nuk mendoj që këtu duhet të vijë një SPAKë, për shkak se ne e kemi SPAK-un. SPAK-u i Kosovës është Prokuroria Speciale”, ka deklaruar Tahiri.

    Madje, ai foli edhe për ngjashmëritë që kanë në përmbajtjen ligjore këto dy institucione.

    “Nëse i lexoni detyrat që i ka SPAK-u dhe i lexoni detyrat që i ka Prokuroria Speciale nuk dallojnë shumë. Ajo që ne duam është që ta rrisim integritetin e gjykimit, guximin dhe njëkohësisht përformancën, por jo duke marrur një model i cili për mendimin tim nuk i takon…”- ka deklaruar ai.

    Njëjtë mendon edhe kandidati tjetër për deputet, Arton Demhasaj. Prokuroria Speciale, sipas tij, është një lloj SPAK-u, vetëm se duhet të investohet në aspektin financiar dhe në kuadro profesionale.

    “Në momentin që ne investojmë me bazë ligjore, por edhe në aspektin financiar, por edhe me resurse njerëzore, Prokuroria Speciale është një lloj SPAK-u. Specialja i ka këto kompetenca, veç duhet me mbështet me financa, me burime njerëzore dhe profesionale. E ata pastaj e kryejnë punën si SPAK-u në Shqipëri”- tha Demhasaj.

    Si të nevojshëm, ai e sheh edhe rishikimin e sistemit prokurorial.

    “Së pari duhet me ndodhë një lloj rishikimi i sistemit prokurorial që me ardhë deri tek ajo që me pasë një profilizim të qartë të sistemit prokurorial. Specialja mos me pasë kompetenca për me hetu gjithçka, por me qenë e profilizuar”- tha Demhasaj.

    Për më shumë kilikoni në link: