Etiketë: Donald Trump

  • Meloni në vizitë të papritur në rezidencën e Trumpit

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e ka realizuar një vizitë jozyrtare dhe të papritur në rezidencën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump në Florida, ka konfirmuar zyra e saj të dielën.

    Në disa fotografi të publikuara nga zyra e kryeministres, Meloni dhe Trump shihen duke bërë fotografi në hyrjen e rezidencës, dhe me vonë duke biseduar.

    Zyra e saj nuk ka dhënë më shumë hollësi për vizitën.

    Fotografitë e dy liderëve konservatorë afër njëri-tjetrit janë publikuar në faqet e para të të gjitha gazetave italiane.

    Meloni është njëra prej liderëve botërorë, përfshirë kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, që kanë vizituar Trumpin para inaguruimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.

    Meloni e ka realizuar këtë vitë pak para se presidenti amerikan, Joe Biden të nisë një vizitë katërditore në Romë.

    Në fotografitë e publikuara nga zyra e Melonit, ajo është parë në takim edhe me senatorin e Floridas, Marco Rubio, të nominuar nga Trumpi për Sekretar amerikan Shteti/RadioEvropaeLirë/.

  • Kryeministri i Groenlandës distancohet nga Danimarka

    Të shmangim “prangat e kolonializmit”: Me fjalë të qarta si asnjëherë më parë kryeministri i Groendlandës, Mute Egede, u shpreh për pavarësinë nga Danimarka.

    “Ka ardhur koha, që ne të ndërmarrim një hap dhe të formësojnë të ardhmen tonë”, tha kryeministri i ish-kolonisë daneze Mute Egede, në fjalimin e tij me rastin e vitit të ri.  Kjo vlen edhe sa ka të bëjë me kë bashkëpunon ngushtë Groenlanda dhe cilët do të jenë partnerët e saj tregtarë. Vitet e kaluara në Groenlandë ka fituar forcë lëvizja e pavarësisë, por deri tani kryeministri ka qenë më i rezervuar lidhur lidhur me këtë temë. Pak para kësaj nisme të Egedes, presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump – ashtu si edhe më 2019 – ka sinjalizuar interesin për “pronësi dhe konotrll” të ishullit gjigand në Arktik. Egede e pati kundërshtuar menjëherë Trumpin prerazi dhe në fjalimin e tij sivjet nuk u përmend as politikani amerikan dhe as SHBA-ja.

    Groenlanda me rreth 57.000 banorë është me rëndësi të madhe strategjike për SHBA, që ka atje një bazë aviacioni ushtarak me sistem paralajmërues për raketat balistike. Kryeqyteti i Groenlandës Nuuk është më afër Nju Jorkut se sa Kopenhagës.

    “Populli duhet të vendosë”

    Në Groenlandë më 6 pril do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. “Eshtë populli i Groenlandës që duhet të vendosë, nëse vendi duhet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm në rrugën e pavarësisë. Ndaj periudha elektorale që këmi përpara duhet të jetë një periudhë, në të cilën populli groenlandez vendos, se si duhet të jetë e ardhmja e Groenlandës dhe sistemi i saj”, tha kryeministri Egede. Se kur mund të ndodhë kjo, ai e la të hapur. Një shumicë në vend është për pavarësinë, por ka mendime të ndryshme sa i përket planit kohor dhe pasojave të mundshme që priten ndaj standardit të jetesës.

    Pasuri të mëdha dhe ekonomi e brishtë

    Që nga viti 2009 Groenlandaka të drejtë, që të shpallë pavarësinë përmes referendumit. Megjithë pasuritë e mëdha nëntokësore si naftë e gaz, ekonomia e këtij vendi është e brishtë dhe e varur fort prej mbështetjes nga Kopenhaga si dhe nga peshkimi. “Historia dhe detyrimet aktuale kanë treguar, se në bashkëpunimin tonë me mbretërinë e Danimarkësnuk është arritur të vendoset barazia e plotë”, tha Egede. “Si edhe vende të tjera të botës ne duhet të punojmë, që të shmangim pengesat për bashkëpunimin – të cilat mund t’i konsiderojmë si pranga kolonializmi – dhe të ecim përpara. “Groenlanda deri më 1953 ka qenë kolon daneze, por ndërkohë është një territor i vetadministruar i mbretërisë. Kohët e fundit ngjallën indinjatë zbulimet lidhur me qëndrimet e padrejta të autoriteteve daneze në Groenlandë, ndër to edhe një fushatë për imponimin e natalitetit të kontrolluar në vitet 1960./DW

     

  • Washingtoni shton masat e sigurisë

    Forcat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë në Washington dhe në zonën përreth po mobilizojnë përforcime, ndërsa përgatiten për sigurimin e tre aktiviteteve të rëndësishme në kryeqytetin e vendit. Këto zhvillime vijnë pas sulmit në ditën e Vitit të Ri në New Orleans dhe shpërthimit në kamionin Cybertruck, të kompanisë Tesla, përpara Hotelit Ndërkombëtar Trump në Las Vegas.

    Aktiviteti i parë do të mbahet të hënën (06.01.2025), kur Kongresi i ri mblidhet për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, katër vite pas trazirave të 06.01.2021 në Kapitol.

    Aktiviteti i dytë do të jetë funerali shtetëror për ish-presidentin Jimmy Carter, duke filluar me ceremoni që fillojnë të martën (07.01.2025) dhe përfundojnë të enjten (09.01.2025).

    Aktiviteti i fundit do të jetë më 20.01.2025, kur do të inaugurohet presidenti i zgjedhur Donald Trump.

    “Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë. Kemi tre aktivitete (të veçanta të sigurisë kombëtare) brenda një periudhe prej 15 ditësh”, u tha të premten (03.01.2024) gazetarëve Matt McCool, nga zyra në Washington e Shërbimit Sekret.

    “Por, dua t’ju them se u përshtatemi nevojave. Kemi punuar prej vitesh për aktivitete të tilla. Kështu që do të jemi të përgatitur”, tha ai.

    Megjithë shqetësimet e krijuara pas sulmit në New Orleans dhe shpërthimin në Las Vegas, zyrtarët e sigurisë deri më tani kanë besim se aktivitetet në Washington do të zhvillohen të sigurta.

    “Nuk kemi ndonjë kërcënim të besueshëm apo konkret në lidhje me këto aktivitete”, tha David Sundberg, ndihmës drejtor në zyrën e FBI-së në Washington.

    Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kanë marrë masa të shtuara, duke patur parasysh se qyteti dhe rajoni po përballen me një mjedis me rrezikshmëri të shtuar.

    Shërbimi Sekret tha të premten (03.01.2025) se po sillte agjentë nga i gjithë vendi për të rritur praninë, e cila ishte sidoqoftë në nivelin më të lartë të tre viteve të fundit.

    Departamenti Metropolitan i Policisë së Washingtonit tha se ka shtuar rreth 4 mijë policë nga departamente të ndryshme nga mbarë vendi.

    Garda Kombëtare e kryeqytetit konfirmoi se ka miratuar kërkesa për mbështetje të mëtejshme, përfshirë vendosjen në dispozicion të 500 anëtarëve të tjerë të gardës, për certifikimin e zgjedhjeve në 06.01.2025 dhe oficerët ndërlidhës për funeralin shtetëror.

    Po shqyrtohet edhe një kërkesë shtesë për 7,800 ushtarakë të tjerë nga garda për sigurimin e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump.

    “Një mori masash sigurie, të dukshme dhe të padukshme, do të merren në koordinim, për t’u siguruar mirëfunksionimi i planit gjithëpërfshirës”, tha agjenti i Shërbimit Sekret, McCool.

    Policia e Washingtonit njoftoi se masat e rritura të sigurisë hyjnë në fuqi të dielën (05.01.2025). Oficerë të specializuar do të dislokohen në mbarë qytetin për të qenë në gatishmëri në rast të ndonjë emergjence.

    Policia e Kapitolit, e cila ka 2,400 oficerë dhe punonjës civilë që janë përgjegjës për mbrojtjen e Kapitolit dhe anëtarët e Kongresit, njoftoi se është tashmë më e përgatitur për emergjencat, krahasuar me katër vite më parë./VoA